ASGJË E RE PËRQARK. Poezi nga Agim Bajrami

 

PAS STUHISË

Dukej e pamundur   që ky mëngjes të gdhinte i  bukur
Mbas stuhisë që mbajti  gjithë natën
Deti ulërinte si një gjigand i përgjunjur
A thua se po i sillnin  mandatën !

Unë hapa dritaren për të pare  ç’kish ndodhur
Por s’pashë asgjë të re përqark
Në treg  po ato shitës me pamje të lodhur
Dhe në cepin  e kafenesë  i  njëjti  nomad  plak

Dhe në lulishten përballë, të njëjtët lojtarë
Që shajnë njëri tjetrin me fjalë të ndyra
Të njëjtët tragete, në ish  kantjerin detar
Mbështjellë nga lagështija dhe zgjyra

Pasojat e stuhisë i kish ndjerë vetem bregu
Kur vajta atje u preka vërtetë
Peshq të vegjël  me sy të vdekur
Dhe gaforre ngjyrë hiri, të ngrira pa jetë

Dukej e pamundur, që  ky mëngje të gdhinte i qetë
(Dhe parandjenja më doli e plotë )
S’do ish keq një varr t’ua hap sa më shpejt,
Dhe   natyrisht  të derdh  ca lotë.

JAM I SIGURTË

Jam i sigurtë që kjo ditë, do të jetë diçka  tjetër
(Jo si e djeshmja, që më mërziti )
Pemët do kenë nxjerrë ndonjë syth më tepër
Dhe mund te takoj ndonje mik, pa fytyrë hipokriti

Në det patjetër s’do ketë dallgë
Dhe në breg  s’do dalin  peshkatarë të mbytur
Ti s’do me mbysesh më me fjalë
Dhe s’do më shohësh si i paditur

Në rrugë, ndryshe nga çdo herë
S’do bëjnë më gara njerëz të krisur
Në  to do ketë veç taksi nusesh
Me nga degë qershish stolisur

Jam shumë i sigurtë  që kjo ditë,
do jetë më e bukur
Në terminalin e trageteve do të zbresin më shumë udhetarë
Duke mbajtur në duar  nga një valixhe puthjesh
Për gratë dhe fëmijet, që kanë kohë pa i parë

Tek cepi i murit  ngyrë hiri
Nekrologji do ketë  më pak
S’do ketë më vdekje  nga Covidi
Dhe ky që vdiq ishte shume plak

Unë do rrufis me qejf kafenë
Mundet të hedh dhe ndonjë varg
Duke menduar për pranverën
Dhe pse më  duket kaq shumë  larg

Jam i sigurtë që kjo ditë, do jetë  krejt më ndryshe
Manteli i qiellit ngjyrë ndryshoi
Ca zogj më ftojnë të hyj mes tyre
Dhe  unë  po rend t’i përqafoj.

 

 

VARJA NË LITAR E HAXHI QAMILIT,

Ja kishin lidhur duart
Ta çonin në litar
Siç kish bërë dhe ai
Me të tjerë, pak më parë

Nje erë e rëndë i dilte
Nga mjekra e llangosur
Si kutërbim kufomash
Harruar pa varrosur

Pa ngjyrë ajri i mesditës
Dhe qielli krejt pa sy
Ai kish ardh në jetë
Të mbillte vetëm zi

Dìçka thosh nëpër dhëmbë
Dhe klithte  në çdo hap
Dovleti kishte vdekur
Po krimbat ishin prape

Dhe s’ish për tu çuditur
Per tu habitur s’ish
Ai kish dalë nga terri
Nga  kohëra  marrëzish

Tashmë kish ardhur ora
Të kthehej prapë aty
Pa tinguj dhe fanfara
Pa ndere dhe lavdi

Ca sorra vrisnin heshtjen
Me zhurmë e hakërrim
Nën qiejt  si ngërdheshje
Dhe ajrin mbushur tym

Përballë tundet litari
I shtyrë nga një erë
Si fati i atdheut
Atë vit te zi,të mjerë

Si deshifrim mallkimi
I dalë nga një humnerë
Shqipërija i lind bijtë
Të vriten për të tjerë

Ja kishin hedhur lakun
Ta varnin në litar
Mbas tij ora e atdheut
Në heshtje hiqej zvarrë.

