Angela Kosta : INTERVISTË EKSKLUZIVEME  LIRI LUSHIN,  RRËFIM PËR ARTIN, EMIGRIMIN, RILINDJEN DHE ËNDRRËN PËR T’U RIKTHYER NË SKENË

 

 

 


Liri Lushi: “Së pari njeri, pastaj artist i mirë”

 

“ Nga skena e Teatrit “Aleksandër Moisiu” te emigrimi në Zvicër dhe ëndrrën për t’u rikthyer në skenë me Shekspirin: aktorja dhe pedagogia shqiptare rrëfen rrugëtimin e saj artistik, rolin e Shote Galicës, fuqinë e teatrit për të ndërtuar reziliencë dhe bindjen se arti nis nga kërkimi i përhershëm për të kuptuar misterin e qenies njerëzore.”

 

 

 

 

 

“Arti dhe mërgimi më mësuan reziliencën”.
“Së pari njeri, pastaj artist i mirë…”

Me këtë mesazh të fuqishëm, aktorja e njohur shqiptare Liri Lushi rrëfen në këtë intervistë – dialog të hapur dhe emocionues, rrugëtimin e saj artistik e human.

Një karrierë brilante që nisi që në moshën 13-vjeçare, sukseset në Teatrin “Aleksandër Moisiu” (Durrës), roli ikonë i heroinës Shote Galica dhe më pas emigrimi i detyruar në Zvicër në vitin 2000. Në këtë intervistë aktorja dhe pedagogia shqiptare Liri Lushi tregon pa filtra për përvojat që kanë shënjuar jetën e saj dhe për mënyrën se si arti e ndihmoi të përballonte vështirësitë.

Emigrimi i mori për një periudhë aktrimin, por më pas u bë pikënisja e një “rilindjeje” të re.
Në Zyrih, themeloi Studion Teatrale, me synimin për t’i ndihmuar të rinjtë e prekur nga traumat e luftës në Kosovë të rifitonin besimin te jeta dhe te vetja. Përmes teatrit, psikologjisë dhe punës me të rinjtë, Liri Lushi zbuloi kuptimin e vërtetë të fjalës “reziliencë”.

Në rrugëtimin e saj ndërthuren teatri, kinemaja, psikologjia dhe studimi i zhvillimit psikosocial. Përvoja e saj dëshmon se arti nuk është vetëm një mënyrë për të shprehur emocionet, por mund të shndërrohet edhe në një mjet shërimi, force dhe rilindjeje.

Në këtë intervistë, Liri Lushi rikthen kujtime nga një karrierë e jashtëzakonshme dhe ndan me lexuesit një nga sekretet më të rëndësishme të profesionit të aktorit: të mos pushosh kurrë së dashuruari dhe së hulumtuari misterin e mrekullueshëm të qenies njerëzore.

Ju ftoj të lexoni rrëfimin e sinqertë të saj për artin, emigrimin, jetën, dhimbjen, shpresën dhe fuqinë për të rilindur.

Përshëndetje e dashur Liri. E nderuar të jem sot me ju në këtë intervistë.
Në moshën 13-vjeçare fituat çmimin tuaj të parë artistik me monologun “Tregim për katër kufitarët”. Si e kujtoni sot atë moment?

Kënaqësi edhe për mua të jem këtu Angela.
Faleminderit për këtë pyetje kaq intriguese…
Është një pyetje thelbësore, sepse më kthen te fillimi i rrugëtimit tim artistik dhe te një e vërtetë që e kam kuptuar me kalimin e viteve: identiteti ynë i ka rrënjët më të fuqishme në fëmijërinë e hershme.
Sot, si aktore dhe si pedagoge në fushën psikosociale, e kuptoj se nuk ishte rastësi që, në moshën trembëdhjetëvjeçare, zgjodha vetë poemën “Tregim për katër kufitarët”, një poemë që fliste për jetën dhe vdekjen.
Ndoshta pikërisht atëherë, ende pa e kuptuar plotësisht jetën, lindi brenda meje pyetja që do të më shoqëronte gjatë gjithë rrugëtimit tim: çfarë e bën njeriun njeri?
Që atëherë, gjithçka që kam bërë, në teatër, në film, në studimet  në zhvillimin psikosocial dhe sot në dëshirën për t’u rikthyer te Shekspiri, ka qenë në thelb i njëjti kërkim: përpjekja për të kuptuar më thellë njeriun dhe ekzistencën e tij.

Nga aktrimi tek zhvillmi psiko- social i njeriut. Cila prej tyre ju ka dhënë emocionet më të forta në karrierë?

