Nga Bujana Malaj
Të dashur lexues! Të dashur mësues, pedagogë, stafi drejtues i bordit të atëhershëm i atyre viteve ndonëse edhe të vështira për vetë kushtet dhe koha diktaturës që ishte. Të dashur bashkëstudentë të mi që kemi qenë atëherë në këtë shkollë gjatë viteve 1974-1978. Që i bie brezi i dytë e nxënësve të kësaj shkolle, qysh nga themelimi nw shtator 1970.
Për kohën që ishte ka qenë një shkollë me shumë rregull dhe disiplinë, ku aty qëndruam për jo pak kohë, por katër vite dhe u rritëm bashkë ose më mirë të themi rritëm njëri- tjetrin, sepse mësonim së bashku gjithashtu dhe mësonim gjithçka për njëri-tjetrin aq sa na lejohej në atë kohë të flisnim, sepse fjala nuk ka qenë e lirë ashtu siç ishim dhe neve të izoluar, pra bashkë me ne dhe brenda nesh izolohej dhe fjala. Në radhë të parë përpara se të filloj të flas pak për kujtimet ose përshtypjet e asaj kohe në atë shkollë dua të shpreh ngushëllimet për ata mësues, drejtues arsimi dhe kulture që kanë qenë pjesë e jona dhe e kësaj shkolle për vite e vite me radhë që janë ndarë nga jeta, por kujtimet e tyre jetojnë dhe mbrapa e pikërisht edhe tani që po shkruaj janë këtu midis nesh.
Në radhë të dytë shpreh përsëri ngushëllime të sinqerta për shokët dhe shoqet tona të maturës apo jo qoftë edhe të maturave të tjera për ndarjen e parakohëshme të tyre nga jeta dhe fati i tyre i keq që patën jetën e shkurtër dhe nuk gëzuan gjënë me shtrenjtë JETËN E TYRE.
Tani meqë na u dha mundësia për t’u shprehur sado pak mbi kujtimet tona të asaj kohe që kemi kaluar katër vitet më të bukura të rinisë sonë, nëpërmes territ apo dritës të asaj kohe me lejoni të falenderoj prof. dr. Mujë Buçpapaj që na dha këtë mundësi për t’u kthyer 46 vite mbrapa që në fillimin e vitit të parë të asaj shkollë dhe të shpalosim sado pak kujtimet, mësimet, të flasim për kohën e cila me kalimin e saj pothuajse ka ndryshuar krejtësisht!
Sa dëshirë paskam dhe sa nostalgji vërtet të kthehem mbrapa në atë kohë, jo se nuk e kujtoj shpesh e shpesh, por të kujtosh dhe të shkruash është komplet ndryshe! Unë e quajtura Nazmie Malaj e atyre viteve dhe sot (Bujana) mbasi nuk m’u dha asnjë e drejtë studimore tjetër edhe pse këmbëngulja ime ishte deri në amshim për të vazhduar studimet e mesme pastaj edhe “të lartën” që nuk u realizua kurrë, mora vendimin e prerë që jeta ime nuk ka vazhdimësi nëse unë nuk vazhdoj çfarëdo lloj shkolle e mesme qoftë mbasi nuk kisha mundësi zgjedhje për arsye politike të familjes sime prindërore! Aspak dëshirë nuk kisha për të filluar atë profil shkolle sepse nuk më përkiste fare në ndërgjegjen dhe profilin tim si profesion ‘Agronomi e përgjithshme’, megjithatë me një forcë të jashtëzakonshme, me një këmbëngulje të madhe timen në kundërshtim jo vetëm me sistemin socialist të asaj kohe kisha dhe me prindërit ose më mirë të themi me vëllezërit sepse nuk donin të studioja çdo lloj dege meqë nuk i përkisja atij profili. Por ashtu siç thotë populli më mirë pak se hiç, ose më mirë me pak gjë se sa pa kurrgjë fare. U futa në konflikt të madh me familjen edhe pse isha vetëm 15-16 vjeçe një vajzë me shumë ëndrra të parealizuara kurrë pasojë e asaj kohe që ishte.
