Angela Kosta: “Gjysma e një kupe vere të kuqe, gjysma e një filxhani çaji”. Dialog poetik mes Italisë dhe Kinës-

 

 

Para pak ditësh, doli në qarkullim një vëllim i ri poetik i cili bashkon dy shpirtra poetësh, të largët gjeografikisht por të afërt në zemra: shkrimtaren kalabreze Francesca Gallello Gabriel Italo Nel Gómez, autore e mirënjohur, e përkthyer në disa vende, si dhe poetin tajvanez Dr. Tzemin Ition Tsai, profesor universitar në pension, autor i vlerësuar me çmime dhe i përkthyer në shumë gjuhë të huaja. Libri, me titullin evokues “Gjysma e një kupe vere të kuqe, gjysma e një filxhani çaji”, përmbledh poezi nga të dy autorët në botim dygjuhësh (italisht – kinezisht), duke u bërë simbol i një ure kulturore që i jep jehonë vëllazërisë përmes fjalës poetike.

Vetë kopertina, është një shenjë miqësie: një trëndafil delikat me gonxhe në pah, e lindur nga një dhuratë që autori dhe bashkëshortja e tij i dërguan mbesës së Francescës, Maria Grazia, një dhuratë e shoqëruar me një kartolinë rozë me lulet në lulëzim. Një gjest ky, që e shndërroi një kartolinë të bukur dhe personale në një lidhje të pashlyeshme mes dy familjeve dhe dy kulturave.

Angela K: Poezia juaj duket se lind nga një dialog mes kujtesës dhe së tashmes, mes dritës dhe hijes. Si do ta përshkruanit stilin tuaj poetik?

Francesca Gallello Gabriel Italo Nel Gómez: “Shkrimi im eksploron kontradiktat e shpirtit njerëzor. Çdo varg është një peizazh i brendshëm, një ftesë për të ndarë emocione që tejkalojnë individualen për t’u bërë universale. Kërkoj një muzikalitet që vibron si një melodi e heshtur, e aftë të tregojë lëvizjen e shpirtit.”

Dr. Tzemin Ition Tsai: “Poezia ime është e mbushur me të shkuarën. Koha, e pamëshirshme, bëhet përmbajtës i emocioneve më të pastra. Më pëlqen të ndërthur imazhe që shndërrohen, si një lule që çel: simbol i shpresës dhe brishtësisë. Çdo fjalë është pjesë e një simfonie që zbulon të vërteta të vogla, intime dhe universale.”

Angela K: Cili është kuptimi i këtij libri për ju?

Francesca Gallello Gabriel Italo Nel Gómez:

“Të shkruash bashkë, prej  mijëra kilometrash distancë, ka qenë një akt përkushtimi dhepërkujdesjeje. Nuk është një libër lindur kalimthi, por fryt i rileximeve, korrigjimeve dhe dialogjeve të shumta. Kjo vepër, është një urë që bashkon dy kultura, dy ndjeshmëri, dy vizione të botës.”

Dr. Tzemin Ition Tsai: “Poezia është një gjuhë universale. Të bashkëpunosh me Francescën do të thotë të festosh vëllazërinë mes popujve. Fjalët tona udhëtojnë përtej kufijve gjuhësorë dhe kulturorë, duke e shndërruar distancën në lidhje dhe konfliktin në mirëkuptim.”

Angela. K: Titulli “Gjysma e një kupe vere të kuqe, gjysma e një filxhani çaji” është shumë evokues. Si ju lindi ideja për këtë titull?

Francesca Gallello Gabriel Italo Nel Gómez:

“Titulli u zgjodh nga Tzemin dhe më pushtoi menjëherë. Çaji përfaqëson Kinën, vera përfaqëson Kalabrinë time. Është një titull që përmbledh miqësinë  dhe dialogun tonë poetik, një tokje gotash, simbol mes Lindjes dhe Perëndimit.”

Tzemin: “ Gjysma e një kupe vere të kuqe, gjysma e një filxhani çaji” nuk është vetëm një përmbledhje poezish, por një akt paqeje dhe vëllazërie. Në një kohë kur librat lindin “si kërpudhat pas shiut”, kjo vepër dallohet për kujdesin autentik dhe për thellësinë e mesazhit të saj: poezia si filli që lidh njerëzit, duke festuar dallimet si burim pasurimi të ndërsjelltë. “Gjysma e një kupe vere të kuqe, gjysma e një filxhani çaji”, u botua nga shtëpia botuese Veliero APS – Itali, si një realitet kulturor i udhëhequr nga Francesca Gallello Gabriel Italo Nel Gómez, gjithmonë e angazhuar në përhapjen e letërsisë dhe në ndërtimin e urave mes kulturave globale.

 

Angela Kosta: Ju falenderoj dhe ju uroj suksese!