Blerta DERHEMI : Zemër-mbjellë udhëve të botës, poezi

Tufëza poetike nga Blerta DERHEMI

Autorja e 7 pjesëve poetike që botohen më poshtë Blerta Derhemi është diplomate karriere. Ajo ka 18 vjet që shërben si diplomate karriere, nga të cilat 11 vjet në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, 5 vjet në Misionin pranë Bashkimit Europian në Bruksel dhe prej një viti është Ministre Këshilltare në Ambasadën tonë në Pragë. E diplomuar nga Universiteti i Tiranës për shkencat politiko- sociale, dy vjet më parë fitoi titullin “Doktore Shkencash“ në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Ajo ka lindur në Fier, me prindërit arsimtarë të respektuar; Blerta është bashkëshorte dhe nënë e përkushtuar e një vajze dhe e një djali. Por, duket se ajo ka lindur bashkë me poezinë, të cilën nuk nuk e ka ndarë asnjëherë nga jeta dhe vetja, në çdo situatë, sado e ngarkuar dhe e vështirë të ketë qenë. Përvoja e pasur e jetës në të gjitha dimensionet e lartpërmendura ka ndikuar dhe le gjurmët e veta dhe në poezitë e saj; ato shquhen për aromën origjinale, katalogun e larmishëm, vërtetësinë, freskinë, thjeshtësinë, frymën, emocionet dhe mbresat e bukura që na dhurojnë.

STACION

Sot,
rutinë,
stacioni i përdishtëm…

Rëndon në sup çanta prej zonjëze,

brenda ngjeshur ëndrrat,
planet,
pasionet,
dashuritë…
mjaftueshëm për vite pa limit!
Tramvaji ëndrrave të marra mbërrin…
Drejtim i çuditshëm “Askund-Gjithkund-Kurrkund”
Djall! Dilemat nuk m’u ndanë për dreq,
Ç’të marr me vete në arkë-mort?
Ata që më deshën e si desha dot?
Apo… ata që desha aq shumë por se kuptuan kurrë?
Të marr sukseset e vogla ?
Sa shkëndija shprese ndezën!
Ç’më ngatërrohen nëpër këmbë,
dështimet që më bënë edhe më të fortë…
Të marr puthjet e padhëna,
Apo, lotët mbrujtur e tretur pa dëshmimtarë?
Sa mirë paskësh qenë në kohë të lashta…
Lëkundur ndër ujëra me të ngratin Karont,
Pak kohë më shumë …të ndaj ç’të marr me vete atëbotë !
Tramvaji i ëndërrave të marra vjen e shkon kaq shpejt,
Timonierja vdekje përqesh me kokën pas…
Zbraz çantën njeri, ec, ec, ec mbush shpirtin,
ler gjurmë të bardhë,
iki e vij prapë,
stacionit tim askush nuk i shpëton dot…
5.2.2018

JAM GRUA

Jam dashuria stolisur mbi kuaj të bardhë,
sythat e shpresës përkund
në djepin e ëndrrës ,
Jam luftëtare e heshtur,
dhimbjes i jap zë,
me foshnjën e njomë mëkuar në gji,
Botës i jap dritë me syrin e pagjumë,
Jam frymëmarrje e dehur netëve pa hënë,
zinxhirët e heshtjes kërkëllijnë
me dhimbjen e shekujt mbi shpinë,
Jam frymëmarrje e ngashëryer,
penelat vjeshtakë mi përskuqin mendimet,
Jam frymë e gjallë, zvarritur ndër dimra,
me zjarrin e jetës mbrujtur në gjak,
Jam fundi dhe fillimi,
Jam ikja dhe ardhja,
Jam rebelimi dhe durimi,
Jam mallkimi dhe bekimi,
Jam lufta dhe paqja,
Jam vdekja dhe jeta,
E, ç’gjëkënd tjetër të dua të jem!
Jam asgjëja dhe gjithçkaja!
Jam grua…
5.9.2018

E HUAJ

Dhe i huaj,
Ku të të mih pak?
Ku t’a mbjell zemrën,
thërmuar në farëza të mpita?
Zemër-mbjellë udhëve të botës,
shpojnë si heshta,
filiza të mbrapshtë mendimi!
A bulëzojnë sythe zemrat fjetur,
dimrave të një toke të huaj?

8.05.2023

MESAZH

Një mjelmë e arratisur klith,
një mesazh mbërrin,
nga ana tjetër e globit!
Është maj,
maji i luleve,
Duart tona nuk mbledhin më trëndafilë,
shkruajnë mesazhe malli,
dashurie,
vetmie.
Shtëpitë e fëmijërisë,
si shtëpi kukullash heshtin,
braktisur nga ne fëmijët e rritur.
Ka vite, ikën dhe gjyshet që u çelnin dritaret.
Ne ëndërrimtaret e mëdha,
luajmë kukafshehtas skajeve të botës.
Në kërkim të ëndrrave,
përplasemi me të vërtetat e jetës.

Mesazhet tona frymojnë,
Fjalët pikojnë, aromë lule kumbullash,
Janë pranverërat,
pritur e përcjellë bashkë,
Vltava hesht,
një tufë mjelmash lëbyrin sytë,
dritës së mëngjesit.

Ngrah duart, shkruaj mesazhin e radhës,
ti pret të më ndjesh në anën tjetër të botës,
Mikja ime e fëmijërisë.

24.05.2023

NËNA ËSHTË KRYQI

Nëna është kryqi,
Mbi kraharorin e saj shuhen dhimbjet,
rilinden shpresat,
Thinjat kurorë,
thurin mundimet e viteve,
sytë qeshin Sizif i palodhur,
Nëna, udhënisja, e vërteta, jeta.
Është kaltërsi nëna,
kryq përqafimi qiell-det
Nëna horizont,
kryqi ku shuhet mbrëmjeve dielli,
ku rilind i purpurt mengjeseve.
Nëna, kryqi i ditë-netëve,
kryqi i stinëve të moshës,
kryqi i ëndrrës e zhgjëndrrës
Peshë e ëmbël,
emërues i përbashkët,
kryqi nënë.

21.08.2023

GJUHA E LUTJEVE

Kumbon në tempullin bosh të kraharorit, këmbana!
Unë, mendje, trup, shpirt e zemër,
falem, lutem katedraleve të botës.
Zot, a mi kupton lutjet?
Drithërojnë vështrimin ikonat,
Lutjet e mia njohin vetëm një gjuhë,
gjuhën e shenjtë, të tokës sime!
22.08.2023

KUNGIMI

Ajo, kungon mendimin,
kreshmuar nga kujtimet.
Rrufit verë,
Shtrydh, parfum fletë borziloku,
Si temjani djajtë, largon mendimet shterpë,
Degë kumbullash të thata,
zgjojnë ëndrra rinie,
Përtypen kujtimet murgj,
Të mpirë në manastirin zemër,
nuk mbarsën kurrë dëshirime.
Ajo,
fle me shandanin e shpresës ndezur,
Si feniks pret të rilindë në një vorbull vere.
Sa pasione zgjohen, tundohen,
flenë,
shuhen me etjen e trendafiltë!
Ajo magjinë e çastit,
kungon në një pikëz vere,
vesuar mbi petale borziloku.

27.08.2023