Cam Alcani.Tregim nga Zija ÇELA

Pasi lëngoi në shtrat për disa vjet, më në fund u duk se i erdhi ora e vdekjes. Trupi i kishte mbaruar, ndërsa fryma vetëm sa linte shenjë në faqe të pasqyrës. Megjithatë, vdekja nuk po e merrte. Truri herë i binte në errësirë, herë i sillte rradhazi si në film ca pamje të paharrueshme nga zabeli i Kalumit. Në një ditë behari, ai kishte parë një femër të re që i kishte farfuritur ndër sy veshur ashtu me tesha të lehta, përplot gufime në gjoks, teksa kapërcente gur më gur jazet e përroit, që lëshonin dritë si fije kllapodani dhe ia bënin më të zjarrtë nxitimin për të hyrë në zabel. Në këmbësoren përkundruall, duke pritur i etur, përshkohej hijshëm një mashkull i shëndetshëm me shogën ngjyrëshege në brez, jelek të qëndisur e potina me gajtana. I zënë në beft dhe pa e ditur përse, Cam Alcani e kishte kthyer kokën nga maja e kodrinës ku përndëriste kambanarja e kishës, pastaj në shpatin me luadhe, pastaj në dushk e në larushk, gjithandej ku ishin bardhokat e hënorët, sepse deshve e cjepëve që mbaheshin për ndërzim, në katundin e tyre s’u thoshin as përçakë e as përçorë, por hënorë. Pas një grime, atij iu bë se shkrepëtiu në të thatë, ca tafte flake që llapsën fluturimthi ia përcëlluan fytyrën dhe ai, i shushatur e me drithma në trup, mbuloi sytë me shuplaka. Sa zgjati? Pikërisht këtu i shuheshin pamjet dhe truri i binte përsëri në terr.

Grahma s’po kishte të sosur, askush nuk e kuptonte se në ç’pejzë a qenëz të fshehtë i qëndronte shpirti, prandaj provuan gjithçka që zakoni këshillonte për raste të tilla. Të parin i propozuan shkalcin. Në bazë të një riti të vjetër, kush ishte për vdekje e nuk i dilte shpirti, e vinin me dyshek në shkalc dhe i bënin një shëtitje rretheqark, që të nxirrte mallin e fundit për visin ku kishte lindur. Mirëpo plaku u xhindos kur ia përmendën shkalcin. Atëherë, për t’ia lehtësuar vdekjen, njerëzit e familjes, e shoqja, djemtë e nuset, vajzat dhe dhëndurët i vajtën me radhë në dhomën e dergjës, u përkulën mbi kokën e tij dhe i thanë se çfarëdo gabimi apo faji të rëndë që në vitet e gjata të jetës mund të kishte bërë ndaj tyre, ata ia kishin falur. Si mbaruan njerëzit e oxhakut, ia dhanë hallallin edhe vëllezërit e motrat, që kishin lënë konakët  e tyre për të ardhur pranë tij. Pastaj pritën që të vdiste. Por lala Cam prapë nuk dha shpirt. Atëherë e zgjeruan rrethin me kushërinj nga degët e gjakut e të tamblit, por as përfalja e tyre nuk e ndihmoi për të shkuar në atë botë. S’u mbetej veçse të hapeshin akoma, duke grishur kumbarë, miq e dashamirë të largët, me shpresën se pengu që i kishte mbetur në zemër dhe nuk e linte të vdiste, ndodhej te ndonjëri prej tyre. Por përsëri asnjëri s’e ndihmoi për gjumin e përjetshëm. Për dreq, plaku diku kishte ngecur, mirëpo se në ç’gozhdë i varej shpirti aq keq, përsëri askujt s’i shkonte mendja.

Ndërsa heka vazhdonte dhe bijtë ngulmonin te koka e tij, Cam Alcani arriti të nxirrte një fjalë. Për t’ia plotësuar dëshirën e fundit, ata vrapuan menjëherë në adresën që kishin dëgjuar. Por sapo njeriu i thirrur hyri në dhomë, hapi librin e lutjeve dhe nisi t’i këndonte La ilahe il-lallah, plaku përmblodhi veten e kundërshtoi:

– Jo hoxhën, por Hoshën!

