Beqir SINA, New York: Sesioni shkencor përkujtimor për Dr. Athanas Gegaj

Në videon e transmetuar nga Albanian Culture TV në New York, regjistruar drejtpërdrejt në restorantin “Tesoro D’Italia” më 25 janar 2026, pasqyrohet akademia e organizuar nga Fondi Humanitar “Trieshi” për nder të Dr. Athanas Gegajt, ish-editor i gazetës “Dielli” dhe ish-sekretar i Federatës Pan-Shqiptare të Vatrës.
Salla e mbushur krijoi një atmosferë të ngrohtë plot emocione, me duartrokitje të shpeshta dhe një auditor të angazhuar. Pjesëmarrësit përfshinin veprimtarë të dalluar të diasporës shqiptare në Amerikë.
Videoja fillon me pamje të sallës, flamujve kuq e zi dhe amerikan, si dhe fotografisë së dy librave të Gegajt në foltoren, duke krijuar një ambient dinjitoz nderimi.
Kumtesat u mbajtën nga studiues, gazetarë dhe historianë të komunitetit, ndërsa u lexuan ato të Frank Shkrelit dhe Rafael Floqit (të pamundur për pjesëmarrje).
Nipat Nikollë Gegaj dhe Zef Volaj përshëndetën veprimtarinë, ndërsa Ded Camaj ndau kujtime nga takimi me Gegajn në Itali gjatë festës së flamurit kombëtar.
Kolë Cacaj udhëhoqi programin me energji, duke e shndërruar në një akademi të kujtesës sonë mbarkombëtare.
Ai theksoi: “Sot ringjallim një trashëgimi që na bën krenarë si shqiptarë. Dr. Athanas Gegaj nuk ishte vetëm historian apo gazetar, por një zë i fuqishëm i shqiptarisë në diasporë.”
Në emër të Fondit Humanitar Trieshi, kryetari i saj Gjon Gjokaj tha se kjo akademi është homazh për Gegajn, figurë ikonike e nacionalizmit shqiptar të shekullit XX.
Ai përshkroi historinë e kombit si zinxhir betejash kundër pushtuesve, duke theksuar se barbarët sllavo-greko-turkë dhe sistemi komunist shtypën zhvillimin kulturor, por liria u ruajt në malet shqiptare.
 “Gegaj, biri i Trieshit dhe Malësisë së Madhe, me erudicionin e tij filozofik u bë pishtar i historiografisë, si heroi ynë Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.”
Gjokaj shtoi se fondi organizoi këtë ngjarje për të thyer heshtjen e qëllimshme ndaj Gegajt në Mal të Zi dhe shtetet shqiptare, duke përfshirë punën shkencore si teza e doktoraturës mbi Skënderbeun në Universitetin e Louvain në Virginia (1937), që e bën atë historianin më të shquar modern. “Sistemi komunist mohoi bijtë më të mirë si Mithat Frashëri, Mustafa Kruja apo Ernest Koliqi, duke i shtyrë drejt harresës. Gegaj meriton njohje dhe kërkime të thella nga autoritetet shqiptare.”
Ai veçoi arritjet e Gegajt në biografi, historiografi, publicistikë dhe kulturë, veçanërisht studimin dokumentar mbi Skënderbeun, konsideruar gur themeli i albanologjisë mesjetare.
Rezistenca heroike e shqiptarëve nën Skënderbeun lidhet me historinë evropiane kundër pushtimit osman, tha ai duke shtuar se :“Asnjë autor shqiptar nuk ka analizuar këto ngjarje kritikisht nga prespektiva jonë; studimi i Gegajt ndriçon karrierën ushtarake të Skënderbeut në kontekst evropian.”
Programi vazhdoi me kumtesa të tjera.
Profesor Lulash Palushaj nga Detroiti nxori në pah vlerat akademike të Gegajt, si njohës i gjuhëve të huaja dhe veprimtarinë atdhetare në Amerikë e Evropë: “Si frati françeskan, ai kontribuoi në ‘Hylli i Dritës’, duke bashkuar besimin me patriotizmin.”
Gjekë Gjonlekaj paraqiti biografinë: “Gegaj lindi në familje patriotike, studioi teologji në Evropë, u lidh me Fan Nolin dhe luftoi për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Edhe në mërgim, tha: ‘Kosova është e Shqipërisë; kjo është detyra jonë e shenjtë’.”
Gazetari Virgjil Kule, u ndal te vepra frënge “Shqipëria dhe invazioni turk në shekullin XV”: “Gegaj u mbështet në burime të hershme; Fan Noli e vlerësoi si punimin më të mbaruar deri në 1949. Interesimi i tij për Skënderbeun është tipikisht shqiptar, pasi ky hero nderon popullin tonë.”
Editori i “Diellit”, Sokol Paja, foli për periudhën 1963-1971 në “Dielli” dhe “Vatrën”. Studiuesi Dr. Paulin Marku lexoi një letër personale të Gegajt: “Unë do të kryej detyrën deri në pikën e fundit… Vatra është trashëgimi madhështore.”
Zef Ujkaj analizoi broshurën me Rexhep Krasniqin: “Ishte mjet lobimi antikomunist në Asamblenë e Kombeve të Robëruara; Gegaj denonconte situatën në atdhe me forcë shkencore.”
Gazetari Zef Pergega nga Detroiti u përqendrua te origjina e Skënderbeut: “Malësorët janë esenca e palcës kombëtare. Gegaj thoshte: ‘S’ka Shqipëri pa dituri, pa shqiptarët e botës së lirë dhe pa malësorët tanë’.”
Kumtesat e lexuara të Rafael Floqit (nga Helena Lubonja Ujkaj) dhe Frank Shkrelit (nga Driton Sinishtaj) theksuan: “Figurat si Gegaj, nuk duhet të harrohen, por të kthehen në qendër të studimeve, duke denoncuar margjinalizimin komunist.”
Nga familja, Zef Volaj foli me emocion duke thënë se : “Si nip, jam krenar; që Gegaj na la shembull patriotizmi të pastër.” Nikollë Gegaj, dërgoi letër falënderimi.
Aktiviteti u mbyll me thirrjen e Cacajt: “Të vazhdojmë veprën e Gegajt, duke mbajtur gjallë patriotizmin, shkencën dhe publicistikën për brezat e rinj!” Ai sugjeroi ribotimin e dy veprave: “Albania: Assembly of Captive European Nations” (përgatitur nga Free Albania Committee) dhe “Scanderbeg’s Two-Headed Eagle Emblem” (detaj nga “Historia de vita et gestis Scanderbegi”, rreth 1508-10).
Kurse, Gjekë Gjonlekaj apeloi që Shqipëria dhe Kosova t’i bëjnë nderimet më të larta Gegajt si personalitet kombëtar në SHBA.
Fondi Humanitar “Trieshi” në New York me këtë veprimtari dha një shembull se si diaspora e mban gjallë identitetin, duke nderuar diasporën e vjetër nacionaliste, dhe figuart e shquara të diasporës shqiptare të cilëve rregjimet komuniste në ish Jugosllavi dhe Shqipëri, me qëllim i mbuluan me “pëlhurin e harresës” dhe heshtjes kombëtare.