Kështu që unë arrita gati edhe në vetëgjyqësi ose vetëflijim që është hera e parë që unë e shpreh publikisht përveç se ca personave të ngushtë, por meqë kanë kaluar shume vite dhe koha mbyllën në një farë mënyre plagët e saj, meqë m’u dha mundësia edhe këtë histori do ta ndaj me juve, me ju që mund të më kuptoni shumë drejt edhe pse disa nga ju nuk e keni arritur atë kohë, por ishte koha dhe mosha jonë e shkollimit që nëpërmes saj fillonte ose mbaronte jeta, lulëzonte ose shkatërrohej jeta, jo vetëm jeta personale por edhe jeta martesore atje ku dëshironim të ndërtojmë familje. Pra nuk ishte thjesht vetëm shkollimi, por nëpërmes shkollimit do të ndërtohej jeta ime e jote apo e gjithkujt ashtu siç është edhe sot dhe do të jetë gjithë jetën e njerëzimit. Shkollimi është shkalla ku të lartëson jetën kudo dhe në çfarëdo lloj kohe sado ndryshim të ketë jeta. Atëherë për t’u futur në temën kryesore të asaj kohe që unë po flas me ju të dashur lexues, sa mbarova shkollën 8-vjeçare të asaj kohe ne Bujan, një nxënëse shumë e mirë për mos të them e shkëlqyer, sepse kurrë nuk jam vlerësuar me meritën që kisha por me opinioni politik të kohës, kurrë nuk kam patur vlerësimin e një nxënëseje apo studenteje që kam pasur merituar por nota ime më e lartë ka qenë 8 dhe rrallëherë 9 me lotët që nxirrja nga poshtërimi që më bëhej apo diskriminimi, këtë duhet ta besoni që ka qenë shumë e vërtetë. Isha një vajzë inatçie edhe me veten time lëre më me të tjerë, por për ironinë e fatit me ishin mohuar të drejtat e fatit dhe ato që meritoja. Kështu që unë në “luftën” time të brendshme që kërkoja një të drejtë elementare, normale që të shkollohesha thjesht vendosa dy opsione vetes time. I thashë nënës sime të ndjerë e cila qante bashkë me mua ku isha edhe vajza me e llastuar nga të gjithë, meqë isha motra e madhe dhe mbas katër vëllezërish që të flasë me babën tim të nderuar dhe ai tashmë i ndjerë që unë do të iki në shkollë të paktën në Tropojë mbasi kisha biseduar me një të afërmen tonë, vajzën e hallës që kisha në Tropojë të vjetër që unë nëse nuk vazhdoj shkollë, qoftë edhe këtu te ju unë do të vetëvritem dhe të rrojnë të tjerët. Ajo e nderuara me gjithë ato halle që kishte me tha: “po, patjetër që të vish në shtëpinë time dhe të mbaj unë ashtu siç jemi dhe vetë”. Unë i thashë nuk kërkoj luks kërkoj vetëm shkollë. Unë do të përgjigjem sa të kem mundësi i thashë dhe punët e shtëpisë do t’i bëj unë sa të mundem, sepse ajo punonte në furrë të bukës dhe kishte gjashtë fëmijë që i kishte rritur jetimë, por ishin të mëdhenj. Kishim rënë në ujdi bashkë, sepse kërkova që të shkoj me bursë të plotë apo gjysëm pak rëndësi kishte, por nuk ma pranuan kërkesën time. Ime amë i thotë babës mbasi i kisha thënë unë, por nuk e aprovoi mbasi kisha humbur një vit në gjimnaz herë shko e herë mos shko se edhe atje ishte me të dërguar nga këshilli i asaj kohe. Kështu që unë zgjodha pastaj mbas shumë kërkesash të parealizuara, veprimi i parë ishte që kisha menduar të hipja nga një pemë e madhe që kishim në oborr të shtëpise (man) të hidhesha dhe thosha se ishalla nuk vdes ose nuk ngelem sakat që të detyrohen pastaj të më dërgojnë në shkollë dhe nëse përsëri nuk më dërgonin të hidhesha nga ballkoni i katit të tretë, ose të mbytesha në lumë të Valbonës! Korentin e kisha menduar që ishte edhe më i lehtë, por kisha mësuar që në rast se bie dikush në korent dhe shkojnë të tjerët e prekin mbyten dhe ata, kështu që mendova për Nanën herën e parë pastaj dhe për të tjerët dhe kurrë nuk e mendova dy herë. Dhe kështu veprova, një aksham me krisi mendja dhe hipa në pemën e manit të madh dhe u hodha nga lartësia, por fati me mbajnë degët dhe rashë përsëri duke thyer dorën e majtë dhe kur kam ra në tokë, toka shumë e fortë më kishte rënë të fikët a pa ndjenja nuk e di as vetë. Pastaj njoftohen të gjithë dhe pyetën pse e bane një gjest të tillë mbasi iu kisha treguar që do të bëj gjithçka për të shkuar ne shkollë dhe të Familjes më thanë nuk janë fajet tona që ti je pa shkollë, po është sistemi që nuk të jep të drejtë, pastaj mbas gjithë kësaj situate që u krijua unë mbajta të fshehtë gjithçka, sepse vendosën për të më dërguar atje te mbesa ku vazhdova katër vjet në atë shkollë, ku kam patur shumë rezultate të mira edhe vështirësi të mëdha përsëri, sepse nuk trajtoheshim si të tjerët, nuk isha unë e vetme por kishte shumë si unë dhe vlerësimin kurrë nuk e kishim të njëjtë me studentë të tjerë. Pra Unë jam studentja e vitit 1974-1978 , pas matures ne vitin 1979 e kemi bërë si tip stazhi në fshatin Tpla të Tropojës.
