Rrënjët, ah rrënjët!
Rrënjët e bredhave dhe lisave,
rrënjët e pemëve dhe trëndafilave,
rrënjët e viseve dhe fiseve,
rrënjët e popujve dhe kombeve,
rrënjët e së keqes dhe së mirës,
rrënjët pellazge të gjenezës,
rrënjët tona tek ilirët!
Rrënjët e gjakut dhe rrënjët e tëmblit,
rrënjët e babës dhe ato të nënës…
Të përvuajtura enden galerive
për hatër të trungjeve e të degëve,
për hatër të kurorës e të gjetheve,
për hatër të luleve dhe frutave,
mohojnë vetveten,
bukurinë dhe ajrin,
hapësirat dhe dritën,
që ti të rritesh,
si bir luftëtar i Marsit,
si bijë bukuroshe e Afërditës!
Pa sakrificën e tyre çdo të ishim ne, vallë?
As të vdekur, por as dhe të gjallë!
Ca qenie hibride pa gjak e valë,
ca qenie amorfe, pa trup,
pa fytyrë, pa identitet,
as lolo, as mbret!
Pa etnogjenezë,
pa bashkëkombës,
thjesht ca homo sapiens,
një pyll qeniesh,
pa shtet!
Rrënjët, ah rrënjët!
Ato që lindin dhe vdesin veç në errësirë,
pa i parë kurrë lartësitë e bijve;
rrënjët, ah rrënjët,
heroinat e përjetshme të thellësive!
Ndërsa degët,
degët tundin e shkundin dekoratat,
si veteranë qesharakë,
që duken ditët e festave zyrtare
me kostume e borsalina
për të pohuar “ vlerat”, për t’u dukur;
ata që kurrë s’e derdhën gjakun,
por ndenjën galiç e strukur,
ca qenie të përçudnuara,
tmerrësisht të pabukur!
Tundin dekoratat e luftës dhe të punës,
si qeveritarë qesharakë,
që tundin titujt dhe gradat
a thua se prej tyre na vijnë begatitë:
buka dhe qumështi i mëngjesit,
sallata dhe peshku i drekës,
kosi dhe omeleta e darkës,
ëmbëlsirat dhe frutat,
të thatat
dhe të butat!
Të mjerët ata:
akademikët,
profesorë-doktorët,
asistentët, lektorët,
pedagogët, gazetarët,
analistët (të gjorët!)
tunden e shkunden,
mbushin dhe zbrazin thesin e fjalëve,
a thua janë kompetentë për gjithçka,
pro e kundër rrymës,
si troftat e Valbonës,
që harrojnë se jetojnë në vaska,
në rezervatet e Delvinës!
Ata,
heronjtë e statujave,
të monumenteve dhe memorialëve
sa i rëndojnë dheut,
në emër të vrasjes së të gjallëve.
Ata harrojnë se janë vrasës
vrasës të lirisë së popullit të vet
vrasës të lirisë së popujve të tjerë,
vrasës nënash dhe fëmijësh.
Ata kërkojnë rroga të majme sa janë gjallë,
shpërblime për “sakrificat e mëdha”,
ndere dhe pensione të veçanta,
bile edhe pas vdekjes,
kërkesat i kanë më të larta,
në emër të fëmijëve dhe të nipërve,
të vëllezërve dhe motrave,
të gjithë kërkojnë të vjelin fryte
nga lavdia e të parëve,
ata,
heronjtë e pseudo lapidarëve!
heronjtë e monumenteve,
të flladit dhe furtunës,
të luftës dhe të punës,
bile dhe heronjtë absurdë,
ata,
palaçot e politikës,
kërkojnë në gjallje dhe në vdekje,
hisen e diellit
dhe hisen e dritës!
Ata, të gjithë,
absolutisht, kurrë nuk kujtohen për rrënjët!
historia fillon gjithmonë me ta!
Mos u çudisni:
ata janë heronjtë absurdë të iluzioneve të mëdha!