Një zë nga telefoni më thirri: Znj. Tafa, gjetëm një varr të përbashkët. Duhet të paraqiten pjesëtarët për analizë AND-je. Duhet të përcaktohen kujt i përkasin eshtrat e gjetura.
Për një moment, ngela si e ngrirë.
Kishte kaluar kohë kur kërkuam të hapeshin dosjet e të persekutuarve politikë. Si familje kërkonim një “dëmshpërblim shpirtëror”, kërkonim eshtrat e gjyshit tonë të ekzekutuar nga regjimi komunist, të varroseshin pranë familjes, gruas, fëmijëve të tij. Një e drejtë që na takon dhe shpirti i tij të prehet në paqe.
Nuk ishte as ballist, as komunist, as gjerman.
Thjesht nuk ishte dakord me idetë politike të diktaturës, ishte kundër luftës së klasave.
-Zonjë, më dëgjoni, – pyeti zëri prapë.
-Po, po,- u përgjigja.
Mora të dhënat dhe shkova të takoja vëllanë tim. Duhet të iknim bashkë. Kisha një shpresë që më së fundi do të gjenim gjyshin tonë, do të njihnim eshtrat e tij, sepse atë vetë s’e njohëm.
Gjithë jetën prindërit e mi e kërkonin. Babai im vdiq me këtë brengë, sikur dhe gjithë familja e tij.
Jetonim nipërit, mbesat.
U takova me vëllanë dhe isha gjithë entuziazëm. Më së fundi po shihnim një dritëz jeshile.
Vëllai im nuk u tregua dhe shumë entuziazt, mbante një reserve. Ishim katandisur të “ndiqnim” çdo varr që hapej, çdo informacion të vërtetë apo të rremë.
Ishim të zhgënjyer, por donim amanetin e babait ta dërgonim në vend dhe eshtrat e gjyshit të prehej pranë tyre.
Ishte shpresa e fundit.
Kush e ka jetuar diktaturën, politikën e saj besoj na kupton se çfarë kemi kaluar në atë kohë. Mund të imagjinoni kampet e Hitlerit, por në sistemin komunist kur propaganda ishte shumë e madhe, kur dhe familjarët ndaheshin nga njëri-tjetri, kur spiunonin njëri-tjetrin, kur motra ndahej nga vëllai për hir të propagandas, etj, etj. Të gjithë flasin për të drejtat e minoriteteve, por dua t’ju them që “minoriteti” më i persekutuar ishim ne.
Të persekutuarit politikë.
Nuk kishim asnjë lloj të drejte në shoqëri dhe arsim. Dhe vota jonë quhej “non gratas” e padëshirueshme. Rezultatet dilnin 99.99% pro dhe 01% kundër. Ne ishim 0,1 % i atij regjimi.
II
Nuk ishte e lehtë të jetoje në një regjim ku të tregonin me “gisht” si një kalë i “damkosur në ballë”. Nuk kishe të drejtë atë që quhej “liri demokratike e fjalës”. Por mos mendoni që e kishin dhe të tjerët që nuk ishin të persekutuar.
Babai im ishte vetëm 16 -17 vjeç, kur e dënuan me 5 vjet burg. Për ato vite nuk fliste kurrë, nuk donte t’i kujtonte. I shmangej pyetjeve tona, kur e pyesnim.
-O ba, ku e kemi gjyshin ne??
Nuk fliste. Nuk tregonte. Vetëm shumë vonë para se të vdiste na kishte treguar historinë e tij. Kërkoi mbas demokracisë, por gjeti një “mur”, përballë tij. Për fat të keq, në krye të pushtetit erdhën pasardhësit e komunizmit. Të njëjtët, por ndërruan testën e partisë. Hapja e dosjeve të komunizmit disave nuk u interesonte. Kurrë nuk i urreva njerëzit e atij sistemi, kurrë nuk ndjej urrejtje. Mbase keqardhje. Të gjithë ishin viktima të sistemit dhe lufta për të jetuar ishte më e madhe se humanizmi. Të gjithë jetonin me frikë. Frika i bënte të spiunonin apo shtrembëronin faktet. Ata ishin viktimat e vetvetes, njerëz të urryer nga të gjithë dhe nga vetë sistemi që i përdorte. Kur nuk u hynin në punë … dhe ata kishin një vend në qeli të burgut. Atje ishin vetëm të përçmuar nga të gjithë.
Vitet kalonin dhe ne kërkonim varrin ku ishte varrosur gjyshi. E pamundur ta gjenim mes atij konfuzioni të madh të krijuar nga sistemi i “demokracisë” së shumëpritur. Kishim humbur çdo shpresë …kur rrezja e diellit ndriçoi pak dimrin në shpirtin tonë. Dita e shumëpritur erdhi.
Kishin kaluar javë dhe më së fundi kishte ardhur për ne përgjigja. Mbas shumë kërkimesh, vitesh amanetin e babait tonë do ta çonim në vend.
Gjetëm eshtrat, gjyshin, historinë, familjen tonë.
Pa të kishim ngelur të gjymtuar. Pema e deontologjisë familjare kishte mbetur pa rrënjë.
Tani i gjetëm, tani ishim komplet.
Varrimi u bë në rrethin e ngushtë familjar mes nipërve, mbesave që mbajnë emrin dhe mbiemrin e tij.
Tani janë të gjithë bashkë. Gjyshi më së fundi u bashkua me familjen e tij në “shtëpinë” që Zoti u krijoi, të jetojnë në paqe të plotë dhe shpirti i tyre të gjej qetësinë që u takon.
Tani, unë duhet t’i lë të qetë. Kanë nevojë të çmallen me njëri- tjetrin, babai me fëmijët dhe burri me gruan që u ndanë për së gjalli . Qetësi !!