BESIM MUHADRI:Libri i Ermelinda Kashah, NJË KONTRIBUT I RËNËDSISHËM PËR PROZËN E PETRIT PALUSHIT

(Ermelinda Kashah: “Proza e Petrit Palushit”, botoi Shtëpia Botuese “Lumbardhi”,
Prizren, 2021.

Hyrje

Petrit Palushi është pa dyshim një nga shkrimtarët interesantë dhe të rëndësishëm të letërsisë bashkëkohore shqipe. Me prozën romanore të tij shumë cilësore, në shumë aspekte, ka zgjuar interesimin e studiuesve për t’u marrë me studimin e veprës së tij. Deri më të kanë shkruar një numër i konsideruar studiuesish, të cilët, për shkak të vlerave ideo-estetike të veprave të këtij shkrimtari nga Kukësi, kanë thënë fjalët më të mira. Një nga studiuesit e veçantë, që iu qas në mënyrë analitike prozës së Petrit Palushit, është edhe studiuesja nga Gjirokastra, Ermelinda Kashah, pedagoge në Universitetin “Eqrem Çabej” në Gjirokastër. Ajo në vitin 2021 botoi librin e saj monografik “Proza e Petrit Palushit, në të cilin flet në mënyrë konkret e herë-herë edhe të përgjithësuar për veprën në prozë të Petrit Palushit, duke zbuluar karakteristika dhe veçanti të prozës së këtij shkrimtari, si në aspektin tematik, ashtu edhe në atë strukturor e, madje, edhe deri te ai krahasimtar. Pra, siç shihet autorja Ermelinda Kashash, veprës së shkrimtarit kuksian iu ka qasur në aspekte të ndryshme.

Petrit Palushi – shkrimtar i një rëndësie të veçantë, i nje erudicioni unikal

Që në fillim të librit “Proza e Petrit Palushit”, Ermelinda Kashah vë në dukje strukturën e romaneve të Petrit Palushit, që, siç e thotë edhe autorja “është rezultat i një reflektimi të gjatë metodik dhe i një ndihme të drejtë për drejtë për lexuesit dhe dashamirësit e librit”. Me këtë rast, autorja, vë në pah edhe elementin publicistik të shkrimtarit, të cilin e cilëson si një element në harmoni me veprimin shkencor dhe atë analitik.
Duke folur për kuptimin konkret të veprave të shkrimtarit Palushi, Kashah është e mendimit se gjatë leximit të veprave të tij, nga fillimi deri në mbarim, nuk sheh ndonjë lloj shterimi, apo shushatje, duke bërë që shkrimtari të zërë një përqindje të lartë të letërsisë më të arrirë artistike në vitet e fundit. Studiueses i kanë pëlqyer romanet e Petrit Palushit për faktin se aty ajo sheh vetë shkrimtarin, i cili mbijeton në tërësinë e vet, por edhe si person i pavarur. Në prozën e Palushit Kashah gjen misticizëm, qetësi, atmosferë krejt të ndryshme. Herë stil të qartë e herë të zhdërvjellët. Herë të spikatur dhe herë shpotitës, etj.. Sipas studiueses Kashah, Palushi është një shkrimtar me një stil të këndshëm, me ndjesi të mprehta estetike, të shoqëruar me një erudicion unikal. Apo edhe një shkrimtar i cili prek konceptin e tij për kohën, të tashmen historike, ose të tashmen e amshueshme, ndërsa koha në veprën e tij nuk është vetëm gjykim vlerëmatës. Studiuesja Kashah, Palushin e krahason me mjeshtrin e tregimit të shkurtër shqip, Mitrush Kutelin, krijimin e realitetit fantastike.

