• Ilirian Agolli
marre nga Zeri i Amerikes
Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësuan sot se Shqipëria ka një rol kyç në Ballkanin Perëndimor si një vend anëtar i NATO-s.
Përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kombet e Bashkuara, ambasadore Linda Tomas-Greenfield, po viziton Tiranën, ku theksoi rëndësinë e marrëdhënieve diplomatike shqiptaro – amerikane.
Në takimet me autoritetet shqiptare, ambasadorja Greenfield përsëriti angazhimin e SHBA-ve për mbrojtjen dhe sigurinë e Shqipërisë në fushën kibernetike.
Përfaqësuesja e SHBA-ve në Kombet e Bashkuara, ambasadore Linda Thomas-Greenfield zhvilloi sot një seri takimesh me autoritetet më të larta të shtetit shqiptar, ku po vlerëson bashkëpunimin e Shqipërisë me SHBA-ve.
Në takimin me presidentin e Republikës, Bajram Begaj, ambasadorja Thomas-Greenfield theksoi rolin kyç të Shqipërisë në Ballkanin Perëndimor si vend anëtar i NATO-s, si dhe partneritetin e saj me SHBA-të në Këshillin e Sigurimit në mbrojtje të Kartës së OKB dhe mbajtjes së Rusisë përgjegjëse për sulmin ndaj Ukraninës.
Ajo theksoi rëndësinë e 100 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike shqiptaro – amerikane, veçanërisht në dy vitet e fundit, ku sfidat janë bërë më të mëdha.
“Ne po festojmë 100 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, vite të miqësisë, që është forcuar me kalimin e viteve, sidomos vitet e fundit, partneriteti mes nesh ka qenë shumë shumë i rëndësishëm. Në emër të presidentit Biden, shpreh falenderime të sinqerta për mbështetjen dhe partneritetin e Shqipërisë”, tha ambasadore Thomas-Greefield.
Ndërsa presidenti Begaj deklaroi se Shqipëria punon çdo ditë që të forcojë bashkëpunimin stretagjik me SHBA-të.
“Dialogu strategjik i para disa javëve tregoi mësë miri se sa I rëndësishëm është ky bashkëpunim sidomos në fushat me ndjeshmëri të lartë si mbrojtja, siguria kibernetike, infrastruktura, tregtia dhe drejtësia”, tha presidenti Begaj.
Ambasadorja Thomas-Greenfield pati një takim me kryeministrin Edi Rama, ku u vlerësua qëndrimet e njëzëshme të një partneriteti të ngushtë ndaj çështjeve themelore aktuale.
“Ne jemi shumë të kënaqur me bashkëpunimin në Këshillin e Sigurimit, si dhe për faktin që gjatë gjithë kësaj kohe ne kemi vlerësuar çështje të vërteta dhe të rëndësishme, ndaj jemi gjithmonë të hapur, sepse ndajmë vlera të njëjta të përbashkëta”, tha zoti Rama.
Në ministrinë e Shqipërisë për Europën dhe Punët e jashtme Ambasadorja Greenfield mori pjesë në takimin kushtuar agjendës së Kombeve të Bashkuara “Gratë, Paqja dhe Siguria”. Ajo renditi një seri vendesh si Etiopia, Afganistani, etj., ku konfliktet e armatosura sjellin dhunë, presion dhe përdhunime ndaj grave dhe vajzave.
“Në Ukrainë ne kemi parë tmerret dhe mizoritë që forcat ruse kanë kryer kundër grave dhe vajzave. OKB ka verifikuar mbi 10 raste të dhunës dhe përdhunimeve gjatë sulmeve për pushtimin e Ukrainës. Kjo është një strategji ushtarake, forcat ruse po përdorin përfhunimin si një armë lufte, ndaj duhet të ketë llogaridhënie për të gjithë autorët e krimeve kundër grave dhe vajzave, sepse çdo paqe e qëndrueshme kërkon drejtësi për viktimat”, tha ambasadorja Thomas-Greenfield.
Ambasadorja Thomas-Greenfield po viziton Shqipërinë dhe Poloninë për 4 ditë në Europë.
Diplomatja amerikane vlerëson gjatë takimeve zyrtare në këto dy vende mbështetjen e palëkundur të SHBA-ve për të dy aleatët, që po punojnë me Uashingtonin për t’iu përgjigjur krizës së shkaktuar nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës.