AZIS NESIN: BISHTAT E QENVE, tregim satirik. Përktheu:ILIAZ BOBAJ

Në fshatrat ku shkoja,vura re se kishte shumë qen,të gjithë të mëdhenj,por pa bisht.Pyes mësuesin e
një fshati:
-Mesa di,fshatarët,me qëllim që qentë e tyre të bëhen të egër,u presin veshët,u hedhin në ta kripë dhe
piper dhe jua japin t’i hanë.Por nuk e dija se u presin edhe bishtat.
-Ndoshta e tillë është raca e tyre,-m’u përgjigj. Pyes edhe plakun,që më ftoi në shtëpinë e vet:
-Përse qentë tuaj janë pa bisht ? Është raca e tyre e tillë ?Plaku qeshi.
-Kanë historinë e tyre.Nëse nuk mërziteni,po jua rrëfej.
Nënprefekti na dërgoi urdhër: ‘Këtë vit duhet të vrisni tridhjetë derra të egër !”.
Sapo erdhi lajmi në fshat,e humbëm dhe nuk dinim ç’të bënim.Ty ta pret truri,më thanë bashkëfshatarët
e mi.Hajde,shko tek nënprefekti dhe sqarohu me të ! Shkova.
-Bej,-i them.-Unë,që më sheh para syve,kam bërë katërmbëdhjet vjet ushtar…Nuk lashë pa shkelur as
Jemenin,as Tripolin,as Çanak Kalanë,as Kaukazin… Nënprefekti ma ktheu:
-Mos fol shumë ! Me atë që ke bërë,thjesht shpërbleve detyrimin tënd ndaj atdheut.Dashke edhe resta tani !
-Zoti na ruajt,bej efendi,-i thashë.-Nuk desha të të them këtë gjë…! Veç kësaj shkova vullnetar në luftën
e Pavarësisë.Mblodha rreth vetes trimat dhe dola në mal.Më dhanë goxha shkresë,sa një çarçaf,e cila
shkruante:Komandant Fronti…
Nënprefekti:
-Po më harxhon kohën me ca fjalë në erë.Mos u ngatërro me histori të vjetra,thuam shkurt ç’ke për të thënë !
Unë vazhdova ta sqaroja:
-Lavdi zotit,luftën e fituam.I plagosur nga plumbat,sharapnelët dhe bajonetat,u ktheva në fshat.
Por nënprefekti nuk më linte në asnjë mënyrë ta mbaroja fjalën.
-Domethënë,-ma ktheu,-për shërbimin ndaj kombit,dashke të të japim edhe ndonjë pagë ? Nuk e sheh se
ç’heq e vuan ky shteti ynë i varfër ?
-Si nuk e shoh,bej efendi,nuk ka kaluar as një javë,pasi taksambledhësi më mori lopën time.
Prit të të sqaroj…Lavdi zotit,ato që kish për të më dhënë shteti,m’i dha.Kam edhe medalje me shirit të kuq…
Kam edhe çertifikata me vula dhe shkronja të arta…Që të mos e zgjatim,një vit kishte ardhur në fshatin tonë
një mësues.Në bisedë e sipër e kisha sqaruar për të gjitha sa kisha hequr.Në netët e gjata të dimrit,më
vuri t’ia rrëfeja,kurse ai i shkroi një për një.Më pas u emërua diku gjetkë.Kaloi disa kohë.Një djalë që kishte
shkuar për studime në vendin e tij,pasi u kthye në fshat,më thotë:
Shiko,çaush bej,gazeta ka shkruar për ty.Mesa duket,kishte shitur në gazetë biografinë time…! Me këtë
desha të them,që historia e jetës sime,veç kësaj,nuk ofronte ndonjë fitim tjetër.Edhe këtë fitim e voli tjetërkush.
Nuk kërkoj asgjë nga askush.Më duhet të shtoj se edhe në festat zyrtare na ftonin dhe merrnim pjesë në
parakalime.Tani u mplaka dhe nuk i hedh dot këmbët.Atëhere vishja uniformën e oficerit dhe varja shpatën
në brez.Tani m’u thinjën flokët,nuk më shkon më ajo uniformë e hijshme.Jo vetëm uniformën e oficerit,por
as shallvaret nuk mund të veshim tani !