Prej asaj kërkese të çuditshme gjithë sa u ndodhën në dhomë mbetën të mëruar, por kleriku i dijshëm u tha se njeriu atje ku ka syrin, ka edhe shpirtin. Si t’ia bënin tani, kush kishte sy e faqe që të shoknte te Radi i Zarishit dhe t’i thoshte se Hoshën, gruan e tij të bukur, më të bukurën në lagjen e katolikëve e për të cilën i shoqi, për ta marrë, dikur kishte kërcënuar se qiste pushkë, plaku i tyre e lakmonte në dhomë, sindozot me kërkesën më të mbrapshtë:

– Vetëm për vetëm me Hoshën, – kishte mundur të shtonte zavalli, pas atij keqkuptimit qesharak.

Radi, burri kokëkrisur, e kishte bërë dasmën rreth nëntë vjet më parë dhe njerëzit e shtëpisë u kujtuan se tamam qysh prej asaj kohe, i mbërthyer nga një sëmundje pa emër, plaku Cam kishte zënë shtratin dhe s’e kishte kapërcyer më pragun e derës. Të gjithë e mbanin mend, gjithashtu, se në atë dasmë ai kishte kënduar për herë të fundit, sado që shumëkush s’ia kishte vënë veshin ose ishte mahitur me të. Kur Hoshën e bukur, veshur nuse, e kishin nxjerrë në oborr dhe trimat e shtruar në tyeza e kishin pushuar ahengun një copë herë, për t’ua lënë radhën grave dasmore, mes heshtjes dhe atij kundrimi të përgjithshëm kureshtar, befas ishte dëgjuar një zë burri. Të gjithë kishin kthyer kokën në një drejtim dhe në atë drejtim të gjithë kishin parë lalën Cam, më këmbë, me shpatullat e rrasura në gurët e avllisë, duke çalltisur me dy duart për çiftelinë, ndërsa  dhëmbët me kapsula platini i praronin si fluturashka zjarri në gojën e hapur. Sipas këngës që sapo kishte zënë, Cami nuk ndodhej në oborr; se ku ndodhej, kënga nuk e thoshte, thoshte vetëm se çfarë shihte ai:

 

Ooo,

                                                kur po luanin cicat nën fustan,

                                                ia bënin kumbonat drang e drang…

                                                I mjeri unë, i mjeri!

 

                                                Ooo,

                                                kur po zgjidhej matanë shoka,

                                                thashë nën këmbë po çahej toka…

                                                I mjeri unë, i mjeri!

 

                                                Ooo,

                                                kur u ndezën vetëtimat,

                                                 vetëtimat  me m’verbue,

                                                cicat tuaja qenë zbulue…

                                                I mjeri unë, i mjeri!

 

Ooo,

                                                m’u mbush mendja veten me e mbytë,

                                                për qind vjet mos me t’i pa sytë…

                                                Ooo – ooo – ooo,                                           

                                              I mjeri unë, i mjeri!..

 

Natyrisht, dasmorët patën shkaqe të ndryshme për t’u argëtuar, aq më tepër që ajo këngë ose ishte aq e vjetër, sa askush s’e sillte në hatër, ose ishte aq e re, sa askujt s’i mbeti në kujtesë. Megjithatë, njëri prej burrave që e kishte në krah dhe që e kishte dëgjuar plot kërshëri, pranoi se të gjitha fjalët e tjera i kishte kuptuar, por një gjë nuk ia rrokte truri: “Mirë, ai taravoli e vret veten nga dalldia, por asaj tjetrës si do t’ia shohë sytë mbas qind vjetësh?!” Lala Cam ia ktheu: “Brenda dheu është i errët dhe i plleshëm si barku i gruas, prandaj mbin fara aty. Jeta na ndan, kurse varri…” Filluan gratë dhe s’pati qetësi për ta mbaruar përgjigjen, sepse dihet që grifshat në ferrë, pelat në lëmë e gratë në valle, nuk lodhen kurrë. Por proçka e plakut, ndonëse ato ditë u përfol, sidoqoftë u harrua.