VJEDHËS

Dje ma vodhën shpresën.
Ma flakën në det
Ca hije të  zeza
Veshur me pushtet

Ma shkulën  nga gjoksi
Si të ish një letër
Nga një soj i tillë
Ç’mund të presësh tjetër ?

Më pas ma prenë gjuhën
Dhe s’më lanë të flas
Në një popull delesh
Gjithçka mund të ngjasë

Askush s’kish guximin
T’ë më zgjas  një dorë
Vetëm blegërinin
Me një zë në kor

Të gjithë shpinë  kërrusur
Dhe me kafkë të ngrënë
Sikur të  më thonin
-Sa mirë që ta bënë

-Ç ‘tu desh mor i gjorë
Fjala,Ideali
Kjo është kohë për ujqër
Dhe për minj kanali

Eh ç’llogjikë prej turme
Ç’liri gënjeshtare
Zot me fal pak ajër
Se s’po marr frymë fare

Dje ma vranë shpresën
Ma bërën thërrime
Tash s’di kush është gjallë
Unë a hija ime!

TË KISHA THËNË

Të kisha thënë njëqind herë, që s’më pëlqen kurrë e verdha
Dhe ti  vazhdon të më flasësh për të  si më parë
Gjersa rreth nesh ka kaq ngjyra të tjera
Ç’t ë ka ngjarë.?

Nëse të duket që  kjo  ngjyrë  është më e thjeshta
Kjo ha diskutim
Mos harro që të verdhën   në flamur e ka vjeshta
Dhe në hymn

Një ngjyrë  të tilli   kanu dhe gjethet kur bien
Mbi kopësht dhe   trotuar
Të sëmurët që renkojnë nga ethet e nxehta
Me buze të tharë

Prandaj të them që se ke  mirë
E verdha është një ngjyrë e pa vlerë
Ti mund të lyesh me të flokët
Kurse mendimet, asnjeherë

 

TI !

Gjithnjë e më shumë ti po bën vend në mendimet  e mija
Vete nga vete e rikthehem tek ty
Thuhet se na njohu diku rastësija
Por unë  s’besoj në   rastësi.

Ti ke qenë patjetër  brenda meje
Veç  s’kam pasur  sy për të të shikuar
Dashuritë jane nota pentagramesh
Që kërkojnë një piano për t’u zgjuar

Duhej të të nisja veç një tingull
Dalë një mëngjes nga gjoksi im
Të të bind se ti je kenga ime
Dhe të flak prej teje  çdo dyzim

Tashmë që të   ndjej edhe më  pranë
Ndihem dhe i lumtur dhe fajtor
Duhet të ishim njohur që më parë
Dhe mos ishim ndare më, asnjë orë

Bashkë ta ndanim frymën ditë për  ditë
Që kur lind mëngjesi e deri vonë
Kohërat që nuk njohin dashuritë
Asnjë kalendar nuk i pranon

Ndaj po të afroj  puthjet e mija
Që këtë faj me ty, ta ndreq disi
Shkrirë në një trup nga lumturija
Joshur  që të dy nga një magji

Gjithnjë e më shumë, ti po ben vend në mendimet e mia
Shkoj nga  shkoj,  e prapë tek ti nxitoj
Unë që  s’besoj tek rastësija
Tashmë kam vendosur, të besoj

 

SHKREPSE

Shkrepsja që hodha, qëndroi në këmbë Dhe kjo do të thote mbarësi.
Më  iku dhimbja që  më dhëmb
Dhe gjithçka rreth ra në qetësi.

Një fllad  i kaltër ma  vesh trupin
Ku ishte fshehir gjer tani?
Unë ndjeja kaq bezdi në vete
Dhe bashkë  me të dhe një mërzi

Rrallë herë  jam.dhënë mbas bestytnive
Por ky detaj më erdh për mbarë
Kaq kohë nen kthetrat e stuhive
Dhe sytë e fatit hileqar

Tashmë më duhet të shkund veten
Dhe drejt së nesërmes, vrap të ngas
Të bëhem njish me sytë e dritës
Dhe mos e kthej më kokën pas

Po shkoj të fshihem mbas një ylli
Në  trup të tij të  humb vetveten
Se jetët tona janë prej dylli
Dhe duam s’duam , ato treten

Shkrepsja që hodha qëndroi në këmbë
Dhe pakëz diell më la në prag
Më  fshiu çdo dhimbje që më dhëmb
Dhe kjo patjeter , nuk është  pak.