Nënprefekti:
-Pas gjithë këtyre që më the,tani ç’kërkon,të të bëjmë pasha ? Nuk më shikon mua,që studiova kaq vjet
dhe jam ende nënprefekt ?
-Bej,- i them,-mos shiko gjendjen time të sotme fatkeqe.Atëhere kisha nën urdhërat e mi pesëqind kalorës
dhe njëmijë mauzerë.Më trembeshin të gjithë.Edhe sa vjet do rroj akoma ? Nuk dua as lekë,as pashallëqe !
-Mirë,çfarë kërkon ?
-Këtu më dërguan bashkëfshatarët e mi.Kini dhënë urdhër që sivjet në fshatin tonë të vrasim tridhjetë derra
të egër…Qëllimi i ardhjes sime është ky:veç meje,asnjë njeri tjetër në fshat,nuk e di se si janë derrat e egër.
Edhe unë i kam parë në frontin e Galicisë.Ishte një kapiten.,të cilin e quanin Hetem Bej.Nëse ka vdekur,
zoti të më falë,,nëse rron,le ta zejë lemza.Kish një palë mustaqe,në të cilat mund të vareshin dy nënprefektë
si ju.Një plumb më plagosi në këmbë.Rrugës ulërija nga dhimbja.
-Çfarë ke,reshter ?-më pyeti.
-Asgjë,bej efendi,-iu përgjigja.
Njerzit e asaj kohe ishin krejt ndryshe.Duke parë se kisha mbetur pas repartit tim,ai njeri gjigand më mori në
krah dhe më transportoi deri tek çadra e kirurgut gjerman.Me këtë rast pashë për herë të parë derr në atë
spital gjerman.Gjermanët përdornin derra për ushqim.Nga frika se mos më jipnin mish derri në spital,nuk
vura gjë në gojë.Më falni që ju bëra t’ju zërë koka.Ne të vjetrit flasim shumë.Përveç meje,askush tjetër në
fshatin tonë,as nuk ka parë dhe as nuk e di se si është derri.
Nënprefekti u nxeh dhe filloi të thërriste:
-Fjalët e tepërta janë fukarallëk.Sivjet nga fshati juaj dua tridhjetë derra ! Me këtë rast do mësoni edhe se
çfarë lloj kafshe është derri dhe njëkohësisht edhe ta vrisni atë !
-Bej,- i them,-në fshatin tonë nuk kemi derra.As në fshatrat përreth.Ne vetëm për fyerje e përdorim emrin e tij.
Kur nxehemi me dikë,i themi derr dhe kur nxehemi akoma më shumë,e shajmë: derr i ndyrë ! Por nuk kemi
ide se si është derri. Nënprefekti nxjerr një shkresë të madhe dhe më thotë:
-Ore,ç’njerëz të pagdhendur që jini ! Pa shiko se ç’thotë këtu dovleti,që e vret mendjen aq shumë për ju !
Gjithshka është e shkruar këtu. Di të lexosh ?
-Jo.
-Na qenkishe edhe kapiten !
-Bej,-i them,-ajo nuk bezdis njeri.
-Dëgjo,-më thotë,-shiko se ç’shkruajnë shkresat këtu ! Armiku më i madh i kultivimit të misrit,është derri i egër.
Dhe misri në vendin tonë është burimi kryesor i fitimit…Për të grumbulluar fshatari sasinë më të madhe të misrit…
Më kupton ? Domethënë,për të mirën tuaj,duhet,-më thotë,-të shfarosni derrat e egër !…Kuptoni turqisht ju
apo jo ? Është e nevojshme të shfarosen derrat e egër.
-E kuptova,bej,sigurisht duhen shfarosur derrat e egër.Na i tregoni ju,që t’i vrasim ne.Por ne nuk mbjellim misër…
As baballarët e baballarëve të baballarëve tanë,nuk mbillnin misër…
-Të mbillni misër,miqtë e mi,që të mos dembeloseni ! Të vijnë derrat e egër në misërishtet tuaja dhe ju t’i qëlloni !
