Akademia e Studimeve Albanologjike, organizon sot 7 dhjetor, ora 11:00, ekspozitë me instrumentet muzikore të Tiranës

Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit – Akademia e Studimeve Albanologjike, organizojnë sot 7 dhjetor, ora 11:00, në mjediset e këtij instituti (Rrugae Kavajës), ekspoziten “Tinguj të heshtur”, kuruar nga Mikaela Minga dhe Vilma Nallbani, në bashkëpunim me Ermal Selën. Prezantohen instrumentet muzikore të Tiranës, me gjithë historitë e tyre, të ruajtura në Arkivin Etnografik të IAKSA-s.

Instrumentet muzikore që janë përdorur në Shqipëri, kryesisht në kuadrin e praktikave tradicionale përbëjnë një koleksion të pasur në arkivin etnografik të Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit. Nxitur nga kjo, kemi menduar organizimin e një cikli ekspozitash prezantuese të këtij koleksioni nën titullin Tinguj të heshtur. Gjithë instrumentet e këtij koleksioni kanë heshtur në çastin që janë marrë dhe janë futur në arkiv. Kjo është arsyeja pse e kemi quajtur kështu.
E kemi konceptuar si një ekspozitë ciklike, kësaj here duke marrë si pikë referimi Tiranën. Megjithatë, kjo nuk ka kuptim përjashtues ndaj vendeve të tjera rrethepranë. Instrumentet muzikore nuk njohin kufij të ngushtë gjeografikë. Të gjitha këto eksponate që janë këtu, kanë një hartë përdorimi edhe në zona të tjera të Shqipërisë; janë përdorur e disa ende përdoren. Nga studimet e bëra, instrumentariumi shtrihet në një hartë përdorimi që shkon nga Afrika e Veriut, në Lindjen e Mesme dhe vjen drejt Mesdheut e Ballkanit, sigurisht duke kaluar procese të caktuara “aklimatizmi” siç i quajnë me të drejtë Ramadan Sokoli dhe Pirro Miso (1991, 17).
Këtu ekspozohen vegla muzikore të 4 kategorive: aerofone, membranofone, vegla idiofone dhe ato kordofone. Jemi në një proces i cili rrëfen larminë e tyre, si dëshmi e fazave në të cilat ka kaluar muzikëbërja: nga format më parake, të natyrës rituale e të zonave rurale, te repertoret më të konsoliduara brenda ansambleve të muzikës urbane dhe argëtimit. Vend zënë gjithashtu edhe instrumente që janë përdorur brenda praktikave fetare, siç janë ato të bektashinjve dhe helvetive. E rëndësishme për t’u nënvizuar është se, ndërsa disa instrumente vazhdojnë ende të bëjnë një jetë aktive, disa të tjera kanë dalë nga përdorimi. Kësisoj, ruajtja dhe kujdesi ndaj këtyre instrumenteve bëhen thelbësore për të gjurmuar nga afër procesin, por mund të ofrojnë një mundësi edhe për rikthimin e tyre si pjesë e proceseve të mundshme të rivitalizimit.

Po kështu, synimi është për të gjetur mënyra komunikimi me atë që qëndron jashtë këtij arkivi, me interesin që mund të ngjallin këto artefakte si pjesë e dijebërjes në ndërtimin e tyre. Kjo në fakt është një aspekt shumë i rëndësishëm, pasi pjesë e këtij koleksioni janë një seri instrumentesh të ndërtuara nga mjeshtra të njohur të kohës, si Hasan e Mehmet Ruri, me origjinë nga Leskoviku, por që kanë jetuar e punuar në Tiranë. Mehmet Ruri, për shembull, veç punës si mjeshtër ka qenë edhe specialist akordator në Teatrin e Operës dhe Baletit. Ndërkaq, tradita e liutarisë është mjaft e lëvruar në Shqipëri dhe sidomos në Tiranë, me mjeshtra të njohur si Ramazan Gurra dhe Erli Gurra, një linjë trashëgimie që i ka fillesat e veta tek Muharrem Gurra, muzikant i mirënjohur, autor i këngëve tradicionale të zonës së Tiranës dhe një nga mbledhësit më të rëndësishëm të muzikës tradicionale tiranase.
Kjo lidhje me botën përtej arkivit implikon edhe syrin dhe dijen e koleksionistit të instrumenteve muzikore, profil ky që është krijuar gjatë këtyre 30 viteve të fundit nga muzikantë të cilët e kanë pasion mbledhjen. Njëri prej tyre është edhe Ermal Sela, që prej më shumë se 15 vjetësh tanimë shkel terrenin me qëllim mbledhjen e instrumenteve muzikore.
Aspirata është ajo e pasjes së një hapësire të vazhdueshme ekspozimi për instrumentet muzikore, ndaj urojmë që përmes këtij momenti të parë të ofrojmë edhe një formë sensibilizimi për hapjen e perspektivave të reja që mund të vijnë nga të qenët bashkë në këtë hapësirë ekspozuese dhe që duam të bashkëndajmë mendime dhe përvoja.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here