E BOTUESEN E NJOHUR KOREANE, PEDAGOGEN, STUDIUESEN DHE POETEN YANG GEUM-HE
Intervistoi: Angela Kosta
A. Kosta: Përshëndetje e nderuar Yang. Mirësevini në këtë intervistë për lexuesit tanë shqiptarë në gazeta Nacional. Ju keni ndërthurur poezinë, etikën dhe filozofinë e paqes në veprat tuaja. Si besoni se poezia mund të kontribuojë konkretisht në ndërtimin e një kulture paqeje në botën e sotme?
Yang G. H: Përshëndetje Angela. Ndihem me të vërtetë e privilegjuar të jem me të gjithë ju në gazetën e mirënjohur ndërkombëtare “Nacional”.
Vetëm qenia njerëzore ka privilegjin t’u japë formë mendimeve dhe rezonancave të saj të brendshme përmes gjuhës dhe krijimit. Të shkruash poezi është një akt fisnik i joshjes së botëkuptimit dhe filozofisë së brendshme në ngjyra të veçanta dhe veshjes së tyre me petkun që quhet “poezi”. Është një formë komunikimi që lidh të kaluarën me të tashmen, të tashmen me të ardhmen, dhe mund të quhet mënyra më e bukur e gjuhës që njerëzit i ofrojnë njëri-tjetrit.
Për më tepër, poezia, e cila mund të quhet gonxhja e letërsisë, krijohet rishtazi duke stimuluar emocionet dhe imagjinatën e poetit. Romancieri francez Bernard Werber e përshkroi imagjinatën si “një përgjigje të re ndaj një problemi të vjetër”, dhe poezia është pikërisht arti i shprehjes së kësaj imagjinate me fjalë, duke ndezur një llambë ndjeshmërie të ngrohtë dhe duke lejuar që zemrat e njerëzve të banojnë, qoftë edhe për një çast, në një botë të magjishme. Kjo është arsyeja pse njerëzimi e ka dashur poezinë prej kaq shumë shekujve. Prandaj besoj se poezitë e poetëve që dëshirojnë paqen do ta ngrejnë mirëdashjen e njerëzimit dhe do të ndihmojnë konkretisht në ndërtimin e paqes në këtë tokë.
Paul Valéry ka thënë: “Poezia është akti i thyerjes së varfërisë së gjuhës, për të prekur zemrën e përbashkët të njerëzimit.”
Ndaj, kur shkruajmë poezi nga perspektiva se “bota është një”, duhet të kapërcejmë kohën dhe hapësirën dhe të tejkalojmë barrierat e kombeve dhe popujve, shkrimeve dhe gjuhëve, duke shkruar me një zë me të cilin mund të rezonojë i gjithë njerëzimi. Këto shkrime, do të kontribuojnë veç në përhapjen e një kultureje paqeje.
A. Kosta: Jeju, ishulli juaj i lindjes, shfaqet shpesh në veprat tuaj poetike. Si ndikon lidhja juaj me këtë tokë në vargjet dhe në misionin tuaj letrar?
Yang G. H: Ishulli Jeju, i cili gjendet në Korenë e Jugut, është një vend me të vërtetë i bukur, ku malet dhe deti bashkëjetojnë në harmoni të përsosur. Edhe për vetë koreanët, vizita në Jeju është një burim krenarie dhe mbetet një nga destinacionet më të dashura si për turistët vendas, po ashtu edhe për ata ndërkombëtarë. Jeju i magjeps vizitorët me bukurinë mahnitëse natyrore, një dhuratë e çmuar nga natyra.
Duke jetuar çdo ditë në praninë e Hallasanit madhështor dhe detit që ndryshon vazhdimisht gjatë të gjitha stinëve, e konsideroj veten thellësisht të bekuar. Jam rritur në një mjedis që ushqen në mënyrë të thjeshtë dashurinë për natyrën dhe ndiej një ndjenjë të thellë përkatësie ndaj maleve dhe deteve të Jejut, bimësisë dhe faunës, erës, folklorit, miteve, legjendave dhe kulturës së këtij ishulli. Shumë nga poezitë e mia janë përshkuar nga shpirti i Jejut: era, malet, deti dhe peizazhet stinore të ishullit. Veprat e mia janë kryesisht të mbështetura në një vëzhgim të kujdesshëm të fenomeneve natyrore.
