Cesare Pavese : Ti nuk i di kodrat, poezi.Përgatiti dhe përktheu: Angela Kosta

Cesare Pavese : Ti nuk i di kodrat, poezi.Përgatiti dhe përktheu: Angela Kosta

Shkrimtari dhe poeti i shquar italian Cesare Pavese, lindi në Santo Stefano Belbo më 9 shtator 1908 në Torino dhe vdiq më 27 gusht të vitit 1950. Ai ishte shkrimtar, poet, përkthyes dhe kritik letrar italian sikurse autor i 61 librave.
Cesare Pavese është një nga autorët më të shquar të letërsisë italiane të shekullit të XX. Përveçse ka shkruar romane të cilat kanë pasur shumë sukses, ai ka botuar dhe krijuar gjithashtu, poezi të shumta që kanë ndihmuar në konsolidimin e reputacionit të tij si një shkrimtar i jashtëzakonshëm. Falë stilit unik dhe aftësisë së tij për të trajtuar çështje të thella dhe universale, Cesare Pavese konsiderohet kollona historike e vërtetë e letërsisë italiane së shekullit të XX.
Shkrimi i tij, në të njëjtën kohë është tërheqës për historitë që tregon dhe i thellë për gërmimin e tij të vazhdueshëm në shpirtin njerëzor. Cesare Pavese ishte një përkthyes i rëndësishëm i shekullit të XX, mjaft i vëmendshëm ndaj realitetit popullor e fshatar, por edhe i hapur ndaj letërsive të tjera evropiane. Ai ishte ndër të parët që u interesua për letërsinë amerikane, në të cilën përktheu disa vepra nga autorë klasik amerikan.

DO TË VIJË VDEKJA DHE DO TË KETË SYTË E TU

Do të vijë vdekja dhe do të ketë sytë e tu
kjo vdekje që na shoqëron nga mëngjesi në mbrëmje,
pa gjumë, e shurdhër, si një pendim i vjetër
ose një ves absurd.
Sytë e tu do të jenë një fjalë boshe,
një klithmë pa zë, një heshtje.
Kështu i sheh çdo mëngjes
kur tek ty e vetme palosesh në pasqyrë.
O shpresë e dashur,
atë ditë do ta dimë
edhe ne që je jeta dhe je hiçi.
Për të gjithë vdekja ka një vështrim.
Vdekja do të vijë dhe do të ketë sytë e tu.
Do të jetë si të heqësh dorë nga një zakon,
si të shohësh në pasqyrë
të rishfaqet një fytyrë e vdekur,
si të dëgjosh një buzë të mbyllur.
Do të zbresim në vorbull pa fjalë.

TI NUK I DI KODRAT

Ti nuk i di kodrat
ku u derdh gjaku.
Të gjithë ikëm
të gjithë hodhëm armët dhe emrin.
Një grua na shikonte duke ikur.
Vetëm njëri nga ne ndaloi
me grusht të shtrënguar,
pa qiellin bosh, uli kokën
dhe vdiq nën mur, i heshtur.
Tani është një grimë gjaku emri i tij.
Një grua na pret tek kodrat.

MARSI

Unë jam Marsi që vij me erën
me diellin dhe ujin
dhe askënd kënaq;
Shkoj pelegrin i pangrënë dhe në lutje
duke kërkuar më kot Pranverën.
Tek shënjtorët e mëdhenj zbukurohem dhe lëvdohem:
Thomai i shtatë dhe më pas i madhi Gregori;
me Benediktin u kthye dallëndyshja
përshëndet dhe këndon Shën Mëria e Lajmëruar.
Pranvera
Do të jetë një fytyrë e qartë.
Do të hapen rrugët
në qafat e pishave
dhe të gurëve…
Lulet e spërkatura
me ngjyra tek shatërvanët
do të vështrojnë si gra të argëtuara:
shkallët, tarracat, dallëndyshet
do të këndojnë në diell.

EDHE NATA TE PËRNGJAN

Edhe nata të përngjan
nata e largët që qan heshtur,
brenda zemrës thellë,
dhe yjet kalojnë të lodhur.
Një faqe prek faqen
është një dridhje e ftohtë,
dikush lufton dhe lutet vetëm,
i përhumbur tek ty, në ethet e tua.
Nata vuan dhe gulçon agimi,
Zemra e mjerë ç’britma.
O fytyrë e mbyllur, ankth i errët,
ethe që trishton yjet,
është dikush që si ty pret agimin
duke vëzhguar fytyrën tënde në heshtje.
Je shtrirë nën natën
si një horizont i mbyllur i vdekur.
Zemra e mjerë ç’britma
një ditë e largët ti ishe agimi.