Duke ju rikthyer kohes se shkolles mund te them se vitin e parë e kisha pak të vështirë si gjithë studentët dhe akoma isha e frikësuar për veprimin që kisha kryer ndaj vetes, pastaj kam patur vitet e tjera në vazhdim shumë të mira, sepse ishte mosha jonë më e bukur. Mësuesit ishin korrektë dhe të disiplinuar. Kisha një shoqëri shumë të mirë që e krijuam dhe për një kohë të gjatë kishim dhe korrespodenca, por mbas mbarimit të maturës jeta na shpërndau anë e anë. Disa shkuan dhe në shkolla të larta ku ishte ëndrra ime që nuk u realizua kurrë, por meqë arrita të shkoj dhe në të mesmen përsëri në një farë mënyre isha e kënaqur dhe gjithë jetën kam menduar dhe gjykuar veten se si sakrifikova ose bëra gjithë atë aventurë për t’u shkolluar për të arritur diçka në jetë edhe pse ishte ajo jetë e asaj kohe, sepse atëherë nuk mendonim kurrë që do të vinte kjo kohë se nuk guxonim as ta çonim nëpër mendjen tonë nga frika e sistemit. Kam shumë kujtime, sepse kalova pak si në rebelizëm për arsye se e dija që nuk do të shkoj me lart se kaq dhe shpesh herë kur nuk më jepnin notën e mirë ashtu siç përgjigjesha në mësim, hapja derën e klasës dhe dilja duke qarë jashtë. Pastaj kthehesha në orën tjetër të mësimit e dëshpëruar. Mbaj mend disa herë më thërriste drejtori i shkollës në atë kohë ishte i ndjeri dhe i nderuari Haki Zllami ku më qortonte, vishesha pak si arrogante me ato pak që kishim me kaubojsa, lidhja flokët dhe lëshoja pak zylyfe të kapura me kapsa që i bëja kryq dhe më nxirrnin në fletë-rrufe në këndin e shkollës në të hyrë të shkallëve të para! Më kujtohet në njërin cep të këndit kisha emrin si studente e dalluar në mësime, në tjetrin kisha për modë të huaj që ne nuk dinim çfarë është moda e huaj, por ashtu na quanin për favorite gjasme dhe për kaubojsa, që ndoshta i kisha dhe me harna nga brenda dhe më thonin janë kaubojsa. Në fakt ashtu ishin, sepse ashtu ishte prerja e tjerë e tjerë! Më kujtohet kemi qenë në vitin e tretë mos u gabofsha dhe kishte dalë nga burgu apo e futnin atëherë në burg nuk e di mirë, sepse vitet kanë bërë të vetën dhe na morën një grup jo më shumë se dhjetë veta për të na çuar të shtëpia e të madhit Rexhep Belit për t’i prerë mjekrën në atë kasollen e tij të vjetër. Unë kisha dëgjuar Nanën time që fliste për të në atë kohë, sepse vinte i madhi Dervish Luzha te shtëpia jonë në Bujan tinëz dhe nana e ushqente dhe e mbante fshehtë, sepse e luftonte regjimi edhe atë por ne ishim se ishim të prekur nga politika, siç quheshim atëherë dhe e pranonim dhe e donim shumë dhe përmendte dhe Rexhep Belin e na thoshte është njeri shumë i mirë i Zotit dhe të dy na thoshte jemi të Zotit po ju mos na përmendi asnjëherë se ju dënojnë, por ne nuk i bajmë kurrkujt keq por me na nguc bajmë gjithçka. Edhe unë sa m’u kujtuan këto fjalë unë i thashë drejtorit unë nuk vij atje më kapi për krahu dhe më shtyni! Ti, më tha, do të shkosh ku të themi ne se kështu thotë partia. Kurrë nuk e harroj, unë zuna me qajtë dhe ashtu shkova kisha me veti ca gështenja të ziera në çantë dhe kur shkuam përpara kasolles ku jetonte i vetmuar, dikush i ra shkelm derës dhe ai u tremb. Më tha mua drejtori, futu ti e para ngaqë isha me biografi të keqe, ma shumë për të më provokuar se ne ishim ata të frontit të parë për të këqija, ndërsa komunistët ishin në frontin e parë për të mirat. Dhe unë me një urrejtje të madhe në shpirt, por ata që më detyruan të hyj e para dhe një keqardhje