CIA: Shqipëria e Veriut u rreshtua kundër regjimit komunist, ja si Enver Hoxha nisi sulmet dhe burgosjen e intelektualëve, më 1953 vendi u mbush me përfaqësues të BRSS

CIA: Shqipëria e Veriut u rreshtua kundër regjimit komunist, ja si Enver Hoxha nisi sulmet dhe burgosjen e intelektualëve, më 1953 vendi u mbush me përfaqësues të BRSS

CIA ka treguar detaje se si në veri të Shqipërisë shumica e popullsisë ishte kundër regjimit komunist. Përmes agjentëve të infiltruar, CIA merrte informacione mbi revoltat dhe pakënaqësitë në popull. Nga ana tjetër, janë treguar detaje se si regjimi i godite intelektualët.
Prioritetet e CIA në Shqipëri
Të zhvillohen kontaktet e sigurta dhe komunikimet e shpejta në zonën e shënjestruar. Të ketë zhvillim të një mekanizmi mbështetës për kalimin e sigurt të agjentëve brenda dhe jashtë zonës së shënjestruar. Duhet të krijohet i një klimë e përshtatshme psikologjike me anë të broshurave dhe mjeteve të tjera. Duhet të mblidhen sa më shumë të dhëna mbi politikën shqiptare. Është e nevojshme mbledhja e të dhënave mbi metodat, personelin e shërbimeve shqiptare të inteligjencës dhe shërbimeve të sigurisë. Të ndërmerren hapat paraprakë gjatë dy viteve të ardhshme për lejimin dhe plotësimin e kërkesave të ushtrisë mbi mbështetjen klandestine të SHBA dhe nisjen e planeve të luftës, të cilat duhet të fokusohen fillimisht në detyra të veçanta: Vazhdim i pengesave për naftësjellësin Perhond-Vlorë. Vendosja dhe trajnimi i një agjenti rezident në Vlorë e Tiranë për rekrutimin e mundshëm të agjentëve sabotatorë. Vendosja dhe trajnimi i një agjenti rezident secilën prej zonave me qëllim krijimin e njësive guerrile: Zona e lumit Erzen, 10 milje në Jug të Tiranës; Çamëria: 12 milje larg Sarandës; Alpet e Shqipërisë: 18 milje në veri të Shkodrës. Vendosja dhe trajnimi i një agjenti rezident për qëllime zbulimi të agjentëve, shtëpive të sigurta, zonave të sigurta, pikave të kalimit kufitar, infiltrimit dhe eksfiltrimit, si dhe pikave të uljeve të mundshme ajrore. Një mekanizëm të aftë të mbështesë një lëvizje në drejtim të Jugut në katër zonat guerrilase. Një pikë ndalimi detare pranë zonës së ishullit të Korfuzit.
Rezistenca ndaj regjimit aktual
Pakënaqësia mes popullit shqiptar vazhdon të jetë e gjerë dhe në vitet e fundit ka pasur disa raste të rezistencës së hapur ndaj regjimit. Edhe vetë regjimi ka pranuar ekzistencën e elementëve “diversantë” dhe sulmeve ndaj ushtrisë dhe karvaneve civile të furnizimeve. Incidenti më i rëndë i rezistencës ishte bomba në ambasadën sovjetike në shkurt 1951, por vrasjet lokale dhe sabotimet kanë qenë gjithashtu një sfidë për autoritetet komuniste. Deri tani regjimi i Hoxhës ka ditur të përballet me lëvizjet kundërshtare duke zbatuar masa të shumta represive. Për shembull, ministri Shehu ka krijuar disa batalione të veçanta ndjekjeje që operojnë në zonat malore kundër grupeve individuale të rezistencës. Refugjatët anti-komunistë kanë raportuar për ekzistencën e disa grupeve të rezistencës me emra si “Lidhja Kombëtare e Maleve”, “Liria”, “Skënderbeu”, “Thirrja”, por nuk ka informacion specifik mbi to. Nuk duket se ka bashkëpunim mes grupeve të disidentëve megjithë dëshirën e tyre të përbashkët për largimin e regjimit të Hoxhës.