Për mua nuk kanë qenë kurrë dy rrugë të ndara, ndaj është e vështirë të zgjedh mes tyre. Emocionet më të forta i kam përjetuar pikërisht aty ku arti dhe zhvillimi psikologjik i njeriut takohen. Në thelb, të dyja burojnë nga i njëjti vend: nga nevoja për të kërkuar të vërtetën njerëzore. Prandaj nuk i shoh si dy profesione, por si dy gjuhë të ndryshme që flasin për të njëjtin mister: njeriun, misteri më i mrekullueshëm që më ka tërhequr gjatë gjithë jetës sime.

Roli i Shote Galicës në dramën “Gërsheti i luftërave” ju bëri të njohur për publikun e gjerë shqiptar. Çfarë përfaqëson ky personazh për ju si artiste dhe si grua shqiptare?

Shote Galica ishte për mua shumë më tepër se një rol. Ajo ishte një tjetër takim me njeriun në kufijtë e ekzistencës, aty ku jeta përballet me humbjen, frikën dhe sakrificën, por zgjedh të mos dorëzohet.
Si artiste, sfida ime nuk ishte të interpretoja një heroinë, por të zbuloja gruan që fshihej pas legjendës: një grua që dashuronte, vuante, kishte frikë dhe, megjithatë, zgjidhte lirinë. Pikërisht ky dimension njerëzor më ka tërhequr gjithmonë, si në art ashtu edhe në jetën time profesionale.
E, mbi të gjitha, ky rol më mësoi se rolet nuk formohen vetëm nga artisti: edhe artisti formohet prej tyre. Besoj se pikërisht ky formim më hapi rrugën drejt personazheve të tjerë që i kam gjithmonë në zemër, si Dila në filmin “Rruga e Lirisë”, Nëna në “Këtu bën ftohtë”, apo “Valsi i ngrirë në Prishtinë”, “Këngë dashurie me korbat”. Të gjithë këta personazhe kanë një të përbashkët: janë njerëz që përballen me kufijtë e jetës dhe zgjedhin të mbijetojnë.

Cilat kanë qenë sfidat dhe kënaqësitë më të mëdhaja gjatë viteve të punës në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës?

Shpesh them me buzëqeshje një shprehje që ma ka lënë nëna ime: “Kam lindur me këmishë!”
Dhe e them sepse pata fatin e rrallë t’i hidhja hapat e parë, si një beb i skenës, pranë mjeshtrave, si: Nikolin Xhoja, Haxhi Rama, Kadri Pirro, Bashkim Hoxha, autorit Avni Mulaj dhe shumë artistëve të tjerë që i përkasin panteonit të teatrit shqiptar.
Prej tyre mësova se skena, me gjithë magjinë dhe disiplinën që mbart brenda vetes, është sfida më e bukur për një artist. Ajo nuk të përket kurrë; besimin e saj duhet ta fitosh çdo mbrëmje. Ky u bë lajtmotivi që më udhëhoqi në çdo skenë ku kam interpretuar.
Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye, sot e ndiej se jam gati për sfidën më të madhe artistike të jetës sime: një rikthim në skenë me Shekspirin. Më thërret “Mbreti Lir”, një rol i shkruar për një mbret, por që do të doja ta sillja në një lexim të ri, si mbretëreshë. Po aq fort më thërret edhe Hamleti. Nuk e shoh këtë si një provokim, por si një vazhdim të natyrshëm të kërkimit tim për njeriun. Nëse marr dhe kam guximin ta ëndërroj këtë sot, ia detyroj shkollës së madhe që mora në Teatrin “Aleksandër Moisiu”. Për këtë do t’i jem gjithë jetën mirënjohëse.

Si ka ndikuar në jetën dhe identitetin tuaj artistik emigrimi në Zvicër?

Emigrimi për mua ishte një zgjidhje e detyruar. Në fillim, sfida më e madhe ishte humbja e spontanitetit. Kur fillon të komunikosh në një gjuhë të huaj, nuk humbet vetëm gjuhën e nënës, për një kohë humbet edhe emocionin që shoqëronte çdo fjalë të saj. Të duket sikur ke humbur një pjesë të vetes. Por, ndërsa fiton një gjuhë të re, rikthehen, madje edhe më të forta, siguria, spontaniteti dhe besimi te vetja.
Besoj se emigrimi të detyron të rilindësh. Ai të jep një shikim më të thellë mbi veten dhe të mëson se identiteti nuk është vetëm vendi nga vjen, por kultura që mbart brenda vetes.
Zvicra më mësoi se rrënjët mund të jenë të forta edhe kur degët shtrihen në një qiell tjetër, madje më të forta!

