Besnik Mustafaj: HESHTJE NUK KA PËR NJERIUN, poezi

NËN LËKURË

T’i vinte një emër asaj njomështie
në errësirën e gojës femërore
e që Jakobit (mua) kur e puthi Rakelën
i zgjoi në fyt atë ulërimën e ujkut,

që ai vetë, burri i zbutur, nuk e dinte ta kishte.
Jakobi pastaj qau, por qau nga dëshpërimi

pse gjithë kjo mrekulli e mrekullive
do të mbetej fshehtë dhe vetëm për fajin e tij
që nuk e kishte ende fjalën për ta
shprehur.

HESHTJE NUK KA PËR NJERIUN

Kaq e madhe kjo botë!
Gjallesat e saj të panumërta
Edhe vetëm me frymëmarrje
Një dridhje të pakëputur i japin ajrit të saj

ditë e natë
Njeriu që kam pranë më dëgjon
E për çka flas veç tund e tund kokën.
Unë ndalem një çast, e zë për supesh, e shkund:

– Sikur tërë njerëzit pohimin ta bënin
me një lëvizje të kokës,
Kjo botë me gjithë gjallesat e saj të panumërta,

Do të mbetej shkretë
Në atë dridhjen ajrore epileptike.
Kjo botë zërin s’e ka te peshqit, te lepujt.
Fol, që ta kuptoj se ke sy e ke veshë,
Fol, jo si papagalli i Robinson Kruzosë;
Dhimbja do zërin tonë prej njeriu për pohimin e vet.

Kaq e madhe kjo botë!
Dhe sa lehtë ne mund ta kthejmë në kufomë kohën e saj
Sikur, edhe sot si dje, të shkojmë rrugës duke përtypur

Vetëm monologë.

1987

SHTËPIA PA DONËN

Ç’i bëre ditës kur ike?
Ç’i the orës në vesh
që sekondat i vërtit kaq ngadalë?
Kthehu, sa më shpejt kthehu!
E paskam tepër të shkurtër hapin,
Pa u mbështetur te supi yt,
Diellin të ndjek pas nga mëngjesi në mbrëmje;
Kthehu, sa më shpejt kthehu!
I paskam tepër të shkurtra ëndrrat,
Hënës miqësore t’i bëjnë shoqëri
Nga mbrëmja e deri sa Dielli lind.
Kthehu, sa më shpejt kthehu, e dashur!
Kam plot punë për të bërë,
Mos më ler kështu të merrem me matjen e kohës!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here