Avni Ponari: Unaza e Alpeve, shpresa për jetë, turizëm dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik

Në zemër të Ballkanit, aty ku qielli puth majat e mrekullueshme të Alpeve Shqiptare, po lind një nga projektet më të rëndësishme strategjike për të ardhmen e Shqipërisë: Unaza e Alpeve – një rrugë që nuk është thjesht infrastrukturë, por një mision kombëtar për t’i dhënë jetë një prej zonave më të izoluara dhe njëkohësisht më të pasura të vendit tonë.
Prej dekadash rruga Theth-Valbonë, e shumë fshatra të tjerë të Alpeve, kanë qenë më shumë legjendë se realitet. E përshkueshme vetëm nga të guximshmit dhe aventurierët, kjo hapsirë e çmuar e natyrës dhe kulturës shqiptare ka qenë fshehur pas barrierave të mungesës së infrastrukturës dhe harresës së investimeve. Por tani, me realizimin e rrugës që do të lidhë Tiranën me Shkodrën, Thethin, Valbonën, Bajram Currin dhe më tej Gjakovën, po lind një shpresë që ka munguar gjatë: shpresa për jetë, turizëm dhe zhvillim të qëndrueshëm në Alpet shqiptare.
Unaza e Alpeve do të bëjë të mundur që kjo zonë të mos jetë më vetëm një destinacion sezonal, por një hapësirë e vizitueshme në të katër stinët. Ajo do t’i japë fund izolimit fizik dhe ekonomik. Banorët nuk do të detyrohen më të largohen nga trojet e tyre për të kërkuar jetesën diku tjetër. Përkundrazi, do të kenë arsye të qëndrojnë, të ndërtojnë, të krijojnë ekonomi të qëndrueshme bazuar në turizëm, bujqësi të pastër, zeje e mikpritje.
Lidhja me Gjakovën përmes Alpeve është një simbolikë e fuqishme e bashkimit shpirtëror, kulturor dhe ekonomik të shqiptarëve kudo që janë. Në një kohë kur kufijtë fizikë po bëhen gjithnjë e më të parëndësishëm, kjo rrugë është një akt konkret i ndërtimit të unitetit kombëtar nëpërmjet infrastrukturës dhe zhvillimit.
Turistët që vijnë do të kenë mundësi të prekin jo vetëm bukurinë mahnitëse të natyrës – ujëvarat, kanionet, pyjet alpine – por edhe zemrën e mikpritjes shqiptare, që këtu ruhet në formën e saj më të pastër. Kulla shqiptare, legjenda e besës, këngët epike, gjithçka që përbën memoren e një kombi do të jetë më e aksesueshme, më e prekshme dhe më e ruajtshme për brezat që vijnë.
Unaza e Alpeve është rruga që sjell shpresë jo vetëm për ata që kanë mbetur, por edhe arësye për të kthyer ata që janë larguar. Ajo është një frymëmarrje e re për Veriun, që për shumë kohë ka qenë lënë në harresë, por që sot po merr vendin që i takon në hartën kombëtare dhe më gjerë, në itinerarin e turizmit evropian e botëror.
Unaza e Alpeve nuk është vetëm një rrugë, por është strategji kombëtare për turizmin, vizion europian, dashuri për atdheun.