të jashtëzakonshme për atë njeri të shenjtë u futa brenda kisha dhe një frikë të them të vërtetën, sepse kisha dëgjuar për veprat e tij, por nuk isha përballur kurrë unë isha vetëm një vajzë 17-18 vjeçare dhe më dhanë gërshërët në dorë për t’i prerë mjekrën. Më kujtohet si sot m’u dridhen duart dhe më ranë gërshëra në tokë në atë vend ku nuk e harroj kurrë kur koka e tij u ngrit përpjetë dhe kapaku i kokës i luajti vendi duke shtrënguar dhëmbët dhe me mos? Jo shumë të madhe dhe unë me vete a në shpirtin tim për brenda dhe thashë “Jo, nuk do e baj!” E kundërshtova veprimin dhe nxora nga çanta ca gështenja dhe ia hodha në prehër dhe mbaj mend shumë mirë sot më tha: “Faleminers! Zoti kurrë mos të lëshoftë prej dore tina!”, pastaj unë dola duke më bërtiti drejtori dhe me thirri në drejtori bashkë me nëndrejtoreshën e asaj kohe që ma vonë u martua me një mësues, në mos u gabofsha. Morën masën për mua dy javë përjashtim nga shkolla dhe dy nota të thyera në sjellje me sa më kujtohet. Kështu që unë kam shumë kujtime edhe të mira me shokë e shoqe! Nëpër ekskursione kur shkonim, nëpër grupe artistike që këndoja solo nëpër vijën kufitare në klon nëpër festat e kufirit ku bile atje këndoja përherë këngën: ‘Moj parti ty ta lumsha synin, s’guxon kush ty me t’prek kufinin o hej, kush guxon o me prek në tela, prek shqiponjën o me dy krejna o hej e tjerë e tjerë’, se mua me gjenin këto më shumë çfarë ishte politike me binin mua edhe aty mbi shpatulla, sepse unë i përkisja luftës së klasave në atë kohë. Kam shumë gjëra për të thënë, por nuk thuhen të gjitha në tre – katër faqe libri. Kemi patur dhe mësues shumë të mirë dhe shumë të aftë por edhe studentë shumë të zgjuar. Ishim një shoqëri pa komlekse. Si djem dhe vajza mosha jonë ishte adoleshente dhe shpesh herë ndesheshim edhe me ndjenjat tona adoleshente, por të frenuar ose shumë të fshehta. Por në mesin tonë kishim dhe vajza të fejuara që në djep dhe shpesh herë shprehnim edhe keqardhje apo provokime ndaj tyre. Në mes kujtimeve më të hidhura që nuk e harroj kurrë kam patur dhe largimin e detyruar nga shkolla në vitin e tretë të shoqes sime Farie Demaj e cila u largua në internim me gjithë familjen e saj vetë e katërta motër vetëm me Nanën e saj një heroinë që i rriti vajzat e vetme në internim mbasi i burgosën të atin e saj Mal Shabanin nëse nuk gabohem. Për mua ishte një goditje e madhe, sepse po në atë periudhë më kishin arrestuar babanë tim të ndjerë dhe gjendej në hetuesi të hekurt e asaj kohë të mallkuar, ku e ndjeva tamam negativisht arrestimin e tij, por jo për politikë por për ndërtimin e pallatit tonë të asaj kohe e quajtur dhe e urdhëruar nga kryetari i këshillit të ministrave të asaj kohe Mehmet Shehu i cili urdhëroi që ajo shtëpi ose pallat i quajtur të kthehet në spital ose shkollë e zonës dhe e kooperativës së Bujanit dhe të hetohet edhe gozhda më e vogël e tij ku është marrë dhe si është marrë. Të dënohet në maksimum dhe t’i shpronësohet çdo lloj prone që ka ekuivalent i tij. Ky është kujtimi më i egër që kam përjetuar gjatë vitit të tretë të shkollës së mesme Agronomi e Përgjithshme “16 Tetori’ Tropojë. Shoqëria dhe miqësia për mendimin tim është më e mira dhe konsekuente në shkollën e mesme, çfarëdo profili që të këtë. Vlen për të përmendur dhe një ndër kujtimet e bukura që kam patur fejesën time po në vitin e tretë, të ngutshëm, por ndoshta të domosdoshëm për mua për të marrë një djalë me biografi të