Angela Kosta: INTERVISTË ME EDITOREN, POETEN, POLIGLOTEN DHE PROMOVUESEN RUMUNE CORINA JUNGHIATU

INTERVISTË ME EDITOREN, POETEN, POLIGLOTEN DHE PROMOVUESEN RUMUNE CORINA JUNGHIATU

A. Kosta: E nderuar Corina, mirë se vjen në Gazeta Nacional! Karriera juaj letrare ka filluar kur ishit 12 vjeçe. Çfarë ju frymëzoi të shkruani poezi në një moshë kaq të re dhe si ka evoluar dashuria juaj për letërsinë ndër vite?

Corina. J: Faleminderit për mikpritjen tuaj kaq të ngrohtë, Angela. Dashuria ime për letërsinë evoluoi nga thellësia e zemrës sime, e ushqyer nga mirëdashja e fjalëve të shkruara. Kur isha 12 vjeçe, ndjeva një nevojë të madhe për të shprehur ndjenjat që nuk mund t’i shpjegoja dot, ndaj poezia u bë streha ime. Ishte si një kopsht sekret ku mund të mbillja mendimet dhe t’i lejoja të lulëzonin në diçka të bukur, edhe nëse askush tjetër nuk mund t’i shihte. Më kujtohet gjyshja ime, mençuria dhe mirësia e së cilës më “përqafonin” gjithmonë, duke më mësuar se fjalët ishin një mënyrë për të shëruar shpirtin. Kur ajo u sëmur rëndë, shkrova poezinë time të parë për të. Gjyshja thoshte se çdo fjalë e thënë me dashuri mund të ndryshonte botën dhe me habinë time si fëmijë, unë e besoja këtë. Me kalimin e viteve, pasioni im për letërsinë u zhvillua shumë, u rrit si një mjet i thjeshtë i vetë-shprehjes në diçka më të thellë.

A. Kosta: Ju jeni akademike në Filologji dhe në Psikopedagogji. Si kanë ndikuar këto fusha në përqasjen tuaj me shkrimin dhe kritikën letrare?

Corina. J: Udhëtimi im akademik ka formësuar thellësisht qasjen time ndaj shkrimit dhe kritikës letrare, duke thurur së bashku si aspektet strukturore ashtu edhe ato emocionale të gjuhës. Filologjia, me eksplorimin e thellë të gjuhës, letërsisë dhe historisë së teksteve, më ka dhënë një respekt të thellë për nuancat e fjalëve, sintaksës dhe traditave letrare. Gjithashtu, më ka bërë shumë të vetëdijshme për fuqinë që mban gjuha në vetvete, jo thjesht si një mjet komunikimi, por si një bagazh me rëndësi kulturore dhe historike. Ky kuptim më lejon t’i afrohem shkrimit si me sy analitik, po ashtu edhe me një zemër që kërkon të zbulojë kuptime më të thella nën sipërfaqe.
Nga ana tjetër, psikopedagogjia, ka shtuar një shtresë empatie dhe mendjehollësi në dimensionet psikologjike dhe emocionale si të shkrimit e ashtu edhe të kritikës letrare. Kjo më ka mësuar ta shoh letërsinë jo vetëm si një krijim estetik, por edhe si një mjet për të mësuar, për t’u rritur dhe për t’u shëruar. Studimi i zhvillimit njerëzor dhe i psikologjisë arsimore më ka dhënë ndjeshmërinë për të kuptuar se si letërsia mund të ndikojë në mendjen e lexuesit, tek emocionet, madje edhe në udhëtimin e tyre jetësor.

A. Kosta: Duke qenë poliglote e pesë gjuhëve, mendoni se njohuritë tuaja për gjuhë dhe kultura të ndryshme ndikojnë në punën tuaj poetike dhe pikëpamjen botërore?

