Site icon Gazeta Nacional Albania

Arjeta Nikçi: E VËRTETA E FSHEHUR, poezi

 

 

VJESHTA QË I VODHI NGJYRAT

Në këndin e zakonshëm të kafesë,

shfletohet libri në aromën e këndshme të kafesë,

me vargjet që sot flasin ndryshe,

dhe ndodh ajo simbiozë e bukur

mes ngrohtësisë dhe kujtimeve.

 

Shoh shpirtin gjersa bie me gjethet

që i lëviz era ngadalë,

dhe në mesin e tyre nuk vihet re,

njësoj si prania ime.

 

Bebëzat e syve janë lodhur,

panë atë që s’duhej parë,

vjeshta m’i vodhi ngjyrat

dhe ia dhuroi librit e natyrës.

 

 

 

 

 

 

E VËRTETA E FSHEHUR

 

Fundi i erdhi si i atij brumbulli

që vërtitej me shpirtin ndër duar,

me të vërtetën e fshehur nën krevatin e madh.

I tepërt në jetë, i padukshëm si insekt në univers.

Brenda kopertinës së librave, mbase do të jetë i lexueshëm,

në një jetë të tërë që kurrë s’ishte i kuptueshëm.

Bojë gjaku në tapetin e kuq,

me gjasë e shkuli zemrën, po aty.

Pa ndjenjë në botën e brendshme,

s’ka gjë që do të mund ta sundonte.

Me peshën e rëndë në greminë,

dalëngadalë e bëri një me veten.

Fundi i erdhi si i atij brumbulli,

bashkë me të u zhduk edhe testamenti,

në pronësi kishte vetëm shpirtin e drobitur.

Pa njeri në jetë,

e vetmja që do ta kujtonte ishte një penë.

 

 

 

 

NDJESI E PANJOHUR

 

Pak më tej Bjeshkëve të Nemuna

mbi shkëmbinj që reflektohen në lumë,

me pendën që qëndis me ngjyrat e botës,

thur vargjet me çdo pikë uji.

Si në teatrin e absurdit, digjet ai asht i njomë,

dhe zëri i humbet në ato pyje përreth,

megjithëse rënkimet nuk i kishte zakon.

Flokëshprishur e katrahurë ndjenje,

pranë rrjedhjes së ujit që merrte botën me vete

dhe shpirtin plot ndjesi të panjohura.

 

 

 

 

 

MJERIMI

 

Ka kohë që kam dalë nga binarët,

nuk di nëse do të kthehem aty edhe një herë,

çdo gjë imja u bë hi,

nuk ndiej më lumturi, as mërzi.

Jam mish e gjak mbi kocka të bluara

nga vuajtja e mjerimi i tepërt,

edhe nëse ndodhë të ngjiten ndonjëherë

nuk do të kenë më vlerë.

Gjaku do të rrjedhë,

si lum apo si det

nga aty plaga përsëri do të marrë jetë.

 

 

 

 

AJO

 

Vajza e vogël është rritur tashmë,

aq sa për t’i besuar dikujt tjetër,

përveç vetes.

Dalëngadalë mësoi se dhimbja

është pjesë e pandashme e shpirtit,

dhe të lumturit ekzistojnë vetëm në përralla.

Ngushëllimin s’e gjeti dot,

mbase nuk e kërkoi kurrë,

nga frika se do të paragjykohej,

dhe jeta nuk do të ishte më jetë.

Përkundër fikjes së dritës,

nuk u vu në kërkim të ndriçimit,

u bë imune me të, si i sëmuri me ilaçet.

Vajza e vogël është rritur qysh 10 vjeç!

Ajo, tashmë, është e fortë

dhe nuk e mposht asnjë sfidë.

 

 

 

 

 

 

 

Exit mobile version