BELI, HALA DHE SHKRONJAT. Tregim nga Adem Nimani

Bardhin,sa ishte i vogël, për lazdrim, të gjithë ethërrisnin Bel. Kur kishte mbushurnjëzetekatër vjet,panduri(korrier i komunës) ia kishte sjellë thirrjen,dhe i kishte treguar edhe me fjalë, se ku duhej të shkonte ushtar. Brenda pak ditësh kishte lënë familjen dhe nusen. Pastaj kishte veshur uniformën e një ushtrie, të cilën nuk e kishte ëndërruar kurrë. Nuk kishte bërë asnjë përpjekje për t’iu shmangur rekrutimit siç bënin shumë të rinj të tjerë. E kishin dërguar larg vendlindjes. Nuk dinte shkrim lexim, pasi nuk kishte asnjë ditë shkollë. Nuk njihte asnjë fjalë të gjuhës serbe. Shumë të liga përjetoi derisa u adaptua në rreshtimin ushtarak.
Pasi gjashtë muajsh shërbim, e kishte marr malli që t’i shkruante dy tri fjalë në letërfamiljes dhe nuses. Sa shumë dëshironte të shkruante, por si të shkruante kur nuk dinte shkronjat?!
Një ditë iu kishte lutur eprorit që t’ia shkruajdisa fjalë në letër për familjen e tij. E merr me mend dikush si mund të diktonte Beli shqip, ndërsa eprori të shkruante fjalët shqipe me alfabet cirilik?!Duli nuk ishte në gjendje të formulonte dy fjali as shqip, e lere më ato t’ia përkthente eprorit ushtarak që edhe ai të kuptonte çka do të shkruanteme alfabetin dhe gjuhën e tij. Si vajti letra në familjen e Belit dhe kush do t’ua lexonte atyre e t’ua përkthente shqip?!
Pushtet i ri, regjim i ri, gjuhë e re dhe ushtarë shqiptarë që nuk e njihnin asnjë fjalë serbisht. Për fatin e ushtarëve që po i rekrutonte pushtuesi i ri, pak kush ka shkruar diçka. Po për ata që shërbyen për plot pesëqind vjet në ushtrinë osmane, kush shkroi e çka shkroi, kjo mbeti temë për të cilën akoma dëgjohen vetëm rrëfime të ngjashme me përrallat e zakonshme?
Është zor që dikush ta paramendoj se në çfarë rrethanash e kishin marr ushtar Belin. Ai nuk ishte i vetmi shqiptar që po shërbente në ushtrinë e një pushtuesi të ri, pas ikjes së osmanëve. Kishte edhe shumë shokë shqiptarë.
Sa herë do të përsëriste ditë e natë një fjalë të vetme për të bërë pastaj veprimin e kërkuar, dukej kjo bash si puna e Sizifit. Po ku dinte Beli për Sizifin ej? Me muaj përsëriti ato pak fjalë për t’i mësuar përmendesh, paralel me hapin ushtarak. Çdo lëvizje që bënte, me ditë të tëra, nuk përputhej me komandën që dëgjohej me zë në gjuhë të huaj.
Sa herë i kishte thënë vetës,hej more Bel hej, po sa fjalë të pakuptueshme ke për të dëgjuar e për të mësuar?!
Mësonte më shumë nga çdo hap që bënin ushtarët me të cilët kalonte ditën err e terr. Shumë ditë i kaloi me shokët duke mësuar si një shurdhmemec që përpiqet të kap kuptimin e çdo lëvizjeje të dorës, këmbës, kokës apo syrit.
Gjuhën e komandës e mësoi përmendsh. Çdo ditë mësonte së paku një fjalë. Ishte kujtuar gjatë të kërkonte ndihmë nga dikush për të shkruar një letër me dy tre fjalë për familjen e tij. Kujt t’i thoshte e si t’i thoshte? Si t’i thoshte eprorit që dëshironte t’i shkruante një letër familjes? Asokohe, fare pak ushtarë me përkatësi tjetër kombëtare dinin të shkruajnë. Beli nuk mund të kërkonte ndihmë përtej njësisë së tij. Krejt tri katër fjali kishte shkruar eprori në gjuhën serbe, pastaj e kishte mbyllur letrën në zarf. Vet Beli e kishte hedhur zarfin në kutinë e postës që gjendej në oborr të kazermës.
Kur e kishte sjellë letrën postieri në shtëpinë e Belit, askush nuk dinte ta lexonte. E kishin hapur zarfin nga kërshëria, por shkronjat nuk dinte t’i lexonte askush.Kishin kërkuar në gjithë fshatin dikën që di shkronjat,por kot.