Ju nuk u shkëputët asnjëherë nga arti edhe pas largimit nga Shqipëria. Çfarë ju motivoi të vazhdonit rrugëtimin artistik në një vend të huaj?

Në vitet e para të emigrimit kuptova se kisha nevojë kisha nevojë të ruaja dialogun me identitetin tim dhe  njëkohësisht të isha pranë njerëzve të komunitetit tim këtu në mërgim, me gjithçka që arti dhe formimi im mund t’u ofronin atyre. Pikërisht ky kërkim më çoi drejt disa studimeve pasuniversitare në fushën psikosociale.
Arti dhe ky profesion, në dukje i ri, u bënë dy rrugë që u bashkuan në mënyrë të pazgjidhëshme natyrshëm. Njëri më ndihmonte të kuptoja njeriun përmes krijimtarisë, tjetri përmes jetës së tij reale. Sot këto dy botë takohen çdo ditë në punën time me fëmijë dhe të rinj që kalojnë periudha të vështira ose kriza jetësore. Nuk i shoh më si dy profesione të ndara. Prandaj mund të them se që nga dita kur erdha në Zvicër nuk jam shkëputur kurrë nga arti, thjesht ai ka marrë një formë më të gjerë dhe më njerëzore.

Në vitin 2004 themeluat Studion për Teatër dhe Film “Aleksandër Moisiu”. Cili ishte vizioni juaj kur krijuat këtë studio?

Pas luftës në Kosovë, shumë të rinj që jetonin në Zvicër vinin nga familje që kishin përjetuar luftën, shpërnguljen dhe humbjet e saj. Besova se arti mund të bëhej një hapësirë ku ata t’u jepnin kuptim atyre përjetimeve dhe të ndërtonin një urë drejt një jete të re.
Kështu, në vitin 2004, lindi Studioja “Aleksandër Moisiu”. Vizioni i saj nuk ishte vetëm të formonte artistë të rinj, por të krijonte një hapësirë ku ata të rizbulonin besimin te vetvetja, te jeta dhe te forca që secili mbart brenda vetes.
Por shumë shpejt pranova para vetes një zbulim mahnitës: nuk isha vetëm unë që u jepja diçka atyre. Ata më mësuan forcën e jashtëzakonshme të njeriut për të mbijetuar.
Tek ata pashë se luftonin ende për të mos lejuar që trauma të kishte fjalën e fundit. Mbi të gjitha, zbulova atë që psikologjia e quan reziliencë: aftësinë e tyre  për të gjetur brenda vetes burimet për t’u ringritur.

Si kanë qenë eksperiencat tuaja në produksionet zvicerane, si: “Strähl”, “Dilemma” dhe “Ditë e natë”? A ka dallime mes kinemasë shqiptare dhe asaj zvicerane?

Çdo kulturë artistike ka ritmin dhe etikën e saj të punës. Në Zvicër gjeta një metodë pune shumë të strukturuar dhe një respekt të jashtëzakonshëm për procesin krijues. Në Shqipëri kam përjetuar spontanitetin, intuitën dhe një energji emocionale që shpesh lind edhe në rrethana më të vështira. Nuk besoj se njëra është më e mirë se tjetra. Përkundrazi, besoj se arti pasurohet pikërisht kur kultura të ndryshme krijuese mësojnë nga njëra-tjetra. Kam pasur privilegjin t’i përjetoj të dyja.

Çfarë roli mendoni se luan arti në ruajtjen e identitetit dhe kulturës shqiptare në diasporë?

Arti shqiptar në diasporë e shndërron origjinën nga një fakt biografik në një përvojë të gjallë. Ai nuk ruan vetëm gjuhën apo traditën,  krijon një lidhje emocionale me rrënjët. Nga këndvështrimi i zhvillimit psikosocial, identiteti nuk ndërtohet vetëm nga ajo që dimë për veten, por nga ajo që përjetojmë. Arti i jep jetë kujtesës, dhe aty ku kujtesa bëhet përjetim, lind identiteti.

Çfarë mesazhi do t’u jepnit të rinjve shqiptarë që ëndërrojnë të ndjekin rrugën e aktrimit dhe artit?

Do t’u jepja  vetëm këtë mesazh: mos e humbisni kurrë kureshtjen për njeriun. Mësoni ta dëgjoni, ta vëzhgoni, ta kuptoni dhe ta doni, edhe kur është i brishtë, i gabueshëm apo i ndryshëm nga ju. Sepse sa më thellë ta njihni njeriun, aq më njerëzorë do të bëheni edhe vetë. Dhe besoj se ky është parakushti më i rëndësishëm për çdo artist: së pari njeri, pastaj artist i mirë.

(Intervistoi: Angela Kosta)