Planet e SHBA për rrëzimin e regjimit
Që kur regjimi i Titos u prish me Bashkimin Sovjetik, Shqipëria është izoluar nga kontakti tokësor me vendet satelite sovjetike. Kjo, përveç terrenit të ashpër të vetë vendit dhe traditave të vjetra klandestine të shqiptarëve, veçanërisht në zonat tribale të veriut, duken se e bëjnë Shqipërinë një objektiv premtues për operacione klandestine, me objektiv përmbysjen e regjimit aktual komunist. Prezenca e një numri të madh refugjatësh shqiptarë në Evropë, sugjeron zhvillimin e një qendre politike jashtë Shqipërisë, të përbërë nga përfaqësues të elementëve anti-totalitarë dhe miqësorë ndaj politikave të SHBA për Ballkanin, që mund të shërbejnë si një pikënisje për elementët anti-komunistë brenda Shqipërisë. Shërbimet e Inteligjencës Amerikane dhe britanike në verën e vitit 1949 ishin përgjegjës për formimin e Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë (NCFA), që është një qendër politike e përfaqësuesve të refugjatëve demokratikë shqiptarë, dhe që mund të shërbejë si një mbulim për operacionet e fshehta në Shqipëri. Dhe prej atëherë operacionet e degëve politike dhe ushtarake janë kryer në emrin e NCFA. NCFA është një grupim përfaqësues i refugjatëve shqiptarë që vepron si pikë fokusimi për ata që janë të interesuar përfundimisht për çlirimin e Shqipërisë. Grupimi vepron si një mbulim zyrtar për aktivitetet jozyrtare të CIA-s dhe shërben si një vegël për denoncimin publik të çështjes së shqiptarëve të robëruar në Shqipëri. Ai kontrollohet nga CIA dhe shërbimet britanike të MI6. Krerëve të NCFA u është bërë e qartë se në asnjë rast nuk konsiderohen si “Qeveria në ekzil” e Shqipërisë.
Roli i Komitetit për Shqipërinë e Lirë
Anëtarët e NCFA janë të vetëdijshëm për mbështetjen zyrtare dhe interesin e SHBA. Dega britanike e shërbimeve është përfshirë gjithashtu në krijimin dhe funksionimin e komitetit, ndërsa qeveria greke është në dijeni të operacioneve të kryera nga Greqia kundër regjimit në Shqipëri, në emër të NCFA. Oficerë të rëndësishëm amerikanë që punojnë me shqiptarët përdorin pseudonime. Megjithëse Italia është vënë në dijeni nga Departamenti i Shtetit se SHBA mbështet qëllimet e NCFA, nuk është informuar tërësisht për mbështetjen dhe ndihmën tonë financiare. Gazeta dhe buletinet e lajmeve publikohen haptazi nga NCFA, kurse materialet për lëshime nga ajri në Shqipëri shtypen në Frankfurt në vende të sigurta. Aktivitetet klandestine të kryera në emër të NCFA nga Greqia, bëhen me dijeninë e plotë të palës greke dhe asistencën e tyre.
Rezistenca në Veri
Është marrë përkthimi i parë i një letre të shkruar me bojë nga grupi Pine ree. Letra është shkruar më 5 gusht dhe ishte e dyta nga ky grup, por e para që mundi të arrijë në Athinë. Në letër flitet për lëshimin e furnizimeve të korrikut (i pari nga tre lëshime të suksesshme për këtë grup) dhe raporton se grupi është aktiv dhe i paprekur. Në të përmendet ndjenja e gjerë anti-komuniste në Veri të vendit si dhe një organizatë e njohur si Liria e Shqipërisë dhe Përmbysja e Komunizmit. Nuk jepeshin më shumë detaje përveçse lëvizja përbëhej nga ushtarakë dhe civilë. Letra mbyllej me shprehjen se populli i Shqipërisë së Veriut dëshiron një zonë izolimi të ndarë nga pjesa tjetër. Kreu i projektit beson se kjo letër është një arritje e konsiderueshme në zhvillimin e rrjetit të agjentëve në operacionin BGFIEND. Stabilizimi i këtij grupi i jep operacionit një korridor për kalimin e furnizimeve dhe njerëzve të tjerë në Veri të Shqipërisë. Së shpejti pritet të lëshohet një agjent operator radio me grupin, mundësisht nga mesi i tetorit. Është inkurajues fakti që grupi ka ndjekur të gjitha direktivat e tij dhe vendos besnikërinë ndaj vendit të tyre para asaj të partisë. Është marrë një raport i gjerë mbi grupin Cypress, të cilët dolën nga infiltrimi në Shqipëri në 15 gusht, i cili po studiohet me imtësi. Në raport ka observime të rëndësishme nga agjentët. Ata komentojnë se anëtarët e grupit nuk kishin besim te komiteti NCFA, pasi oficerët e NCFA nuk shoqëronin grupet. Anëtarët e