AZEM SHKRELI
(1938 – 1997)
Azem Shkreli lindi më 1938 në Rugovë të Pejës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa në Prishtinë ai vazhdoi shkollën e mesme për të vazhduar fakultetin Filozofik, degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Për shumë vjet ai ka qenë kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit. Vdiq në pranverën e vitit 1997.
Ka botuar këto vepra në poezi Bulzat (1960), Engjujt e rrugëve (1963), E di një fialë prej guri (1969), Nga bibla e heshtjes (1975), Pagëzimi i fjalës (1981), Nata e papagajve (1990), Lirikë me shi (1994), Zogj dhe gurë (1997). Në prozë: Karvani i bardhë (1961), Sytë e Evës (1975), Muri përfundi shqipes Shtatë nga at, si dhe dramat: Fosilet (1968), Varri i qyqes (1983) etj. Poezitë e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja.
Shfaqja e Azem Shkrelit si poet, përpos që përputhej me ardhjen e talentit të fuqishëm, shënonte njëkohësisht kthesën e parë drejt hapjes dhe modernizimit të poezísë shqipe të Pasluftës. Shkreli u ngjít natyrshëm në kulmet e poezisë së sotme shqiptare dhe këtë vend ai e konsolidoi dhe e përforcoi nga njëra vepër poetike në tjetrën, deri në atë të fundit, që e la dorëshkrim “Zogj dhe gurë”, botuar më 1997.
Përgatiti për botim Hiqmet Meçaj
KATËR KËSHILLA VETES
Mos u bëj poet nëse s’mund të lindësh
me secilin varg, të lindësh me secilën fjalë.
Ngrehu mbi veten në dot t’rrokësh frerët e erërave,
të shkelësh shpërgajt e mërisë dhe shtrëngatat
e gjakut tënd.
Nëse dashurohesh, dashurohu n’flakë e n’valë,
jo ne sy të kaltër, se bëhesh det i çmendur pendimi.
Mos u bëj poet nëse s’mund të vdesësh
për secilin varg, të vdesësh për secilën fjalë.
NË RRUGË KËNGË E TURPSHME
Sonte
Qava sonte për ty
Arbëri
Nuk më vjen turp
Pse qava
Më vjen turp pse s’munda
Të bëj tjetër
Nga turpi qava
DHJATË E RE
Sikur erdhën, panë e bënë e shkuan
Do bjerë edhe mbi ne njëherë këmbona
Vinë të etur tjerë. Njësoi afshëm duan
S’jemi ne. Por nuk mungon e jona
Thot njeriu dhe zbret i urtë ndër bimë
Djalli e di se në ç’vend u poqën të parat
Pemë të mendimit të mirë. Me urtinë
E kësaj dhjate ne stërpikim arat
Shollit të ditës s’i duhet spermë komete
Ky lloj Shën Njeriu don bibël të re
Një fe tjetër. Fe besimi në vete
Amen. Koha jonë s’guxon të kohosh pa ne.
VDEKJA E MALËSORIT
Asnjë kokë përkulur
Se ja rrëxoni lisat
Asnjë gjëmë mësa guri
Se ja shembni majet
Asnjë lot asnjë
Se ja shteroni krojet
Në sytë e tij vetëm
Harroi prendimin dita
Ç’mendim i vrugët
Ç’mendim i ftohtë ndër vetulla
Lum ky çfarë vdekje
SOGJE
Sonte ne të dy
jemi dy sy të kësaj sogje
Orët zgjuar
Do të rrinë, këmbanat zgjuar
Sonte unë e ti
jemi ai zgjim i zekthët
Ujqit në këmbë
Do të jenë, Kosova në këmbë
Natë që s’more
Pushkë, as të mori pushka
LIQENI
Flas me ty
Ti hesht e luan me valë.
Ti s’je më syri
Im as loti i saj.
Flas me ty
Ti shikon pulëbardhat.
Për Shën Naumin
Paske zemër t’gjerë
Flas me ty,
Ti kotesh mrekullie.
Më vjen të zbres në fund t’fundit
Të vdes i gjelbërt me algjet.
