1.MUA TË NGRATIN, QË TË DUA KAQ SHUMË
U venit dhe kjo natë e portën mbylli,
E ditën e gdhiva në këmbë e pa gjumë,
Sa herë malli yt më ka zënë veç prtita,
Mua të ngratin që të dua kaq shumë.
Mua të ngratin që të dua kaq shumë,
Të përgjërohem më bën, nuk e fsheh,
Në rrjetat e tua, këmbët mu zunë,
Ndaj në zemrën tënde, më ngri një fole.
Ndaj në zemrën tënde më ngri një fole,
Ku shpirtin të çlodh e pastaj të dalldis,
Mos më zgjo të lutem, lërmë ca të fle,
Në gushën e bardhë aromë qipariz.
Në gushën tënde aromë qipariz,
Ndiej ujvarat sikur trupit m’lëshohen,
Aty kam gjithë pranverat, e s’mund të lëviz,
Ndaj dimrat kanë frikë t’më afrohen.
Ndaj dimrat kanë frikë t’më afrohen,
(E dinë merakun që kam unë për ty)
Nuk kam dert nëse shirat tërbohen,
Mjafton mos të bien mbi sy.
___________________
2.MERR PAK PRANVERË NGA UNË
Merr pak pranverë nga unë,
Lëndinë e kam shpirtin bleruar,
Rrezet janë shtrirë përtej malit thepisur,
E bora ka shkrirë përvëluar.
Merr pak pranverë nga unë,
Pak energji nga buzët e kuqe,
Të ëmbla I kanë petalet,
Derdhur në fushë lulëkuqet.
Merr pak pranverë nga unë,
Syve të të ndrij ky agim,
Eh ç’rrahje do t’më kish zemra ime,
Kur në jetë s’do të kisha qëllim.
Merr pak pranverë nga unë,
Se dua në krahë të të kem,
Ti ke fuqi që të ngrihesh,
Me këngë bilbilash ta them.
_______________________
3.NË QIELL PRES TË SHOH TRËNDAFILA!
Një klithmë fëmije,
çau qiellin e botën zgjoi,
mëngjesin kur bombat shpërthenin për inat,
luftrat janë ambicja e njeriut të lig,
a thua bota të jetë,
kaq pa fat?
A thua bota,
është kaq pa fat,
që çmëndet njeriu në absurditet?
Në qiell pres të shoh trëndafila,
e jo “kuçedër”që vret.
Them se u drodh ,
dhe bota nën dhe,
“Akoma atje lart paska të marrë”
Këto me siguri janë fjalët që i thotë,
Pushkini zemëruar,
Gëtes në varr.
Qelizës së botës në gjendet pak shpirt,
nga ai që do të doja unë e ti,
çohu do ti thosha,
se në këtë shekull është turp,
të luftohet akoma,
për liri.
Një klithmë fëmije zgjoi botën,
më thuaj dhe ti e dëgjon,
në qiell pres të shoh trëndafila,
dhe jo të nënës, zë që rënkon.
____________________________
4.EJA VËLLA
Eja vëlla, një raki e cigare ta ndezim të dy,
Dhe fort tavolinës, i rashë me pëllëmbë,
Kjo s’është tavolinë avokati apo ministri,
Eshtë vëndi, ku hamë veten me dhëmbë.
Tek kjo tavolinë, kemi thënë gjithçka,
E vetmja faltore, ku hallet i qajmë,
Eja ta djegim pak hidhërim,
Se unë e ti, njëri tjetrit i ngjajmë.
Eja, pije dhe ta bëjmë gëzuar,
Të kam si vëlla, ndaj dhe të ftoj,
E di që dhe ti, je si unë buzëvarur,
E di që hallet i kemi njësoj.
Marrim dhe një kafe, ta bëjmë tamam,
E di që s’te pihet, menjëherë do thuash,
Mos rrëmo në kuletën bosh vëlla,
Se kurrë s’të lë ta paguash.
Unë të ftova, mos u zë ngushtë,
Ti e di, s’jam më i pasur se ti,
Po sot këto lekët e fundit,
Si mbajnë dot xhepat e mi.
Gëzuar për ty dhe për mua
Se bota është, llum kafeje që nxin,
Kur s’plasëm që na iku rinia mjeruar,
Tani të djallosça pleqërinë.
_______________________
5.E DUA FATIN TIM
E dua fatin tim,
për vitet,
për gjithë jetën e gjatë që kaluam
dhe më zhgenjeu pa u ndier ,
nga pak çdo ditë ,
sikur një çesmë e prishur, që pikon pik – pik mbi lavaman,
e ti mësohesh me të.
