ARMIN TIRANA: Poeti i trazuar dhe eksentrik Arthur Rimbaud

Në vitin 1985 në Paris u mbajt një event i rëndësishëm dhe pompoz. Presidenti i atëhershëm francez François Mitterrand, në qendër të kryeqytetit francez, inauguroi një monument të cilin e kishte shumë për qejf. Bëhej fjalë për monumentin kushtuar Arthur Rimbaud, një njeriu që kaloi një pjesë të konsiderueshme të jetës së tij i impenjuar në shitjen e paligjshme të armëve dhe njerëzve (skllevër). Megjithatë, kjo nuk është ajo për të cilën u bë i famshëm. Ky njeri arriti të bëhej poet i famshëm përpara se të arrinte 20 vjeçët, duke botuar praktikisht vetëm disa vepra. Aktiviteti i tij krijues zgjati nga janari i 1870 deri në marsin e 1874, vetëm 3 vjet e 3 muaj. Gjatë kësaj periudhe arriti jo vetëm të bëhej pikë referimi themelore e poezisë moderne, por në pjesën më të madhe paracaktoi zhvillimin e lëvizjeve moderniste dhe avangardiste të shekullit të XX. Gjatë 37 viteve të jetës së tij, Arthur Rimbaud përjetoi dhe eksperimentoi atë që një njeri i zakonshëm nganjëherë e arrin në moshën 50 vjeçare, në mos më shumë. Vetë ai tha se disa të moshuar qenë fëmijë krahasuar me të dhe kishte vërtet motiv për ta menduar.
Arthur Rimbaud lindi më 24 tetor 1854 në një qytezë të vogël province në verilindje të Francës, e quajtur Charleville, në Ardenne franceze, djali i një fshatareje të ngurtë, por të dashur, e mbushur me religjiozitet dhe i një babai ushtaral që e braktisi familjen kur Arthur ishte vetëm 6 vjeç dhe kishte 3 vëllezër të tjerë. Kështu që e ëma rriti e vetme katër fëmijët e saj. Njomëzak me fantazi dhe i ndjeshëm, Arthur u dallua prej parakohshmërisë së tij intelektuale të jashtëzakonshme. Në moshën 10 vjeçare shkruante tashmë prozë të shkurtër dhe kompozime poetike në latinisht, që i siguruarn admirimin e shokëve e të mësuesve, përveçse çmime të shumta akademike. Por në shpirtin e enfant prodige gëlonin ndjenja të errëta revolte, që e çuan të refuzojë mizorisht traditat sociale, letrare e fetare. Shkollën e konsideronte si një spital psikiatrik, ëndëronte të bëhej gazetar dhe shumë herë kërkoi të largohej nga shtëpia.
Francia e shekullit të XIX ishte një kazan kataklizmash sociale, një epokë ndryshimesh të vazhdueshme. Një revolucion pasonte tjetrin, perandoria u zëvendësua ngë republika, më pas sërish nga perandoria dhe më pas akoma sërish nga republika. Kjo epokë e turbulente nuk kish sesi të mos influenconte formimin e talenteve të reja. 1870 qe viti i arrative dhe i konvertimit përfundimtar në poezi. 15 vjeçari Rimbaud mori trenin për Paris që të asistonte në rënien e Napoleonit të III. Aventura e madhe përfundoi në mënyrë të palavdishme në burg: poeti rebel u kap pa biletë. Pasi i lirua, ritentoi goditjen 10 ditë më pas: shkoi më këmbë deri në Bruksel, ku shpresonte që të gjente punë si redaktor. Por edhe kjo arrati i dështoi dhe u rikthye menjëherë në Charleville. Arratia e tretë ndodhi në shkurtin e 1871, në Paris. Pas 15 ditësh vërdallosjesh nëpër qytetin e tronditur nga rrethimi i prusianëve, Arthur u detyrua që të rikthehej në shtëpi.
Në tentativën e gjetjes së famës, adoleshenti arrogant Rimbaud ua dërgoi veprat e tij personazheve të ndryshëm të famshëm, deri edhe një princi. Çuditërisht, kjo teknikë funksionoi: në moshën 15 vjeçare, për poezitë e shkruara në latinisht dhe të dërguara trashëgimtarit të fronit, Arthur mori një çmim. Midis destinatarëve të tij kishte edhe shkrimtarë të tjerë. Poezitë e të djaloshit i pëlqyen shumë poetit Paul Verlaine, i cili e ftoi në shtëpinë e tij. Të dy poetët nisën të jetojnë bashkë një jetë delirante bohèmienne, e përbërë nga çmenduri, diskutime letrare dhe, mbi të gjitha, poezi. Verlaine dhe e shoqja shtatzënë e mirëpritën aspiruesin poet, por Rimbaud nuk shkonte shumë dakord me të shoqen e Verlaine. Ai e konsideronte budallaqe dhe ajo e konsideronte të pasjellshëm dhe pisanjos. E shoqja e Verlaine e përzuri nga shtëpia Rimbaud, por për tmerrin e saj i shoqi Paul u largua bashkë me të. Miqtë udhëtuan nëpër Europë, ku e nxirrnin jetesën duke shkruar poezi dhe mësuar frengjisht. Rimbaud dëshironte të bëhej një super poet ose një revolucionar, për të ishte pakashumë njëlloj. Poezia që niste ndryshimin nuk i interesonte aspak. Tashmë nuk ishte vetëm një mik i Verlaine, por e nënshtronte thuajse me vetëveten. Rimbaud ishte 10 vjet më i ri, por ishte udhëheqësi i këtij çifti.