NATA NË KËSHTJELLË
I mbrami peshkatar me ditën e bjerrun n’rrjeta
Po kthehet. Unë eci duke prekur nëpër mur
Pas zërit të heshtjes zvarem ngadalë përpjetë
Hapin gur e kam. Edhe zemrën, gur.
Ja, tani kështjellës i kam hypë përmi
Vonë është terr. Nata, disi lëmekur
Merr frymë n’për vrimat që mezi shihen zi
Dhe ankthëm m’kundrojnë si sytë e prindit t’vdekur.
Mejtuar si fëmija i shkruaj do emra n’rrasë
E m’duket dashurisë sonë ia fala një grimë amshim
Por gjerbë e rigës s’motit gurin do ta plasë
T’parën pranverë duke tallë mashtrimin tim.
Prandaj me dorë, drithtueshëm, pak’ nga pak’
Faqen e shkëmbit fërkoj si vashën. Dua të fshi
At marri t’vogël. Vesë? jo, por gjak
I vokët kullon gishtat t’mij.
Harroj përse, e si, e nga kam ardhë.
Harroj të flas, të lëviz. Harroj pa parë
E ndër gërmadha bëhem një copë gërmadhë,
Një gur mbi gur që gurit s’don të ndarë
BREGU I MOLLËS
Kurrgjë s’qenka kurrgjë
Si e kemi lënë njëherë unë e Lami
As Lugu i Helmit as hijet Bregut të Mollës
Ku mollët veç i kujtonim të kuqe
E na kuqeshin faqet gjithë verën e lume
As mrizi degëbigë mes të cilave
Rrinte dielli në dymbëdhjetepesë
Kurrgjë s’qenka kurrgjë as ai zjarri i rnadh
Që ra shi i mbarë e na e fiku
Që ra shi i mlrë e na e fiku se digjen malet
Se digjen more malet e na flet Shaban Syla
Kurrgjë s’qenka kurrgjë
Si e kemi lënë njëherë unë e Lami o zot
Po kush i paska prekur
Po kush i paska prishur e ndërruar të gjitha
Si të mos kishin qenë asnjëher këtejpari
Unë e Lami me delesykat me bukë e djathë
Në gjeth paje dhe me fyell
Kurrgjë s’qenka kurrgjë
Si e kemi lënë njëherë unë e Lami
As Shpella e Bli Hunit as turra e gurëve
Mbi të cilën hypnim të rritemi as lisat as
Gurra e Magjupit Ujëhollë
Gurra e Magjupit ujëmirë
Ku pinim në fletë kërsane
As gjollat e kuqe as
Kurrgjë s’qenka kurrgjë
Si e kemi lënë njëherë unë e Lami
Veç toka e vjetër dhe era
Veç toka e vjetër dhe retë përherë shtegtarë
Të më thonë se rrodhi këtyre lugjeve koha
Rrodhi si s’rrodhi dhe asgjë nuk gjeti
Pos dy pushkëve të vogla shtogu lidhë me tojë
Ose të më thonë
Të gjitha janë këtu të gjitha janë
Pos fëminisë suaj e barit të njomë e qingjave
DUKAGJINÇE
Po vinë argatët
Të heshtur. Të muzgët. Po vinë
Po vini. Err e terr
Brodhi arave të tyre dita
Po vinë. E poqën
Diellin e bakërt të bukës
Po vini. Po vinë
Me bimët mugullore ndër muskuj
Po vinë. Ditë argëtare
Grua që do t’ua mbash mend farën
KËNGË E VRUGËT
Mëtim i truar fshihu te pendimi
S’ka ndëshkim për mëkatet nga ligështia
Ky rrëmbim i çmendur është i imi
Apo lindi befas trimëria
Nga të errëtat e gjakut. S’di po fryma
Kërkon shkakun t’i vijë era dhe
Diç të kësaj koke do t’pëshpërisë bryma
Ime ndoshta. Do të jetë fjalë e re
Bari të egër. Fjollë e saj nga rrashta
Do të përvidhet me dhunë e pa hir
Sikur ç’linda. Do të kundrojë përjashta
I gjelbër e i qetë do të jem më i mirë
Dhe voglushë të verdhë do të therrin ditën
Me vaje të hollë dhe do të pushojnë së qari
Kur të kuptojnë se për nën këmbë u rriten
Dheu im. E hiri im. E bari.
