FQINJËT TANË
Fqinjët tanë
Me dhëmbë shekullorë…
E shqyen, egër,
Truallin arbërorë…
Dhe vranë e prenë,
Nëpër mënxyrë:
Kush mund të marrë
Kafshatën më të mirë…
Tokat e të parëve,
Nga fqinjët coptuar:
Ende, ndër dallgë,
Nën sy të lakmuar…
AI TRËNDAFIL
Ai trëndafil
Që ti më fale…
Një mëngjesi të bardhë
Kuptohet, është tharë…
Veç malli për ty
Ka mbetur i valë…
POETIT SKËNDER BUÇPAPAJ NË 70-VJETOR
Kur erdhi Skënderi
Ndër studentë:
Gjithe Fakulteti
Më ngjante më i blertë…
Sikur frynin fllade,
Me plot shushurima…
E ca lule çelnin
Diku, në lëndina…
Ai, “Zogu i bjeshkës”,*
Me vargje, me flatra,
Kaltërsive na ftonte,
Nëpër bjeshkë të larta…
Shtegtimit të kohës,
Dallgëve, nëpër jetë,
Mbeti zog bjeshke,
Dashuruar me qiejt…
Me talent dhe dije
Poezinë tonë ringjalle
Mbete burrë malsie
Me frymë universale.
I sidove kohrat
Me poezinë e madhe
Me shpirt kombëtar
Dhe famë ndërkombëtare.
Në poezinë shqipe
Ke hyrë në histori
Kurorën e artë
Ta dha Naim Frashëri.
Vëllezërit Buçpapaj
Vellzërit Frashëri
Vetëm Atdhedashuria
Këtë kombë do ringjalli.
*Zogu i bjeshkës është vëllimi i parë poetik i poetit Skëndër Buçpapaj, botuar në moshën 20-vjeçare, nga Shtëpia Botuese Naim Frasheri, Tiranë 1973 dhe vlerësuar më Çmimin e Dytë të Republikës në vitin 1974.
VIOLINA E MALLIT
Violina e mallit
Dridhet si në vajë,
Për dy sy të bukur,
Për dy sytë e saj.
Violina e mallit
Dridhet si në vajë,
Për dy buzë të ëmbla
Për buzët e saj.
Violina e mallit
Dridhet si në vajë,
Për dy mollë të njoma
Për mollët e saj…
Violina e mallit
Dridhet si në vajë,
Për një shpirt të ngrohtë
Për shpirtin e saj.
Violina e mallit
Dridhet si në vajë,
Për një ballë si hëna
Për ballin e saj.
Violina e mallit
Dridhet si në vajë,
Zemra po m’pëlcet
Për hiret e saj…
NË PREHËR TË PEMËVE
Ja, prap erdha në vendlindje,
Se m’shtyn malli, s’më le të qetë.
Përmalluar, drithëruar,
Se më s’ka se kush më pret…
Prindërit tretur në tjetër botë
Shtëpia hesht, rrënuar krejt,
Vetëm pemët tundin krahët
Mallndezur nëpër fletë…
Mani i vjetër kokërrmjaltë
Si kreshnik qëndron tek shtegu…
Dhe mjalton çdo udhëtarë
Në mëngjes, a kur djeg zhegu.
Bujarinë derdh pa fund
Si dhe plot pemë të tjera,
E nëpër mall më përkund,
Si për t’thënë se s’është mbyll dera…
Ulem, shtrihem, barit t’njomë
N’prehër t’pemëve e vë kokën…
Nuk ka prehje më të ëmbël
Dhe me pash sikur t’rrok botën…
Mallunxë, qershor 2016
DUART ZGJAS
Një hënë e ngrënë
Errësirës varur,
Si në të rënë,
Si e përzënë…
Kushdi ç’ka ndodhur,
Kushdi ç’ka ngjarë,
Ndaj duart zgjas
Qiellit ta mbajë…
26 korrik 2016
AKUAREL
Gjethe të verdha.
Trishtim i verdhë.
Dhe njerëz të verdhë
Në bulevard…
Drobitur vjeshta
Përpëlitet në shtrat…
HIRET E TUA
Me hiret e tua
Seç më le pa mend.
Bukuria jote
Bukuri që dhemb…
Ç’bukuri hyjnore!
Si nëpër legjendë
Me vetulla harkuar
Qiellit m’ngre përpjetë…
Buzëve të purpurta
Derdh nektar e mjaltë
E ëmbël si flladi
Nëpër pyje të lartë…
ME ENGJËJT QIEJVE
(Ish-nxënësit tim të dashur, Lorenc Neli, që u nda aksidentalisht nga jeta, në përfundim të maturës)
Qielli i kaltër,
I ëndërrave të tua,
U shemb
E u shua,
Përgjithnjë.
Eh, Lenci, Lenci!
O ç’gjëmë! Medet!
Ishe dhe s’je më…
Këmbanat e dhimbjes,
Tronditën çdo shpirt.
Për ikjen tënde
Dhe zogjtë lotuan.
Siç duket, Zoti,
T’i vuri sytë…
Me engjëjt qiejve,
Për t’fluturuar…
DUART E MALLIT
Duart e mallit
Mu zgjatën aq larg:
Mbi male, mbi dete,
Nën qiellin e pamatë…
Mu tretën duart
Për t’rrokur ty…
E afërta e largët,
Mbështjellë me magji…
KËSHTU NGJET
Ujrave të cekta
Kushdo hyn.
Dhe loz e lahet
Në cektinë.
Po kush di të notojë
Di t’prek dhe thellësinë…
Kështu ngjet me jetën
Dhe dashurinë…
PSE KAQ MJEGULLIM?
Sa njerëz zemërvrarë
Takoj çdo ditë:
Me pikëllim te sytë…
Bisqet e shpresave
Nëpër brymë:
Venitur me dhimbë…
Sillen kuturu
Aq ëndrravrarë:
Me shpirtë të tharë…
E nëpër zemër
Më therë një trishtim:
Pse kaq mjegullim?!
BILBILI
Këndojnë plot zogj
Në harenë e vet,
Sa harbohet pylli…
Po mbi të gjithë,
Mbi të gjithë:
Të dridhëron bilbili…
NË AEROPORTIN “NËNË TEREZA”
Nëpër avionë,
Me uturimë:
Shqiptarë shkojnë,
Shqiptarë vijnë…
Ndër vajtjeardhje,
Nëpër botë:
Dikush brengosur,
Dikush gazplotë…
Ndër dridhma malli
Për Atdhenë,
Që pas i ndjek
Ngado që venë…
Dhe Nënë Tereza
Dritëshenjtëruar,
S’resht e s’resht,
Duke i bekuar…
Rinas, 17 prill 2022