Alma ZENELLARI: Drithërimë, tregim.

Ku t’i gjej fjalët të përshkruaj ashtu si duhet, magjinë e atij çasti, atij takimi midis dy njerëzve që dinë të dashurojnë bukur edhe kur mes tyre ekzistojnë kufijë tokësorë, dhe vetëm dashuritë e mëdha dinë t’i bëjnë këta kufij, inekzistentë ?!..
Ku t’i gjej ?!.. E nëse i gjej, a do të më mjaftojnë ndonjëherë ?!..

*
Autobuzi rrëshqiti butë mbi asfalt drejt stacionit të fundit. Përballë saj shtrihej peizazhi i një qyteti të ri, plot ëndrra. Diku atje në qendër të atij qyteti, kishte buisur edhe ëndrra e saj e cila tani kishte shpresën e madhe, të lulëzonte me tërë gjelbërimin e vet.
Irida kish ngjeshur fytyrën mbi xham dhe sytë i mbante në pritje diku në një sfond të papërcaktuar, në pritje për ta dalluar pamjen e Gjergjit që nga larg. Kishte ankth, padurim, emocion. Me gishtat e gjatë prekte xhamin, herë herë duke pëshpëritur pa zë,” ku je, Gjergj ?… ”
Sa herë ishte nisur drejt tij , sa herë ishte kthyer. Këtë herë, ajo kish guxuar të vraponte drejt tij pa frikë, pa kthim. E ndjente se ai do të ishte aty mes njerëzve duke e pritur. Më në fund autobuzi ndali rrugëtimin. E veshur me emocion të ri, me dëshirë të pazakontë, zbriti shkallët, hodhi sytë me druajtje, andej nga duhej të ishte dhe ai.
“Gjergj, ku je ?!..”- foli sërish brenda vetes me sytë nga pamja përreth.
Diku e dalloi, buzëqeshi e lumturuar. E priti krahëhapur, e përmallur. Zemra i rrahu fort si një zog i hutuar, i frikësuar, që shpupurit krahët dhe shpirtin brenda folesë së vet. Drejt saj vinte ai, me hapin e sigurt të burrit, disi të shpejtuar për ta arritur. Irida iu hodh në qafë si një fëmijë e përkëdhelur ose siç thoshte Gjergji, si perëndeshë e lazdruar.
I vari krahët në qafë duke i kërkuar vështrimin e kthjellët syve të jeshiltë, atyre syve të dashur, të shtrenjtë, shikimi i të cilëve e kishte ndjekur dhe mbrojtur në mënyrë të padukshme edhe përtej kufijve.
I kërkoi sytë për t’i prekur shpirtin. Me drithërimë i preku butë fytyrën me gishta, duke kapërdirë mallin e pamatë. Uli kryet prej pëllumbeshe, mbështeti ballin në mjekrën e tij duke fshehur me kujdes lotët e rënduar nga mungesa e gjatë, e cila shpesh i dukej e pafundme.
Ai ishte aty para saj, shtatlartë dhe i bukur. Prezenca e tij i gjallëroi shpirtin dhe ajo dikur gjeti fjalët për ta thirrur në emër dashurinë e munguar, mohuar në mënyrën më të dhimbshme, më të padrejtë, larg asaj toke që zhuritej nën flakë. Gjergji i saj, ëndrra e saj e vetme, frymoi për vite me radhë, prej kohësh mushkërive, zemrës së copëtuar dhe pse larg syve të njeri-tjetrit.
Kishte raste që kaplohej nga frika, trishtimi se bisedat e shpeshta me Gjergjin, do të mbeteshin thjesht biseda, të cilat një ditë do ta humbisnin peshën e çdo gjëje, peshën e atyre gjërave mbushur me detaje, intimitete, mbushur me shpresën e kthimit, shpresë që s’duhej humbur për asnjë motiv, biseda këto, rrëfyerthënë në mirëbesim.
Ndërsa tani ndodheshin përballë, shumë pranë njeri-tjetrit.
Dy qiej ishin bërë një i vetëm.
Kufijtë e tejskajshëm ishin tretur. Kishin humbur a kishin mbetur pas, ç’rëndësi kishte…
Rëndësi kishte ajo orë, ai çast, ai vend, ajo trokitje. Ndodhej para tij e drojtur, e brishtë, ledhatare, si një orkidë delikate, si një fllad i butë, i ngrohtë i ardhur enkas për të. Si një dallëndyshe, që kish migruar pak ditë nga vendi i vet, për të prekur një tokë të re, një qiell të ri që do të përndizej sërish nga duart e tij.

