Nurie Baduni : ENDEM MES DY KOHËVE

NGJYRA PERËNDIMESH

Nuk desha ti prek limitet,
As krahët e tyre boshe
E vetmitare.
As fundet e grinjta,
Nuk j’ua njoh.

Një pulëbardhë,
Vrapoi e lumturuar drejt hënës,
Udhët e mia u dritësuan,
U ktheva në mes,
E gjeta vetveten.

Pulëbardhat misionare,
Këmbenin mesazhet,
Gjithshka ndryshoi,
U vesh me ngjyrat e zhbërjes.
Drita u zbërthye…

Brigjeve ujore,
Sillen trishtimet e mia,
Të kahershme, të përhershme,
Me ngjyra perëndimesh,
Të dukshme e të padukshme,
Që fshihen brigjeve,
Brigjeve të mia,
Brenda meje…

09.11.2023

QYTETIT TË GURTË

Tok me këmbët,
Zbresin kujtimet,
Rrugicave të kalldrëmta.

Gëlojnë zhurmshëm,
E shkruhen aty si imazhe të heshtura.

Gjuha mes ngjyrash pëshpërin,
E unë brenda tyre frymoj,
Me ritme të ngjeshura…

Prej kohësh vi këtu,
Në këtë gëlim kujtimesh,
Edhe pse dergjur të pazëshme,
Zbrazin e veshin kapërcime të parreshtura.

Imazhet studentore fëshfërijnë,
Valëviten flokët nëpër erë,
Stinëve të blerta.

Jetoj mes tyre,
Me mallin e ëndrrat ngarkuar,
Për kohët e arta pa ar e shkëlqim,
Me rregulla e ligje të pashkruara.

08.06.2023

DHE MALLI QAN

Sot jam me ju…
Frymëmarrja ndihet kudo.
Tiktaku i zemrave,
Gremis e thyen akrepat,
Honeve të mia.

Mbi qytet dëgjohen pëshpërima,
Fishkëllimë e mbytur ere,
Vetëtima të zbehta thyejnë retë,
Si klithma juaj e fundit…

Horizonteve të zbrazura,
Ndihet dhimbja.

Sot jam me ju,
Retë lundrojnë hapësirës,
Copëzat e pambukta,
Mbi mua bien,
Si yje të bardhë…

Brenda heshtjes spartane,
Çudibërëse,
Mimika lumturisht bleron.

Kurorat bien radhë radhë,
Në qytetin festiv.

Mbërrin përshëndetja,
Ngarkuar me mall,
Se sot jam me ju.

I prek,
I puth,
I narr në krahë,
I mbaj erë…
Në krahët e mi jeni ju,
Dhe malli qan…
Dhe dashuria qesh…
Dhe unë blerimin vesh…

25.08.2023

MES DY KOHËVE ENDEM

Po vi aty ku, liria më kufizohet…
Aty ku portreti flet mes imazhit,
E më shpon kraharorin shigjetë e heshtur,
Shikimi yt i ngrirë.

Më tej, dergjet qyteti,
Mes dështimit e lavdisē,
Që zvarritet si një reptil gjigand,
Tej, horizontit të shtrirë.

Në atë qytet, është shkruar historia,
Ajo që mund të quhet edhe e gabuar.
Mbi shpinë i rëndojnë ca sekrete,
Mbrapshtitë i rëndojnë,
Dhe ca fjalë shfrenuar.

Po vi aty ku, të tjerë vijnë para meje,
E hisen e dritës ma zënë,
Duan të më fikin edhe atë që kam në shprt,
Por jo…ajo ndizet sa mbetemi vetëm,
Unë edhe ti,
Edhe pse me fjalë pa thënë.

Unë flas e flas, përgjigje s’ka.
Ti ke kohë që hesht.
Heshtja jote vret,
Mua, të tjerë, qytetin-reptil të historive,
Gjithë territoret ku rendëm,
Deri te gjallesat në habitatin e vet.

Po vi, ndërsa ikja më tërheq krahësh.
E ndarë më dysh…mes dy kohëve endem,
Me busullën për dore, qytetin e historive,
Ngazëlimin e dëshpërimin tim,
Si fytyra ime në vranësira e diej,
Dy anë, të errta e trasparente.

Ajo flet me gjuhën e qenies,
Me kalvaret e jetës,
Me atë që të tjerë as mundën ta provojnë…
Jetën që ngazëllente.

16.03.2023

GJURMË MIRËSIE

Vetëm deti e ndjen trishtimin,
Horizontit varur shigjetë e thyer,
Në harkun kohor shëtit mes lotësh,
Në zemër të kohës së vyer.

Nga larg vijnë tinguj të njohur,
Flasin mbytur gjuhën e dashurisë,
Me vrulle malli të padukshme.
E sjellin gjurmë të mirësisë.

Gjithshka mbi det duket turbullt,
Sytë, kolorite të kohëve kërkojnë,
Mirazhi yt qëntron në zemër,
Tatuazh i dashurise sonë.

25.06.2023

SHPEND I DIELLT

Shumë më mundon dimri.
I akullt sillet rreth meje,
Në dhomën bosh,
Asgjë s’më josh.

Nuk gjej ngrohtesi ndër anë,
Ndërsa hëna luan kukafshehti,
E aty këput e lidh fijet lidhëse,
Të shpirtit me boshësinë,
Ndër mesnatë.

Jashtë gumëzhijnë e luajnë,
Dashuriçkat lojcake,
Pjellë mosqenieje,
Idhnake.

Më dëgjo, Diell im.
Larg mbi mal ndër gurë,
E kam një shpend,
Ndërtuar e kam,
Prej rrezeve të tua të nxehta,
Të kuqërremta shndritëse,
E pret ta thërras.

Kur të lodhet mes vedi,
Me djegjen në kraharor,
Do vijë me yjet mbi luginë,
E më tej, me hënën,
Do lidhë fijet mes nesh.

E për mua dhe në shtratin bosh
Diell përvëlues do ndezë.
01.12.2023