Petrit Palushi stilist i veçantë i letërsisë shqipe dhe bartës i ndërdijes njerëzore

Cilat janë të veçantat e romaneve të Petrit Palushit, përkatësisht çka e bën të veçantë veprën e tij sipas Ermelinda Zholi-Kashah?
Në studimin “Proza e Petrit Palushit” Kashah ka marrë në shqyrim romanet e këtij shkrimtari, si: “Këpucët e Kaltrinës”, “Shtrati 13”, “Artemisa e mëkatit”, “Tri motra në një qytet”, “Njeriu që kujdesej për varrin e vet” dhe “Përroi i andrrës”. Pra të gjitha romanet e Palushit, por edhe prozën publicistike “Fredik Reshpja që s’e kuptuam kurrë”.
Ermelinda veprat e Petrit Palushit i sheh si kronika të njeriut nga njëra kohë në tjetrën, duke përbërë njëkohësisht prozën më të rëndësishme të librit në të cilin jepet mundësia e njohjes së karaktereve dhe e anëve më kritike të shoqërisë, por edhe të njeriut më anësor dhe rastësor. Te Palushi autorja zbulon nocionet letrare të tij, siç janë dekadenca, moderniteti dhe avangarda. Që të gjitha këto, sipas studiuesesh, bëjnë që Petrit Palushi të mbetet një shkrimtar i rëndësishëm dhe lëvrues i pashembullt i romanit, si parashenjë në kthesën e vetëdijes mbi artin letrar.
Në prizmin e studiueses Ermelinda Kashah Petrit Palushi na shfaqet si një stilist i veçantë i letërsisë shqipe dhe bartës i ndërdijes së njeriut. Madje ajo, në këtë kontekst, jo pa të drejtë, e krahason atë me Anton Pashkun. Sipas Kashah, “bukuria e romaneve të Petrit Palushit nuk qëndron thjesht në subjektin e tyre, por edhe në aftësinë e autorit për të zbërthyer psikologjikisht metamorfozën e trishtit, dhimbjes, vetmisë etj.
Leximi i librit të Palushit “Frederik Reshpja, që s’e kuptuam kurrë”, studiuesen e fut në një gjendje reflektimi të qetë ashtu si lexuesi, i cili në momente të caktuara, me statusin e misionarit, rinis të krijojë personalitetin e vet shpirtëror dhe kulturor në botën shqiptare. Sipas saj, në këtë vështrim shkrimtari Palushi tek Reshpja si një fenomen letrar të kohës, gërmon dhe arrin të njohë shpirtin e këtij shkrimtari.
Tek shkrimi i Palushit për Reshpjen, kjo përmendore letrare për njeriun e harruar padrejtësisht, studiuesja Ermelinda Zholi Kashah heton optikën krejt origjinale, kulturologjike, historike dhe filozofike të komunikimit me lexuesin, përmes një zhanri delikat, ku autori di të sjellë përballje me kujtimet dhe sfidat dëshmuese – historike.
Ndërkaq, te romanet e Petrit Palushit, të cilat në pjesën dërrmuese janë temë e këtij studimi, studiuesja sheh një strukturë të harmonishme, e cila i shmanget proliksitetit, duke pasur një veçanti fabulative. Sipas Kashah, romanet e Palushit janë romane të karaktereve që përqendrohen te psikologjia. Ndërkaq, me përjashtim të romanit “Tri motra në një qytet”, si veçanësi të tyre ajo sheh përqendrimin te një karakter kryesor.