SKULPTURË E DALË NGA NËNTOKA

Ende s’më ke thënë, se kush je në të vërtetë
Se ti s’ke gojë !
Më mjafton syri yt, që në tokë ul dhe retë
Që unë të të besoj

Buzëqeshje mister që lëviz nëpër kohra
E njëjtë me mëngjesin
S’ka mundur të të vdesë  lagështira dhe lloha
Se magjitë nuk vdesin

Me shekuj të tërë e fshehur nën toko
E di sa ke qarë
E vetme, harruar pa miq e pa shokë
Prej botës e ndarë

Ai që të krijoi, të ka pasur për zemër
Por s’ka mundur ta thotë
Prandaj dhe të gdhendi  me një daltë të ëndërrt
I mbytur në lotë

Më pas të ka lënë, që të bësh jetën tënde
Mbretëresh pa kurorë
Kaq burra të fismë me këtë pamje të çmëndje
Edhe perandorë

Ende s’më ke thënë se kush, je në  të vërtetë
S’ta  kërkoj këtë nder
Ti je një bukuri që lëviz nëpër shekuj
Magji dhe mermer !

 

ERË

Më duhej  këtë çast kjo erë  e lehtë
Që  erdhi si me porosi
Balonat e kaltra ti ngrejë mbi qytet
Dhe vajzave të bukura , tju bëj pak freski

Po ndjej dhe unë ca ledhatime
Të buta,  sa të vënë në gjumë
Unë gjithmonë kam qenë qejfli i  erës
Dhe pse per shiun vdes  më shumë

Në breg dalloj ca  peshkatarë
Njërin e njoh, është fqinji im
Ky  është  per ta  ogur i mbarë
Ndaj po ngrejnë velat me nxitim

Tërë natë do peshkojnë në det
S’ka gjë se trupi do tu mardhë
Unë qysh tani po i shoh rrjetat
Të mbushur plot me peshq të bardhë

Më duhej këtë çast kjo erë e  lehtë
(Ajo u shfaq kur askerkush se priste)
Të më  ndjek nga pas nëpër    qytet
Dhe të më puth  si gjimnaziste.

BUNKER I HARRUAR NË FUSHËN E KORÇËS

 

Në mes të fushës një bunker
( Nga të paktët që akoma kanë mbetur )
Me gojën nga rruga ,drejtuar përherë
Dhe trupin e nxirë , të tretur

Nja dy tre mollë i rrijnë  rrotull
Përkundin degët me mërzi
Ato asnjëherë  nuk kanë bërë  asnjë kokërr
Sigurisht  nga pranija e tij

Kalojnë në heshtje udhëtarët
Një dridhje trupin u’a përshkon
Në mënd ju vjen  nje kohë e  afërt
Me klithma bishash dhe me klon

Buçima çangash u’a mpijnë trurin
Ulërima komisarësh perversë
Ata  në trup të tij  të strukur
Me sy pa gjumë gjer në mëngjes

Prisnin armikun që të vinte
(Armik që kurrë nuk u duk )
Se dinin  që e keqja e madhe
Ish truri i tyre eunuk

Në mes të fushës një bunker
Prej kocka skllevërish i ndërtuar
Pranë  tij mëngjesi ngjan i mjerë
Dhe dielli lind me sy të shuar

NJË EMËR NË KOHË

Dikush thirri emrin e saj
Dhe unë e ngrita kokën shpejt
Ish stinë lulesh, fillim maj
Dhe kish kaq xhiro në qytet

Diçka më zgjoi në kujtesë
Një emër  ëndrre  të harruar
Ne kurrë se gjetëm midis nesh
Su bëmë dot  kurrë të dashuruar.

Ajo më  bënte fajtor mua
Fajtor unë shpesh bëja atë
Me pluhur vitet na mbuluan
Por kjo për ne s’ka rëndësi më

E rëndësishme ish që sot
Degjova prapë   emrin e saj
Zhgënjimi  ynë derdhi ca lot
Por maji  prej saj, u ndje  më Maj.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here