Përfundimin e mandatit të saj diplomatik në Tiranë, Yuri Kim, e sigloi me një bilanc të tre viteve e gjysmë në krye të ambasadës amerikane.
Njësoj si në janarin e vitit 2020 kur mbërriti në Shqipëri, fokusi vijon të ketë reformën në Drejtësi.
“Dua ta qartësoj se gjatë mandatit të tyre në Shqipëri, ambasadorët nuk ndjekin agjenda personale. Dhe ndaj pyetjes suaj nëse ka diçka që duhet të përmirësohet, absolutisht që po! Gjithashtu, është e rëndësishme të vijohet me përkushtim me reformat, sikurse ka qenë reforma në drejtësi, sikurse është çrrënjosja e korrupsionit.”
Pikërisht korrupsionin diplomatja amerikan sheh si problematikë në varfërimin e vendit, duke mos kursyer tonet negative ndaj atyre që duhet të bëjnë drejtësi në këtë vend.
“Çështja e reformës në Drejtësi dhe çrrënjosja e korrupsionit nuk është thjeshtë një çështje morali, por është çështje kombëtare dhe prosperiteti. Shtetet e Bashkuara duan që Shqipëria të bëhet një vend i pasur. Gjykatat dhe prokurorët duhet të jenë të pavarur, duhet të jenë persona me integritet. Dhe kjo është arsyeja se për SHBA-në dhe BE-në shtyjnë përpara në Reformën në Drejtësi.”
Mandati i Yuri Kim në Shqipëri u shoqërua gjithashtu me përplasje politike dhe akuza të forta publike ndaj saj.
Diplomatja amerikane i krahason me zëra sporadikë që kërkojnë të flasin në emër të shumicës.
“Përgjigjja do të zhgënjej ato persona që presin ta kthejnë në dramë. E vërteta është që ka qenë një kënaqësi të kem në këtë vend dhe sikurse në çdo kryeqytet ka një klasë zhurmëmadhe dhe ka disa zëra të lartë të cilët dëgjohen më shumëse të tjerët dhe përpiqen të flasin për të tjerët. Mua më pëlqen të di të vërtetën, ndaj kam vizituar të 61 bashkitë e këtij vendi dhe të njoh njerëzit dhe të zbuloj se çfarë mendojne qytetarët, çfarë pëlqejnë dhe çfarë nuk pëlqejnë.”
Por mbyllja e mandatit në Shqipëri nuk do të thotë edhe shkëputja e vëmendjes ndaj shqiptarëve.
Ashtu siç kishte lajmëruar A2CNN, Yuri Kim do të marrë një pozicion të lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit si zv/ndihmës sekretare për Europën, duke vijuar të ketë në fushën e përgjegjësisë së vet edhe Shqipërinë.
“Në pozicionin tim të ardhshëm unë do të kem përgjegjësi të gjithë Europën, përfshirë Shqipërinë. Unë jam e lumtur për këtë. Mbase jo të gjithë janë të lumtur, por unë jam!”
Lamtumira e Yuri Kim, reforma në drejtësi! Në të ardhmen, pa viza
Në të fundit konferencë për shtyp pak përpara largimit si ambasadore nga Shqipëria por që do të vijojë mbikëqyrjen të vendit tonë në DASH, si krye zëvendës ndihmëse sekretares për Çështjet Evropiane, Yuri Kim i bëri një bilanc punës së saj si ambasadore.
Vlerësoi progresin e reformës në drejtësi, marrëdhëniet ekonomike e posaçërisht ato në fushën ushtarake mes Shqipërisë dhe SHBA.
Përballë situatës të krijuar në kampin e MEK Ashraf 3, ambasadorja Kim veprimeve të cilat mund të marrë Shqipëria deri tek largimi tyre, nuk i vuri dritë të kuqe, por ia la në dorë të qeverisë, e cila i pranoi si miq por të Martën bujarisë shqiptare, miqtë e opozitës iraniane iu përgjigjën me dhunë.
Por a duhet qeveria shqiptare të prishë marrëveshjen që ka me MEK?
“Ky është një vendim që duhet ta marrë qeveria shqiptare. Një gjë është shumë e qartë, ne mbështesim të drejtat e Shqipërisë për të zbatuar ligjet e saj në vendin e saj. Ka rregulla të caktuara që zbatohen për miqtë në vendin tuaj dhe këto duhet të respektohen prej tyre”.
Yuri Kim largohet nga Shqipëria si e sulmuar nga një pjesë e PD-s, udhëhequr prej Sali Berishës, njësoj si paraardhësit e saj. Ajo lë pas jo pak shqetësim ndjellje edhe në radhët e shumicës qeverisëse të Edi Ramës.
Deklarimeve të saja konstante se “marrëdhënia e SHBA është me popullin shqiptarë e jo udhëheqësit politik” u dha një vlerë të shtuar kur tregoi se çfarë do të ndodh me vizat amerikane për qytetarët shqiptarë.
“Vitin e kaluar përkujtuam 100-vjetorin e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA. Njoftuam se qytetarët kualifikohen për viza amerikane të vlefshme për 10 vite, jo më 3. Në vitin e parë që e zbatuam, mbi 24 mijë shqiptarët morën viza amerikane. Ky është një hap i madh për lidhjen në udhëtimet dhe bizneset për vendet tona. Do të vijë dita besoj që s’do të kërkohet fare vizë. Jam krenare për përparimin që kemi bërë së bashku”.
Yuri Kim në konferencën për shtyp nuk foli me emra të përveçëm politikanësh apo çështje të drejtpërdrejta lidhur me ta.
Top Channel e pyeti Ambasadoren Kim, nëse ishte drejtë të thuhet se pas ambasadores Mariza Lino ne vitin 1997, ajo kishit mandatin më të vështirë si ambasadore e SHBA në Shqipëri, pasi ju desh të jepte qëndrime të forta e të kishte përballë të njëjtin person. Sali Berishën. Përgjigja paçka se ishte diplomatike mesazhin e kishte të qartë. Për SHBA, non-grata i tyre Sali Berisha i përket të shkuarës.
“Mendoj se çdo ambasador përballet me sfidat dhe mundësitë e tij por ka diçka që lidhet me SHBA. Ne gjithmonë, shohim, përballemi me të ardhmen. Çdo ambasador që ka shërbyer në të shkuarën, aktual apo në të ardhmen do të përpiqet ta drejtojë Shqipërinë drejt të ardhmes”.