11 minutes ago
• Armand Mero
________________________________________
Marre nga Zeri i Amerikes
Udhëheqësit e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe ata të 6 vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, pritet të ulen sot së bashku në Tiranë, në takimin e dytë sipas këtij formati, por të parin që zhvillohet në një vend jo anëtar. Takimi i nivelit të lartë, shihet si një mundësi për të rikonfirmuar rëndësinë kyçe të partneritetit strategjik midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
Në një postim në Twitter, pasditen e djeshme, Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel i mëshoi pikërisht këtij aspekti, ndërsa shkruante se takimi “është shumë simbolik sepse do të zhvillohet në Tiranë, në zemër të rajonit. Dëshmon një evolucion të fortë për sa i përket angazhimit”.
Për kryeministrin shqiptar Edi Rama mbajtja e takimit në kryeqytetin shqiptar, në një nga vendet e rajonit “është një kthesë strategjike në historinë e BE-së të shumë viteve të fundit, një kthesë drejt një qasjeje tërësisht të re ndaj Ballkanit Perëndimor. Është një kthesë strategjike patjetër e nxitur nga pandemia si fillim, pastaj edhe nga agresioni rus në Ukrainë në vijim, por është edhe një vlerësim strategjik për Shqipërinë”, është shprehur zoti Rama duke e konsideruar po ashtu dhe “një ngjarje të jashtëzakonshme, një ngjarje historike, më të rëndësishmen në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë”.
Pasojat e agresionit rus në Ukrainë do të jenë një nga temat qendrore të diskutimeve. “Udhëheqësit do të diskutojnë bashkëpunimin përballë sfidave të përbashkëta që rrjedhin nga agresioni i Rusisë kundër Ukrainës. Ata do të shikojnë më konkretisht se si të trajtohen efektet negative në sektorët e energjisë dhe sigurisë ushqimore në Ballkanin Perëndimor”, shpjegon një njoftim i Këshillit Evropian.
Në këtë kontekst pritet të diskutohet dhe mbi çështjet e sigurisë dhe përgjigjes ndaj ndërhyrjeve të huaja. “Takimi do të jetë një mundësi për të diskutuar veprimet e koordinuara për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat janë bërë edhe më të rëndësishme në kontekstin e agresionit rus kundër Ukrainës. Kjo përfshin luftën ndaj informacioneve të huaja të manipuluara dhe përmirësimin e sigurisë kibernetike kolektive”, bën të ditur Këshilli Evropian.
Migracioni, një tjetër problem me të cilin BE-ja vijon të përballet, do të jetë po ashtu pjesë e diskutimeve edhe për shkak të asaj që njihet si “rruga e Ballkanit”. “Udhëheqësit do të shkëmbejnë pikëpamjet për trajtimin e përbashkët të menaxhimit të migracionit pasi shifrat në rrugën migratore të Ballkanit Perëndimor janë rritur ndjeshëm gjatë vitit të kaluar. Kjo përfshin harmonizimin e politikës së vizave të BE-së dhe bashkëpunimin në sistemet e kthimit”.
Udhëheqësit evropianë dhe ata të Ballkanit Perëndimor, pritet të shqyrtojnë dhe mënyrat e thellimit të angazhimit politik, me një fokus të veçantë te të rinjtë, ndërsa do të vlerësojnë përparimet e bëra në disa fusha, duke nisur nga integrimi i Ballkanit Perëndimor në tregun e brendshëm të BE-së, te modernizimi i sistemeve të pagesave në përputhje me standartet e Unionit, digjitalizimi apo vënia në jetë e korridoreve të gjelbra BE-Ballkani Perëndimor, një nismë që synon të lehtësojë logjistikën ndërkufitare dhe lëvizjen e vazhdueshme të mallrave.
Gjatë takimit pritet të nënshkruhet dhe një marrëveshje e cila synon reduktimin progresiv të tarifave të roamingut për telefoninë celulare mes vendeve të BE-së dhe atyre të Ballkanit perëndimor, duke nisur që nga viti 2023.
Në Tiranë, që mbrëmë ka nisur bllokimi rrugëve rreth e qark zonës ku do të zhvillohet takimi, në atë që është përcaktuar si perimetër sigurie, ndërsa forca të shumta policie shihen në të gjitha akset kryesore, dhe ato ku pritet të kalojnë delegacionet pjesëmarrëse në takim. Gjatë ditës pritet dhe organizimi i një proteste nga ana e opozitës. Drejtuesit e saj, ish kryeministri Sali Berisha i cili ka rimarrë kontrollin e Partisë Demokratike, dhe ish presidenti Ilir Meta, në krye të Partisë së Lirisë, do të manifestojnë kundër cenimit të vlerave europiane dhe të demokracisë, nga ana e kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij. Ata kanë këmbëngulur për zhvillimin e protestës përpara godinës së kryeministrisë. Por policia ka bërë të qartë se protesta mund të zhvillohet në çdo mjedis tjetër që nuk është brenda perimetrit të sigurisë së takimit të nivelit të lartë BE-Ballkani Perëndimor.