BURRI ME FYTYRË TË KUQE. Tregim nga Enrieta  Sina

 

 

Ishte tetor i vitit 1991 dhe  në të gjithë qytetet gjithçka dukej
gri.Në shpirtin e secilit frynte një erë që përfshinte gjethe dhe
letra të hedhura rrugëve bashkë me lot apo mallkime.Gjithçka e
shikonin brenda vetes sepse vështrimi i vërtetë kish dalë nga vetja
dhe priste, priste çdo të ndodhte më pas në klimën politike në
vend.Neli kish zënë vend në një nga sediljet e sakatuara të trenit
duke menduar se ishte një mjet më tepër i mbrojtur se të tjerët.Ishte
përfshirë dhe ajo në atë lëvizje politike që nuk i dihej ku ish
fillimi i vërtetë dhe si do përfundonte.Vagoni dukej i rrjepur në çdo
sedilje dhe faturinua një grua e moshuar që mbante në dorë biletat
preferonte të merrte më pak dhe të kursente biletën e pasagjerit.”Do
të fitojë diçka dhe kjo grua.Në këtë kohë të turbullt fitojnë
burgaxhinjtë për vjedhje që nuk e kanë harruar zanatin, duan të
përfitojnë politikanët e rinj dhe deputetët që dolën si kërpudhat pas
shiut, shumica pa asnjë kontribut në politikë, imoralët dhe
xhepsit.Kur kërkojnë të gjithë këta dhe të tjerë të përfitojnë diçka
pse t’i hiqet e drejta kësaj faturinoje që mezi hedh këmbët, mendoi
Neli duke i lënë lekët e biletës në dorë.Ajo zgjati biletën por Neli
me një lëvizje të pëllëmbës i dha të kuptojë që ta mbante.
-Faleminderit!, i tha faturinoja me një buzëqeshje të lehtë.Në gjithë
atë vagon ishin apo nuk ishin dhjetë udhëtarë.Neli pa që përballë
sediljes së saj ishte një burrë mbi të dyzetat me fytyrë të pushëzuar
dhe pothuajse të kuqe.I veshur mirë dukej se kapardisej duke bërë
lëvizje të pakontrolluara në vend.Shikonte herë pas here si Nelin dhe
fatorinon.Nuk i pëlqeu ai tip por në fund të fundit nuk kish pse ta
vriste mëndjen.Në kushte normale nuk do lejonte veten të përballej me
një tip të tillë por në atë nëntor të ftohtë me shira dhe lot, ku
askush nuk dinte se nga do i vinte e papritura e keqe, duhej të
tregohej shumë e matur.Faturinua e pyeti se ku kish punuar.
-Jam në një nga Ministritë.Tek ne puna vazhdon…
-Je me të majtën apo të djathtën, pyeti si për të dëshiruar të
vazhdonte bisedën dhe të dinte nga të anonte.
Neli mbeti një çast pa  u përgjigjur duke i zgjatur asaj një copë byrek.
-Të lumçin duart, i tha.
-E ka bërë mamaja ime.Unë isha për një natë.Kam dhjetë vite që punoj
si ekonomiste dhe kam dy fëmijë, shtoi Neli.
-Hëm, mendova se do të ishe ndonjë nga deputetet e reja dhe ndodheshe
rastësisht në tren…Ka ndodhur të udhëtojnë  këto ditë burra dhe gra me
pushtet…Burri me fytyrë të kuqe po ndiqte bisedën e tyre.Në  derën e
vagonit u duk një lypës.Ishte i gjatë, me mjekër dhe flokë të palarë e
pa krehur.Të vinte ndot ta shikoje.
-Këtë punë ka ky nga mëngjezi deri në darkë…Kërkon lekë…Thotë se jeton
vetëm dhe nuk ka asnjë mbështetje.Deri dje e kanë ndihmuar ata të
Kryqit të Kuq por ka dy muaj pa asnjë ndihmë dhe ja..
-Sa keq, tha Neli dhe ndjeu një lloj mëshire.I dha atij disa qindarka
në dorë dhe ai duke vënë dorën në zemër e falenderoi.
Jashtë kish filluar të binte shi i dëndur.Neli nxorri nga çanta një
xhakavento dhe e veshi.
-Ke të drejtë, bënë ftohtë , tha faturinoja.Gjysmat e xhamave të
dritareve janë thyer…Godasin me gurë.Një gurë më ra dhe mua në
shpatull.U ngritën të gjithë të këmbë për të shkatërruar…Pse po e
bëjnë nuk e di..Kemi kombinate, fabrika, uzina ku punojmë mijëra
njerëz me shkollë dhe pa shkollë.Po tani ku do punojnë, me se do ta
mbajnë familjen..apo dhe shpirtin e tyre, u shpreh duke mbledhur
vetullat egërsisht.Pas pak u dëgjua fërshëllima e trenit.