Këpucët e Kaltrinës” roman i përmasave bashkëkohore

Studiuesja në vështrimin e saj për romanin “Këpucët e Kaltrinës” është e bindur se autori ka arritur të zbulojë filozofinë e jetës, të asaj jete që mishërohet nga jeta e njerëzve që në momente të veçanta zgjojnë në jetë një interes. Edhe këtu autorja sheh realizimin e karaktereve të personazheve në plotëninë e tyre, madhështia e të cilëve nuk përcaktohet nga tiparet fizike, por nga përshkrimet me tipare të thella të karakterit. Ndërsa thellimi në të renë e realitetit, kapja dhe trajtimi me ndjenjën e kohës, studiuesen e shtyn të mendojë se Petrit Palushi vërtet e meriton vëmendjen e plotë. Asaj i pëlqen stili i të shkruarit i këtij shkrimtari, për faktin se ai është një stil i veçantë, autentik, i cili nuk ngatërrohet me askënd. Sipas saj Petrit Palushi është një shkrimtar kërkues, i pasionuar dhe i rafinuar në mendim, me energji lëvizëse të botës njerëzore, i cili kërkon qëllimin e vetvetes, qelizën promotore të të gjithë veprës së tij. Autorja, duke lexuar dhe studiuar me pasion prozën e Palushit, është e bindur se shkrimtari me romanin “Këpucët e Kaltrinës” i ka dhënë komunitetit njerëzor një roman të përmasave bashkëkohore. Një roman i cili në aspektin e strukturës dhe narracionit ruan kontinuitetin e rrëfimit, që me një përkryerje funksionale është një roman realist shqiptar, por edhe si përvojë krijimi dhe si vlerë letrare.
Duke folur për krijimtarinë letrare të Petrit Palushit, përkatësisht për veçantinë e strukturës narrative të prozës së tij, autorja e librit “Proza e Petrit Palushit” veçon leksikun dhe sintaksën, të cilat përgatitin lexuesin për një skemë të llojit të prozës së kultivuar. Ajo, për shkak të veçantisë së këtij aspekti, por jo vetëm për këtë, Palushin e cilëson si një shkrimtar të rrallë, që i jep dorë narratorit, ndërkohë që romani “Shtati i 13” sipas Ermelindës është romani më dramatik në vazhdën e romaneve të tjera. Numri 13 në roman, sipas studiueses, është tregues i shtegut nëpër të cilin kalon personazhi i cili përtej këtij shtegu kërkon të dalë gjendja shpirtërore e tij.