grupit theksonin se megjithëse ishin pritur mirë nga shqiptarët që kontaktuan, ata nuk ishin në pozitë për të kryer detyrat e tyre pa një zyrtar të arsimuar e të respektuar të NCFA. Përveç kësaj, ata ndjenin se “junta” e NCFA kishte thyer marrëveshjen me agjentët e operacionit BGFIEND për caktimin e njerëzve në operacion, dhe se qasja e tyre bazohej mbi anësinë politike dhe jo në besnikërinë ndaj operacionit. Gjithashtu, mungesa e sigurisë dukej qartë nga fakti se familjet e njerëzve që merrnin pjesë në aksion ishin marrë në pyetje nga Sigurimi përpara arritjes së tyre në zonë, si dhe nga fakti se zona e lëshimit ishte e ditur nga autoritetet shqiptare. Grupi i shpëtoi eliminimit të sigurt duke u lëshuar disa milje larg zonës së planifikuar të lëshimit. Më 13 shtator, NCFA në Nju Jork transmetoi një kabllogram për regjimin e Enver Hoxhës ku ofronte ndihma ushqimore për popullin shqiptar, të cilat të mbikëqyreshin nga një grup i paanshëm. Meqenëse asnjë përgjigje nuk është marrë deri më sot, mesazhi po përsëritet në radio dhe në shtyp, duke përmendur edhe mungesën e bashkëpunimit të regjimit të Hoxhës. Kabllogrami do të jetë edhe pika kryesore e broshurës së ardhshme për lëshim, si dhe hapi i parë për programin e lëshimit të të mirave materiale në Shqipëri.
Nëntor 1975
Lideri shqiptar Enver Hoxha duket se po vazhdon sulmet dhe mbikëqyrjen ndaj intelektualëve dhe burokratëve të vendit. Mahmut Bakalli, presidenti i lidhjes së komunistëve të Kosovës në Jugosllavinë fqinje, tha se ka pasur “zhvendosje të mëdha politike në administratën e Shqipërisë. Bakalli, i cili është më i afërt me ngjarjet në Shqipëri nga sa mund të jenë njerëzit jashtë saj, tha se sulmet mbi intelektualët vijnë si rezultat i frikës së Hoxhës nga tendencat pro-sovjetike të disa zyrtarëve në Tiranë, dhe se zhvendosjet ende po vazhdojnë në qeveri dhe në sferat ekonomike të vendit. Raportimet për spastrimet e zyrtarëve në Shqipëri tani kanë arritur te mediat evropiane. Heshtja e Tiranës për largimet bën që të shtohen edhe më shumë spekulimet e vendeve, por duket e qartë se ato kanë lidhje që me shkarkimin e ministrit të Mbrojtje Beqir Balluku në verën e 1974. Largimi i tij ndodhi mes shenjave në rritje për përplasje brenda partisë, mes komunistëve të linjës së ashpër në Shqipëri dhe në politikën e jashtme, dhe atyre për një qëndrim më të moderuar. Bakalli dukej i bindur se spastrimet e kësaj vere vinin nga debati i planifikimit ekonomik dhe tregtisë së jashtme. Dy nga zyrtarët e spastruar ishin ministri dhe zëvendës-ministri i tregtisë. Bakalli tha se nevoja e Shqipërisë për kapitale do ta detyrojë Tiranën të shikojë nga Perëndimi, por deri tani nuk ka pasur shenja se Hoxha dhe regjimi i tij janë të interesuar për këtë. Tirana vazhdon të ruajë linjën stoike të refuzimit të bashkëpunimit me Moskën. Ndërsa në Moskë, parada e sivjetshme ushtarake e Sheshit të Kuq, nuk përfshiu mjetet me raketat e mëdha që janë parë zakonisht në të kaluarën. SHBA ka vëzhguar dy prova të përgjithshme të paradës dhe kemi konstatuar vetëm gjysmën e pajisjeve dhe asnjë nga mjetet e mëdha të para në vite të shkuara. Provat zakonisht përputhen qartë me vetë paradën kryesore, edhe pse ka ndodhur që në paradën e përvitshme të 7 nëntorit janë prezantuar pajisje të tjera, të pa para gjatë provave. Nëse pajisjet e mëdha janë eliminuar nga parada, kjo mund të tregojë se Kremlini kërkon të ulë profilin e festimeve dhe shfaqjes së forcës, që është në përshtatje me programin aktual “të paqes” prek konferencës së Helsinkit. Vitin e kaluar pjesa mbyllëse me civilë e paradës u anulua papritur, zyrtarisht prej motit të keq, por me shumë gjasa për të mbrojtur shëndetin e liderëve të moshuar sovjetikë në podium. Prandaj dhe dominimi i pjesës ushtarake të saj solli dënimin e shtypit perëndimor dhe rrjedhimisht edhe survejimin më nga afër të paradës së këtij viti. Por ndoshta për reduktimet e shfaqjeve ushtarake të këtij viti mund të ketë pasur dhe arsye më pak të rëndësishme siç është mbrojtja e rrugëve të bulevardeve që janë shtruar së fundmi.
