Alma Jaku: TKURRJA E SHQIPËRISË SOT DHE NGRIRJA E CENSUSIT

New York
1.
Një mikja ime gazetare më shkruan nga Tirana se censusi i popullsisë në Shqipëri, aq i mirëpritur nga vetë shqiptarët, ka kohë që është në gjendjen e “ngrirjes”. Më kujtohet se si, para disa vitesh, gjithë media bënte zhurmë për këtë census, madje me detaje të hollësishme, këtë radhë regjistrimi do të përfshinte edhe hollësitë e gjendjeve ekonomike të banorëve, përkatësitë e besimeve fetare të pa-retishuara, siç ishin bërë herët e tjera, përkatësitë etnike të pakicave kombëtare etj. Ky kishte qenë premtimi i Qeverisë shqiptare bërë ndaj qytetarëve të saj. Në fakt, ky premtim, i proklamuar si një privilegj që shteti do t’ua bënte shtetasve të vet, do të kishte qenë thjesht një përmbushje e njërës prej detyrave më të zakonshme, por dhe më thelbsësore, që shteti ua ka për borxh qytetarëve të vendit që qeverisin.
Në Francë, Itali, Britaninë e Madhe censusi i popullsisë bëhet një herë në dhjetë vite. Pse ky ndërrim mendjeje i Qeverisë shqiptare për të fshehur rezultatet e rregjistrimit të popullsisë së vet? Çfarë ka ndodhur?
Mikja ime gazetare më thotë se arsyeja është se censusi më i fundit tregon një shifër katastrofike të tkurrjes së popullsisë shqiptare. Popullsia shqiptare aktualisht është 1 milion e gjashtëqind mijë njerëz!!!! Një shifër e cila ka qenë një e papritur edhe për vetë Qeverinë shqiptare, e cila ka provuar se preferon të besojë euforinë e zyrtarëve të vet në vend të fakteve kokëforte, se ka prirje të mbyllë sytë para realitetit të përditshëm, sepse qeverisë përmes një makinerie administrative të rreme, përmes eleozheve të një mass medie të blerë për të lavdëruar qeverinë dhe qeveritarët, dhe jo për të bërë oponencën e së vertetës.
Veç para dhjetë- pesëmbëdhjetë vitesh, Shqipëria ka patur një popullsi mes 2.5 dhe 3 milionësh. Si mund të zhduken gati 1 milion njerëz, të cilët në rastin e Shqipërsië përbëjnë gati gjysmën e popullsisë së vendit? Historikisht, një tkurrje e tillë katastrofike e shqiptarëve ka ndodhur vetëm pas pushtimit turk, menjëherë pas vdekjes së Skenderbeut. Dhe në asnjë periudhë tjetër.
2.
Cilat janë arësyet e një eksodi të tillë me përmasa biblike? (kujtoni librin e Eksodit të Dhjatës së Vjetër). Kush janë shqiptarët që lënë vendin e tyre? Për çfarë arsyesh ikin shqiptarët sikur të kishte rënë një kolerë me përmasat e kolerës së shekullit XV në Mesjetë? Për fat të keq, asnjë sociolog a politolog a analist demograf nuk ka marrë mendimin për ta shpjeguar këtë fenomen katastrofik që ndodh përditë para syve tanë.
Arsyet? Ato janë të shumta. Do të veçoja disa prej tyre!
Asnjëherë vendi në nuk ka qënë aq i ndarë në dy pjesë gati të papajtueshme mes njera tjetrës, sa ç’është sot. Pjesa e të besuarve të pushtetit, pjesa e militantëve të partisë në pushtet, pjesa e patronazhistëve të kudo ndodhshëm-në lagje, në zyrën ku punon, në shkolla, spitale, në kafenenë ku merr kafen e përditshme, pjesa e adminstratës së korruptuar, sepse është e besueshme dhe e sigurtë, një administratë që ndjen se i ka krahët e ngrohta, sepse i shërben qeverisë jo nëpërmjet punës për të cilën paguhet, por për mbështetjen politike që i jep partisë në pushtet-të gjitha këto janë disa nga arësyet e inkurajimit të largimit nga vendi të pjesës tjetër që ndjehet e tradhëtuar, e huaj në vendin e vet, e padobishme në vendin e vet, e tepërt. Dhe ikja është edhe zgjidhja e vetme.
Meritokracia është fjala më e pakuptimtë në fjalorin e shqiptarëve. Janë më të aftit ata që ikin, sepse janë të paaftit që preferohen në administratë përpara të aftëve. Kur një i paaftë është i preferuar të punësohet më përpara se i afti, ky i fundit ndjen përshpëritjen në vesh të pushtetit: Nuk e ke kuptuar ende? Ti duhet të ikësh nga ky vend, sepse ky vend nuk të përket ty!
Një oponent i zakonshëm i qeverisë përnjeherë ndodhet në rrezik për jetën. Ta kundërshtosh zotin Kryeministër të shqiptarëve është një aventurë që mund të të kushtojë jetën. Qoftë edhe të thuash një mendim të kundërt me të. Lidhja e Qeverisë me Botën e Krimit nuk është një mit urban. Është një realitet kallashnikovësh. Realiteti i breshërisë së plumbave. A e keni vënë re se gjithsaherë vritet një biznesmen i lidhur me shtetarët tanë, ai del si një njeri i lidhur me Botën e Krimit të Organizuar?
Nuk besoj se njerëzit janë aq naivë, sa të besojnë se ajo që ndodh mbi njëqind herë, na qenka thjesht një rastësi!
Dhe prapë edhe këto nuk janë të gjitha!
Disa intervista të ndrojtura, tregojnë se shumica e nxënësve të intervistuar- të moshës nga 14 deri në 18 vjeç- flasin për dëshirën për të ikur nga ky vend një çast e më parë. Arsyeja? Keq-qeverisja, padrejtësitë, korrupsioni, papapunësia, krimi, ndotja, arrogance e pushtetit, nëpërkëmbja e vlerave… Inkurajimi i qytetarëve për ta lënë vendin e tyre natyrisht nuk bëhët zëlartë, dhe as që publikohet në gazeta a shpallet në ekrane televizive. Ajo bëhët në mënyra perfide. Nuk e ke marrë vesh se je i papunë dhe i tillë do të mbetesh? Kujton ti se ne impresionohemi nga notat dhe diplomat e tua? Po a nuk sheh se zonja Balluku, zëvendës Kryeministreja e Shtetit, është një gati quasi-analfabete, dhe po kështu janë më shumë se gjysma e kabinentit qeveritar? Ende nuk e ke marrë vesh mesazhin e padërguar, por të nënkuptuar?
Shqiptarët nuk ikin nga vendi i tyre se nuk e duan vendin e tyre. Nuk ikin as edhe nga shtrëngesat ekonomike. Ikin sepse ndjehen të fyer nga Qeveria që kanë, nga padrejtësitë që u bëhen, nga dinjiteti i shkelur dhe nga mungesa e një të ardhmeje të sigurt për fëmijët e tyre.
Shqiptarët dhe vendi i tyre i bukur meritojnë shumë herë më tepër se këtë klasë politike që i nëpërkëmb që prej shumë dekadash.