GJITHMONË VJEN NGA DETI

Gjithmonë vjen nga deti
dhe ke zë të ngjirur,
ke gjithmonë sy sekreti
prej uji të gjallë midis ferrave,
dhe ballin e ulët, si qiell i ulët me re.
Çdo herë rijeton si diçka e vjetër dhe e egër,
që zemra tashmë e dinte ndaj shtrëngon.
Çdo herë është krisje
çdo herë është vdekje.
Ne gjithmonë luftuam.
Kush i shpëtoi përplasjes
shijoi vdekjen
dhe e bart atë në gjak.
Si armiq të mirë
që nuk urrehen më
kemi të njëjtin zë
të njëjtën dhimbje
dhe jetojmë të përballur
nën qiellin e varfër.
Mes nesh jo kurthe,
jo gjëra të kota
ne do të luftojmë gjithmonë.
Do të luftojmë përsëri,
ne do të luftojmë gjithmonë,
sepse kërkojmë gjumin e vdekjes krah për krah,
dhe kemi zë të ngjirur
ball të ulët dhe të egër
dhe një qiell identik.
Ishim krijuar për këtë.
Nëse ti ose unë do t’i dorëzohemi përplasjes,
pason një natë e gjatë
që nuk është paqe apo armëpushim
dhe nuk është vdekje e vërtetë.
Ti nuk je më.
Krahët luftojnë më kot.
Derisa na dridhet zemra
Thanë emrin tënd
Përsëri fillon vdekja.
Gjë e panjohur dhe e egër
ke rilindur nga deti.

SHOKU QË FLE

Çfarë do t’i themi sonte shokut që fle?
Fjala më e ngrohtë ngrihet në buzët tona
nga dënimi më i egër.
Do të shikojmë shokun,
buzët e tij të kota që nuk thonë asgjë,
do të flasim me zë të ulët.
Nata do të ketë fytyrën
e dhimbjes së lashtë
që rishfaqet çdo mbrëmje
e papërshkueshme dhe e gjallë.
Heshtja e largët do të vuajë
si shpirt, memec, në errësirë.
Do t’i flasim natës që merr frymë nën zë.
Do të dëgjojmë çastet që pikojnë në errësirë
përtej gjërave, në ankthin e agimit,
që do të vijë papritmas e godet gjërat
kundër heshtjes së vdekur.
Drita e kotë do të zbulojë fytyrën
e zhytur të ditës.
Çastet do të heshtin.
Dhe gjërat do të flasin pa zë.

ATËSIA

Fantazia e gruas që kërcen
dhe e plakut se është babai i saj
dhe se dikur e kishte pasur në gjak
dhe e ngjizi një natë,
duke shijuar në një shtrat, i bukur lakuriq.
Ajo nxiton të zhvishet në kohë,
e ka pleq të tjerë që presin.
Të gjithë e gllabërojnë,
kur ajo hidhet për të kërcyer,
forca e këmbëve ndër sy,
por të moshuarit dridhen.
Vajza është pothuajse e zhveshur.
Dhe të rinjtë shikojnë buzagaz
dhe disa do të donin të ishin lakuriq.
Duken të gjithë babai i saj
dhe janë të gjithë të paqëndrueshëm
një mbetje trupi
që ka shijuar trupa të tjerë.
Edhe të rinjtë një ditë
do të jenë baballarë
dhe gruaja është një për të gjithë e vetme.
Ndodhi në heshtje.
Një gëzim i thellë merr errësirën
përpara së resë së gjallë.
Të gjithë trupat janë vetëm një trup,
një që lëviz duke gozhduar sytë e të gjithëve.
Ky gjak, rrjedh në gjymtyrët e drejtë të së resë,
është gjaku që ngrin tek të moshuarit;
dhe babai i saj që pi duhan në heshtje, për t’u ngrohur,
nuk kërcen por bëri vajzën të vallëzojë.
Ka një hamendje dhe një këputje në trupin e saj
e cila është e njëjtë me atë të plakut
dhe tek pleqtë.
Në heshtje babai pi duhan
dhe pret që ajo të kthehet, e veshur.
Të gjithë presin, të rinj e të moshuar e fiksojnë
dhe të gjithë, duke pirë vetëm,
do të mendojnë përsëri për të.