Poeti nepalez Rupsingh Bhandari ka shkruar në parathënien e përmbledhjes sime poetike “Foleja e Zogjve”: “Poezitë e saj janë si shkrime të rralla të natyrës, të shenjta si një majë Himalaje e paprekur… Pas leximit të këtyre poezive, lexuesit do të dëshirojnë padyshim të vizitojnë Jejun, të paktën një herë në jetën e tyre.”
Ai ka shkruar gjithashtu:
“Yang zbulon ligje të paregjistruara të natyrës, misteret e saj të papërshkrueshme dhe dimensionet e padukshme… Nëpërmjet poezisë së saj, lexuesit ftohen në një udhëtim për të përjetuar madhështinë e padukshme të natyrës… Përballë kësaj madhështie, duhet të përkulemi, duke jetuar në harmoni si pjesë e saj.”
Në këtë kuptim, Jejui i bekuar me bukuri madhështore natyrore si “Ishulli i Paqes Botërore”, ka ardhur në mënyrë të natyrshme si themeli i botës sime letrare. Ai formëson thellësisht ndjenjën time të misionit letrar: të marr pjesë, përmes poezisë, në ndezjen e një pishtari për paqen botërore dhe vëllazërinë njerëzore.
A. Kosta: Ju keni përkthyer shumë vepra, ndër të cilat edhe “PREKAZI: Brezni Trimash – Ai është i gjallë” shkruar nga autori kosovar Dibran Fylli dedikuar heroit legjendar Adem Jashari.
Çfarë ju motivon të bëheni një urë lidhëse mes kulturave dhe gjuhëve të ndryshme përmes përkthimit?
Yang G. H: Jam shumë e lumtur që nëpërmjet propozimit tuaj Angela, si Ambasadore e Kulturës Botërore si dhe Zv. Presidente e Shoqatës së Lidhjes së Shkrimtarëve Koreanë e Botërorë, u prezantova lexuesve të vendit tim, në gjuhën koreanisht librin “Prekazi: Brezni Trimash”, një vepër që rrëfen jetët e heronjve të pavarësisë së Kosovës, të cilët dhuruan jetën e tyre duke luftuar për lirinë.
Kosova, e vendosur në Gadishullin Ballkanik të Evropës, është një vend ende shumë i panjohur për shumicën e lexuesve koreanë. Kjo ndjesi e panjohurisë thellohet edhe më shumë nga fakti se Koreja e Jugut ende nuk ka vendosur marrëdhënie diplomatike zyrtare me Kosovën.
Nëse kërkojmë një pikë lidhjeje mes Kosovës dhe Koresë, ajo qëndron në historinë e përbashkët të luftës për pavarësi. Koreja e fitoi çlirimin nga kolonizimi japonez përmes sakrificave dhe rezistencës së panumërt të luftëtarëve për pavarësi dhe pas çlirimit, përjetoi tragjedinë e Luftës Koreane, një konflikt i dhimbshëm vëllavrasës. Për lexuesit koreanë, historia e Kosovës, e mbushur me plagët e luftës për liri, do të gjejë padyshim një rezonancë të thellë e të respektuar. Ashtu siç dëshmon “Letra nga Drenica”, ky libër paraqet prova historike pa ekzagjerime. Gjatë përkthimit, shpresoja që lexuesit koreanë, (për të cilët Kosova mund të duket një vend i largët dhe i huaj), të njihnin heronjtë e saj jo si figura legjendare të stisura, por si një të vërtetë historike të një “trashëgimie trimërie”, ku të përballeshin me realitetin e pavarësisë së Kosovës, me një këndvështrim të ekuilibruar. Përmes këtij libri, dëshiroj sinqerisht që popujt e dy vendeve tona, me kultura dhe histori të ndryshme, të arrijnë ta kuptojnë më mirë njëri-tjetrin, dhe të forcojnë miqësinë dhe bashkëpunimin. Përfitoj nga rasti t’i përcjell nderimet dhe komplimentet e mia autorit Dibran Fylli, i cili ka shkruar jo vetëm për heroin legjendar Adem Jashari, por ka pasqyruar gjithashtu edhe realitetin e hidhur të mbarë Kosovës. Nëpërmjet shkëmbimeve me poetë nga mbarë bota, kam ndërtuar një besim të thellë në mirësinë e njerëzimit. Nga poetë të ndryshëm botërorë, përmes shkëmbimit kulturor, kam mësuar gjithashtu se poezia ka fuqinë ta sublimojë gjuhën në një formë mendimi që na lejon ta perceptojmë botën me një vështrim të ri dhe se ajo zotëron një dimension universal të mbështetur në paqen botërore dhe dhembshurinë njerëzore. Kam kuptuar gjithashtu se thelbi i letërsisë, nuk ndryshon nga dashuria e një nëne të vetme.