– Lala Cam, – e pyeti më i madhi nga djemtë, – po ta sollëm Hoshën, e mban fjalën: vdes e shkon?

– Them se shkoj, – u hamend ai.

– Veçse po e lëndove gruan e huaj dhe na bën me turp, unë të vras me dorën time.

– Më vrit, – i dha leje të birit.

Bënë si bënë dhe, nëpërmjet një kunate, i çuan lajm Hoshës. Ajo tashmë po hynte në të tridhjetat, ishte bërë nënë, por bukurinë e ruante si në ditën e dasmës. I folën për dëshirën e pakthyeshme të plakut, e siguruan se, për të mos i lënë të shoqit ndonjë koritje, ishin të gatshëm që gjakun ta bënin vetë, duke e ruajtur prapa derës me pushkë. Dhe Hosha nuk kundërshtoi.

Kur hyri, iu duk se plaku po flinte. Kur u afrua, pa se sytë i kishte kapak. Ndërmjet kapakëve notonte brymë e mjegull. Ajo e nxori nga mjegulla duke qeshur:

– Më ke kërkuar, teveqel?!

– Të kam kërkuar, Hoshë, dhe ta di për nder që erdhe. A jemi vetëm?

– Vetëm jemi, – tha gruaja, – derës i vura shulin.

– Ashtu, moj Hoshë, – u kënaq plaku, – vetëm një derë nuk mbyllet kurrë: varri. Njerëzit jeta i ndan, kurse varri i përzien. Si thua, i përzien?

Hosha pranoi se vdekja është daulle për kokë dhe shtoi:

– Varri i bën bashkë. Mbas një qind vjetësh, ndoshta edhe andej kërcehet dërrasë më dërrasë, si me thënë gur më gur.

– Eee, – u kënaq edhe më plaku, – e mbake mend, gur më gur! As vesa s’paska rënë hala në fiqirin tënd, Hoshë.

Pastaj rënkoi, derisa u duk se humbi në jerm.

Ishte shtrirë në shpinë dhe disa herë u rrek ta kthente kokën nga Hosha, por eshtrat e qafës nuk iu bindën. Nuk iu bindën as kur Hosha u përpoq t’ia kthente vetë. Ndoshta i kishte ngrirë tërë trupi. Jo, njëri krah po i lëvizte ngadalë. Pikërisht atë krah e shtriu drejt saj dhe, me mundim, arriti ta fuste dorën nën fustan. Gruaja u drodh. Për të mos nxjerrë zë, kafshoi buzën. Pastaj, përballë ngërçeve të tij, pyeti:

– A po do që Hosha ta ngrejë fustanin?

-Jo, jo, – tha ai, – perdja po bie, nuk është duke u ngritur, Hoshë.

Pas një grime, dora e rreshkur vazhdoi të ngjitej përgjatë kofshëve të saj, pak e nga pak, derisa pëllëmba i preku barkun. Hosha prapë u drodh, por as thirri, as lëvizi. Edhe plaku, ndërkaq, aty u ndal.

– Lala Cam, – bëzani ajo.

Ai u përgjigj me bulat e gishtërinjve. Në fillim nisi t’ia lëmonte kraterin e mbyllur të kërthizës, pastaj tërë hapësirën tjetër, faqe më faqe dhe kulm më kulm. Kapakët e syve i qenë puthitur, nofullat po i nguroseshin, e nuhati edhe ngurosjen e krahut dhe deshi të thoshte diçka. Por  u pajtua me të kundërtën: ishte më mirë t’i rrëshqiste dora, sesa goja. Dhe dora i rrëshqiti. I rrëshqiti pa jetë nëpër shpatin ballor të  Kodrës së Venusit dhe arriti te pjerrina e lëmuar, lulëzuar me eshkë e krrela myshku.

– Hë? – u dëgjua të pyeste garanti, djali që kishte pritur me pushkën ngrehur pas derës.

– Vdiq, – i dha mandatën Hosha.

– Tha gjë, la ndonjë amanet?

– Asgjë, para se të vdiste, u shmall pak me vendlindjen. Nganjëherë, pleqtë kanë mendje fëmije.

