Bajame Hoxha – Çeliku: FEMIJA VALBONA MIRAKA NE KAMPIN E INTERNIMIT

Valbona,
ti emrin e kishe emër lumi, Valbona,
por emri yt nuk u bë kurrë rrjedhë e një drite të ndezur,
të bëhej dritë në fatin tënd të egër,
që u nxi aq shpejt
nga thundra e egër e komunizmit.

Ti, o gjashtëmbëdhjetëvjeçare, zemërpastër si kristali,
të dënuan, si dhe mua, pa faj, pa krim,
në ferrin e të gjallëve.
Sepse babai yt qëndroi në Itali pas luftës,
e nëna e ndoqi, duke të lënë ty disa muajsh te daja.

Ata të dy nuk u kthyen dot më.
Nuk u kthyen, se komunizmi i dënoi,
si shumë të tjerë i quajti armiq,
i quajti tradhtarë.

Ti mbete pa baba, pa nënë,
por u rrite te daja, me fëmijët e tij, e barabartë.
Dhe vitet rridhnin si ujërat e lumit Valbona,
por nën një trysni të frikshme.

Pastaj u gjende nxënëse
në vitin e dytë të pedagogjikes në Tiranë.

Oh, dhimbje, ku je!
Sa mbushe gjashtëmbëdhjetë vjet,
në lulen e rinisë,
me përparësen e shkollës veshur, të rrëmbyen,
të arrestuan në mes të Tiranës
dhe të sollën në kampin e Savrës,
ku dielli i rinisë u zhduk për ty.

Lotët e tu, humbja e ndjenjave, ulërimat,
nuk të shpëtuan dot nga plani i tyre.

Ti, adoleshente, mëngjes e mbrëmje bëje apelin,
në shi, në breshër,
në agime me të ftohtë e ngricë.
Të treguan fushat e gjera
dhe të dhanë mbi supe
një kazmë e një lopatë,
e të thanë: Puno!

Puno, se do të ndërtojmë komunizmin,
ti, bijë e armikut.

Ëndrrat e tua të bukura,
se do të bëheshe një mësuese e bukur, mbaruan.
Dhe lirinë që duhej ta kishe, nuk e kishe më.

Të internuan, Valbona.
Të vranë ëndrrat,
të vranë lirinë,
të vranë të ardhmen.

Dyert e shkollës për ty
u mbyllën me shtatë çelësa.
Ishe armike.

Aty na gjete neve, në lot e në hall.
Në kamp, lotët u bënë shokët tanë besnikë,
por shpirtin askush nuk na e mundi.

Çdo frymë ishte një guxim i fshehtë
ndër qerpikët tanë.
Çdo pikë loti u kthye në forcë,
në guxim, në shpresë.

Dhe shpresa ngjante
se çdo ditë zgjohej,
dhe ne së bashku
i dhamë jetë…

Valbona…