A. Kosta: Në rolin tuaj si pedagoge dhe komisionere për bashkimin kombëtar, si arrini ta kombinoni angazhimin politik me krijimtarinë poetike?
Yang G. H: Koreja u nda nga rrymat e historisë botërore, ashtu si shumë vende të tjera. Përmes edukimit, dëshiroj të theksoj se mirëkuptimi dhe integrimi janë shumë më të rëndësishëm se konflikti dhe ndarja. Në poezinë time përpiqem të shpreh tolerancë, bashkëjetesë, mirëkuptim dhe dashuri. Besoj se poetët dhe shkrimtarët duhet të luajnë një rol aktiv në realizimin e paqes botërore. Historia e njerëzimit është shënuar kryesisht nga luftërat dhe konfliktet, me periudha të shkurtra paqeje. Kjo është arsyeja pse njerëzimi gjithmonë ka dëshiruar paqen, edhe kur luftërat vazhdojnë të shpërthejnë nëpër botë, ende sot. Ndikimi i luftës shtrihet shumë përtej fushëbetejës. Rritja e çmimeve të lëndëve të para, naftës dhe grurit, së bashku me paqëndrueshmërinë globale, cënojnë të gjitha kombet. Në botën e sotme të ndërlidhur, asnjë vend nuk mbetet i paprekur nga lufta.
Si koreane që kam përjetuar pasojat e luftës dhe jetoj ende në një komb të ndarë, dëshira jonë për paqe është veçanërisht e fortë. Unë jetoj në ishullin Jeju, i cili është shpallur zyrtarisht si “Ishulli i Paqes Botërore”, ku çdo vit mblidhen liderë ndërkombëtarë në Forumin e Jejuit për të diskutuar mbi paqen dhe kjo më frymëzon dhe më nxit thellësisht. Prej shumë vitesh kam shkruar artikuj editorialë për një nga gazetat kryesore të Jejusë, duke theksuar vazhdimisht vlerën e paqes. Unë besoj fort se edhe një paqe e papërsosur është më e mirë se çdo luftë. Si poete, e ndjej si përgjegjësi të kontribuoj, me mënyrën time modeste, në ndërtimin dhe ruajtjen e një bote më paqësore.
A. Kosta: Ju jeni vlerësuar me çmime të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare. Cili prej këtyre çmimeve ka përbërë një pikë kthese për ju e përse?
Yang G. H: Së fundmi, në nivel kombëtar, sapo u nderova me Çmimin e Madh për Kulturë dhe Art, që është vlerësimi më i lartë që u jepet individëve që kanë arritur sukses të jashtëzakonshëm dhe kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e kulturës dhe artit në Kore, gjatë vitit 2025. Ndërkombëtarisht, u përzgjodha për çmimin “PRIZES, 2025: Poetët dhe Përkthyesit Më të Mirë Ndërkombëtarë,” organizuar nga Qendra Ndërkombëtare për Përkthimin dhe Studimin e Poezisë, revista letrare kineze tremujore “The Journal of Rendition of International Poetry”, dhe Bordi Drejtues i Unionit Botëror të Revistave të Poezisë. Rezultatet u shpallën më 12 dhjetor, dhe dhjetë poetë u zgjodhën si poetët më të mirë ndërkombëtarë në botë. Ndjeva një nderim të madh që isha ndër ta. Ky çmim u bazua në rekomandimet e poetëve të shquar, përkthyesve dhe studiuesve nga 18 vende, duke përfshirë: Italinë, Shtetet e Bashkuara, Poloninë, Rusinë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Rumaninë, Suedinë, Indinë, Francën, Spanjën, Kinën, Shqipërinë, Greqinë, Gjermaninë, Argjentinën, Izraelin, Japoninë dhe Danimarkën. Për më tepër, u zhvilluan tre raunde votimi nga juria gjatë dy muajve, dhe si rezultat, katërmbëdhjetë poetë dhe përkthyes nga trembëdhjetë vende u zgjodhën si fitues. Jam vërtet e lumtur dhe mirënjohëse për këtë vlerësim.