Gjenia dhe kokëfortësitë e Rimbaud tronditën ambientet kulturore. Qe midis viteve 1869 dhe 1872 që shkroi thuajse të gjitha veprat e tij poetike, të përmbledhura më pas nën titullin “Poezi”. Në vijim kompozoi “Iluminimet”vizionare dhe enigmatike, shembull i teorisë së parashikimit. Por mjerimi, nervoziteti i papërmbajtshëm i Rimbaud dhe qarjet e vazhdueshme të Verlaine e prishën shpejt raportin e tyre. Rimbaud nuk jetoi më kurrë një stil jetese shembullor: tashmë pinte me llullë qysh kur ishte adoleshent. Në këtë periudhë torturohej në mënyrë fanatike me greva urie, pagjumësi, alkol dhe droga. Në të gjithë këtë shoqërohej nga shoku i tij besnik. Në Bruksel, i dehur dhe i palluar nga deliri, Paul Verlaine e plagosi Rimbaud në krah me një të shtënë pistolete. Verlaine u arrestua dhe Rimbaud nuk e vizitoi kurrë, duke e takuar rastësisht vetëm 2 vite më pas. Karakteri i dhunshëm i Arthur e shtyu në një tjetër hap të paparashikueshëm. Përpara se të mbushte të 20-at, vendosi se nuk donte të ishte më poet. Megjithëse numri i veprave të botuara mund të numërohej nga gishtat e një dore, gjithësesi ato e patën një sukses të caktuar. Rimbaud shkroi kështu një libër në prozë, “Një sezon në ferr”, botuar më 1873. Më pas nuk shkroi më asgjë, e braktisi letërsinë përgjithmonë.
Në radhë të parë, ish poeti u ofrua vullnetar për ushtrinë koloniale hollandeze, në vijin siguroi një punë si përkthyes në një cirk dhe udhëtoi me një trupë në Skandinavi dhe më pas u nis për të jetuar në Afrikë. Ëndërra që kishte qzsh nga fëmijëria, ajo që të bëhej gazetar, pati prioritet. Duke dashur të shkruante arikuj lidhur me hulumtimin gjeografik, Rimbaud shkroi artikuj për aventurat e tij në Afrikë dhe raportet e tij u botuan nga Shoqëria Gjeografike e Parisit. “Isha i zhytur në ëndërra kryqëzatash, zbuluesisht të zhdukur tokash të reja, republikash që nuk kishin histori, luftërash fetare të ndërprera, revolucionesh morale, lëvizjesh të popujve dhe të kontinenteve: besoja në çdo magji”, shkroi Rimbaud. Por qe në Afrikë që Arthur Rimbaud u bë edhe trafikant armësh dhe tregëtar skllevërish. I prekur nga gangrena në gjurin e djathtë, ju desh të kalojë nëpër një kalvar mjaft të dhimbshëm që të kthehej në Francë, ku edhe ju pre këmba. Por nuk mjaftoi: sëmundja i avancoi më tej dhe Rimbaud ndërroi jetë më 10 nëntor 1891, në moshën 37 vjeçare.
Në harkun e shkurtër kohor të aktivitetit të tij është e mundur të individualizohet një evolucion. Vargjet e tij të para shprehin revoltën e adoleshentit, polemikën ndaj shoqërisë borgjeze dhe mediokritetit të saj. Gjuha gërryese dhe e dhunshme deformon strukturat ende tradicionale të kompozimeve, paraqet një element përqeshjeje dhe çshenjtërimi. Në poezitë e parë të Rimbaud ndjehet influenca e Romanticizmit. Çelësi për romantikët ishte një ndarje e pastër midis botës poetike, “sublime”, dhe botës reale. Duke sfiduar rregullat, Rimbaud theksoi se për poezinë nuk ishte tek e ndaluara, pasi i lejohet që të përdorë një temë satirike për të zhvilluar estetikën e së shëmtuarës. Njëkohësisht, poeti pasuroi gjuhën letrare franceze me ligjërimet bisedore, vulgarizmat dhe dialektizmat, që natyrisht është e mundur të çmohen vetëm në origjinal. Dëshira e rinovimit të traditës ju forcua edhe nga ide antiborgjeze dhe antiklerikale, të cilat Rimbaud ishte i gatshëm që t’i mbronte aktivisht.