Harron se ke një forcë,
harron të guxosh.
Që në atë moment, ke pranuar humbjen.
E dua fatin tim,
për vitet,
kur stuhive,
nuk ja zura dot grykën,
e pastaj ,
filluan dhe shirat më të imet, të më trembnin, ( më ka mbetur që herët)
e mos të besoja më në diell e në ylber.
E dua fatin tim ,
për vitet,
dhe ndjej keqardhje për të,
se thinjave të tij që I dashurova që kur ishin në kohën më të bukur të tyre,
seç u ka rënë një e zbehtë.
Syve të tij,
s’është më, ajo egërsuara ngjyrë si pas një dehje,
sepse i kam zburur me lotët e mi.
Tani ndiej keqardhje,
sepse s’mund ta lëshoj fatit….
Do të më duket sikur kam braktisur një fëmijë, e më dhimbset të qajë.
Kështu tha gruaja tek të shtatëdhjetave,
me sytë si qelq të shuar,
e me rrathë përqark,
tek I fshinte me duart plot pika ngjyrë kafe,
sikur dhe ato të përfaqësonin dhimbjen në fjalët e saj .
E kam dashur me çdo gjelizë që ringjallej rinisë time të harruar ,
e deri në plogështinë e tyre të argjënd.
___________________________
6.NGRIHU E DASHUR
Ngrihu e dashur, gjysma e shpirtit tim, jeta ime,
Ngrihu të kërcejmë në këtë natë, tangon tonë të dashurisë,
Ngrihu ashtu lehtë lehtë, siç di të më prekësh vetëm ti,
Dorën ta vëmë mbi zemrat tona, dhe puthjen në sytë e perëndisë.
Ngrihu t’i këcejmë ditëve tona plot shtrëngata që kaluam,
T’i kërcejmë ditëve kur ëngjëjt lart në hapsirë na ngritën,
Të kërcejmë të perqafuar në altarin e dashurisë,
T’i kërcejmë puthjeve tona, që si mjaltë blete na rritën.
Eja zonja ime, të mbështem mbi shpatullat e tua të brishta,
Moj e mira ime, që s’më le kurrë mua, tashmë rrudhur e zbardhur,
Dhe pse ndonjeherë ta prisha gjakun, ndoshta dhe të kam lënduar,
Ti me shpirt si ëngjëll, gjithmonë ke ditur e më ke falur.
Pa ty, s’do kish diell në këtë shtëpi, as lule në ballkon,
Pa ty, kjo tango do t’më tingellonte tjetër melodi,
Pa ty, s’do të ndizej ai zjarr në vatrën tonë,
Pa ty në këtë shtëpi, s’do të kishte dashuri.
_________________________
7.DASHURIA E NJE BURRI
Dashuria e një burri, sikur flakët e dendura të një mali,
Që zbresin, e djegin fusha të tëra,
Dhe furtuna, i shpërndan gjer në palcë të tokës,
Digjet shpirti i tij prush, si fundi I botës,
S’ka shi e borë që ti shuaj, të nxehtë sikur vullkanët,
Të rrëmbyeshëm, sikur dallgë të tërbuara oqeani,
Është kaq e fuqishme, dashuria e një burri,
Sa fuqia e pamposhtur, e një uragani.
Vetem puthja e butë, si një re e imët e bardhë,
E nënshtron, e gjynjëzon, e lumturon,
Puthja, si një petale nga lulja e pranverës,
E deh si e kuqa, në shishe të verës.
Me pasion, me shpirt të diellit brenda kraharorit,
Përqafuar me fatin, e një dashurie kaq te madhe, të vërtetë,
Si nje prijës, kurorëzuar në rreth të kokës,
Unaza e gishtit, vendosur përjetë.
______________________
8.I dua të gjitha dashuritë
I dua të gjitha dashuritë,
Të nënës, të babës, të burrit,
Ashtu siç e dua të diellit,
Të punës, të tokës, të grurit .
I dua të gjitha dashuritë,
Të vajzës e djalit që rrita,
I dua agimet e shpirtit,
Me shpresë të feksur nga drita.
I dua të gjitha dashuritë,
Të lotit që është sa një qiell,
Të djersës së bujkut në arë,
Të rrudhës si brazda e mbjellë.
I dua të gjitha dashuritë,
E dua të thjeshtë njerinë,
E dua Atdheun në shekuj,
Me yje e dua lirinë.