Për një shkrimtar, marrja e një çmimi letrar ka një kuptim të veçantë sepse përfaqëson njohjen sociale të arritjeve të tij letrare, dhe më jep një krenari të madhe si poete. Ndaj, çmimi i fundit, “Poeti Ndërkombëtar më i Mirë 2025,” ka një rëndësi edhe më të madhe për mua dhe është bërë një pikë kthese në jetën time si poete. E shoh si një thirrje për një përgjegjësi më të madhe sociale, që të përkushtohem më plotësisht ndaj dhembshurisë universale njerëzore. Me këtë gjë në mendje, do të vazhdoj të shkruaj poezi me një ndjenjë të fortë misioni, duke u përpjekur të krijoj poezi që shkëlqejnë si një llambë, duke thurur vargje për paqen në botë dhe dashurinë për njerëzimin.
A. Kosta: Në një botë e cila po dominohet gjithnjë e më shumë nga teknologjia dhe komunikimi i shpejtë, sipas jush, çfarë hapësire mbetet për poezinë dhe reflektimin e ngadaltë?
Yang G. H: Nuk e shoh domosdoshmërisht një botë që dominohet gjithnjë e më shumë nga teknologjia dhe komunikimi i shpejtë si diçka negative. Megjithatë, kur bëhet fjalë për shkrimin ose leximin e poezisë, besoj se ka nevojë për ngadalësi. Shpesh poezia kërkon të lexohet sërish e sërish akoma, duke marrë kohë për të reflektuar thellë mbi kuptimin e saj. Kërkohet një “hetim” i vërtetë për të arritur në interpretime të thella. Veprat letrare që ndezin llambën e dhembshurisë njerëzore janë dashur prej kohësh dhe padyshim do të vazhdojnë të dashurohen në të ardhmen. Ndaj, si anëtarë të një komuniteti global që jetojmë së bashku në këtë tokë, nëse përpiqemi të shkruajmë poezi që na lejojnë të ndiejmë dhe komunikojmë me njëri-tjetrin mbi bazën e humanizmit tonë të përbashkët, për hir të një bote në harmoni, besoj se do të ketë një hapësirë të pafund për reflektim të ngadaltë, aty ku bukuria dhe filozofia që vetëm njeriu e ndjen se mund të shprehen plotësisht.
A. Kosta: Ju keni qenë pjesë e shumë shoqatave letrare dhe kulturore. Sa i rëndësishëm është ndërtimi i rrjeteve mes shkrimtarëve për rritjen e letërsisë globale?
Yang G. H: Për zhvillimin e letërsisë botërore, ndërtimi i rrjeteve me shkrimtarë nga e gjithë bota është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Ne jetojmë në një kohë ndryshimesh të shpejta. Ndryshe nga e kaluara, gjithçka po evoluon shpejt, dhe nëse nuk përgjigjemi ndaj këtyre ndryshimeve, patjetër që mbetemi pas. Nga ky këndvështrim, besoj se ndërtimi i rrjeteve letrare është një përpjekje shumë pozitive dhe i nevojshëm. Është sidomos jetike, të lidhemi me poetë që tashmë kanë rrjete të forta globale, si poetja e mirënjohur ndërkombëtare, pikërisht Angela. Për shembull… bashkëpunimi i mundësuar përmes rrjetit midis jush dhe Dr. Kang Byeong Cheol nga Koreja, në një periudhë fare të shkurtër kohe, ndihmoi në rritjen e profilit të poetëve koreanë; kjo falë dhënies së kontributit tuaj të rëndësishëm, në prezantimin e letërsisë koreane në botë. Gjithashtu, ju krijuat një vazhdë të jashtëzakonshme poezie, me poetë të vlerësuar nga e gjithë bota drejt Koresë. E gjithë kjo u bë e mundur, sepse u krijua një rrjet i tillë bashkëpunimi letrar. Çdo ditë, poetët koreanë shprehin mirënjohjen dhe respektin e thellë për përkushtimin e promovueses Angela Kosta dhe Dr. Kang Byeong Cheol, përpjekjet e të cilëve bazohen në një vëllazëri e dashuri të madhe për njerëzimin. Edhe në këtë moment, në emër të poetëve koreanë, dëshiroj të shpreh falënderimet dhe respektin tim të sinqertë për të dy ju dhe për të gjithë shkrimtarët e mëdhenj që vazhdojnë të përkushtohen për shkëmbimin dhe rritjen e letërsisë botërore.