Varrimi u bë të nesërmen. Kësaj here, kur hapi librin e lutjeve për t’i kënduar talkinën, kleriku i dijshëm u ndie i sigurt se ai zullumqari nuk do të kundërshtonte më.

 

 

 

 

 

I biri i Jahos dhe Sofisë

Zija ÇELA

 

Ai e dinte, por nuk e bëri si gjenerali i Barabisë që pati nxjerrë aty shpallje publike, duke i urdhëruar të gjithë burrat për atë punën me gratë: “Veç meje, sonte askush tjetër!” Pasi pllakosi errësira, la gotën, doli i trullosur nga mejhana dhe trokiti vetëm te fqinjët më të afërt, rreth e qark shtëpisë. “Me lejen tuaj, – u tha, – sonte vetëm unë.” Burrat e vështruan të habitur, ndryshe nga ç’e kishin parë në sallën e kinemasë, në seancën e pasditës, me një farë dashamirësie e dhembsurie, kur ai kishte ndenjur i përhumbur, ndoshta dhe i përlotur, me sytë e qepur në ekran. Megjithatë, ia kuptuan hallin.

Në krye të nëntë muajve, kur të shoqen e zunë dhimbjet e lindjes dhe Jaho Taho vërtitej nëpër hajat, duke pritur të dilte mamia nga dhoma, iu bë se dëgjoi një zë të mistershëm: “Këtë djalë, në moshën dymbëdhjetë vjeç, do ta pickojë grerëza dhe do të vdesë.”

Burrin e përfshiu një turbullim aq mizor, sa nuk po e zinte vendi në hajat. U hodh në oborr, por atje dëgjoi prapë zërin e mistërshëm: “Në moshën dymbëdhjetë vjeç, ky djalë ka për të thyer shishen e jetës dhe do të vdesë.”

Shishja e jetës ishte shtylla kurrizore me palcën, por kur pritej që sëkëlldia t’i shtohej, atij iu lehtësua disi. Jaho Taho mendoi se i njëjti fëmijë nuk kishte si të vdiste në dy mënyra të ndryshme, ndërsa mundësia që e shoqja të lindte binjakë ishte pa gjasa.

Pa e mbaruar cigaren, u kthye në hajat. Tërë sy e veshë, ndërsa vejevinte si më parë, për habinë e tij zëri i mistershëm nuk iu nda: “Ky djalë, në moshën dymbëdhjetë vjeç, do të mbytet në ujë.”

Kësaj here, burri u çlirua përfundimisht, pasi u bind se profecia kishte bastarduar edhe më tej: asnjë njeri me mend në kokë nuk kishte si ta pranonte që i njëjti fëmijë të vdiste jo më në dy, por në tri mënyra të ndryshme. Kurse mundësia që e shoqja të lindte trenjakë, as që ekzistonte ndopak.

Vërtet, siç e kishte pritur nga një barrë normale, gruaja lindi vetëm një fëmijë dhe ai i vuri emrin e  foshnjës që kishte parë të pagëzohej në film, një vogëlush që lindi i braktisur nga i ati, por që e ëma e qujati Shendi dhe nuk e braktisi kurrë. Kaq mjaftoi që kobi i paralajmëruar me aq mister, t’i fashitej nga kujtesa.

Sapo u bë me djalë, Jaho Taho u dha edhe më shumë pas shtëpisë e katandisë. Ai e shtoi mallin e gjënë, përtriu drufrutorët në kopsht dhe në oborrin e përparmë krasiti një hardhi, që erdhi duke u harlisur e duke pushtuar tërë kurorën e manit të egër.

Pikërisht në atë man, një ditë shtatori, kur bistakët e rrushit rëndonin si gjinj të fryrë, djali hipi sipër dhe nisi të hante. Të tërhequra nga mushti, një luzmë insektesh plot gumëzhima lëvrnin nëpër pipa e fletë. Befas, ai ndieu një thimth përvëlues në sup dhe, nga tronditja e çastit, liroi dorën me të cilën po mbahej, por humbi drejtpeshimin dhe u vithis degë më degë. Kur u shemb poshtë, më tepër se gjysma e trupit i anoi në parmakun e pusit, aty i kërciti kurrizi, iu errësua vetëdija dhe përfundoi kollutumba në ujë. I ndodhur në kopshtin prapa shtëpisë, i ati e dëgjoi ulërimën dhe vrapoi në oborr, por humbi kohë për ta kuptuar se çfarë kishte ndodhur dhe, derisa i vajti mendja te pusi, i biri mbaroi. Atë vit kishte mbushur të dymbëdhjetat dhe ekspertiza ligjore i ndriçoi rrethanat e vdekjes një më një.