*
Jashtë, mbrëmja kish nisur të binte e butë, të përthyhej e paqtë mes hapësirës së dhomës së tyre. Hëna sillej mbi qytet si një topth i pikturuar, diku dhe yjet kishin nisur të feksnin. Dritat shkëlqenin ndryshe a ndoshta u bëhej ashtu.
Brenda, në hapësirën e dhomës ndihej një ajër i mbushur, i tejngopur emocionesh, ndjesish.
Pas ecejakesh të ngathëta, u gjendën përballë njeri-tjetrit. Gjergji ndali hapin para saj, e tërhoqi lehtë, kujdesshëm pranë vetes, sikur prekte puhinë. Qëndroi ashtu i drojtur, pa fjalë si një djalosh i ri, por tani më i përmbajtshëm, më i kujdesshëm.
Atë çast, Irida ngriti sytë e kaftë drejt tij, i rrëshqiti kujdesshëm mbi portretin e heroit të saj dhe diku thellë, ndjeu trokitjen e një shpirti të braktisur, të lodhur nga pritja e gjatë rraskapitëse.
I ndjeu lotin që derdhej pakuptuar brenda qepallave, brenda guackës së atyre syve që herë herë rindizeshin nga një flakë e re, e ndritshme.
Nuk ngurroi ta puth në cep të buzëve. Dëshira i diktonte të shkonte më përtej, t’i puthte çdo centim, çdo pore të atyre buzëve, zjarri i të cilave kish filluar t’i kujtonte ekzistencën.
I preku flokët , një kaçurrel rebel të ngritur bukur, që kish filluar t’i zbardhej. E përkëdheli lehtë, i preku ballin e djersirë shenjuar nga disa rrudha të zbehta, të shkëputura diku në mes. Fytyrën e zeshkët ia përshkoi disa herë me gishta ngadalë, në heshtje sikur pikturonte atje, zemrën e vet, ashtu qetësisht pa guxuar ta prish atë çast solemn, po aq të brishtë.
Pas një çasti guxoi t’i futej në kraharor. Priti. Dy duar e shtrënguan me drithërimë.
“Sa kohë, sa vite, mungesë, pritje dëshpëruese deri në kufijtë e një lodhje vrastare e kishin larguar prej Gjergjit të saj. Aq sa netëve pa ia diktuar atij gjatë bisedave, mbyllte sytë duke qarë me dënesë, duke mërmëritur, “ do vdes pa të të parë, Gjergj”.
Pastaj i drejtohej zotit, “o zot, më lër një çast të vetëm ta prek, pastaj le të mos jem.”
Netëve shpresa i vdiste, ditëve ai ia ringjallte sërish prej së largu si një diell që ngrihet horizontit dhe ngroh, e sheh që larg si një sy i zjarrtë, gjigant.
Tani ishte aty, me ‘të. I ndjente frymëmarrjen.
I pëshpëriti supeve duke e shtrënguar :
– Gjergj, Gjergji im, të preka. Të preka, zemër. Jam e lumtur.
– Dhe unë më në fund… – dëgjoi përmes flokëve, zërin e tij.
– Vërtet ?. – ngriti kokën dhe e pyeti.
– Po !.
Mbështeti sërish kryet mbi kraharorin e tij të gjerë. Si në ëndërr vazhdoi t’i diktonte fjalët e pathëna. “ Sa shumë, sa shumë më ka marrë malli për ty. ”
Ndërpreu fjalët, e pa në sy dhe meraku i saj e pyeti, – po përse më duket se je tretur?!.
Përgjatë flokëve ndjente dorën e dëshiruar të burrit që dashuronte, ndjente prekjen e duarve përgjatë trupit, ndjente forcën e dashurisë së tij të madhe të cilën helmi, hidhërimi i një lufte të gjatë, tinzare, të padrejtë, nuk e kishte mbytur dot, s’kishte mundur ta asgjësonte kurrësesi.
Kjo i jepte siguri. Duart e forta të Gjergjit që lëviznin kujdesshëm mbi trupin delikat të Iridës, kishin filluar të zhduknin çdo dilemë, çdo enigmë, çdo largikje, çdo pritje. Ato duar kishin filluar në mënyrë të padukshme të zbërthenin kodin e fshehtë, “ TI MË PËRKET ”
Sy mbyllur i kërkoi duart, trupin, lëkurën, aromën, parajsën.
Dhe ai po ashtu.
E puthi gjatë mbi buzë, ndjeu lëvizjen e beftë të gjakut. Puthi gjatë dy bozhuret e saj të përflakura. Heshti mbi to si të thithte energjinë e munguar, si të mbushte mushkëritë me ajër të ri,