Corina. J: Sigurisht që po, sepse pikërisht kjo është ajo çka e ka pasuruar si veprën time poetike, po ashtu edhe pikëpamjen time botërore në mënyra që nuk mund t’i kisha imagjinuar kurrë. Çdo gjuhë që flas hap një dritare unike në kultura, filozofi dhe mënyra të ndryshme të të menduarit. Rumanishtja është gjuha ime amtare, ndërsa anglishten dhe frëngjishten e kam studiuar në shkollë. Italishten e kam mësuar gjatë viteve që kam jetuar atje, ndërsa arabishtja ishte gjuha që fillova ta mësoja në një shkollë siriane në Bukuresht. Shpejt, ky u bë një pasion i imi dhe udhëtimet e mia në vendet arabe, e thelluan edhe më shumë kuptueshmërinë. Pra, kjo është njësoj sikur të mbaj çelësa të shumtë të botëve të ndryshme, secili duke ofruar një perspektivë të veçantë mbi jetën, artin dhe përvojën njerëzore. Me pak fjalë, shumëghuhësia im ka zgjeruar kufijtë e shprehjes sime krijuese dhe ka thelluar aftësinë time për t’u lidhur me të tjerët në mënyra që kapërcejnë komunikimin e thjeshtë. Kjo është një dhuratë që vazhdon të formësojë poezinë time dhe pikëpamjen time për botën në mënyrat më të zgjeruara.

A. Kosta: Përmbledhjet tuaja poetike “Mërgimi në dritë” dhe “Rituali i një agimi” janë vlerësuar shumë. Cili është mesazhi kryesor që shpresoni t’u përcillni lexuesve nëpërmjet këtyre veprave?

Corina. J: “Mërgimi në dritë” është libri im i parë, që përmban poezi të shkruara që nga mosha 12 deri në 25 vjeçe. Edhe pse që atëherë kam evoluar shumë, megjithatë ai vazhdon të mbetet libri i shpirtit tim. Në veprën time të dytë dhe në atë të ardhshme, shpresoj që mesazhi që dëshiroj të përcjell tek lexuesit, do të jetë ai i rritjes, transformimit dhe fuqisë së elasticitetit. Dua të përcjell udhëtimin e vetë-zbulimit dhe forcën që gjendet në përqafimin e ndryshimit. Tashmë kam materiale për tre libra të tjerë, por vitet e fundit, kam “luftuar” me kancerin, ndaj, shkruaj përditë si një formë terapie për shpirtin, por ende nuk e kam gjetur forcën për t’i botuar këto libra.

A. Kosta: Ju uroj shërim sa më të shpejtë e dashur Corina! Si themeluese dhe Drejtore e Revistës Letrare “Verseum” dhe “Forumit Letrar Verseum” çfarë qëllimesh keni arritur dhe çfarë do të donit të arrinit në të ardhmen? Mendoni se këto hapësira kanë kontribuar në promovimin e poezisë në shkallë globale?

Corina. J: Si Themeluese dhe Kryeredaktore e “Verseum Literary Journal” dhe “Verseum Literary Forum”, jam krenare që kam ndërtuar këto platforma dhe media të cilat nxisin dialogun letrar global, duke nxjerrë në pah “zëra” të ndryshëm që nxisin poezinë në format e saj të shumta. Ne kemi arritur objektivat e rëndësishme, duke përfshirë botimin e poetëve nga kultura të ndryshme dhe ofrimin e një rruge për vepra të freskëta dhe me ndikim. Duke shpresuar të eci përpara, kam për qëllim të zgjeroj shtrirjen tonë dhe të bashkëpunoj me komunitetet letrare ndërkombëtare. Këto hapësira kanë kontribuar në promovimin global të poezisë duke krijuar lidhje gjithëpërfshirëse, ndërkulturore që kapërcejnë kufijtë gjeografikë.

A. Kosta: Ju jeni vlerësuar me disa çmime prestigjioze, si “Çmimi Gujarat Sahitya Akademi” dhe “Medalja e Urdhrit të Shekspirit”. Si ndiheni për këto merita dhe si ndikojnë ato në rrugëtimin tuaj si autore?

Corina. J: Sigurisht, këto më mbushin zemrën me mirënjohje të thellë dhe më lumturojnë shumë, por megjithatë vlerësimi më i çmuar që mbaj pranë, është gëzimi që ndiej kur dikush ndan se fjalët e mia i kanë mësuar diçka ose kanë evokuar emocione pozitive brenda tyre. Nderi i vërtetë qëndron në dijeninë se poezitë e mia kanë prekur zemrat, kanë ngjallur mendime dhe kanë sjellë mbështetje ose frymëzim. Për mua, kjo lidhje me lexuesit, ndikimi im i ëmbël në shpirtin e tyre, është merita dhe vlerësimi më i bukur nga të gjithë.

A. Kosta: Ju jeni gjithashtu një figurë kyçe në “Shiritat motivues”, forumi më aktiv i shkrimtarëve në botë. Si e shihni rëndësinë e komuniteteve online për shkrimtarët dhe si kontribuojnë ato në zhvillimin e letërsisë bashkëkohore?

