Beqir Sina: SHBA/New York : Reagimi i Shoqatës Atlantiku ne mbrojtje te UÇK-së

Në muajin shkurt 2026, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë arritën në fazën përmbyllëse të gjykimit ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Prokuroria kërkoi dënim me nga 45 vjet burg për secilin, duke i akuzuar për krime lufte dhe kundër njerëzimit të pretenduara gjatë konfliktit 1998–1999. Kjo kërkesë, e perceptuar si e rëndë dhe me ngarkesë politike, ka nxitur indinjatë të gjerë në Kosovë dhe diasporë.
Ish-luftëtarët e Batalionit Atlantiku – pjesë e përpjekjes çlirimtare nga radhët e diasporës shqiptare në SHBA, shprehin shqetësim e tyre të thellë.
Në një dekleratë të publikuar sot nga Nju Jork, thuhet si dëshmitarë të drejtpërdrejtë të asaj lufte për liri, besojmë se mungesa e provave të qarta dhe konkrete nuk i përmbush standardet ndërkombëtare të drejtësisë.
Historia e mbi një shekulli e gjysmë represioni sistematik ndaj shqiptarëve në hapësirën e ish-Jugosllavisë me shpërngulje, diskriminim dhe krime të dokumentuara krijoi kushtet për lindjen e UÇK-së si forcë mbrojtëse, jo agresive.
Lufta e saj ishte për mbijetesë, dinjitet dhe vetëvendosje, në përputhje me normat universale.
 Reagimi i plotë vijon më poshtë, duke mbështetur drejtësinë e vërtetë mbi të vërtetën historike:
REAGIM
Ne, ish-vullnetarët e Batalionit Atlantiku, pjesë e Luftës Çlirimtare të Kosovës, shprehim shqetësimin dhe indinjatën tonë të thellë lidhur me kërkesën e Prokurorisë për dënime ndaj të akuzuarve në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Mbështesim protestën e qytetarëve më 17 shkurt, si dhe çdo veprim institucional të Kuvendit dhe organeve të tjera që synon mbrojtjen e parimeve themelore të drejtësisë, procesit të rregullt ligjor dhe kundërshtimin e çdo forme të abuzimit juridik. Në vlerësimin tonë, mungesa e provave të qarta, konkrete dhe bindëse nuk përmbush standardin e kërkuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm dhe, për rrjedhojë, kërkon një verdikt lirues për udhëheqësit e luftës dhe të paqes.
Si pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në përpjekjen për liri, e konsiderojmë të domosdoshme rikujtimin e kontekstit historik të mbi 140 viteve represion sistematik, shpërnguljesh të detyruara dhe politikash diskriminuese ndaj shqiptarëve në hapësirën e ish-Jugosllavisë. Krimet e kryera gjatë shpërbërjes së federatës janë dokumentuar nga mekanizma ndërkombëtarë dhe përgjegjësit historikë janë të njohur.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi si rezultat i dekadave të persekutimit dhe mohimit të të drejtave themelore të një populli autokton në tokën e vet. Lufta e saj ishte një luftë çlirimtare për mbijetesë, dinjitet dhe ushtrim të së drejtës për vetëvendosje parime që përputhen me normat universale të së drejtës ndërkombëtare dhe vlerat demokratike.
Gjatë gjithë procesit gjyqësor kemi ndjekur me vëmendje paraqitjen e akuzave dhe administrimin e provave. Shprehim zhgënjimin tonë të thellë për perceptimin e një qasjeje me ngarkesë politike dhe për mungesën e dëshmive të drejtpërdrejta e bindëse që do të justifikonin atribuimin e përgjegjësisë kolektive për një konflikt të natyrës çlirimtare.
Theksojmë se UÇK-ja nuk ka pasur si objektiv civilët serbë apo ndonjë popullsi tjetër. Ajo ishte një forcë rezistence kundër një aparati shtetëror represiv dhe jo një projekt për dominim apo spastrim etnik. Barazimi i një lufte çlirimtare me politika shtetërore ekspansioniste dhe diskriminuese është i padrejtë, juridikisht i pambështetur dhe historikisht i pasaktë.
Shoqata Atlantiku qëndron në mbështetje të plotë të vlerave të pastra të Luftës Çlirimtare dhe të të akuzuarve, duke kërkuar një proces të drejtë, të paanshëm dhe të bazuar ekskluzivisht mbi fakte të verifikueshme dhe standarde të mirëfillta ndërkombëtare të drejtësisë.
Ne besojmë se drejtësia e vërtetë ndërtohet mbi të vërtetën historike, mbi respektimin e parimit të prezumimit të pafajësisë dhe mbi nderimin e sakrificës së atyre që luftuan për liri.
Me respekt,
Shoqata Atlantiku