KAFSHA E ZEZË
Heshtja det i lëkundur dhe vetimët
Fshikin terrin trupi i saj përdridhet
Ku janë njerëzit. Nga janë nisur bimët
Një langua leh e s’ik as lidhet
Ulurin përmotshëm mbase së ligës
Ja ndjen erën diku në gjakun tim
Ai rrëmbimit të vet i turret digë
Rreptas pastaj etur merr gufim
Tej durimit dhimshëm. Të trazuara
Ngrihen grevë të pabërat duan dëshmi
Protestojnë. Gjithë gjërat e ndaluara
Bredhin mëllefit të vet me zhauri
Dhe leh kafshë e zezë e s’ik as lidhet
Heshtja det i lëkundur dhe vetimët
Fshikin terrin trupi i saj përdridhet
Ku janë njerëzit. Nga janë nisur bimët
Ja që kështu na qenka kafshë e dehur
Mëtimi. Pastaj vetëm cuklat kur të na mbeten
Do thonë: Ai me fjalë e ajo me të lehur
Të rrojnë se njerëzisht e hëngrën veten
Të pastë ndjesë harrimi hero i herave tjera
MOTIVE TË VERDHA
Po ikim nga gjaku im motive të verdha
Po ikim nga gjaku ose një herë tjetër
Po lindim mes bimëve tjera
Aty e tej janë poshat
Shtatgjata të vendlindjes janë delet
Të bardhat dele blegërore dhe bari
I njomë i qumështit po ikim
Nga gjaku im aty e tej janë zogjt
Pupëlvogël zogjt pupëlgjelbër dhe krojet
Të cemtat kroje ujëloti aty e tej
Janë vashat më të egrat vasha
Të bukurisë që falet dhe vetima
Po ikin nga gjaku im motive të verdha
Aty e tej nuk vdesin vetëm sytë
Na ngjethen dhe gishtat na ngjethen e fjalët
Po ikim nga gjaku im më mirë po ikim
Nga gjaku ose një herë tjetër
Një herë tjetër po lindim mes bimëve tjera
PSALME PËR KOSOVËN
Po Kur pikon gjak
Kalliu, kur piqet vera
Kur hyn në gjakun tim
Nusërore e të bëhem krushk
Më mëso vetëm t’i bie
Kitarës, më mëso të vdes bukur
PËRSHËNDETJE ME MIQ
(Ismail Kadaresë)
Plot fjala është me ju, plot kupa, plot gjiri i nënës
Kudo e ngado është e juaja pos mohit, pos orës së prapë
Dhe krismës prapa shpinës, po unë me se të ju zbukuroj
në baladë, o miq, me se, o dega ime e epër e fisit,
Atij tisi të hollë e tisi të rrallë, tri herë të zier
Në ashtin tuaj e timin, po unë me se të ju kem, me se-
Të ju përyjnoj, e vetëm ju e dini atë bar të mirë
Atë lëng rrëzë fjale me të cilin m’i mëkoni plagët
Ethet e qentë m’i përzeni kur kam zjarrmi, kur digjem
Ujë etjes m’i jepni bri kroit të Martinit e bri Kruje
Ullirin e moshës ma piqni, zotynë shëndet iu dhashtë
Nga jeta e vet e popullit, nga gjaku, nga shpendi ynë
Ju dhashtë, me se të ju di, me se të ju zbukuroi në baladë,
e jeni sa krip ka koka, sa fij bari, sa deti, Alkal
Me Alkal ju dëgjoj e më ktheni me mallë në shtizë
PARA ELEGJISË
Një ditë do t’i marrësh në gji
gjethet e rëna të stinëve të tua
dhe do të kërkosh kot veten
shtigjeve të harruara të një moshe
e nuk do të kesh më as flokë ere,
as shikim ylberi ta matësh fillin
dhe fundin e mashtrimit tënd të shkurtër.