Pikëllimi i JahoTahos, qoftë dhe për arsyet e nënkuptuara, nuk rrëfehet me fjalë. Në fillim, atë e brengosi sidomos vendimi i tij i hershëm: duke e pandehur të përjashtuar sendërtimin e profecisë dhe për të mos e trembur më kot të birin, ai nuk ia kishte treguar  paralajmërimin që zëri misterioz kishte përsëritur dikur tri herë. Prandaj, tani pyeste veten: Sikur t’ia kisha treguar, do të ndodhte kobi i zi? Po ta kishte ditur me kohë, djali patjetër do të ruhej, ai nuk do t’i qasej rrushit, por do të parapëlqente fruta të tjera, për shembull zerdeli, hurma a mushmolla. Nëse dëshironte mushmolla, i biri do të shkonte në kopsht, sepse nuk kishte shkak për t’iu vardisur hardhisë dhe, po të mos ngjitej në manin ku harlisej hardhia, nuk do ta pickonte grerëza. Sigurisht, në rast se grerëza nuk e pickonte, djali s’kishte pse ta humbiste mendjen deri në atë shkallë, sa të gremisej nga mani, kurse po të mos gremisej nga mani, s’kishte as përse të thyente boshtin e të mbytej në pus.

Një vit më pas, pak nga pak, e përmbysi ngjarjen duke ia shtyrë zanafillën deri te gjyshi i vet. Sikur në fillim, kur e kishte marrë vendimin, gjyshi i tij ta kishte hapur pusin ca metra më djathtas apo ca më majtas, ahere edhe nëse djali dëshironte rrush, ngjitej në trungun e manit, e pickonte grerëza, humbiste torruan nga lemëria dhe branisej nëpër degë, as do të përplasej në parmakun e pusit dhe as do të mbytej në ujë, por do të binte përtokë dhe, shumë-shumë, do të shtypte gjurin ose do të thyente ndonjë krah.

Megjithatë, si i bloi me vete të gjitha rrethanat, pas disa muajsh edhe kjo zgjidhje nuk iu duk përfundimtare. Pavarësisht nga pusi, djali sidoqoftë do të kishte shpëtuar, mjaft që mani i egër të kishte mbirë në qoshen tjetër të oborrit, ashtu siç do të shpëtonte përsëri, sikur edhe pusi, edhe mani të ndodheshin aty ku ndodheshin, kurse hardhinë, në vend ta linte të merrte përpjetë, ta kishte tërhequr drejt mesit të oborrit duke e hapur në tendë.