Pas shumë ditësh kishin gjetur një njeri që kishte thënë se di të lexojë ato fjalë, por pak si me tahmin. Ata që e dëgjuan ‘lexuesin” mbeten me gojë e vesh hapur, pa kuptuar asgjë çka kishte thënë djali në letër. Po atë njeri të cilin nuk e kuptuan çka lexoi, ekishin lutur që të shkruanteedhe pak fjalë për Belin. Askush nga familja nuk kuptoi çka shkroi a çka zezoi ai njeri të cilit iu përkulen aq shumë që të gjithë.
Vetëm kur ishte kthyer nga ushtria, Beli kishte kuptuar se si i kanë lexuar letrat e tij në familje, por edhe kishte treguar për veti, sesi as ainuk kishte kuptuar asgjë nga letrat që i kishin ardhur nga familja.
Mund të thoshin që Beli ka dërguar letër, dhe me aq përfundonte tregimi.
Familja, letrën e kuptonte vetëm si dëshmi që Bardhi ose Beli, si e quanin të gjithë,është gjallë diku.Aq kuptonte nga letra edhe Beli për familjen e tij.
Sa kishte qenë ushtar, Beli i kishte thënë vetit shkurt e trup, se kështu më nuk shkon.
Edhe po të jetë shkolla njëmijë kilometra larg dhe në cilëndo gjuhë, fëmijën tim kam për ta dërguar për të mësuar shkronjat.
Kishte dashur fati që ai të kthehet shëndosh e mirë në shtëpi. Sa kalonin vitet,rreziku nga lufta tjetër po shtohej. Jeta thellë në male ishte bërë krejt e pasigurt. Shumë fqinjë të Belit kishin ikur pa kthim në Turqi. Belitas i shkonte mendja të largohej. Ai, vetëm po mendonte si të shkollonte një fëmijë. Hala ishte fëmija i dytë i tij. Flitej se edhe krajli serb po hapte shkolla. As që bëhej fjalë se në cilën gjuhë do të mësojnë ata fëmijë që do të ulen në banka. Në fillim nuk dihej akoma kush do të shkonte në atë shkollë. Një ditë, të gjithë fëmijëve nga mosha shtatë deri njëzetvjeçare iu kishin ardhur thirrjet. Për mos vijim të fëmijës në shkollë, dënoheshin prindërit. Djali i madh i Belit, Duli kur kuptoi që duhet të shkonte në shkollë, u zhduk për shumë ditë. Nuk pati njeri të gjallë që do mund ta detyronte të shkonte në shkollë. I ati pagoi dënim të rëndë, por kot. Duli nuk shkoi kurrë në shkollë.
Asokohe, për mësues shqiptar as që bëhej fjalë. Në disa shkolla në fshatra, morën e pranuan mësues edhe ndonjë gjysmë hoxhe që kishte vijuarmësimin një apo dy vjet në ndonjë medrese. Edhe ata kinse mësues, e që prapë ishin pak, dinin të shkruanin e të lexonin,jo shqip, por vetëm arabisht.
Përfshirja e fëmijëve në shkollë u kuptua kryekëput si dhunë për t’i detyruar shqiptarët që të shpërngulen.
Pushtuesi i ri e dinte mirë pse po kërkonte të vijojnë mësimin edhe vajzat shqiptare. Ishte i bindur se askush prej shqiptarëve këtë nuk do ta pranonte me asnjë çmim. Kësisoj, pushtuesi po fërkonte duart në të gjitha drejtimet. Nëse nuk shkollohen, për veti e kanë, thoshin“pogllavarët ehyqymetit”. Nëse nuk shpërngulen, do të paguajnë dënime të majme sa të jenë gjallë.
Beli pasi nuk arriti dot që djalin ta dërgonte në shkollë, kishte vendosë që Hala të shkonte patjetër. Atë do ta shoqëronte vet çdo ditë që do të udhëtonte deri në shkollë. Siç kishte treguar edhe shumë herë më vonë, Beli kishte vendosur kështu qysh kur ishte ushtar. I kishte thënë vetes shumë herë se vetëm vdekja mund ta pengontepër ta shkolluar së paku një fëmijë të tij. Vajza e tij, kishte mbushur dymbëdhjetë vjet. Erdhi dita. Shkolla ishte larg dy orë këmbë, e po aq duhej ecur për t’u kthyer në shtëpi.