A. Kosta: Ju falenderoj për këtë vlerësim të vyer. T’i rikthehemi intervistës… Ju kontribuat në themelimin e “Ditës Botërore të Cavafyt” nën sponsorizimin e UNESCO. Çfarë përfaqëson Cavafy për ju, dhe pse ndjetë nevojën për të promovuar trashëgiminë e tij?
Yang G. H: Konstandin P. Cavafy (1863 – 1933) ishte poet grek i lindur në Aleksandri. Edhe pse shkroi vetëm 155 poema, ai preferoi më shumë t’i ndante ato përmes gazetave dhe revistave lokale, sesa t’i botonte në libra. Sot, poezia e tij është shumë e dashur dhe e kërkuar, prej lexuesve nga e gjithë bota. Nën udhëheqjen e kitaristit klasik grek z. Yorgos Foudoulis, dhe së bashku me 300 anëtarë themelues, poetë, shkrimtarë, artistë dhe dashamirës të artit, nisi themelimi dhe institucionalizimi i Ditës Botërore të Cavafyt nën flamurin e poezisë ikonike të Cavafyt “Thermopylae.” Me mbështetjen e Federatës Kombëtare Helenike të Klubeve dhe Qendrave UNESCO si dhe me pjesëmarrjen e institucioneve dhe poetëve nga e gjithë bota, eventi themelues u zhvillua nga 27-29 prill 2024, për tre ditë në Volos, Greqi, si dhe në të gjitha qytetet bashkëpunuese. Cavafy përballej me realitetet e kohës së tij të errët dhe përmes poezisë, ekspozonte padrejtësitë e shoqërisë duke mbajtur lart pishtarin e dhembshurisë njerëzore, për t’i nxitur njerëzit të ecin përpara (ende sot), drejt së ardhmes. Për këtë arsye, besoj se fryma fisnike humaniste e Cavafyt duhet të vazhdojë, dhe për këtë përpiqem, përmes poezisë sime, të trashëgoj dhe të vazhdoj trashëgiminë e tij të lartë të dashurisë për njerëzimin.
A. Kosta: Nëse do të dëshironit t’u lini një mesazh brezave të ardhshëm të poetëve dhe shkrimtarëve, cilën vlerë kyçe dhe thelbësore duhet të ruajnë gjithmonë në rrugëtimin e tyre krijues?
Yang G. H: Besoj se në udhëtimin tim krijues, është vlerë thelbësore të mbaj gjithmonë fuqinë e letërsisë për të sublimuar gjuhën në një formë mendimi që na lejon të perceptojmë botën në mënyrë të re, dhe të mishëroj këtë thelb të letërsisë në vepra të bazuara në dhembshurinë universale njerëzore. Në këtë moment të jetës sime, duke jetuar si një poete që synon të shprehë në vargjet e saj fenomenet e natyrës që zhvillohen rreth meje, vëmendjen time ndaj gjërave, emocionet dhe filozofitë e veçanta që lindin nga kuptimi i qenieve njerëzore, çdo ditë ndjehem thellësisht kuptimplotë dhe e mbushur me mirënjohje. Veprat letrare që ndezin pishtarët e dhembshurisë njerëzore, janë dashur për një kohë të gjatë, dhe sigurisht do të vazhdojnë të duhen edhe në të ardhmen. Ndaj, si anëtare e komunitetit global, në të cilin jetojmë të gjithë së bashku në këtë tokë, shpresoj të vazhdoj të përpiqem të shkruaj poezi që na lejojnë të bashkëndjejmë dhe të komunikojmë me njëri-tjetrin mbi bazën e humanitetit tonë, për hir të një bote të gëzueshme. Gjithashtu, e mbi të gjitha, besoj se dashuria për vetveten dhe për njerëzimin, janë cilësitë më të rëndësishme për një poet. Të gjitha këto do t’ju vijnë padyshim në ndihmë.
A. Kosta: E nderuara Yang, ju falenderoj për intervistën.
Yang G. H: Gjithashtu ju falenderoj edhe unë Angela, adhtu sikurse i përcjell nderimet dhe respektin tim drejtorit të gazetës “Nacional”, Dr Mujo Buçpapaj, me të cilin dëshiroj që një ditë (shpresoj jo shumë të largët), të bashkëpunojmë sëbashku si botues, përkthyes poetë dhe studiues. Ju falenderoj me shumë mirënjohje!


