Corina. J: Në këtë epokë dixhitale, komunitetet online si “Shiritat Motivues” janë jetësore në bashkimin e shkrimtarëve anembanë globit. Ato ushqejnë bashkëpunimin, amplifikojnë zëra të ndryshëm dhe ofrojnë një hapësirë për dialog kuptimplotë. Këto platforma nxisin rritjen, duke e bërë letërsinë bashkëkohore më përfshirëse, më të arritshme dhe më të harmonizuar me rrymat gjithnjë në zhvillim të botës sonë.

A. Kosta: Si editore dhe promovuese, mendoni se poezia mund të kontribuojë në nxitjen e mirëkuptimit ndërkulturor dhe dialogut midis feve dhe kulturave të ndryshme?

Corina. J: Poezia, në formën e saj më të pastër, kapërcen gjuhën dhe kufijtë, duke na lejuar të shijojmë dhe të analizojmë bukurinë e kulturave dhe besimeve të ndryshme. Ajo hap zemrat dhe mendjet, duke nxitur empatinë dhe kuptueshmërinë. Nëpërmjet shprehjes poetike, ne mund të ndërtojmë ura, të nxisim biseda dhe të respektojmë njerëzimin e përbashkët që lidh të gjitha fetë dhe kulturat.

A. Kosta: Ju keni qenë pjesëmarrëse aktive në festivalet botërore të poezisë dhe veprimtaritë kulturore. Cilat nga këto përvoja kanë ndikuar apo ju kanë frymëzuar më shumë si poete dhe si njeri?

Corina. J: Çdo festival global poezie apo event kulturor ku kam marrë pjesë, ka qenë një përvojë pasuruese në të cilën kam pasur privilegjin t’i organizoj disa, përkrah poetit dhe editorit Trandafir Simpetru. Këto përpjekje bashkëpunuese jo vetëm që më kanë zgjeruar horizontet, por më kanë forcuar edhe besimin në fuqinë e poezisë për t’u lidhur dhe frymëzuar nëpër kultura.

A. Kosta: Përsa i përket të ardhmes, cilat janë projektet tuaja letrare dhe profesionale? Çfarë shpresoni të arrini në vitet e ardhshme dhe si e parashikoni evolucionin e shkrimit tuaj?

Corina. J: Duke parë vetëm përpara, aspiroj ta zgjeroj udhëtimin tim letrar duke eksploruar shtigje të reja krijuese. Po mendoj të krijoj një radiostacion, kanal televiziv dhe shtëpi botuese për të krijuar një platformë më të gjerë për promovimin e letërsisë dhe artit. Dëshiroj ta bëj çdo hap me kujdes dhe angazhim, duke ushqyer rritjen time si shkrimtare dhe duke përqafuar sfida dhe mundësi të reja.

A. Kosta: Faleminderit shumë për intervistën Corina. Ju uroj çdo arritje dhe sukses në jetë!

Corina J: E vlerësoj shumë mundësinë për të ndarë mendimet dhe përvojat e mia në këtë intervistë. Faleminderit shumë Angela. Gjithashtu dëshiroj të falenderoj Drejtorin e kësaj gazete prestigjioze, media e njohur gjithandej në botë, e cila po më jep mundësinë të kem hapësirë në të, Dr Mujo Buçpapaj. Falenderoj edhe të gjithë lexuesit shqiptar!!!