Shkollat po hapeshin edhe aty ku nuk ia priste mendja askujt. Vetëm po t’i thoshe dikujt se po hapet shkolla, dhe aty do të shkojnë të mësojnë shkronjat jo vetëm djemtë, por edhe vajzat, kjo dukej jo vetëm e frikshme, por e tmerrshme dhe e pabesueshme. Ishte vështirë të gjeje edhe një prind që do ta lejonte me dëshirë fëmijën e tij që të shkonte në shkollë. Megjithëse nuk kishte asnjë mjet informimi, as radio as gazetë, lajmi ishte përhapur rrufeshëm. Derisa shpërngulja e shqiptarëve për Turqi vazhdonte, as lajmi për hapjen e shkollave nuk e hoqi nga rendi i ditës largimin përfundimtar nga vendlindja. Radhët e njerëzve që kërkonin vasikat(lloj pasaporte e kohës)ishte rriturditë e më tepër. Më të dëgjuar lajmin për hapjen e shkollave, rreshtat e njerëzve që donin të iknin ishindyfishuar. Shumë njerëz që dinin diçka, iu flisnin të tjerëve për të mos u larguar nga tokat stërgjyshore, por rixhaja nuk bënte shumë punë. Përfshirja jo vetëm e djemve, por edhe e vajzave në shkollë, nga populli u kuptua si dhunë që nuk durohet më.
Beli, jo që e lejoi vajzën e tij të vijonte mësimin, por nuk e la të shkojë vetëm në shkollë për asnjë ditë. Për tre muaj, Hala e vogël, bashkë me të atin shkonte në shkollë hipur në kalë. Kur hynte në klasë i ati me kalë, e priste jashtë, derisa mbaronte mësimi. Hala, për dymbëdhjetë vjet të jetës së saj, nuk kishte ëndërruar që do të ulej në bankat e shkollës, aq më pak qëpër këtë do ta lejonte bashi ati. Nuk kishte pandehur kurrë se babai ka aq shumë dëshirë ta shkollonte të bijën edhe në aso kushtesh.
Në familje pakënaqësia dukej hapur, por Hala kishte përkrahjen e duhur. Gjithçka mbyllej me urdhër të të zotit të shtëpisë. Kishte menduar gjatë kohë Beli për këtë punë, por pse do të ndodhë përnjëmend nuk kishte pandehur seriozisht asnjëherë.
Që nga dita e parë Hala shkonte në shkollë e veshur me rroba të reja e të pastra. E ëma, çdo herë, ia mbështillte flokët me shami.
Nuk ishte hera e parë që Hala udhëtonte me kalë. I ati e kishte mësuar të bijën të kalëronte shumë më herët nëpër bjeshkë e livadhe.
Befasia më e madhe për Halën kishte qenë mësuesi. Ai nuk fliste shqip. Ishin hapur vetëm dy klasë të para me nga dhjetë nxënës. Njëra klasë me fëmijë serbë, e tjetra me shqiptarë.
Atë ditë që Hala zbriti nga kali në oborrin e shkollës, as që e kishte parë dikush nga zijoshët.
Bardhi prej kur kishte qenë ushtar i krajlit, dhe kur për dy vjet rresht, dikush tjetër, dy herë ia kishte shkruar e lexuar letrat, po mendonte se tash do të ketë kush i lexon e kush i shkruan letrat për të. Sapo fillonte mësimi, lidhte kalin përndonjë peme afër shkollës derisa mbaronte ora e fundit. Mbështillte ndonjë cigare sa për të kaluar kohën. Sa herë kthehej nga shkolla i dukej sikur po fluturonte me kalë.
Tre muaj shkoi Hala me të atin në shkollë dhe për aq kohë mësoi të shkruaj e të lexojë të gjitha shkronjat dhe të gjithë numrat. Sa ishte afruar gjysmë vjetori, numri i nxënësve ishte zvogëluar shumë, por as Beli e as Hëna nuk ishin dëshpëruar tepër sa për t’u ndalur nga mësimi. Megjithëse shpërngulja e fëmijëve shqiptarë bashkë me familje po vazhdonte, Beli vazhdonte ta shoqëronte të bijën deri në shkollë.
Kolonët po shtoheshin çdo ditë. Paralel me ardhjen e tyre shtoheshin edhe konfliktet.
Për t’u larguar nga vendlindja, Beli nuk e kishte lehtë, por nuk donte të rrezikonte më përasgjë. Nuk e paramendonte dot se as vullneti i çeliktë nuk po i mjaftonte për të jetuar tutje në rrethanat që po krijoheshin dhe kur përditë e më tepër dëgjoheshin lajme për vrasje të dyshimta.
