Gazeta Nacional Albania

Basir BUSHKASHI: KLITH NJË ZOG, POEZI

????????????????????????????????????

ZEF SEREMBE

“Era ngrihet e fryn nga deti i gjerë,
E malli as më përgjigjet ndonjëherë”

Aq zemërndjerë,
Aq i sinqertë,
Me vargun e zjarrtë,
Zjarrmonte dhe qiejt.
Me rrënjët e gjakut,
Nga Mati i lashtë,
Me n’zemër Arbërinë
Dhe mallin e flaktë…

E për të bukurën
Dritë Stigari,
Që dhe hunda
I qeshte asaj…
Poeti ngriti,
Aq këngë malli,
Sa i tha qiellit:
Kudo shpërndajë…

Po dhe qiellit,
Aq s’i besoi,
Nga malli i valtë
Përvëluar…
E oqeanit larg,
Brengosur, kaptoi,
Nëpër valë dhimbje,
Shpirtit pushtuar…

Atje, në Brazil,
N’Brazilin e largë,
Zemra e marrosur,
Derdh e derdh shtrëngatë.
Mbytur krejt në lot,
Mbi varrin e saj:
Lot që ende
Shekujve s’janë tharë…

SHKRUAJ

Shkruaj,
Për t’i thënë qiellit:
-Me ty kaltëroj.
Për t’i thënë detit:
-Me ty dallgëzoj.
Për t’i thënë lules:
-Me ty erëmoj.
Për t’i thënë zogut:
-Me ty fluturoj.
Për t’i thënë jetës:
-Sa shumë të çmoj.
Për t’i thënë femrës:
-Ende dashuroj.
Për t’i thënë vargut:
-Kurrë s’të harroj…

ASGJË

Kur emrin tënd,
Në të përkëdhelur
E thirra të shkurtuar:
Mbeta befasuar.

Më the ngadalë
Me të ëmblin zë:
Në një gjuhë të huaj
Do të thotë: asgjë!

Eh, ndoshta, shpirti,
E ndjeu aq thellë,
Se asgjë
Do të mbetesh njëherë…

EH, KJO BOTË!

Përditë
Lindin njerëz:
Zemra bleron…

Përditë
Vdesin njerëz:
Loti pikëllon…

Eh, kjo botë:
Dhe gaz
Dhe lot…

PËR PAKËZ QIELL

Kaq lehje
E mjaullima
Në vendin tim,
Sa fjala të ngrin…
Dhe vetë dielli
Murrëtyer n’shkëlqim…
Lëngon atdheu,
Lëngon aq thellë,
Për pakëz diell…
Mars 2021

PA FEMRA

Pa femra bota
Do të ishte e trishtë,
Si qielli i natës,
Pa yllësitë…

Pa femra bota,
Do të ish e shkretë,
Si pylli i heshtur
Pa zogj, pa fletë…

KLITH NJË ZOG

Klith një zog mesnatës së thellë,
Sa befas mua gjumi më doli:
Ai fshehur blirëve, aq zëçjerrë,
Unë dhembshurisht e ndjek nga ballkoni…

Pse vallë klith, ai shpend i ngratë,
Mos nga një dhimbje a ëndërr me skifterë?!
Kur ai heshti, u shtriva në shtrat,
Disi qetësuar, me gjumë mbështjellë…

GJETHE

Njoh ca njerëz,
Që kapen nëpër gjethe,
Se gjethe janë…

Dhe kujtojnë,
Se kapin pemën
Nëpër rrënjë…

DEHJA E ANTEUT

I pamposhtur
Ishte Anteu,
Me këmbët mbi tokë…
Më i gjithëfuqishmi
Në mbarë një botë.

Por kur u deh,
Nga madhështia…
E shkëputi njërën këmbë…
Herkuli e godet,
Egër si stuhia,
Sa ra i shtang…

ASHTU, KUTURÙ

Rastësisht
Në një lokal
U pamë nëpër xham…

Fluturimthi
Më përshëndete
Me dorë e buzëqeshje…

Nëpër rrugë,
Ashtu, kuturù,
Nxitoje për diku…

Dhe s’di pse mendjes
Më mbete ashtu:
Ashtu, kuturù…

HESHTJA E YJEVE

Dhe yjet kam pyetur
Mos të kanë parë.
Po yjet kanë heshtur
Djegur nëpër zjarr…

Po ç’t’i them zemrës,
Zemrës ç’t’i them?
Që hov si e marrë
Dhe askund s’të gjen…

SHUSHUNJA E ZEZË

Shushunja e zezë,
Atdheun ka pushtuar,
Dhe gjakun ia thith,
Duke e gllabëruar…

Dhe s’ka të ngopur,
Çmendurisht e etur.
Kombi në udhëkryq:
As gjallë, as vdekur…

MALET

Nëpër diell,
Nëpër kaltërsi,
Lartohen malet
Nëpër madhështi…

Po nëpër mjegull,
Nëpër stuhi,
Duket sikur zhduken:
Po, ata, aty…