Sa më tepër shkonin vitet, aq më ngulmueshëm e kërkonte përgjigjen. Por njëri arsyetim i hapte shtegun tjetrit. Vallë, do të kishte vdekur i biri, sikur hardhia megjithatë të gjallonte përpjetë manit, grerëza të bënte punën e saj dhe djali të kumbisej, pra të binte tamam përmbi pus, sepse pusi nuk mund të shtyhej tashmë me bërryla, por gryka gllabëruese e tij të mbahej e mbuluar me kapak?! Fundja, edhe kapaku s’është kurdoherë i përdorshëm dhe në këtë fatkeqësi s’kishte pse të shihej si vendimtar, pasi djali as që do të rrëzohej nga lart, sikur rrushi të mos ishte aq i pjekur, i lëngshëm dhe i ëmbël. Po të ishte i pabërë, çfarë do të kërkonte grerëza në hardhi?! Apo, sado kakareç rrushi, ajo do të ndillej nga etja. Ku ta dish, ndoshta djali do të kishte shpëtuar me kusht që korita, ku pinin pulat gjatë vapës, të mos gjendej bosh por me ujë, sepse uji ua zbut helmin gjarpërinjve dhe grerëzave. E mirë, e zëmë se ua zbut ose nuk ua zbut, por do ta pësonte i biri aq keq nga thumbi, sikur të mbante në trup këmishën prej puplini?! Sa herë ia kishte përmendur rrezikun e të ftohmës, duke e porositur se djersa e verës është brisku i mushkërive. Veçse, për një gjykim sa më të drejtë, ashtu si nuk fitohet në një ditë, vesi as nuk hiqet brenda ditës: djali ishte mësuar ta kalonte beharin në fill të kanotierës. Po sa njerëz e kalojnë edhe pa kanotierë! E keqja është se, duke dëgjuar tërë ato zhuzhima paralajmëruese, si nuk ishte kujtuar të këpuste një purtekë hardhie, ta zhvishte nga gjethet dhe me atë fshikull të mbrohej nga grerëzat. Apo zhuzhimat e tyre i kishte marrë për zëzërima mushkonjash, brumbujsh dhe mizash çeliku? Po të mos ishin mushkonjat, brumbujt e mizat, ndoshta do ta kuptonte se në hardhi kishte grerëza. Veçse nuk është e thënë që të gjitha frutat të piqen verës, ftonjtë piqen në vjeshtë. Kështu dhe rrushi, po të piqej në shënëdre, do të kishte grerëza në hardhi?! E zëmë se do të kishte grerëza, por në atë stinë, përveç këmishës, djali do të mbante edhe triko leshi. Dhe leshi është lesh, hajde fute thumbin në lesh. Megjithatë, me lesh apo pa lesh…

Vetëm nga mbarimi i jetës iu duk se arriti në një zgjidhje më të sigurt, që në të vërtetë ishte më e papranueshmja, prandaj më parë s’e kishte çuar nëpër mend. Pavarësisht nga mani, nga rrushi, nga thumbimi i grerëzës, nga rrëzimi, nga thyerja e shtyllës kurrizore, hataja nuk do të kishte ndodhur, nëse e shoqja s’do ta kishte lindur kurrë atë fëmijë. Jaho Taho u bë pishman për mbrëmjen, kur kishte dalë i pirë nga mejhana dhe kishte trokitur te fqinjët rreth e rreth.

Për ta hequr merakun e fundit, trokiti përsëri dhe i pyeti nëse e kishin tradhtuar atëherë.

– Kur? – u shastisën burrat, që tani po plakeshin.

– Natën që kërkova “Sonte vetëm unë!”. Ju më tradhtuat, prandaj im bir vdiq më vonë.

– Yt bir?! – zgurdulluan sytë ata.

– Po ti s’ke pasur fëmijë kurrë, – i tha një fqinj.

– Ti as grua s’ke pasur kurrë, – qeshi tjetri.

Por vetëm pasi mori të njëjtën përgjigje edhe nga fqinji i fundit, u kthye i drobitur, me njëfarë dyshimi të vagullt. Në oborr thirri me zë të lartë: “Sofia, Sofia!” Priti e priti, por ndonjë zë gruaje nuk iu gjegj. Vetmevete pranoi se, ndoshta, ai asnjëherë nuk ishte martuar, asnjëherë atë shtëpi s’e kishte ormisur një zonjë. Por kjo s’e kishte penguar që të bënte jetë të pastër. Prej shumë vitesh, natën i ndodhte të prishej në ëndërr me të njëjtën grua, kurse me dashje vetëm një herë kishte

masturbuar, pikërisht mbrëmjen kur hodhi disa gota tumbllazi, pasi pa për herë të parë Sofinë në film, dhe duket se qysh prej asaj kohe i kishte mjaftuar për t’i dhënë një zgjidhje vetmisë.

 

 

 

Shul e shul

Zija ÇELA

 

E dinte se çfarë do të ndodhte, ua kishte punuar miqve edhe herë të tjera duke munguar për dy, tri, madje pesë javë ditë. Pastaj breshër pyetjesh, breshër ftesash, përqafime, mallëngjim, dalldisje e darka në restaurantet më luksoze për nder të ringjalljes së apostullit. Por Apostol Barvi vendosi  që kësaj here të mungonte akoma më gjatë, tepër gjatë.