Të zëjë vend edhe urdhëri i shtetit !
-Nën urdhërat tuaja,bej efendi ! Për të mbjellë, e mbjellim,por nuk mbin i pacipi…Në arat tona nuk mbin misri.
Siç mund ta dini,këtu tek ne bën dimër gjashtë deri në tetë muaj.Dëbora nuk ikën.
-Për çdo gjë ka edhe një përjashtim.Bujku amerikan,në Polin e Veriut,mbi akull,kultivon karafilë.Kini mësuar
të thoni vetëm nuk bëhet…
Më erdhi në majë të hundës.
-U thuaj atyre që ju dhanë këtë urdhër,të mos bjerë borë sivjet,që të mbjellim edhe ne misër,të vijnë derrat e
egër në të,që të mund t’i vrasim.
-Pa vështromë me kujdes,-më thotë,duke marrë një pamje zyrtare,-dënimi më i lehtë është dy vjet burg…!
-Më falni,bej ! Kush jemi ne që të fyejmë personalitetin tuaj ! Në fshatin tonë nuk kemi derra të egër…
-Pa shih,këmbëngul akoma ! Nuk më thua,ti e ditke më mirë se ata që nxorrën urdhërin,nëse ka ose jo derra
të egër në fshatin tuaj ? Pa hë,përgjigjmu !
-Ne jemi njerëz të thjeshtë,ku ta dimë ne ! Po jua përsëris:nuk kemi derra të egër në fshatin tonë !
-More,ata që e nxorrën urdhërin,e dinë më mirë këtë punë.Në fillim shohin hartat,studiojnë qitapët dhe, në bazë
të tyre,vendosin.Ndoshta ka derra dhe ju nuk e dini.Bëjini sytë katër…!
-T’ i bëjmë,bej efendi,po në fshatin tonë nuk ka derra !…
-Çfarë njerëz mosmirënjohës dhe ta pagdhendur që jini ! Mundohemi për të mirën tuaj,përpiqemi t’ju bëjmë
njerëz,po s’kuptoni që s’kuptoni.Këtë urdhër e ka dhënë goxha ministër,ai i Bujqësisë.E dërgoi në të gjitha
prefekturat.Sigurisht ai,një goxha vali,nuk do të shkojë të gjuajë derra të egër…Ai i thotë kajmekamit,që nga
ky fshat i kazasë së tij,kërkon kaq derra të egër.Ai më shkroi mua,ndërsa unë juve.Bre,çfarë njerëz të
mbrapshtë që jini ! Bënë ndarje për çdo fshat dhe juve u ranë tridhjetë derra të egër…
-Nënprefekt bej,-i them,-që të jemi të saktë,jemi akoma të pagdhendur,po derra në fshatin tonë nuk ka !
-Dovleti nuk kërkon prej jush derra qyl.Do më sillni bishtat e derrave,që do vrisni.Unë do t’ju jap një letër…
Vërtetimet do t’i shpini për t’i legalizuar në Drejtorië e Bujqësisë.Pastaj do shkoni në bankë dhe për çdo
bisht derri do të merrni dymbëdhjetë groshë e gjysëm. Ç’kërkoni tjetër ? Ju nuk dashkini të mirën tuaj.
E kuptoni,në çdo pjesë të shtetit do të bëhet zhdukja e derrave të egër.Pa më thuaj,sa kushton një kilogram
grurë ?
-Banka e blen me tetë groshë.
–E shikon tani ? Një bisht derri ka vlerë të barabartë me një kilogram e gjysmë grurë.Të isha unë në vendin tuaj,
në vend që të shkoja nëpër ara me kuç e me maç,do t’i shisja shtetit bishta derrash.Marsh përpara ! Nuk dua
ankime ! Urdhëri është urdhër ! Nëqoftëse nuk bëhet kjo që thashë,do t’ju dërgoj xhandarët t’jua tregojnë qejfin !
-Zoti ju shtoftë jetën !-i thashë dhe ika.