të ngrohtë.
Heshti mbi sytë e saj të përlotur duke dashur të kuptojë shpirtin e gruas që kishte pranë, zemrën që regëtinte.
– Kisha frikë Gjergj, – foli zëulët Irida, gati si një pëshpërimë mbi sytë e tij, – frikë se nuk do të shihja kurrë më…Madje nuk e besoja se do më prisje këtu, në stacion.
Ai e shkëputi nga vetja, i preku mjekrën, i puthi lotin që ra faqeve, duke i folur bindshëm.
– Kushdo që do të më thërriste sot, nuk do të kisha shkuar. Nuk do të kisha shkuar askund, për asnjë arsye në botë. Por për ty, po !…
Gruaja e bukur buzëqeshi mbështjellë në krahët e tij. Qau dhe e puthi. Ishte e sigurt se edhe zemra e tij ish trazuar nga emocioni, nga lotët, por forca e burrit i kish gëlltitur. E puthi pandalur si ai.
*
Fjalët heshtën, humbën, diku u strukën në një qoshe të dhomës. U tretën, u bënë të parëndësishme. Ajri mbeti pezull midis tyre. Malli u shpërbë në mes. Duart që preknin si lira e trazuar e Orfeut, zgjonin mbi poret e lëkurës së saj, një melodi të pakënduar. Ca tinguj të beftë, të këputur, delikatë treteshin ajrit. Ajo kish mbyllur sytë, e dehur, e parfurmuar nga lumturia.
Klithte ëmbël, si klithma e një zogu që hap e mbyll krahët mbi detin e tij, mbi qiellin e tij të pamatë. Dhe ky det dhe ky qiell kishte emrin e tij, “GJERGJ“.
Diku hapej një lëndinë yjesh dhe ajo vraponte të prekte yllin e saj. Ai ishte aty i prekshëm, i magjishëm, fërgëllues.
E ëndërrt, i puthte kraharorin, mbi të cilin dukej se shihte hieroglifet e përflakura, të përgjakura të Kosovës së tij. U mbështet aty. Aty, tek ai ishte magjia e saj dhe kjo e drithëronte. Të dy brenda një çasti, u përhumbën në një oaz lumturie, një oaz i paqtë, mbështjellë nga një aureolë drite e bardhë qumështore, që sapo kishte nisur të përndritej, të merrte formë.
Ndjente diku një dallgë plot zhurmë që rritej, ngrihej drejt një skaji të padukshëm dhe sërish zbriste duke e kthyer në tokën e tij. Ai ishte shkëmbi, toka, ajri dhe qielli i saj i pamatë.
Ky ishte veçse fillimi. Zbrazëtia e ekzistencës së tyre kish filluar të mbushej me jetë.

*
Në mëngjes kur u zgjua, ajo pa qiellin e Prishtinës që përndritej, dhe për herë të parë iu duk i bukur, i kthjellët.
Një tingull mesazhi e largoi nga dritarja.
“Mirëmëngjes engjëllushe. Jam duke të pritur, zbrit !.“.
U vesh me shpejtësi. Një tualet i thjeshtë, një shkëlqyes buzësh, kaq i mjaftonte për të rendur drejt tij. Iu afrua e ngazëllyer, e dashuruar, e gjallë. I buzëqeshi në ecje dhe ai shihte në atë buzëqeshje, gruan e re, të paqtë me veten, të dëshiruar prej tij. Sytë e tij e prisnin me tjetër shkëlqim, me një tjetër përndritje. Pas një kohe kaq të gjatë, të dy ndiheshin të përtërirë. Gjithçka kishte mbetur krahëve, orët, ditët, lotët, zënkat, plane, dëshira të thëna të parealizuara, të papërmbushura.
Tani çdo gjë po merrte trajtë, formë, hapësirë. Koha ishte tjetër kohë dhe ajo i ishte mirënjohëse fatit. E shihte me adhurim burrin që kishte në krahë, i gëzohej pamjes, fjalëve të shqiptuara kujdesshëm prej tij edhe gjatë orëve që kaluan mes miqsh.
Në tryezën e përbashkët, kur ai fliste, Irida e dëgjonte, e ndiqte me sy, me adhurim. Diku në cep të buzëve, në skaj të qerpikëve të tij, kish kuptuar se i endej lumturia, një lumturi e re, që mbante emrin e saj. Besonte me shpirt se ishte ajo, lumturia e tij.

Në heshtje iu kujtuan fjalët e Gjergjit kohë më parë, kur ai e kish lënë me dhimbje përtej kufirit shqiptar, me zemër të copëtuar, “ ti je Helena ime, Troja ime dhe për të të dashur ty, më duhet të vras dhe demonin e fundit.“
Dhe ai e kishte vrarë atë demon, djallin shekullor e kish djegur më në fund.
Shpirti i saj e vështronte e qetë, e thërriste pa zë, brenda gjakut të saj .
“ Je i gjallë shpirti im, i mençuri im. Ti je heroi im, luftëtari, kosovari im i shtrenjtë.“

*
Nën qiellin e Prishtinës të buzëqesha ty, dëgjova zërin tënd që tingëllonte shpirtit tim, melodi. Eca me ty, preka çastin e paprekur në një ditë qershori. Iu afrova butë butë magjisë tënde, ëndërruar prej kohësh, si një zanë që hesht, pret, përgjon frymëmarrje. Ti ishe frymëmarrje.
Të preka, u mbusha me jetë nga Ti.
Nëse një ditë do të më pyesin përse e do kaq shumë Kosovën, zemra ime do të donte t’u rrëfente e lumtur, sepse aty je ti, nën qiellin e saj, jeton ti, ecën, flet, ëndërron. Gjithë jeta jote rrjedh, pulson nën atë qiell, gjallon, përndritet nën diellin e Prishtinës.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here