Pasi i shtoi derës edhe një shul të rëndë, nga ata që u del llapa një bërxhik, rrotulloi çelësat e bravave sekrete dhe u mbyll në shtëpi. Kohët e para e grinë me telefona dhe, ndonëse ai dha ca shpjegime të turbullta, telefonatat prapë vazhduan varda. Si kaloi java, e mblodhi mendjen që të mos u përgjigjej, celularin e nxori jashtë përdorimit, por telefonin me tel e mbajti në prizë, sepse sa herë dëgjonte zilet ngulmuese, i dukej se mospërfillja e tij, sidoqoftë, ishte një hakmarrje që mund të shijohej. Apostol Barvin e kishte telendisur hipokrizia e jetës, e kishte velur pafytyrësia e atyre horrave, që tani e mbanin në pëllëmbë të dorës, por dikur, ndonëse kishte qenë po ky artist kalibri – dhe këtë s’e luante topi, ia kthenin shpinën me përbuzje thua se kishte kromën.

Jo më larg se disa vjet më parë, ai kishte qenë banor i papafingove, një nga ata piktorët anonimë, të cilëve duket sikur as toka nuk u bëhet pëqi për t’i mbajtur me bukë, as qielli u bëhet mbretëri për t’u dhënë krahë, pranadaj mbeten havadan, në pullaz. Madje në kohët më të vështira ishte detyruar ta braktiste penelin dhe, përveç ndonjë hamallëku të rastit (bie fjala, montim në panaire industriale), kishte punuar edhe si bojaxhi nëpër vila e sallone që tani stoliseshin me pikturat e tij, të cilat atyre sarafëve, atyre tyxharëve, atyre tytoshëve, siç thoshte vetë, u kishin kushtuar sa qimet e kokës. Ai s’kishte si ta harronte “Anijen në mjegull”, një kompozim të përmasave të vogla, që kishte arritur ta përfundonte vetëm për hir të Matisit. Tërë sfondin e detit, madje dhe tërë binanë e anijes, e kishte pikturuar pas një tisi tymthi, që të jepte përshtypjen e një shkretëtire me dritë të marrtë, të shkapërderdhur, pa pika horinzonti, prandaj dhe pa kahje drejtimi. Megjithatë, i nxitur prej një dielli profetik, si ta parashikonte diku të ardhmen e tij, kishte dashur të linte një shpresë nëpërmjet një njolle kontrastuese: spirancës së pikturuar në një të kuqe të bojës së antindryshkut. Po ku ta gjente të kuqen, s’i kishte mbetur grima në tubetin e shtrydhur me gju, as në tavalocin e kruar disa herë. Atëherë i kishin ardhur në mend leximet për Matisin, ulërimat e tij kur donte të shprehte diçka dhe pikturonte duke gërvishtur me thonj muret e studios. Apostol Barvi kishte vajtur menjëherë te pasqyra, ishte rrojtur me ujë të ngrohtë dhe, para se ta hiqte briskun nga makina, mu nën mjekër kishte bërë një prerje çallatë. Gjaku i kishte mjaftuar për një spirancë me katër veshë dhe vathin e zinxhirit. Mirëpo asnjëra nga galeritë e kryeqytetit s’kishte begenisur atëherë ta ekspozonte atë tablo, për të cilën më pas ishin vënë në lojë shuma të majme.

“Hë, mirë t’u bëhet tani”, murmuriste duke ecur me hapa të gjatë nëpër shtëpi, “le të dëshirohen për penelin tim, le t’i marrë malli të më shohin me sy!”