Shkova në fshat dhe i sqarova në pe e në gjilpërë për ato që më tha nënprefekti.
Hidhet njeri e më thotë:
-Të ushqejmë derra dhe t’i dorëzojmë bishtat tek nënprefekti.
Të tjerët ngulën këmbë dhe thanë se nuk lejojnë në fshat një kafshë kaq të ndyrë.U gjend një i ditur.Aty ku kishte
kryer ushtrinë,tha,kishte shumë derra të egër.
-Çaush aga,-më thonë,-merr mundimin, shko deri aty dhe na sill tridhjetë bishta…!
Ai vend ishte larg,dy ditë rrugë me tre.
-Meqë është këstu,-u them,-përse të mos marr më shumë bishta,që t’i shesim dhe të nxjerrim edhe shpenzimet
tona ?
Vendosëm të marrim kredi nga banka.Mora dhe dy thasë dhe dola në rrugë…Të mos e zgjatim,shkova në vendin
që më thanë.Aty kishte shumë derra të egër…Po se mos ishin edhe të tjerët më pak të zgjuar se unë ? Mesa
duket,shkuan edhe të tjerë finokë si dhe unë,për të blerë bishta derrash.Në treg bishtat e derrave ishin hedhur
stivë-stivë si kodra.Dhe njerzit shtyheshin dhe shtypeshin për të blerë…
-Një mexhite copa.
-Nuk na intereson një mexhite.Gjënë e ndyrë do t’ja shesim shtetit për dymbëdhjetë groshë.Çfarë,domethënë
edhe të dëmtohemi ? Po shpenzimet e udhëtimit ?
Pazar pas pazari,rashë dakort të blija njëzet bishta me pesëmbëdhjetëgroshë secilin.
Jua tregova disa tregtarëve në një han.
-More babagjysh,-më thanë,-nuk gjete bishta derrash ?
-Pse,ç’kanë ?
-Këta janë bishta qensh.
Mesa duket ai cipëplasuri paskish prerë bishtat e qenve,i kishte lyer me vaj dhe m’i shiti për bishta derrash.
-Po tani ç’bëhet ?-i pyes.
-Asgjë,-më thonë.-Merri bishtat,preji edhe pak,lyeji edhe ti me pak vaj dhe shpjeri tek Kontrollori i Bujqësisë.
Nuk do kuptojë asgjë prej gjëje.
Moti ishte i nxehtë dhe rruga e gjatë.Bishtat filluan të binin erë dhe të mbusheshin me krimba…Filluan të
përshpëritnin në tren:
-Çfarë bie erë kështu ?
Kur mbërrita në fshat,më thonë:
-Çaush aga,tani do fillojmë të gjuajmë edhe sorra.Nënprefekti na kërkon dyqind kokë sorrash.
Sorra ka sa të duash.Mos lini krahë pa mbledhur ! Pas pesëmbëdhjetë ditësh do të fillojë gjuetia e karkalecit.
Lutemi vetëm të mos na kërkojë edhe koka karkalecësh.
Nga fshatrat e tjerë mësuan se ne shisnim bishta derash dhe ia mbërritën blerësit.Dolëm edhe me fitim.
Tridhjetë bishta i shpura tek nënprefekti.
-E sheh,-më thotë,-që u gjendën kaq derra në fshatin tuaj ! Dhe ca bishta,pa shih,të trashë,të trashë…Kush e
di se çfarë derra ishin !…
Që prej asaj dite e më pas nuk shkelte asnjë njeri në shtëpinë tonë,se e quanin të papastër.As dorën nuk ma
jipnin,meqë kisha prekur bishta derrash.Thirra disa të njohur të fshatit dhe u shpiegova se si ishin punët.
Një i shkathët prej tyre,filloi menjëherë nga puna.Në anët tona nuk mbeti qen me bisht nga pas.Shkoi edhe
gjetkë,për të bërë tregti me bishtat e qenve.
Para ca kohësh shkova dhe e takova.
-Si të venë punët ?-e pyeta.
-Lavdi zotit !-më tha.-Arrita t’ia dal mbanë,falë bishtave të qenve.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here