Akademik Gjovalin Shkurtaj: Dy vjet pa Profesor Doktor Zeki Morinën( 22 janar 1953-11 korrik 2023)

(In memoriam)

Sa shpejt rrjedhin e shkojnë ditët, javët e muajt…se, si thoshin latinët e urtë: “Tempus est fugax et irreversibile”. Po, koha kalon pa u ndalur, dikë e madhon e jetëson, më të shumtët i harron, por ka dhe asish që i largon me trup, por i përjetëson e i gjallon në zemrat e atyre që ka lënë mbrapa. I tillë qe Zeki Morina.
Burra si Zeki Morina, largohen, nuk i kemi më në krye të punëve e në bashin e vendit, por i kemi gjithmonë në mendje e në zemër, i kujtojmë për çfarë ishin e çfarë i kanë lënë Vendit e kuvendit.
Si sot dy vjet, më datën 11 korrik 2023, këtu ku jam në shtëpinë e Durrësit, na erdhi kumti i hidhur se ishte ndarë nga jeta Profesor Zeki Morina, studiues dhe pedadog i gjuhës shqipe, veprimtar i mirënjohur i kulturës, i njohur në Gjakovë ku lindi e punoi, po edhe në Kosovë e në Shqipëri.
Në këtë ditë kujtese e vlerësimi për Mikun tonë të ndjerë e të rrallë, do të kishim dashur të vinim e ta kujtonim së bashku Zekiun, burrin e bashkëshortin shembullor të zonjës Selvo, babain e mirë e të përkushtuar të birit e bijave të tij emërbukur, Arbërit, Arbëreshës, Albulenës, gjyshit që dëshira për të gjyshëruar iu këput aq shpejt…
Mosha bën të vetën…dhe nuk mund të jemi sot aty me trup, por jemi me gjithë zemër dhe, me këtë rast, po shprehim edhe një herë përdëllimin tonë e vlerësimet meritore për Zekiun e paharrueshëm:
Profesor Zeki Morinën e kujtoj si njeriun që kishte vlera e cilësi të vyera e të shumta, por mbi të gjitha si një prej atyre shqiptarëve që ishte”në daç i pashëm për ka duka, në daç i ambël porsi buka”.
Ai ishte njeri i studimeve dhe i dhënë me dashuri e pasion në lëmin e mësimdhënies së gjuhës shqipe dhe si dhe studiues me ndihmesa të vyera në lëmin e onomastikës shqiptare e të kulturës së gjuhës.
Me ndarjen nga jeta të Zeki Morinës, kemi humbur një mik, pak të thuash të dashur e fisnik, sepse ai ishte, së pari e kryekreje, një shqiptar i vërtetë, një gjakovar atdhetar, prej një dere të shquar për patriotizëm e qëndresë kundër pushtuesve, ishte luftëtar për dituri, kulturë e përparim. I shte një bir i denjë i Kosovës martire dhe, për të gjitha këto cilësi e vlera, ai do t’u mungojë edhe miqve, shokëve e brezave të nxënësve e studentëve që morën dije e model sjelljeje prej tij.
Unë pata fatin të isha dy herë radhazi drejtues (udhëheqës shkencor) për dy shkallët e kualifikimit të tij pasuniversitar, përkatësisht për gradën “Mastër në gjuhësi” në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, ku ai, përpos provimeve me rezultate të larta, paraqiti dhe një studim për Onomastikën e Gjakovës me rrethina. Mbaj mend si ishte një nga ato punime që rrallë hartohen aq bukur e mirë në kohët e reja; me prurje e lëndë burimore të pasur dhe me shtjellime e argumentime të nyjëtuara me qartësi e të shkruar me akribi që i tejkalonte kërkesat e një grade të shkallës së parë. Ishte rasti që atë temë ta zgjeronte e ta mbronte si studim doktorature. Dhe ashtu u bë. Për arsye burokratike nuk u përfshi në kuotat e doktoraturave në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë në Tiranë, por ai, me zellin e këmbënguljen e duhur, do të regjistrohej në Universitetin e Shkodrës “L. Gurakuqi” dhe, në vitin 2017 e mbrojti me sukses dhe mori gradën “Doktor i shkencave në gjuhësi me monografinë e gjerë me temë “Toponimia dhe antroponimia e Gjakovës me rrethinë”.
Si mësimdhënës e drejtues arsimor me përvojë të gjatë, prof.dr. Zeki Morina ka dhënë kontribute të vyera edhe si pedagog universiteti, ka qenë si profesor i rregullt në Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani” dhe në Universitetin e Pejës “Haxhi Zeka”, në Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti”, po edhe ka marrë pjesë me kumtesa e diskutime në tubime e konferenca shkencore albanologjike në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut etj. Ishte, ndër të tjera, mbrojtës i zellshëm i kulturës së gjuhës dhe i pastrimit të shqipes nga ndikimet e huaja të panevojshme.”Kontributi i profesor Zeki Morinës për arsimin shqiptar është i gjatë në kohë dhe i thellë në vepër” siç do të shkruante Zeqir Hashani, Rektori i Universitetit “Fehmi Agani” të Gjakovës.
Natyrisht, në raste si ky, nuk është e lehtë t’i gjejmë fjalët që meriton t’i thuhen zotit Zeki Morina, që na la para kohe.Një poet ka thënë: “E keqja dhe e mira rrinë bashkë, prandaj nuk më duket e keqe vdekja, që na merr jetën, por na lë veprat pas.”
Si kafja e hidhur që pihet në raste morti, kjo thënie më erdhi në ndihmë për të theksuar se Profesor Zekiu na ka lënë aq shumë vlera e ndihmesa, si dhe shembullin e njeriut të mirë për hir të të cilave ai do të jetë I paharrueshëm.Ai la, së pari, kujtimin e vlerësimin meritor si burrë i mirë, si shqiptar i ndershëm e zemërbujar. Bashkë me zonjën Selvije, bashkëshorten, edhe ajo arsimtare e përkushtuar, si prindër shembullorë, lindën e rritën një djalë e dy vajza (Arbër, Arbëresha dhe Albulena) që shkëlzejnë me ngjyra të arta atdhetarie e shqiptarie. Me kënaqësi përmendim se udhën e Profesor Zekiut po e ndjek dhe i biri, Ma. Arbër Morina, pedagog në Kolegjin AAB të Prishtinës, si dhe tasmë një emër i njohur e me ndihmesa si veprimtar në fushën e arsimit në Kosovë.
Ai ka lënë edhe shumëçka tjetër të paharrueshme, në ato që shkroi e botoi, në ligjëratat, kumtesat e tekstet universitare. Prandaj, Profesor Zeki Morina, Doktor i shkencave në gjuhësi, do të jetë midis nesh me ato që la, me atë që rrezatoi e me sa mbolli ndër vite me fjalët e veprimtarinë e tij.
I paharrueshëm qoftë (dhe do të jetë) Miku ynë i madh.
Pastë dritë e u kujtoftë gjithmonë me nderim.

Durrës, 11 korrik 2025