-Mbritëm në Durrës.Po të duash mund të marrësh diçka këtu në
stacion.Janë të punë byrektoret dhe një restorant i vogël…Ka dhe
limonata që të mbledhin stomakun…Ke kohë për të marrë diçka, tha
foturinoja…se dhe byrekun e mamasë tënde ta hëngra unë. Ishte të
lëpije gishtrinjtë..Të dyja buzëqeshën.Edhe burri përballë me fytyrë
të kuqe dha një buzëqeshje të lehtë dhe doli.
Neli bleu dy limonata dhe një çokollatë.Nxitoi me merak mos nisej
treni.Në gjithë vendin nuk kish rregull, kontroll, disiplinë,
ndërgjegje jo e jo. Faturinoja ish larguar mesa dukej po merrej me
pasagjerët e rinj që  po zinin vend në sedeljet e trenit.Tek dera e
hapur e vagonit u duk një vajzë e re, me një trup mesatar, flokë të
dëndur bjond dhe pothuajse me rrica.Vajza po shikonte sa majtas
djathtas. Burri  e vështroi pa ia hequr sytë, i hapi vend por ajo nuk
u ul.
-Mundem të ulem?, i tha Nelit duke i buzëqeshur.
-Po, tha Neli.Jam fare vetëm. Vajza u ul përballë dhe mblodhi pas
trupit triken e gjatë blu që mbante  veshur….
-Ju jini studente?, pyeti Neli.
-Akoma jo, tha vajza.Po përpiqemi.Kam dy vjet që kam mbaruar gjimnazin
por nuk më është dhënë e drejtë studimi.
-Nuk ke patur mesataren?, pyeti Neli.
-Jo s’është ajo.Unë jam vajza e një ish politikani i viteve të
pasluftës që është dënuar nga regjimi i Enver Hoxhës dhe jemi akoma në
internim, sa të stabilizohet situata…Vajza ia tha pa ndroje emrin e të
atit dhe Neli një moment heshti.Nuk ishte vëndi për të bërë politikë
dhe aq më shumë në një vagon treni.
-Më e mira do bëhet për të gjithë, tha Neli.
-Të lumtë goja..Të jetojmë dhe ne si të tjerët, shtoi ajo me një
buzëqeshje të lehtë që mbinte dhe rritej tek sytë e saj të kaltër, të
lëngëzuar dhe përhapej në gjithë fytyrën.Neli i zgjati shishen e
limonatës dhe të dyja i çukitën ato duke uruar për një jetë edhe më të
mirë.
Vajza nxorri nga çanta disa letra.
-Ç’janë?, pyeti Neli.
-Lejet që marrim sa herë lëvizim jashtë qytezës…
-S’do të ketë më leje të tilla, grisi, nuk kanë ç’të duhen…
-Thua të mos kemi më diktaturë.Të bëhemi si gjithë Europa?, tha vajza.
-Mesa mendoj dhe gjithë kjo gjendje e krijuar këtë kërkon.Revoltat
popullore kanë synimet e tyre dhe kjo tek ne është për të përmbysur
pushtetin komunist.Neli mblodhi buzët e menduar se po gabonte duke u
shfaqur aq hapur kundër regjimit që e kish lënë atë vajzë me familjen
e saj dhe qindra familje të tjera të jetonin në moçalishte dhe të
rroptoheshin për të nxjerrë bukën e gojës.E gjithë kjo sepse kërkonin
lirinë e fjalës, të jetonin si gjithë perëndimi.
Faturinua u kthye sërishmi aty duke i bërë komplimente vajzës së re
për bukurinë e saj, sytë e flokët.E ç’kishin artistet në botë më shumë
se ajo?!
Jashtë dritareve të krisura apo të thyera shiu vazhdonte të binte dhe
i shoqëruar me erë pikëzat e tij kalonin e lagnin si me pupël fytyrat
e tyre.
-Ja dhe pak arritëm.Tamam në kohë, tha faturinoja .Ajo kishte një
fytyrë të madhe plot rrudha e ku nuk mund të shihje përveç syve që
mbanin ngrohtësi asgjë tjetër për ta fiksuar dhe për të menduar se
dikur ajo duhet të kishte qënë një femër e bukur.