Palushi mishërimi më i përsosur i realizmit magjik

Pamja lakuriqe e personazhit të romanit, studiueses i kujton figurën njerëzore të Zef Pllumit, ndërsa monologu i brendshëm, ligjërimi, përshkrimet ala xhojsiane etj., si trajta të një modernizimi të skajshëm që janë edhe dhembjet e personazheve, asaj i kujtojnë romanin “Oh” të Anton Pashkut. Duke u ballafaquar me një prozë të llojit të veçantë, e cila i shëmbëllen me prozën, stilet dhe tipologjitë e prozës së lëruar nga shkrimtarët e shquar botërorë e kombëtarë, autoren e studimit e shpie te formulimi i vlerësimit sipëror për Palushin si tipin e shkrimtarit shqiptar më të pëlqyer të traditës dhe bashkëkohësisë…
Romanin e Palushit “Shtrati i 13” Kashah, në aspektin metaforik, e cilëson si një roman i trajtimit ekzistencial të frikës së njeriut nga mosekzistenca, nga e panjohura dhe vdekja, kurse në aspektin struktural si një roman me një strukturë jo të ndërlikuar, me formë të shkurtër dhe me një rrëfim që kombinohet në vetën e parë dhe të tretë, apo një simetri kompozicionale. Duke pasur dhunti të rralla si prozator, me një punë krijuese të jashtëzakonshme, autorja është e mendimit se Petrit Palushi është mishërimi më i përsosur i realizmit magjik.
Romani “Artemisa e mëkatit” i Palushit, në prizmin e studiueses Ermelinda Kashah, përveç si një roman i dëshmisë së ardhjes së një prozatori të fuqishëm, shihet edhe si një roman në të cilin shfaqet zotësia e shkrimtarit në zhvillimin e dialogëve, te pasuria frazeologjike më karakteristika të veçanta, me aromën e fortë të jetës, me përmbledhjen në mënyrë sintetike të filozofisë së personazheve etj.
Romani “Tri motra në një qytet” sipas autores Kashah është romani më mbresëlënës dhe më prekës. Në këtë roman, i cili në qendër të tij ka një paradoks të madh totalitar, ku autori thellohet me mjeshtëri lartë artistike. Këtu ndërthuren gjendja shpirtërore me atë fizike. Ky paradoks i shpërfaqur në veprën e Palushit, studiueses i kujton prozën e Kadaresë. Struktura e romanit në fjalë e Petrit Palushit mbështet në komponentët kryesorë siç janë: shfrytëzimi i përvojës më të mirë të letërsisë së sotme së shkruar dhe, së fundi, në të dhënat historike të një periudhe të caktuar…
Te romani “Njeriu që kujdesej për varrin e vet”, Kashah heton shumë elemente karakteristike që po ashtu e bëjnë të veçantë prozën e Palushit. Duke filluar nga titulli, autorja arrin të gjejë elemente që e bëjnë interesant romanin në shumë plane. Ajo aty gjen shprehje tematike, magjike dhe mitike, të cilat janë elemente kyç të kësaj vepre. Po ashtu, një nga elementet është edhe prania e të folmes gege, të cilën studiuesja e cilëson si një frymë të guximshme, të re dhe të domosdoshme në trajtimin artistik të gjuhës së përpunuar. Në këtë rast ajo veçon tri tipare; Atë të funksionalizimit të modelit nga ana e autorit; Fomimin e autorit dhe parapëlqimet letrare të tij dhe së treti, Gjendjen embrionale të zhvillimit të zhanrit dramatik në letërsinë shqipe. Këto tri veçori, sipas autores, tregojnë për qëndrueshmërinë e fortë mendore të shkrimtarit, i cili kur e shkroi këtë roman, ndërtoi sagën, historinë e së cilës e shtriu në hapësirat e zhvillimit të saj, ku çdo element i dha veprës tonin madhështor.
Studiuesja Kashah merret edhe me analizën e personazheve të romaneve të Petrit Palushit, sipas së cilës shumica kanë një freski jetësore dhe prototipin e tyre të mbështetur në realitet. Studiuesja heton se shkrimtari tek personazhet e romaneve të tij paraqet tiparet më shprehëse në mënyrë që të përcaktojë karakteret e tyre. Tek tipi i personazhit rrëfyes, ajo sheh elementet e personazhit të tipit të përmbajtur, i cili flet pak për veten dhe më shumë për të tjerët etj. Te ky personazh i romaneve të Petrit Palushit, Ermelinda Kashah veçon tri karakteristika bazë: Formën e rrëfimit, aftësinë e tregimtarisë popullore dhe, së treti, ndjeshmërinë poetike.
Kur është fjala për veçoritë gjuhësore të prozës së Petrit Palushit, Kashah ka hetuar me të drejtë begatinë leksikore, që është një nga anët më të çmueshme të veprës së këtij shkrimtari.
Te Palushi autorja sheh po ashtu edhe shpërfaqjen e emocioneve individuale që ndërthuren bashkë me psikologjinë subjektive të shekullit XX, karakteristikë të cilën autorja thotë se e ka hasur tek shkrimtarët e realizmit magjik.
Duke hulumtuar elementet e krahasimit, stdiuesja Kashah romanet e Palushit i cilëson si balada për dashurinë dhe jetën në tërësinë e vet. Te proza e Palushit autorja e vëren shumë elemente të përbashkëta me shkrimtarë të tjerë, si me me Pashkun, Borgesin, Kadarenë, Xhoisin, Izabel Ajlende etj. Ndërkaq, metodat e përdorura në romanet e Palushit, Kashah i sheh si metoda të cilat rrallë mund të gjenden në ndonjë letërsi tjetër. Gjatë leximit të prozës së këtij shkrimtari studiuesja ka hasur edhe në pikëpamje dhe koncepte të cilat mund të jenë edhe si rrjedhojë e ndonjë skepticizmi të thellë etj.
Në pjesën e fundit të librit të saj “Proza e Petrit Palushit”, Ermelinda Kashah ka futur disa intervista me shkrimtarin, të bëra nga ana e saj, por edhe nga të tjerët, ku zbërthehet procesi krijues i tij. Po ashtu autorja në fund të librit ka futur shkrime dhe fragmente nga cilësimet që i janë bërë veprës së Petrit Palushit nga ana e studiuesve të letërsisë shqipe, që krahas zbërthimit të prozës, të bërë nga ana e Ermelindës, kemi në dispozicion edhe mendime të të tjerëve, që veprës së Petrit Palushit i japin një karakter shumëdimensional, ashtu siç e bën edhe më të rëndësishme dhe më të njohur veprën e këtij autori Ermelinda përmes këtij libri studimor.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here