Ditët e para, sapo dëgjonte zilen e telefonit, i vinte të besonte se gati-gati ishte në gjendje ta përcaktonte edhe njeriun, që po e kërkonte. Ishte një steriotip i orareve të njohura, i krijuar prej rrethit të kolegëve, miqve intimë, pronarëve të galerive, manaxherëve, pasanikëve e njerëzve të pushtetshëm, që linin takime, i propozonin ekspozita, udhëtime të sponsorizuara, piktura të porositura apo shitje të veprave të tij me stimuj ankandi. Madje në një fushatë elektorale, i kishin propozuar që të vinte edhe kandidaturën për deputet, jo ndonjë parti zero me xhufkë, por tamam ajo që kishte gjasat për ta fituar pushtetin. Telefonatat më të befta, ato kohë e pa kohë, i bëheshin vetëm nga gazetarët, që herë prezantoheshin me emrin e tyre dhe herë (duke nguruar) përmendnin veç emrin e gazetës. Seç ishte një “Almiset”, që botonte njoftime për shitje veglash, gjithfarë veglash, që nga biçkitë e saraçëve e deri te pincat e dentistëve, por faqet e mesit, për të fituar lexues, zakonisht ua linte sportistëve, klerikëve dhe artistëve. Këtë farë fletushke kurrë s’e kishte marrë në dorë dhe titulli as që do t’i ngulitej, por s’mbante mend që ndonjë gazetar i saj, në tërë ato telefonime të pareshtura, të ishte paraqitur ndonjëherë me emër, përveçse: “Mirëmbrëma, nga “Almiset” ju shqetësojmë. Do t’ju luteshim që…”

Mbasi kaluan edhe ca javë, siç e kishte marrë me mend, telefonatat erdhën duke u pakësuar. Dalëngadalë u rralluan goxha, derisa mund të numëroheshin me gishtat e dy duarve, pa shtuar gjë në kandar, paskëtaj përsëri me gishtat e dy duarve, por duke hequr diç nga kandari. Kurse akoma më pas… Sidoqoftë, gjithnjë në të njëjtën orë, në ndajmbrëmjet gaculluese kur te njerëzit arrin kulmin ashku për bashkëri, një thirrje e gjatë telefoni përsëri ngulmonte. Kush nuk gjente prehje pa idhullin e tij, kush e dëshironte aq unshëm? Natyrisht, Lina S., njëra nga të dashurat e tij, më e reja dhe më e dëlirta. Pa e pasur në mend që t’i përgjigjej, por vetëm për të dëgjuar bukurzaninë e saj, e ngriti dorezën. “Alo”, ia behu zëthi i njohur, “mirëmbrëma, nga “Almiset” ju shqetësojmë. Do t’ju luteshim…” Kërceu drejt e në divan, vuri grushtet në bulbet e ballit dhe u haharis me një gaz gulçues, si prej të marri.

Aq u desh që të gjitha sa ishin pëshpëritur, sikur Apostol Barvi kishte marrë arratinë, kishte udhëtuar nëpër gadishullin Iberik dhe nga Sevilja ishte hedhur në Milano, në Verona e Venecia, të rrëzoheshin si thashetheme: artisti ndodhej në shtëpi dhe, sipas trillit të tij të njohur, u ishte fshehur miqve dhe armiqve, por kësaj radhe ashpërsisht, prej një kokëfortësie të pathyeshme.

Telefonatat rinisën, asaj të muzgut iu shtuan të tjera. Natyrisht, zilja s’e kishte më ashkun e atëhershëm, s’binte aq dendur si në fillim. Gjithë-gjithë, telefonatat nuk bëheshin sa gishtat e dy duarve, pa i hequr gjë kandarit, por s’mund të numëroheshin as vetëm me gishtat e një dore, pa shtuar diç në kandar.

Teksa hiqte mjekrën para pasqyrës me një “Filips” elektrik, teksa vishej e parfumohej, i vendosur për t’i dhënë fund vetizolimit të gjatë, përfytyronte gjithfarë skenash me qortime mikluese, përqafime të ngrohta, dafrunga e shëtitje natën me makinë përgjatë bregut të detit, rrahje shpatullash, kërkesa të shumëfishta për ekspozita, porosi marramendëse për piktura murale, duke ndier edhe vetë mall e përdëllesë për të gjithë.

Rrotulloi çelësat, bravat kërcitën, por dera nuk iu hap. U kujtua për marifetin që kishte përdorur, llapën prej çeliku një bërxhik dhe liroi në çast shulin e rëndë. Por, ndonëse e tërhoqi deri në fund, ndonëse pastaj e tundi dhe e shkundulloi derën, ajo prapë nuk u hap. Atëherë kuptoi se, tani, shulin ia kishin vënë nga jashtë.