Ajne Ibëhysaj: ME LOTËT E STINËVE, POEZI

ME LOTËT E STINËVE

E kush nuk vuajti në këtë botë?!
Disa vijmë vetëm për t’i larë ditët me lotë
E disa vijmë t’i fshehim lotët nën qerpikët e renduar

Ëndrrat i mbaj gjallë me kalvarin e fjalëve
Me belbëzimet e britmës së mjellmës i këndoj kohës
Me balsamin e shpresës i buzëqeshë çastit
Sytë shndritin si vet lutjet e shenjta
Plagët vetëvrasëse me përcjellin si Krishtin!

Unë më duket kam ardhur ta laj shpirtin me lot engjëjsh
Buzëqeshjen ta shëroj duke i vjedh lotët si margaritar
Nën dritën e yjeve syçelë
Në çdo mëngjes ta dehë lotin me shijen e kafes
T`i përqafoj dallgët e viteve si Judë
E ato më ikin tradhtisht.

Herë-herë me është dukur vetja mëkatare si Shën Mëri
Nën buzë më vjen një timbër zëri që t`i këndoj mjellmës
Kurrë nuk u ndala duke gjurmuar shtegun e dritës së fjalës

Cigare pas cigare në fund shuhen dhe gjurmët e mia
Ti mbete një hije mjegulle në rrudhat e shpirtit
Me lotët e stinëve i fshiva kujtimet e fjetura…!

BRENDA VETES

Më përcjellin sytë e tu të etur
Përpijnë nektarin e dritës
Lotin ma kthejnë në hare
Edhe diellit ia marrin rrezet në përqafim.
Fjalët e heshtura shpesh ta zënë frymën
Trishtimin ma pikturojnë si një telajo dashurie pa fat.
Shpirti nuk bezan!
Ç’rëndësi ka bregu i pikëllimit?
Ç’ngjyrë kanë sytë e ylberit të humbur
Pas shiut në kodër të diellit?
Kur shpirtin e djegin shikimet memece
Të ngrira në dritaren e pritjes…

MALL

Është fryma e shpirtit
që i jep zë vargut

Është britma e parë e lindjes
së dritës së Diellit

Është belbëzim i fjalëve të heshtura
që ta gërryen shpirti

Mall është etje
Që ma mban gjallë frymën time!

DO T`I LUTESHA ZEUSIT!

Shpirt!

Ti rrokullisesh me gjithë frymën tënde mbi një pikë loti
Vlon e digjesh në këtë botë frymënxirë
Të heshtur në sytë e zjarrtë të Etnës
Qëndron krenar si vet qielli i pa anë
Përdridhesh, puth çdo cep të trupit mëkatar
Vetëtin si flakë Prometheu, ndritë kupën e errët
Ringjallesh nga etja e rrezeve, vjen si fllad mëngjesi
Ngushëllon, mëkaton me perënditë
Dehesh me kripen e epshit.

Penelope pamposhtur, harlisur, shigjeton bebëzën e syrit, vret
Ti asnjëherë nuk bie në tokën e akullt
Mëkatin e pikturon me lot Dielli
Rrokullisesh, ledhaton përmallshëm gjithë natën e pafund
Kur ikën, pas le aromën e Herës, flakën qe vlon brenda teje
Ti mbetesh Itakë brenda meje

Ti qëndron krenar si zjarr i pashuar
Rikthehesh përmotshëm rizgjon sharmin pjellor
Etjen e Itakës asgjë nuk e shuan
Për ty shpirt!
Do t`i lutesha Zeusit
Të bëhesh lot dielli në sytë e mi!

ME FRYMËN E POEZISË

Nëse ndonjë ditë i humbas fjalët
Duke u munduar të krijoj një varg për ty
Atë ditë dije, nuk ka mbet’ asgjë në këtë shpirt
Që mund t’i plotësojë fjalët aq të fisme.

Nëse ndonjë ditë e sheh të udhës
Patjetër dëshiron t’i përkasësh dikujt
Bota ka kohë që ty të ka harruar
Atë ditë nuk ka mbetur asnjë ndjenjë në trup.

Nëse një ditë, i lodhur nga ngjyrat e jetës
Rëndon krahët pesha e pendimit
Në atë ditë ka kohë që dielli ka perënduar
Përqafoi hijet e hapave të frymës së fundit.

Nëse një ditë mundohesh t’i bësh rrezet buzëqeshje
Mbi flokë të rëndon pesha e vetmisë, pasioni i dhimbjeve
Sytë të përvëlohen pas dëshpërimit të dimrit
Dije, unë do jem aty, me ty, me frymën e poezisë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here