Ardian Ndreca është emëruar Rektori i Universitetit “Zoja e Këshillit të Mirë”, Tiranë

Studiuesi i njohur Ardian Ndreca është emëruar Rektor i Universitetit “Zoja e Këshillit të Mirë”.Ai është studjues, publicist dhe përkthyes shqiptar, profesor i filozofisë moderne në Universitetin Urbaniana në Romë
Ndreca ka lindur në Shkodër në vitin 1969. Ai kreu studimet për filozofi në Romë ku edhe jeton që nga viti 1990. Nga viti 2006 deri në vitin 2015 ka drejtuar revistën “Hylli i Dritës” dhe nga viti 2016 drejton të përkohshmen “Shêjzat”.
Ndreca ka qenë i pranishëm në shtypin shqiptar me artikuj kritikë, polemika dhe shkrime të natyrës historike. Fushat e tij të studimit në lëmin e filozofisë janë kryesisht idealizmi gjerman, ekzistencializmi si edhe filozofë të ndryshëm bashkëkohorë. Ka botuar një seri artikujsh filozofikë në revista të specializuara.
Po ashtu, studiuesi ka mbajtur për një periudhë të caktuar katedrën e Historisë së Filozofisë moderne pranë Universitetit Urbanian dhe është profesor i ftuar pranë John Carroll University (Cleveland). Ndreca ka organizuar konferenca shkencore si edhe disa kuvende ndërkombëtare, ndër të cilat përmendim: “L’Albania nell’Archivio di Propaganda Fide” (Romë, tetor 2015), “Drita e Arkivave, dritë mbi arkivat” (Tiranë, dhjetor 2017).
Ai është autor i librit “Filozofia e hapësirës urbane” (Filosofia dello spazio urbano), përmes të cilit arrin në konkluzionin se hapësira urbane prodhon qytetarë, qytetarët krijojnë qytetërim. “Ne jemi një vend ku hapësirat tona urbane nuk prodhojnë qytetërim, prodhojnë vetëm mbivendosje njerëzish, zhvendosje njerëzish, keq zhvendosje njerëzish. Fjala qytetar është shumë komplekse, shumëdimensionale, shumëplanëshe. Kjo është edhe sfida e sotme, prandaj qytetet krijohen me ide dhe me njerëz”, shprehet Ndreca në libër. Studimi i tij, gjurmon disa trajektore urbane, në dialog të hapur me disiplina të tjera themelore, duke reflektuar në tensionet e përjetuara që zhvillohen në çështje që lidhen me lëvizshmërinë, shpërndarjen urbane, konsumin e hapësirës, teknologjitë më të larta.
Sidoqoftë, i ndalur tek kryeqendra jonë, Ardian Ndreca shprehet se Tirana si qytet, nuk prodhon qytetërim.
Ndreca, gjithashtu është autor i librit “Pa Pikë, Pa Presje”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here