mirë për shkak të luftës së klasave dhe mbi të gjitha jo djalë Tropojë, por Dibre duke bërë një marrëveshje për të krijuar një Familje të shëndetshme për të ardhmen e fëmijëve tanë e sidomos për të drejtën e shkollimit te tyre i cili sakrifikoi punën dhe detyrën e tij për t’u lidhur me mua nga skaji në skaj. Kompromisi ynë ishte ai të lidhej me mua për hijeshinë time dhe unë të lidhesha me të për biografinë dhe pozicionin që kishte, pra ky ishte kushti i martesës sime e izoluar nga parimet idealiste të kohës, meqë unë e kisha të sigurtë që nuk do vazhdoja studimet më lart dhe aty do të ndryshonte rrënjësisht drejtimi i jetës sime në mënyrë të padëshiruar, por e detyruar nga kushtet që i kisha të krijuara moniste. Dhe gjej rastin përsëri të falenderoj bashkëshortin tim që u bë pjesë e Familjes sime në ato kushte të asaj kohe pa iu dridhur qerpiku dhe ndërtuam një familje që nga viti 1980-të sapo mbarova shkollën e mesme dhe një vit të quajtur stazh atëherë në atë kohë dhe mua disi m’u plotësua dëshira në një farë mënyrë që preka shijen e shkollës së mesme duke sakrifikuar jetën time ndoshta dhe deri në flijim. Kjo histori e pathënë deri sot që po e ndaj me ju ne kete liber kushtuar po kësaj shkolle të nderuar që ka nxjerrë koka intelegjente, kuadro e artistë të fushave të ndryshme sa edhe tituj doktorature të dalë nga kjo shkollë ashtu si p.sh. siç është edhe prof. dr. Mujo Buçpapaj të cilin e falenderoj nga zemra që u bë nismëtari i kësaj veprimtarie të madhe besoj që kjo histori e vërtetë një luftë për jetë a vdekje vetëm për të fituar të drejtën e shkollimit të jetë edhe një mesazh për të gjithë ata që do dhe duhet të jenë luftëtarë të denjë për veten e tyre për t’u shkolluar me mundësi dhe pa mundësi dhe të jenë të ndërgjegjshëm që vetëm me dije dhe shkollë jeta bëhet më e mirë dhe më kuptimplote. Nuk e di ndoshta kam dale pak jashtë formatit që ka caktuar presidenti i kësaj nisme por kujtimet janë të lidhura me historitë e tyre përkatëse dhe aq sa vlen për mua ky kujtim që ka brenda tij këto histori aq duhet të kenë vlerë edhe për ju të dashur lexues dhe bashkëstudentë të mi të kësaj shkollë ku hapat e parë në drejtimin e jetës i morëm po nga këto banka që po i prekim përsëri mbas 43-44 vitesh me një jetë dhe optimizëm komplet ndryshe se atëherë ashtu siç ka ndryshuar dhe mosha jonë e cila u rrit në vështirësitë dhe lumturitë e vetë jetës të skalitura a po jo në rrugët e saj më të priturat dhe papriturat e saj. Duke përfunduar që kurrë nuk ka mbarim jeta e askujt, sepse historitë e secilit ngelin mbrapa po e mbyll duke ju falenderuar të gjithëve, duke ju uruar një jetë sa më të gjatë në vazhdim të gjithë shoqërisë sonë të kësaj shkolle dhe duke u lutur për paqen e atyre që ikën në moshë të re që dolën nga bankat përsëri të kësaj shkolle dhe në veçanti ata që u bënë nismëtarë për botimin e këtij libri me kujtimet tona dhe uroj që të mblidhemi përsëri me sa më pak mungesa njerëzore të kësaj shoqërie shkollore! Me respekt dhe mirënjohje të thellë Nazmie Malaj e viteve shkollore 1975-79 dhe Bujana Malaj e lindur dhe e rritur në fshatin më të bukur të Bujanit të Tropojës dhe Bujana Malaj e ditës së sotme emigrante dhe banuese në Londër prej 23 vitesh duke mbyllur ditët apo vitet e jetës nëpërmes poezisë dhe artit më të pëlqyer që kam patur dhe e realizova duke më dhanë lumturinë e mohuar të viteve fëminore, rinore, shkollore dhe deri vonë dhe familjare!