Adnan Mehmeti: Antologjia “Pena e gruas” – testament dhe frymëzim

President i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë
New York, Prill 2025

“Gra, nëse do të shpëtohet shpirti i kombit, besoj se ju duhet të bëheni shpirti i tij.” Kjo thënie e Coretta Scott King, shkrimtares dhe bashkëshortes së Martin Luther King Jr., duket sikur ka frymëzuar edhe gratë krijuese shqiptare në Amerikë për të sjellë në jetë antologjinë “Pena e gruas”—një testament i fuqishëm i artit dhe shpirtit të tyre në letërsinë shqipe në diasporë.
Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë ka një histori të pasur dhe një mision fisnik: të ruajë, zhvillojë dhe promovojë kulturën dhe letërsinë shqipe në mërgatë. Brenda kësaj shoqate, gratë krijuese kanë luajtur një rol të veçantë, duke sjellë një zë të fuqishëm, të ndjeshëm dhe autentik në fushën e letrave. Këtë herë, ky zë vjen i përmbledhur në antologjinë “Pena e gruas”, një vepër që na fton të udhëtojmë në botën shpirtërore dhe artistike të grave shqiptaro-amerikane që krijojnë anembanë Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë.
Pena e Gruas Shqiptaro-Amerikane është shpirti i Atdheut, por edhe më shumë se kaq—është një zë frymëzues që prek kombet dhe brezat e rinj, duke i afruar më pranë dashurisë dhe paqes universale. Aty ku forca e fjalës së gruas shndrit, aty lind shpresa, lulëzon lumturia dhe e ardhmja bëhet më e kthjellët. Sepse për gruan, atdheu i saj i vërtetë është dashuria. Virginia Woolf shprehej: “Si një grua, unë nuk kam atdhe. Si një grua, unë nuk dua atdhe. Si një grua, atdheu im është gjithë bota.” Në këtë frymë poetike, kjo antologji përfaqëson vizionin e Shoqatës sonë, e cila krenohet me rritjen e vazhdueshme të numrit të grave anëtare. Këto gra, të shpërndara në shumë shtete të Amerikës, janë të bashkuara nga dashuria për gjuhën dhe kulturën shqiptare. Përveç anëtareve të reja në Shtetet e Bashkuara, Shoqata ka zgjeruar veprimtarinë e saj edhe te krijueset shqiptaro-kanadeze, duke ndërtuar ura bashkëpunimi përmes pasionit të përbashkët për letërsinë shqipe.
Në tokën e poeteve të mëdha si Maya Angelou, Sylvia Plath, Anne Sexton, Emily Dickinson e shumë të tjera, edhe gratë krijuese shqiptare në diasporë synojnë të ecin në shtigjet e hapura nga këto figura të ndritura të letërsisë. Secila prej tyre sjell në letërsinë shqipe një dimension të ri, shpesh të paprekur më parë. Me guxim dhe përkushtim, ato shkruajnë për ndjenjat, sfidat, gëzimet dhe dhimbjet e tyre—si gra, si krijuese dhe si emigrante, duke qenë njëherësh bartëse të një trashëgimie të çmuar kulturore.
Çdo krijim në këtë antologji është një ftesë për të kuptuar më mirë botën e grave shqiptaro-amerikane—një botë e ndërtuar mbi dashurinë për familjen, gjuhën dhe vendlindjen, por edhe një botë që përballet me sfidat e jetës në emigracion. Gratë janë pjesa më e ndritshme e shoqërisë njerëzore, dhe kush tjetër veç tyre do ta ilustronte më bukur mendimin e Platonit kur thoshte: “Kushdo që takon dashurinë, bëhet poet.”
Pjesëmarrja e grave në letërsinë shqipe, veçanërisht në diasporë, ka qenë një udhëtim i gjatë dhe shpesh i vështirë. Në fillimet e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, numri i grave krijuese ishte i vogël. Por sot, ato janë një shtyllë e rëndësishme e Shoqatës, duke dëshmuar fuqinë dhe përkushtimin e tyre për të lënë gjurmë të qëndrueshme në kulturën dhe letërsinë shqiptare.
Stili është çelësi i mënyrës së një autori për të parë botën. Prandaj, në faqet e kësaj antologjie, lexuesi do të gjejë poezi të ndjera, prozë të ngrohtë dhe ese që sfidojnë mendimin dhe zgjerojnë horizontet. Kjo vepër na kujton se, edhe në largësi, ne mbetemi pjesë e një trashëgimie të përbashkët, që kërkon përkushtim dhe bashkëpunim për t’u ruajtur dhe përcjellë te brezat e ardhshëm.
Le të jetë kjo antologji një burim frymëzimi për të gjitha gratë krijuese shqiptare, kudo që ndodhen, dhe një thirrje për t’u bashkuar rreth fjalës shqipe, nën moton e atdhedashurisë: “Askush nuk mund të arratiset nga e shkuara.” Kjo është lidhja e pazgjidhshme që kemi me Atdheun.
Harold Bloom, kritiku i madh amerikan, i shihte shkrimtarët dhe poetët jo si zejtarë, madje as si mendimtarë, por si vizionarë dhe profetë që shohin thelbin e gjërave. Ashtu janë edhe krijueset e shoqatës sonë—gra të talentuara, të cilave u shprehim mirënjohje për kontributin e tyre të çmuar. Përpjekjet e tyre për të mbajtur të gjallë zjarrin e letërsisë shqipe në diasporë janë një dëshmi e pashoqe e fuqisë së artit dhe shpirtit krijues.
Antologjia “Pena e gruas” shënon një epokë të re në historinë e Shoqatës—një Belle Époque për krijimtarinë e grave shqiptare në Amerikë dhe më gjerë.