Por qysh në vitin 1871, me të famshmen “Letra e parashikuesit”, ai e tejkaloi këtë fazë për ta theksuar më me qartësi poetikën e parashikimit: poeti duhet të “bëhet” parashikues, duhet ta kultivojë shpirtin e tij me çmimin e “torturave të merrshme”, duhet ta shkatërrojë rendin e dukshëm, ta shpërbëjë atë, për të rigjetur kaosin. Poeti është ai që kap të panjohurën, misterin, Ansoluten. “Gjetja e një gjuhe” është impenjimi i poetit, një gjuhë universale, një fjalë e lirë nga kufizimet e sintaksës e logjikës, në gjendje të evokojë e të sugjerojë nëpërmjet lojës së pafundme të analogjive dhe të asociimeve. Talenti për vargëzimin dhe fama në rritje e bënë Rimbaud besimplotë në gjeninë e tij. Vepra e tij u bë një prej gurthemeleve të simbolizmit: poezia e lirë, në të cilën çdo ndjenjë mishërohet në çdo imazh. Arthur u deklarua deri parashikues, duke dashur të ishte një ndërmjetës midis njeriut dhe universit.
Në majin e 1871, në një letër për Paul Demeny, Rimbaud paraqiste themelet e teorisë së parashikimit dhe shkroi: “Poeti transformohet në një parashikues nëpërmjet një ndërprerje të gjatë, të pamatshme dhe të qëllimshme të të gjitha ndjenjave. Shkon në çfarëdolloj forme dashurie, vuajtjeje, çmendurie. Po kërkon vetëveten. Me këtë ezauron të gjitha helmet, por i thith thelbin. Tundim i pashpjegueshëm, ku ka nevojë për të gjithë besimin e tij, për çdo forcë mbinjerëzore; bëhet më i sëmuri i të gjithëve, më krimineli, më i mallkuari dhe më i dituri i shkencëtarëve! Sepse ka arritur të panjohurën. Sepse ka rritur më shumë se kushdo tjetër shpirtin e tij, duke e bërë kaq të pasur! Arrin të panjohurën dhe, anipse është çmendur, humbet kuptimin e vizioneve të veta: i ka parë tashmë!”.
Megjithatë, duke e realizuar në praktikë teorinë e parashikimit, poeti mbetet i zhgënjyer nga rezultati: domethënia letrare e disa teksteve rezultoi e pakapshme për shkak të jokoherencës dhe shkatërrimit të logjikës. Për pasojë, Rimbaud e kritikoi punën e vet dhe u shkëput nga parashikimi, idetë simboliste dhe artin në përgjithësi, duke e shprehur pozicionin e vet në veprën e tij të fundit: “Një sezon në ferr” (1873). Procesi i “parashikimit” nuk duhet të barazohet me eksplorimin e subkoshiencës dhe të të shkruarit automatik, koponentet kyçe të surrealizmit. Megjithatë, në tërësi, fenomeni Rimbaud vendosi një bazë të qëndrueshme për formimin e një tradite surrealiste në poezinë franceze. Ndoshta është për këtë që André Breton, në Manifestin e Surrealizmit të tij të1924, e quajti “një surrealist në praktikën e jetës”.
Rimbaud është pjesë e poetëve të quajtur “poetë të mallkuar”. Shprehja “poetë të mallkuar” lindi nga titulli që në vitin 1884 Paul Verlaine i dha veprës së tij antologjike “Les poètes maudits“. Një tjetër fjalë e shpifur i vishej kështu këtyre personaliteteve të trazuar, tashmë të njollosur nga fjala “dekadentë” e konsakruar nga revista “Le Decadent” e Anatole Baju. I ashtuquajturi “mallkim” konsiston në gjendjen e izolimit ku poeti, në shoqërinë e atëhershme moderne që sapolindëte, përfundonte për ta çuar jetën e tij. Me këtë gjendje të brendshme e sociale është e lidhur ngushtëissht një ndjenjë rebelimi, që nga ana e saj çon tek dëshira e një çlirimi etik nëpërmjet një dimensioni estetik. Personalitete rebelë, të ndjeshëm dhe të largët nga sterotipet e sjelljes së borgjezisë të Tetëqindës, shpesh “poetët e mallkuar” zgjidhnin që ta vinin jetën e tyre në rrezik nnëpërmjet eksperimentimit të ndjenjave intensive nëpërmjet abuzimit me alkollin dhe drogat; të pashmangshme pasojat e një mënyrë të tillë të jetuari ndaj stilit të të shkruarit si në nivel tematik, ashtu edhe të formës. Shprehja poetike transformohet në mjet për të vendosur me mjedisin rrethues një raport instinktual, pa asnjë ndërmjetësim racional.
Rimbaud qe shembulli absolut i “poetit parashikues” dhe “të mallkuar”: pati në fakt një adoleshencë të çrregullt dhe u bë bartës i një vizioni konfliktual. Poeti nuk e kuptoi kurrë dashurinë, duke fajësuar frikacakllëkun e tij për gjithçka i kishte ndodhur në jetë, por edhe prej veprimeve e mendimeve të tij. Siç dëshiroi për një periudhë, Rimbaud u bë një poet i madh francez, por suksesin më të madh e arriti vetëm pas vdekjes së tij.
(nga Il Libraio)

Përgatiti
ARMIN TIRANA

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here