Një ditë do t’i shpalosh vjetët tua
si pajën e nuses së vdekur
e do të numrosh fluturat e shkuara
t’agsholeve t’perënduara
e s’do të kesh më as zjarr në buzë,
as lot në sy të qeshën ngrohtë,
të qajsh rrejshëm dhe t’i mahnitësh
djelmoshat.
Një ditë dot’i hash buzët e tua,
gjurmët e tua do t’i pështysh
dhe secilin muzg do ta pagëzosh
me nganjë pendim që dhemb
e s’do te kesh me as sy deti,
as hap te hedhur sorkadheje
te shohesh si t’perqeshin gonxhet
dhe te ikesh prej hijes sate.
Ruaju, moj se vashat me te bukura
i vret bukuria e vet.
Tash jam diku larg teje, larg vedi
dhe – ku me dijtë kah më tresin
udhëkryqet e shumëta t’jetës?
Jam ba përshëndetje e harrueme e kalimtarëve,
jam ba lot e kangë,
jam ba betim i rrugëve dhe rreze e shkrepun
majë gurit.
Tash jam diku larg teje, larg vedi
dhe – ku me dijtë ku sosin
fijet e këputuna t’kësaj kange?
Jam ba pre shitimi i syve zjarr,
jam ba bekim e namë,
jam ba zog e re n’krah t’agsholeve t’bardha?
Tash jam diku larg teje, larg vedi
dhe – ku me dijtë kah m’tresin
udhëkryqet e shumta t’jetës?!
NËNAT
(Shokut tim për nënën)
Ato lahen në gazin
tonë e në lotët e tyre.
Bëhen rojë murane
te krojet e shtera të gjirit.
Në ballin tonë për herë
u bëjnë dritë shejt gishtat.
Ditët na i prarojnë dhe rrugët
me nga një bekim më t’mirin.
Me rrëmetën e krrusur t’moteve
na ruajnë nga hijet e liga.
Një ditë shkojnë si të shkonin,
të mos vijë më vdekja.
E s’na kërkojnë asgjë,
pos një grusht dhe mbi krye.
Shkojmë. E sa herë vdes nënë,
vdes nënëmira ime.
KASHELASHË PËR ATDHEUN
Atdheu është dheu i birit e i atit e i shpirtit të shenjtë
Në vargun me krushq atdheu është krushku i parë
Në të tëra meshat shenjte ai është Meshari
Në kulm e në flamur është kumti e kremtja
Në kokën rënduar në mendime ai është mendimi
Është një krah shqipeje këtej, një andej kufirit
Është flaka e Oso Kuka në kullën kallë të barutit
Është ara shtatë vjet djerrë e gruaja djerrë e fara
Në bukë e kripë e zemër atdheu është zemra
Në të parën pushkë për ujk atdheu është krisma
Në trupin tonë për vig atdheu është vigu
Në mishin tonë për krimb atdheu është ashti
Atdheu është treni në binarin nëntë, buleta për nesër dhe trasta
MESHË
Le të rritet bari mbi kokën time
Mbi kokën time le të rritet bari im
Bari im mbi kokën time le të rritet
Le të rritet
Le të rritet bari im mbi kokën time
GURI I MARTINIT
(M. Camajt)
Mik i gjakut të penës, kush e di sa vite
Fëmijë të kërkoja me “Një fyell ndër male”
Kush e di se në male, përmbi gurë më rrite
Me një daltë fjale
Dhe sot pas sa vitesh që s’na panë
Më del në Bavari me një gur prej Dukagjinit
Rritur me qumësht ashti të tokës nënë
Jam guri i Martinit
Më lër edhe pakëz, më lër, Gur i Martinit
T’ia mbaj dorën në krah si andej në Malësi
T’ia ftoh shkrumët e ballit e të mërgimit
Dhe do shkoj, s’do rri
Pse gurët dhe poetët nëpër botë
I dashka të shpërndarë ky dhe i yni
Zi nuk mbajmë, po kurrë mos qofshë e kotë
Dhembje në Gur Martini