ANTOINE SIMON, Francë: Qielli që ti ke brenda vetes. Përktheu : Anton PAPLEKA

Nga ANTOINE SIMON, lindur më 1943, Francë

DUKE ECUR TI SHKEL…

Duke ecur ti shkel me këmbë
Idetë e vjetra
Të imponuara
Të stërmësuara
Të stërpërsëritura
Ligjin e Hermesit
Trismezhist
Tri herë mjeshtër
Ca çanta që i mbajnë
Me një rrip të hedhur kraheqafë
Zemrat
Dhe me gjilpërën ngujore
Të kthyer nga poshtë
Por nuk ka as lart as poshtë
Ekziston vetëm qendra
Ti ecën në qendër

Brendësia
Jashtësia
Janë e njëjta gjë
Ato vizatojnë kryqin tënd

Ato janë veç një pikë
Dhe ti vallëzon mbi të

QIELLI KTHJELLOHET…

Qielli kthjellohet
Tërë qielli që ti ke brenda vetes

Ti ecën
Ata që i takon
Të quajnë shteg kodër
Lumë pyll heshtje
Dhe në këtë heshtje të thellë
Ata kanë po atë emër që ke ti

Ndoshta do të vijë një ditë
Kur fjalët do të të braktisin
Si një fantazmë të harruar
Ndoshta edhe trupi yt
Nuk do të ketë nevojë të të ndjekë pas

Nga lartësia e gjithë asaj që formon
Ti sodit një jetë të moçme
Ku ca shpresa vocërrake
I japin vlerë botës mendore

Gjithçka varej nga aq e aq gjëra
Nga aq e aq kulla të pasigurta
Saqë ajo nuk qe jetë

Megjithatë ajo qe jeta jote
Me të gjitha andrrallat e saj
Që t’i errësonin pasqyrat

Tashti që gjithçka është në rregull
Ti mund të çlodhesh ditën
Kalo ashtu siç kalon dita
Dhe mbetet ditë ashtu si ti

VETËM

Të ecësh në maje të gishtave
Për të mos prishur
Rendin e gjithësisë

Të flasësh së më pak që të jetë e mundur
Për të mos i shtuar
Lëndimet që shkakton gjuha

Të ushqehesh me hapësirë
Me mushkëritë e mëdha
Të gjithçkaje që të rrethon

Të jesh vetëm kjo gjë

TË ECËSH PA NXJERRË GJË NË KRYE

Të ecësh pa nxjerrë gjë në krye
Kjo ndodh kur poema ikën nga ti
Kur nuk ka prani
Kur peizazhi është përballë
Kur këmbët shkelin veç një truall

Kjo ndodh kur vështrimi indinjohet
Nga që sheh aq shumë jashtësi
Ku nuk mund të mbërrijë

Kjo ndodh kur ti je veç vetja jote
I mbyllur me lloz në këtë vetvete
Që ti pandeh se vërtet je ti.

KUR UNË VËSHTROJ TJETRIN

Kur unë vështroj tjetrin
Dhe kur shoh se ai është ndryshe nga unë
Kjo do të thotë se vështrimi im nuk ka mundur
ta pikasë apo nuk ka ditur ta pikasë
Të vërtetën e gjërave

Ka çaste kur gjërat bëhen të errëta
Ose të duket sikur përzgjedhjet shtohen
Kur në realitetin e parë nuk ka kurrfarë përzgjedhjeje

Relative? Absolute? Nuk ka një të vërtetë
Ka veç një shumësi vështrimesh.
Ekziston rruga në të cilën perëndon dielli
Dielli e humb identitetin e tij.
Nuk kam për të thënë ndonjë gjë për diellin
në mos qofsha unë dielli

Të jesh dielli nuk është privilegj
Të jesh gjithmonë aty pavarësisht nga shtrëngatat
Retë dhe shiu që të mohojnë.

ERA FRYN BASHKË ME TY

Era fryn bashkë me ty
Era fryn dhe ti fryn
Ju shkoni në të njëjtin drejtim

Ti ecën mbi gjethe
Krismat e tyre nën hapat e tu
Janë britma janë thirrje
Në drejtim të degëve të zhveshura

Ty të ngjasin drurët
Të mbetur vejushë nga çdo mendim
Por plot me një energji të fshehtë
Që do të shpërthejë në çastin e volitshëm

Ti ecën mbi një të kaluar gjethesh
Në të tashmen e erës
Në një diell të zbehtë që të shkel syrin
herë pas here

Të ftohtit të bën ta ndiesh prapë trupin tënd
Të ka detyruar t’i vësh duart në xhepa
Dhe tërë jashtësia të shtrëngon
Si një aktor cirku që këput zinxhirët
Në mes të shfaqjes së panairit

E sotmja është pa osmozë
Kozmosi rri në vend
Çdo jetë e mrekullueshme nuk ka nevojë
Për koment
Një konstatim i thjeshtë i vështrimit tënd

Shumë shpejt era fryn si shakullinë
Vezullon te shtegu
Midis kokës sate dhe këmbëve të tua

