Kampit me tenda të bardha nuk i shihej fundi.Refugjatët silleshin vërdallë nëpër kamp si të humbur.Shqetësimi i tyre se a do të përfundonte shpejt lufta në Kosovë, shihej në fytyrat e zverdhura. Brenga kryesore ishte që lufta të përfundonte sa më shpejt dhe të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Bisedat e refugjatëve nga Kosova të vetmen dëshirë kishin përfundimin e luftës dhe kthimin në Kosovë.
-Të gjithëve na përzunë ore, të gjithëve! Dëbim masiv dhe i dhunshëm ka ndodhur në Kosovë. Na përzunë gra, fëmijë, pleq, plaka, burra…Në Kosovë kanë mbetur vetëm ushtarët e UÇK-së dhe ku ta dimë a janë gjallë, a kanë ushqim…???!!! –shprehnin brengosjen e thellë në shpirt refugjatët. -Një milion refugjatë në Shqipëri, një milion refugjatë në Maqedoni, pak kanë mbetur njerëz në Kosovë.
-thoshte një tjetër refugjatë. Të gjithë flisnin e brengoseshin për atë se sa do të zgjaste lufta në Kosovë, ndërsa në anën tjetër shpresat për të përfunduar lufta sa më parë dhe me fitore për Kosovën, ishin të mëdha te të gjithë refugjatët. Thuaja se të gjithë ishin optimistë për këtë dhe kjo i bënte ata të fortë dhe të qëndrueshëm.Kjo i bënte ata që t’i kalonin më me lehtësi ditët e vështira në kamp, përkatësisht ditët më të rënda që kishin përjetuar ndonjëherë në jetë.Ata jetonin të mërzitur dhe në ankth.Nuk dinin a u kishin shpëtuar të afërmit dhe miqtë, nuk dinin a u kishin shpëtuar shtëpitë pa u djegur.
-O burrë, hiq s’di gjë. A më kanë shpëtuar kusherinjtë, a më kanë shpëtuar të afërmit, miqtë, dajët, djemtë e hallës, vajzat e tezes, dhëndurët… ama hiq nuk e di. -ia shpaloste brengën e tij një refugjat një tjetrit.
-O Zot i madh, kur do të përfundojë lufta? Kur do t’i vjen fundi kësaj katrahure, kësaj vuajtjeje të tmerrshme që po e përjetojmë në këtë kamp, në këtë kodër shkëmbore afër Çegranit të Gostivarit? A jetohet në kamp refugjatësh ore?A jetohet në këto tenda, në këtë shkretëtirë gurësh e rrasash, në këtë shkretëtirë rëre e përcëllimi nga vapa?
–Na kallën tendat, na kallën krejt.
–thoshte një refugjat.Ndërkaq, një tjetër refugjat ndërhyri me fjalët krejt ndryshe.
-Vetëm të bëhet mirë. Vetëm të bëhet puna që edhe një herë të kthehem në shtëpinë time, në Atdheun tim, nuk dua asgjë tjetër në këtë botë. -fliste miku im ato ditë kur ishim refugjatë.
-Do të flej në rrugë, në oborr të shtëpisë sime të djegur, do të rri me javë pa gjumë, do të këndoj rrugëve të Prishtinës, do t’i puth të gjithë, të njohur e të pa njohur…-fliste miku im refugjat.
-Edhe unë posa të shkoj në Kosovë, do të këndoj me zë të lartë rrugëveë të qytetit dhe në sheshin kryesor të qytetit në Prishtinë.