BIOGRAFIA

Corina Junghiatu, ka lindur në Bukuresht, Rumani. Është poete, shkrimtare dhe kritike letrare e njohur dygjuhëshe. Me master në Filologji dhe Psikopedagogji, si dhe diplomë Bachelor në Letërsi dhe Filozofi, Corina ka kultivuar një pasion të thellë për letërsinë që në moshë të re, duke filluar udhëtimin e saj poetik në moshën 12 vjeçare. Zotëruese e pesë gjuhëve të husja, Corina ka dhënë kontribut të rëndësishëm në botën letrare.
Ajo është autore e dy përmbledhjeve të vlerësuara poetike: “Mërgimi në dritë” dhe “Rituali i Lindjes së Diellit”, me një përmbledhje të tretë aktualisht në vazhdim. Përtej shkrimit të saj, Corina është një forcë shtytëse në komunitetin letrar global. Ajo është Themeluese dhe Kryeredaktore e Revistës Letrare Verseum dhe e Forumit Letrar Verseum. Përveç kësaj, ajo mban rolin e Kryeadministratores dhe Koordinatores Globale të Botimeve për Shiritat Motivues, forumi më aktiv i shkrimtarëve në botë. Gjithashtu vepron si Kryekëshilltare për Bashkimin e Shkrimtarëve të Kombeve Botërorë në Kazakistan.
Arritjet e saj letrare kanë fituar njohjen e saj të gjerë, duke përfshirë çmime prestigjioze si çmimi “Gujarat Sahitya Akademi” në vitin 2020 dhe Medalja e Urdhrit të Shekspirit në vitin 2021. Ajo u nderua gjithashtu me çmimin PREMIO MUNDIAL 2020 “CESAR VALLEJO” (Excellence in Literature), duke u vlerësuar për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në këtë fushë.
Poezitë e Corinës janë paraqitur në shumë revista dhe antologji kombëtare dhe ndërkombëtare. Ajo është pjesëmarrëse aktive në festivalet botërore të poezisë dhe ngjarjet kulturore, shpesh duke mbajtur rolet e bashkëorganizatores dhe moderatores. Nëpërmjet përkushtimit të saj të palëkundur ndaj letërsisë dhe kulturës, Corina vazhdon të frymëzojë dhe lidhë shkrimtarët dhe lexuesit në mbarë botën.

LUMTURIA

Lumturia nuk është një vend në hartë,
as gjeografi me bollëk,
por një hologram i tejdukshëm në palcën e qenies i projektuar,
përvlim i brendshëm që ndizet nga një ëndërr elektrike,
pulsim përmes rrjetit të padukshëm të shpirtit,
ku çdo atom një llambë udhëzuese bëhet,
dhe heshtja tekstin e një tingulli të pashkruar merr.
Lumturia është dridhja memece e maleve,
ku retë nuk zvarriten, por përmes gurit kalojnë,
ku era nuk fishkëllen por kodet gdhend
në rremat e gjetheve,
ku rrënjët e pemëve veten rrënjosin
në bërthamën e tokës
si tela që mbajnë kujtimin e botës.
Lumturia është një plagë vezulluese
që nuk dhemb, por zgjerohet në rrethe,
një kokrrizë rrezeje që mbi lëkurën e mëngjesit rrotullohet,
është një krah që trupin e tij ka harruar
e megjithatë vazhdon të fluturojë.
Lumturia është një dorë që ajrin pikturon,
pa e ditur se…
sapo ka shpikur pafundësinë.

SHPRESA

Shpresa nuk ka trup,
është vetëm jehonë dhe mungesë, një hije ari, një shteg i tymosur që në zbrazëti tretet,
një gjurmë në vijën e horizontit,
sepse kurrë nuk e di
nëse po ecën apo po ëndërron?

Shpresa është dritë,
një rreth pa bërthamë, një lumë
që malet e përbaltura të ëndrrave përshkon.

Shpresa është zgjedhja jonë për të besuar
se ajo që nuk ekziston mund
në një farë mënyre të bëhet e vërtetë,
në një lojë iluzionesh, një lojë
në të cilën edhe kutia e Pandorës
me çdo dëshirë hapet
ku dhe demonët nën petkun e premtimit fshihen.

Nga ajo kuti e lashtë,
asgjë nuk mbetet… veçse shpresa, si një mirazh që në humnerën e çmendurisë sonë na josh,
një ëndërr, për një të ardhme
që ndoshta nuk do të vijë kurrë,
por në çdo moment, më reale se ne bëhet.

UDHËTIM DREJT TEJE

Do të të kërkoj përtej kohës,
ku orët zbërthehen
në fije të holla drite,
ku sekondat trupat e tyre derdhin
duke lënë pas vetëm jehonë.
Ndoshta, do të devijoj,
midis kolonive të argjendta
nga gjiri i Venusit
në një simfoni galaktike duke u ngritur,
dhe atje… përsëri do të të gjej,
duke vallëzuar me zjarrin e kometave,
në një cep të pafundësisë
ku vetëm ne
do e dimë që kemi qenë.
Do të jenë vetëm një miliard vitesh mes nesh,
ose ndoshta vetëm një moment,
kur atomet kërkimin e tyre do të përfundojnë,
do të prekim,
dy fragmente të qiellit,
rikthimin e një drite
Universin e krijuar
në agimin e kohës.

Intervistoi dhe përktheu: Angela Kosta Drejtore Ekzekutive e revistave fizike: MIRIADE, NUANCES ON THE PANORAMIC CANVAS, BRIDGES OF LITERATURE, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese