Andrea Petromilo: Mendime rreth rromanit “ Brenda pasqyrave banojnë dashuritë” të autorit Dashnor Selimit

Fizionomia e nje realiteti të çoroditur

Pas hedhjes së hapave të sigurta në zhanrin e poezisë, duke botuar disa libra të suksesshëm, Dashnor Selimi bënë sprova dhe në prozën e shkurtër, kjo vite më parë, kur fal prirjes dhe talentit të tij, shfaqet në shtypin e kohës me tregime, të cilat u vlerësuan nga opinioni i lexuesve, madje mendime pozitive u shprehen dhe në shtypin e shkruar, gjë që i hapën rrugën për t’u angazhuar pa hezitim në prozën e gjatë, në atë të romanit. Romani i tij i parë, “ Pasioni”ishte i suksesshëm. Ai u mirëprit nga një rreth i gjerë miqsh e shokësh për faktin e temës sociale që trajtonte, për gjetjet dhe shtjellimin interesant të situatave, për frazën e bukur e të thjeshtë, për figuracionin si një “ armë” e autorit për rritjen cilësore të materialit që përfshihet në të. Por një vlerësim të veçantë ai voli nga lexuesit e shumtë, që angazhohen me botën e letrave, në qytetin ku ai jeton e punon prej vitesh, në Selanik e jo vetëm por dhe në Athinë, Patra, e në ndonjë qytet tjetër, ku nuk mungon komuniteti i emigrantëve shqiptar e dashamirës të letërsisë. Nuk kaloi pa bërë jehonë dhe në krahinën e tij të lindjes, në qytetin e Përmetit…, apo dhe në Durrës, Tiranë ku miqtë, shokët e të afërmit e prisnin…Pra, pasaportën e një krijuesi serioz, e një shkrimtari të formuar, tashmë e kish marrë. Nuk është e thjeshtë të bëhesh poseduesi i kësaj pasaporte, sidomos në ditët e sotme. Them në ditët e sotme, duke patur parasysh tre dekadat e postkomunizmit, të kësaj periudhe të gjatë emërtuar demokraci, por që nuk e dha as aromën e as klimën për të justifikuar cilësimin. Mungesa e kritikës së mirëfilltë letrare dhe akoma më e pajustifikueshme mosprezenca e një ekipi vëzhgimor pranë shtëpive botuese të panumërta, sigurisht jo në rolin e censuruesit, por të gjykuesit të vlerave cilësore brenda natyrës së zhanrit që përfaqëson, që do të futen në fondin e letrave shqipe, për t’i shpëtuar në këtë mënyrë, bastardimeve letrare, ashtu siç ndodh kur triorohet fara që prodhimi i shëndosh merr destinacionin e duhur, kurse bëzhdilet( papastërtitë e lëndët e huja) mbeten jashtë tij. E citoj këtë pasi janë shumë ata që veprat e tyre nuk i kalojnë “stekën” në lartësinë e nevojshme të etikës, ndërsa vetkënaqësia e tyre arrinë deri në vetetiketimin me cilësinë e shkrimtarit apo të poetit teksa e kanë thurur dhe e kanë vendosur në kokë kurorën e dafinës, pa lënë mënjëanë propagandimin deri në besueshmëri kurorëzimin, madje si novator e prurje risish moderniste në gjininë përkatëse. Por modernizmi e postmodernizmi në letërsi , për mendimin tim , është pasqyrimi ( sigurisht jo fotografimi!!) i realitetit , i jetës sociale, i fenomeneve shoqërore që sistemi shoqëror të parashtron dhe krijuesi i rrokë ato në një këndvështrim të natyrshëm me individualitetin e vet e prirjen stilistikore…
Dashnor Selimi , si një vëzhgues i kujdesshëm i këtij realiteti gjen ujdhezën nga mund të penetrojë e të eksplorojë detajet e bëmat brenda këtij oazi. Tek romani “ Brenda pasqyrave fshihen dashuritë” stigmatizon anët sociale të shoqërisë së re, që po aklimatizohet e që frymon në këtë mjedis të çoroditur të këtyre tre dekadave, pa asnjë kah , që vorbullohet në askund, që siç e mbulojnë nebulozat përpiqet të mos asfiksohet… Fabula është fare e thjeshtë: Një çift të rinjsh, Elsa dhe Aleksi, që dashuria e tyre nis kur ishin ende në bangat e shkollës, gjimnazist. Lidhja e tyre është tepër e ngusht, duke tejkaluar çdo iluzion se një dashuri e tillë, në një moshe krejt të re, madje bashkëmoshatarë, nuk është e qëndrueshme. Ata e kapërcejnë këtë duke sfiduar kohën, e cila i vë përpara situatave që kërkojnë të kapin ritmin , paçka se nuk ka një etikë morale të përcaktuar. Pikërisht mospasja e një etike të tillë , mbizoterimi i një gjëndjeje të tillë anarkike, të amullt deri në kaotike, sigurisht nuk mund të ketë një ekuilibër social, pra e gjithë shoqëria përjeton në këtë kaos që më tepër i ngjan një turbullire ku nuk mund të shquhet asgjë. Gjithandej një rendje ku secili kërkon të kapi diçka. Në këtë mjedis hasim tre “sfera klimatike”: brezin e vjetër ( prindërit e çiftit, me konservatorizmin dhe përvojën e tyre, që edhe pse kërkojnë të integrohen me jetën e re, nuk arrijnë ( vjehra e vjehri i Natashës, shoqes së Elsës), në planin tjetër qëndron Elsa me Natashën dy shoqe gjimnazi si përfaqësuese serioze që ecin me maturinë e asaj që trashëgohet dhe euforisë së të resë, por që nuk i trondit, dhe në ballë të përqëfimit të nocioneve të reja, që notojnë në ekstazën e moralit që bifton si një gjallesë e shformizuar, Ana, shoqes tjetër të gjimnazit, e cila infektohet me konceptin modern të jetës liberale( Fal dhe karakterit të saj!), të pakontrolluar , çoroditëse. Mbi këtë platformë është ndërtuar romani. Elsa ka një pasion , pikturën. Për të shkuar në shkollën e lartë të arteve has mbi koncepte konservatore të mjedisit që e rrethon, madje dhe të bashkëshortit, Aleksit, por që lehtësisht e kapërcen. Por shpejt e braktis atë për hir të shtatzanisë, nuk mund ta përballojë. megjithatë ëndërra nuk shuhet tek ajo. Me stoicizmin e saj, pasi kalon kohë dhe situatat janë në favor të plotësimit të ëndrrës , ajo i rikthehet pasionit. Aleksi, i shoqi, pas përfundimit të studimeve, ai merr përsipër aktivitetin që i ka hapur i ati. Ndërkohë Natasha e martuar me Adrianin dhe ai bëhet biznesmen, detyrohet të luftojë me konceptet konservatore të prindërve të të shoqit. Kalon peripeci, dhe si një e re, që është e detsinuar të mos e përballojë këtë katrahurë sociale, ajo aksidentohet. Por drama qëndron tek Elsa, e cila gjendet në amullinë e moralit që i server koha. Shoqja e saj Ana, e cila pasi mbaron studimet për jurispodencë, është poseduesja e koncëpteve liberale, ajo që është amorale, për të është e moralshme, pasi ndërton zyrën e saj avokatore, tepër moderne, ngaqë është e lidhur me një jurist të vjetër me reputacion në kryeqyet. Lidhja e tyre nuk është vetëm në profesion por dhe në bashkëshortësi ( kjo e qëllimshme!Asaj i inrtereson fama dhe paraja!!), paçka se ajo nuk i qëndron besnike atij, pasi besa bashkëshortore për të është një atavizëm social, ajo lidhet me Aleksin, bashkëshortin e shoqes së saj , Elsës. Pikërisht nëpërmjet prologut, këtu nis gongu i romanit nga më pas shtjellohet në mënyrë graduale dhe bindshëm për atë ç’ka ndodhi, deri në divorcin e tyre. Një linjë tjetër, që edhe pse duket sikur është e sfumuar, është simpatia e Petritit, admiruesit të pikturave të Elsës, i cili gjen momentin kur Elsa përjeton në kaosin e marrëdhënieve me të shoqin, kur për një kohë të gjatë i ka munguar ngrohtësia bashkëshortore, ajo del nga shinat e moralit të virtytshëm, e justifikueshme kjo pas atij demoralizimi pikërisht në atmosferën çoroditëse të shoqërisë së re , s’kish si të mos e humbiste ekuilibrin, kur veç të tjerash i mungonte dhe këshilla e shoqes së saj, Natashës, e cila kishte humbur jetën, babait të saj gjithashtu, si rrjedhojë krijon momente erotike me Petritin, por ky eros ashtu siç nis ashtu dhe nuk kristalizohet. Elsa u përkushtohet fëmijve, vajzave të saj, pra gjithë kohën ajo ia përkushton jetës familjare dhe pasionit, pikturës. Ja kjo është e tëra ç’ka përfshihet në këtë roman, ku jepet një mesazh i qartë, se fizionomia e shoqërisë së re që po krijohet është çoroditëse, e pa ekuilibruar, një jetë e amullt që do kërkojë kohë të hyjë në brazdën e një shoqërie sociale të shëndoshë. Romani lexohet me ëndje, ka një gjuhë të pastër shqipe. Ajo që duhet cituar është struktura e romanit e cila ka lidhje të qëndrueshme e të drejtuar të koherencës. Nuk gjen humbëtira, por shkallët ngjiten në një uniformitet ku nuk ndjen troshitjen… Gjithashtu duhet vlerësuar për forminin e karaktereve me penelatat e kohës, pa artifice, janë personazhe që i has në përditëshmëri dhe I beson, secili paraqitet me portretin e vet, me botkuptimin e vet.
Vlore me 12/11/2022
Andrea Petromilo
12/ 11/ 2022

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here