Një ditë, Halapriti kot për të parë babin duke përgatitur kalin për të shkuar në shkollë. I ati kishte hequr dorë përfundimisht edhe nga shkolla edhe nga vendlindja.
Hala nuk e priti përfundimin e gjysmë vjetorit të parë në shkollë. Shumë net kaloi pa gjumë edhe Beli edhee bija e tij.Largimi i fëmijëve nga shkolla po ndihmonte më të madhe rritjen e së keqes.
Për aq kohë sa vijoi mësimin, Hala kishte arritur sukses të shkëlqyeshëm por që nuk priti t’ia komunikonte mësuesi. Fjala e mësuesit në këso vendimesh ishte krejt e kotë. Duhej të kalonte dhe shumë kohë për të bindur prindër të tjerë që të lejojnë fëmijët e tyre të vijojnë mësimin. Rrallë kush kishte kuptuar që një vajzë shqiptare po shkonte në shkollë. Edhe pasi mori fund mësimi tre mujor për një vajzë fshati, pak kush kishte kuptuar si shkoi e si e ndërpreu mësimin Hala e Belit.
Lajmi se një vajzë shqiptare(arnaute) po vijonte mësimin në shkollënqë paska hapur krajli serb nuk kishte mbetur pa u bërë temë diku larg në një gazetë të huaj, por që nuk arriti kurrë deri në dorën e Halës.
Ketë tregim ia rrëfente gjyshja Halës së vogël, të cilës për së gjalli ia kishte lënë emrin e vet Hanë, por që të gjithë e thërrisnin Halë. Rrëfimi duket si trill, por dëshira e Belit që një fëmijë i tij të mësoj të shkruaj ishte më e madhe se bjeshka. Ai ishte i vendosur ta dërgonte Halën në shkollë me çdo çmim. Mundësi e vetme ishte udhëtimi me kalë. Për tre muaj Hala nuk kishte munguar as tri herë nga mësimi. Për tre muaj Halës i kishin shkëlqyer sytë nga gëzimi që kishte mësuar të shkruante të gjitha shkronjat dhe numrat, ani pse në gjuhë të huaj.
Ajo nuk kishte harruar kurrë ditën e parë, kur mësuesi,secilit nxënës ia kishte ndarë nga dy fletore e nga një laps. Edhe i ati edhe Hala kishin shpresuar së paku përfundimin e gjysmë vjetorit të parë, por lufta tjetër kishte fundosur gjithçka.
Paramilitarët ishin parë shumë afër shtëpisë se Belit. Ai vendosi që familjen mos t’ia linte fatit. I kishte pëlcitur zemra, por fëmijëve nuk iu kishte thënë asgjë. Me të shoqen kishte biseduar prerë. Duhej të iknin.
Dy fletore i shfletoi Hala edhe shumë herë. Përsëriti shumë herë shkronjat e numrat që kishte mësuar në shkollë, porjo më në klasë, por në vetmi, në shtëpi. Numërimin e përsëriti ditë e natë, pa zë. I mbushi me shkronja e numra të dy fletorët, por i ati më nuk e dërgoi në shkollë. Digjej Hala pse babai më nuk fliste fare. Ditën që kishte parë të ëmën duke i palosur rrobat nëpër thasë, kishte kuptuar që po ndodhë një e keqe e madhe.
Një natë pa hënë, të katërmbëdhjetë anëtarët e familjes Hoti, kishin dal përfundimisht nga shtëpia bashkë me Lirin tetë muajsh në djep. Hala e Bardh-Bel Hotit u rritë e u martua larg-larg nga vendlindja. Vetëm atëherë kur mbesa e saj filloi të shkonte në shkollë, një ditë e pa gjyshen me lot nëpër faqe. Iu afrua më shumë se kurrë. E përqafoi me ngashërim dhe ia fshiu lotin. Atëherë gjyshja nisi rrëfimin për fëmijërinë e saj që ishte këputur herët.
Dëshmi që ka qenë në shkollë, gjyshja kishte ruajturlapsin me të cilin edhe tash mund të shkruante të gjitha shkronjat dhe numrat.
Ne nuk kemi guxuar t’i themi jo babait, për asgjë. Edhe këtu ku erdhëm, për shumë vjet, çka thoshte babai, ashtu bëhej. Unë isha shumë më e re, kur vdiq ai.Alfabeti dhe numrat që mësova me mbeten peng. Më mbeten jo vetëm kujtim, por edhe dëshmi se kam qenë në shkollë dikur, por që ato shkronja nuk i përdora kurrë për të shkruar letër.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here