Tërë trupi yt përdridhet
Për të shoqëruar më mirë deri tek ti
Verën e re të saponxjerrë nga fuqia

Për të shoqëruar deri tek ti urdhrin e së tashmes
Dhe ndarja e botës do të mbetet sekrete
Mjafton të shkosh bashkë me të

DASHURIA…

Fjala dashuri
Meriton shumë më tepër sesa një shkronjë të madhe
Më shumë sesa një rimë të rëndomtë
Me rimën budallaqe „gjithnji“
Që është veç një pjesë e vockël e përjetësisë

Dashuria
Meriton shumë më tepër sesa takimet e rastit midis asaj dhe teje
Si të ishit fillikatë në botë
Duke e sfilitur butësisht njëri-tjetrin

Dashuria është shumë më e gjerë
Ajo meriton më shumë sesa ajo që ka ndodhur me të
Ajo mori shkëmbimesh të vogla
Midis njerëzish ku ti ndihesh në shoqëri të mirë
Ai derivat i mynxyrshëm
Kur e ashtuquajtura dashuri për të afërmin
Shndërrohet në përdëllim të rremë
Që shton pritjet për t’u kthyer prapë

Dashuria
Meriton më shumë sesa ata mëshirë
Që ngjall çdo dhimbje
Para se ta mbyllë derën sërish

Dashuria
Si një kalim midis dy brigjeve
Ulja e saj e detyruar në tokë
Kur gjithçka lahet mirë e mirë në ujë
Ku gjithçka çlodhet.

NGA NJË ÇAST NË TJETRIN…

Nga një çast në tjetrin na vijnë ndër mend ca fjalë
Na kujtohen ca ide
Ca kujtime u ngjajnë gjetheve të rëna
Të mbledhura tog për të ndezur një zjarr feste

Ca fjalë ca ide të ngujuara në plasat e vetes sate
Ti nuk e di a hyjnë apo dalin
Por shpeshherë kjo është e njëjta gjë
E njëjta histori qesharake
E denjë për një tragjedi greke
Me heronj e me zota
Të gjithë pak a shumë të ndërkëmbyeshëm
Dhe ca njerëz të thjeshtë që janë
Kuintesenca e gjithçkaje

Këmbët e tua mendimet e tua fluturojnë
Si shalli që ti mban në qafë
Nganjëherë të furin si shalli i Isidora-s
Ti i lë fjalët të fluturojnë si shigjetë nga ti që flet
T’i thonë mirëdita çdo kalimtari që kalon
Çdo gjetheje që bie
Sepse çdo ditë është dita e një hiri të madh
Zhurma e së cilës vdes në baltë

Këtë gjë e dija pa e mësuar
Guillaume-i i shoqëron hapat e mi

SIDOQOFTË TI ECËN

Sidoqoftë ti ecën
Me një këmbë tek oksimori
Me një tjetër te metafora
Dhe të gjitha këmbët e tjera
E plotësojnë poemën
Tërë qenien tënde të dhënë pas vargjeve
Si një vizatim i shën Patrick-ut
Që do të gjerbte gotën me absent*
Në shoqëri me Artaud-në
Që e ka rigjetur bastunin

Realiteti yt bëhet syrealist
Ti do të doje të flisje prapë për të
Por kjo gjë nuk është e mundur
Gjithmonë poema ngadhënjen mbi ty
Sado e rëndomtë që të jetë
Edhe kur është qiellore
Edhe kur del nga zemra
Edhe kur del nga zemra e nga trupi me poterë
Sepse ka një përputhje të plotë
Midis botës dhe poemës

NË ÇDO HAP TË RI

Në çdo hap të ri që hedh
Një mishërim i ri
I këmbës së majtë të Rimbaud-së
Dhe shën Pali me këmbën e djathtë
Letra e profetit
Dhe letra drejtuar galatasve
Një hap shprehja uni është një tjetër
Një tjetër hap
Shprehja ai nuk është më uni
Është një tjetër në vendin tim
Është një tjetër përveç meje

Në çdo hap ti e hap veten tënde
Një këmbë është Rilke-ja
Një tjetër Hölderlin-i
Një hap është Duino-ja
Tjetri është dubli i saj
Kështjella e të kaluarës
Kështjella e të tashmes
Që i hap poezia
Ajo është habitati i njeriut
Një hap është poezia
Ajo është tërë trupi yt
Tërë trupi yt i errët
Më i shumtë sesa një mijë vjet
Ti ecën larg nga bregu i Senës
Por fare pranë lumit
Libri yt është shndërruar në një shportë qëndistareje
Ti ecën mbi një çati i qetë
Në parkun vetmitar
Në hijen e lisit të madh
Dhe të lesës sime besnike
Nuk jam më unë ai që ecën
Është një tjetër përveç meje
Një poet në vendin tim
Një profet në vendin tim
Uni nuk ekziston
Është veç ky trup
Janë këto mendime kjo përzierje
Kjo lëndë që quhet unë
Që ecën.

Përktheu : Anton PAPLEKA