-ndëryri një tjetër refugjat. E gjithë qenia njerëzore e refugjatëve nga Kosova, të përzënë nga atdheu i tyre, për në vendet fqinje në Shqipëri dhe në Maqedoni, shndërrohej në një fjalë të vetme: kthim. Banorët vendës të Cegranit, të Tetovës dhe rrethinës, vinin në kamp dhe i vizitonin refugjatët.Ata atyre u thonin “shumë shpejt keni për t’u kthyer në shtëpitë e juaja”. Këto fjalë ishin ngushllim për refugjatët, të cilat u jepnin shpresë se vërtetë një ditë shumë shpejt do të ktheheshin në shtëpitë e tyre. -O ju lumtë goja o vëllezër, për fjalët që po na thoni se shpejt do të kthehemi në shtëpitë tona! Ne me fjalët e juaja të mira dhe shpresëdhënëse, ndjehemi të lumtur dhe u falënderojmë nga zemra! -thonin refugjatët. Nuk kaluan shumë ditë, pas këtyre bisedave, vërtetë ndodhi kthimi.Vetëm një javë pas këtyre bisedave të refugjatëve, në Kosovë hynë forcat e NATO-s.Ishte fillimi i qershorit 1999. Atë ditë kur hynë për herë të parë forcat e NATO-s në Kosovë, ishte një gëzim i madh në kamp. Të gjithë refugjatët u gëzuan shumë dhe e përqafonin njëri tjetrin për këtë ngjarje të madhe. Atë ditë kur hyn forcat e NATO-s në Kosovë, në buzëmbrëmje, në orën 19.30 në lajmet qendrore në televizion, të gjithë refugjatët u mblodhën në mes të oborrit të kampit, ku ishte i vendosur televizori i vetëm në gjithjë kampin. Madje, të gjithë u habitën se nga erdhi ai televizor.Të gjithë u mblodhën për të shikuar e dëgjuar lajmet më të reja të ditës.Panë në ekran pamjet e hyrjes së NATO-së në Kosovë. Të gjithë duartrokitën dhe bërtitën me zë të lartë: NATO, NATO, NATO…! Ju lumtë! Ju lumtë! Zoti ju ndihmoftë! –dëgjoheshin urimet e refugjatëve.Në këto momente kishte edhe lot gëzimi, kishte edhe përaqfime dhe puthje mes refugjatëve. –Të faleminderit NATO! Thenk you NATO! –bërtisnin refugjatët me zë të lartë dhe të humbur nga gëzimi.Të nesërmen ndodhi kthimi.Kthimi i shumëpritur i refugjatëve.Një pjesë e tyre nuk pritën të qëndronin edhe ndonjë ditë në kamp, por i mblodhën qaklat dhe me valixhe në duar u nisën për në Kosovë me furgonë të banorëve nga Gostivari, rrethina dhe Tetova. Për cdo ditë, për dy javë rresht, lumi i refugjatëve nga Maqedonia për në Kosovë, nuk u ndalë. Nuk u ndalë as lumi i gjatë dhe i pafund i refugjatëve edhe nga Shqipëria.Maunet, traktorët me rimorkio të mbuluara me najlone të bardha, veturat, furgonët, autobusët, minibusët…nuk ndaleshin as ditë as natë, duke lëvizur rrugëve gjarpërore të kodrave të mëdha e të larta të Shqipërisë.Refugjatë, refugjatë, lum refugjatësh.Zhurma e makinave prishte qetësinë e natës nëpër ato kodra të rrëpinjta e të rrezikshme.Këtë kthim të refugjatëve të Kosovës, të cilët ktheheshin nga Shqipëria dhe nga Maqedonia, bota e quajti “kthim biblik”.Vërtetë me të drejtë është quajtur “kthim biblik”, sepse ka qenë kthim historik i refugjatëve.Pas kthimit të refugjatëve në atdhe me flamurin e fitores, pas përzënies së armikut nga Kosova, të gjithë njerëzit dhe çdo gjë në Kosovë buzëqeshte dhe dukej bukur. Jo vetëm njerëzit që ishin gëzuar shumë se ishin kthyer në shtëpitë e tyre, qoftë edhe të djegura, por edhe zogjtë dhe dallëndyshet ishin gëzuar se më në fund në Kosovë kishte arritur paqja dhe liria.Lufta kishte shkatërrur gjithçka. Mbi 200 mijë shtëpi ishin djegur deri në themel, mbi 15 mijë njerëz ishin vrarë dhe masakruar, mbi 7 mijë njerëz ishin rrëmbyer nga paramilitarët dhe kriminelët dhe ishin zhdukur pa gjurmë dhe nuk dihej për fatin e tyre… pasuritë, makinat, veturat, traktorët, teknika e bardhë, mobiliet e çka jo tjetër, ishte djegur dhe plaçkitur. Liria e shumëpritur fatmirësisht kishte ardhur, por vendi ishte shkatërruar thuaja se tërësisht nga lufta e tmerrshme.Megjithatë, përkundër kësaj gjendjeje, Kosova buzëqeshte anë e kënd, sepse dihej gjithmonë se liria nuk vjen dot pa flijime, pa vuajtje, pa sakrifica të mëdha.Edhe zogjtë e malit dhe të fushës, edhe dallëndyshet, ishin gëzuar për kthimin e refugjatëve, sepse këndonin pa ndalë. –Mami, shikoji zogjtë sa bukur po këndojnë! A thua mami, çfarë kënge po këndojnë ata zogj?-pyeti Blendi pesëvjecar. Nëna e tij ia ktheu: “Zemra e mamit, zogjtë po e këndojnë këngën e kthimit të refugjatëve, sepse edhe ata janë gëzuar që janë kthyer njerëzit. Po e këndojnë edhe një këngë tjetër. Po e këndojnë këngën e lirisë! –i tha fëmiut të vetë zonja Bukurije.
x x x
Kaluan katër vjet nga kthimi i refugjatëve. Miku im i cili në kamp fliste me mallëngjim për atdheun, për kthimin tonë sa më të shpejt në Kosovën tonë të dashur në kohën sa ishim refugjatë, tash pas katër vitesh ishte bërë një tjetër njeri. Kishte ndryshuar i tëri.Ishte tjetërsuar.Fjalët e atëhershme të cilat i kishte thënë në kamp si refugjat, i kishte harruar fare. –Më duhet të ik nga këtu sa më parë. Jam duke i numëruar ditët. Pasaportën e UNMIK-ut e kam futur në xhep dhe bacit ika për Gjermani ose Amerikë.–më thoshte miku im i kampit. Unë i mllefosur nga këto fjalë, nuk u durova dhe ia ktheva shkurt e shpejt: -Po a e di ti se çka thoje kur ishim në kamp të refugjatëve? A i ke harruar fjalët që i thoje: “a është jetë vetëm një herë të kthehem në Kosovë, asgjë tjetër nuk kërkoj!” A paske harruar?–i thash. -Jo jo, nuk kam harruar, por ka kaluar tash ajo kohë. –sikur u mundua të nxirrej miku i cili disi u gjend ngushtë.
-Po ik a???!!! Po Kosova? Po Kosovën ku po e lë?A e di se çka flisnim si refugjatë në Çegran? –ia përsërita këto fjalë në formë të pyetjes. Ai u shtang për një çast.Nuk foli asgjë.Pas pak foli disi si i humbur dhe i nerovzuar. -Kot e ke të më flasësh këso fjalësh. Unë ika. –tha miku duke shikuar katrorët e trotuarit dhe duke e lëvizur njërën këmbë sa para, sa prapa. -Çka po vizaton me këmbë? –i thash. –Asgjë. –ma ktheu miku. –O lum miku, mos u ngut. Mendo edhe pak. Për një vendim të tillë, duhet të mendosh më gjatë. Mos u ngut! –ia ktheva prerazi dhe u përshëndeta me të. –Pse ore ikin njerëzit nga Kosova? Çka mendojnë ata?A mos vallë mendojnë se ikja nga Kosova është shpëtim?A mos mendojnë se në vendet e huaja ka pula të pjekura të varura nëpër pemët e trotuareve?A mos mendojnë ata se atje është parajsa dhe lumturia e botës?–më përpëliteshin disa mendime në kokë. –Jo jo. U garantoj se ikja nga Kosova nuk është shpëtim! Përkundrazi, është vuajtje.Mos ikni nga Kosova, se ai është vendi i juaj, se ai është vendi më i bukur në botë.Lumturia është vetëm në atdheun tënd.Lumturia kurrë nuk ekziston në vendin e huaj.Në vendin e huaj ekziston diçka që të djeg e përvlon shpirtin.Ai diçka është malli për atdheun.–më silleshin nëpër kokë këto mendime. Derisa po ecja rrugës kryesore të qytetit, në Prishtinë, pranë rrugës në skajin e trotuarit, më ra në sy një billbord i madh, ndërsa në të ishte vendosur një pllakat i madh në të cilin shihej një fotografi me disa njerëz me valixhe në krah, të cilët prisnin në radhë për të hypur në aeroplan, për të ikur nga Kosova, ndërsa poshtë nën pllakat shkruante me germa të mëdha: MOS IKNI NGA KOSOVA! Ç’koincidencë! –thash dhe u habita paksa nga ky pllakat, por në anën tjetër edhe u gëzova shumë, sepse ky pllakat kishte një mesazh të fortë dhe të qartë për vetëdijësimin e njerëzve me mendime sikurse të mikut tim dikur refugjat, që njerëzit me mendime të tilla si të tij, të mos largohen nga vendi i tyre i bukur, nga Kosova e dashur. Në këtë moment u takova me një mik, i cili njësoj sikurse unë, kurrë asnjëherë nuk ka dashur që ta lëshonte vendin, madje as përkohësisht.U gëzova kur e pash.I tregova për shqetësimin.Edhe ai u shqetësua bukur shumë. -Çfarë njerëz ore janë ata që ikin nga vendi i vetë? Në restorantin “Freskia” e gjetëm një tavolinë të zbrazët.Aty u ulëm dhe pimë nga një pije të ftohtë “Coca cola”.