Vajza fliste pak.Po dhe fjalët Nelit sikur u shteruan edhe pse po e
pëlqente shumë atë vajzë që i qëndronte përballë me atë vështrim të
butë nga sytë e lëngëzuar, lëkurën gati transparente, të bardhë në
rozë aq të harmonizuar për tiparet e fytyrës së saj ëngjëllore.Burri
me fytyrë gati të kuqe po bëhej gati për të dalë.Nelit iu duk tamam
një pasagjer i mërzitshëm që mbante pozicion kapadaiu i veshur shik
për atë ambjent të rënuar të vagonit.
Pasagjerët e paktë filluan të zbresin qetësisht. Neli hodhi në sup
çantën e madhe dhe mbajti në dorë çadrën.Deri në pallatin që banonte i
duhej të bënte disa minuta rrugë në këmbë.
-Mund t’ju ndihmojë?, u dëgjua vajza kaçurrelse që e ndiqte nga pas.
-Jo.Faleminderit! Nuk është e rëndë.Po ju jini larg nga stacioni.
Neli ktheu kokën pas si për ta dëgjuar më shumë vajzën dhe u ndesh me
vështrimin e afërt të burrit kapadai.Ai i buzëqeshi dhe po u afrohej.
-Pallati ku më presin është diku aty afër gazetës “Zëri i
popullit”.Mendoj se ka dalë Iliri, djalë i tezes që më prêt.Ato
zbritën nga treni njëra pas tjetrës dhe për një moment burri dukej se
u largua ngaqë s’po e shikonte aty përqark. Shiu vazhdonte të binte
por dukej më i imtë.Shumë nga pasagjerët ishin pa çadër e pothuajse
vraponin.
-Po ndalem këtu.Ja dhe Iliri, tha vajza duke e prezantuar.Neli buzëqeshi.
-Udhëtim i vështirë, tha djali.Këta vagona kanë dalë pothuajse jashtë
përdorimit.
-Do vijë koha të regullohen, u përgjigj Neli buzagaz.Aty u ndanë me
përshëndetje,Kish bërë vetëm pak hapa kur në krah ajo pa të shfaqej
burri me fytyrë të kuqe.
-Më falni, tha ai. Unë jam Nesti.Shok me Benin, vëllain tuaj.
-Ashtu?, u përgjigj Neli tashmë disi e çliruar nga një ankth.
-Ju punoni në një nga institucionet e rëndësishëm të shtetit…Kjo
situatë do të jetë e përkohshme.Po flas hapur me ju.Ndofta dhe do
ndërtohet një ekonomi tregu por dihet që  këtë do ta ndërtojmë po
ne..Klasat reaksonare janë të njohura apo jo.Dhe të rrënua
ekonomikisht. Ato do të fillojnë jetën nga a-ja..Ajo vajza që biseduat
në tren është e internuar me familje.I ati i saj në 1947 doli kundër
regjimit dhe u dënua për agjitacion e propagandë edhe pse ka qënë
njeri me pushtet.Është dënuar me 25 vite burg dhe i ka bërë një për
një..Familja u internua.Ajo vajzë ka emrin e të atit… vetëm në gjininë
femërore…
Neli nuk po fliste.Ishte fare e qartë ajo duhet të bënte kujdes e të
mos lejonte veten të hynte aq lirshëm në bisedë me fëmijët e “Armikut
të Popullit”.
-Të kuptoj, tha Neli.Por treni është për të gjithë.Dhe ajo mu duk një
vajzë e mirë, e qetë…
-Vetëm e qetë nuk mund të jetë, i tha ai gati egër.Këta e kanë
shpirtin vullkan dhe këtë duan ta hedhin mbi ne…
Neli nuk foli.Nuk i erdhi mirë që tjetri bëri një përcaktim të
tillë.Politika po ndryshonte dhe lufta e klasave tashmë për të duhet
të ish e shuar.
Kur u afrua pallatit Neli i dha dorën me një mirëupafshim.Ai ngriti
supet, regulloi jakën e xhaketës së kostumit dhe tha:” Mos harro t’i
bësh të fala Benit!Ai e di se ku punoj…Ditën e mirë.
Më në fund ishte shkëputur prej tij por kish lënë një peshë jo të
vogël në shpirtin e saj.Po ngjiste shkallët dhe e hutuar kaloi një kat
më sipër.Komshia, një grua e moshuar doli dhe vuri re që Neli po
shikonte dyert habitshëm.
-Neli, jini një kat më posht të keqen..Të ka hutuar shiu..Na mbyti
gjithë ditën…
Zbriti dhe i ra ziles.I dolën përpara fëmijët. Hodhi çantën diku në
koridor dhe i rrëmbeu të dy në kraharor. I puthi dhe i shtrengoi
fort.Jeta e tyre do të ishte ndryshe.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here