Situate e brendshme ne tremujorin e parë të 1953
Numri i qytetarëve sovjetikë është rritur ndjeshëm gjatë muajve të fundit. Të ardhurit përfshijnë punonjës bura dhe gra, shoferë e teknikë. Teknikët punësohen në aktivitete të ndryshme të vendit, përfshi dhe inspektimet sanitare. Inspektorët sanitarë kanë fuqinë të mbyllin vendet që nuk zbatojnë urdhrat e tyre. Shumë nga sovjetikët kanë sjellë me vete familjet e tyre. Mes tyre nuk u dallua reagim i veçantë pas vdekjes së Stalinit, dhe as nuk kishte largime të papritura. Pas vdekjes së Stalinit qeveria shqiptare mori masa shtesë për ruajtjen e rendit, sigurisë dhe kufijve. Urat dhe rrugët kryesore u fortifikuan me armë anti-tank dhe mitralozë të rëndë. Mes popullatës civile nuk u vërejtën shenja trazirash. Në pjesën e parë të vitit shtyp shqiptar njoftoi me jehonë për publikimin e një artikulli të Enver Hoxhës në të përditshmen ruse Pravda. Udhëheqja gjithashtu bëri përpjekje të mëdha për të siguruar popullin për miqësinë e fortë mes Shqipërisë dhe BRSS. Por në disa raste dallohej njëfarë varësie dhe dukej që këto dhënie sigurie ishin kërkuar. Në këtë vit u nënshkruan disa marrëveshje tregtare dhe kulturore me vende të tjera komuniste. Në to përfshihej marrëveshja me Rumaninë, Poloninë, Çekosllovakinë, Gjermaninë Lindore dhe Hungarinë. Shqipëria mban marrëdhënie të mira dhe me vende të tjera komuniste dhe disa qindra zyrtarë dhe anëtarë partie janë larguar drejt BRSS dhe vendeve satelite për kurse të avancuara trajnimi në fushat e minierave, pylltarisë, bujqësisë, ndërtimit apo shkencave të tjera. Propaganda shtetërore vazhdon të përshkruajë vendet perëndimore si agresorë dhe organizatorë luftërash. Ajo sulmon gjithashtu Paktin e Ballkanit të kohëve të fundit, si dhe Jugosllavinë për akuzat e shkeljeve kufitare dhe dërgimet e diversantëve dhe informatorëve në Shqipëri. Qeveria ka raportuar kapjen e një numri të madh spiunësh dhe informatorësh që vijnë nga Jugosllavia. Së fundmi autoritetet kanë raportuar për vrasjen ose eliminimin e rreth 50 personave të tillë në përplasje të armatosura. Mes popullatës jo-komuniste është dalluar tension për qëllimet e Titos dhe vendeve perëndimore për përdorimin e Shqipërisë si një mjet pazari në politikën e Mesdheut. Gjatë kësaj kohe autoritetet komuniste kanë vënë theksin në fushatën e tyre mediatike për “mbrojtjen e sekreteve shtetërore”. Kjo u interpretua nga disa rrethe si përgatitje për një gjyq të rëndësishëm.
Gusht 1950
Jugosllavia pengon riatdhesimet shqiptare
ATSH
Me gjithë akuzat e agjencisë shtetërore të lajmeve Tanjug më 1 mars se Shqipëria ka shkelur marrëveshjen në lidhje me riatdhesimin e qytetarëve jugosllavë, vendi ynë ka nxjerrë vazhdimisht viza për qytetarët jugosllavë. Prej tetorit 1949 Shqipëria ka lëshuar viza për 28 familje jugosllave në një total prej 56 persona. Madje autoritetet shqiptare kanë siguruar dhe transportin për ta deri në kufi. Nga ana tjetër qeveria jugosllave vazhdimisht po pengon riatdhesimin e qytetarëve shqiptarë atje, pasi deri në tetor 1949 autoritetet jugosllave kanë lëshuar viza vetëm për katër qytetarë shqiptarë. Qeveria jugosllave jo vetëm që po pengon riatdhesimet po punohet t’i bindë shqiptarët në Jugosllavi të ndryshojnë mendje. Qeveria shqiptare i ka tërhequr vërejtje për këtë homologëve në tetë raste.
Nëntor 1950
Përfshirja e Shqipërisë në Jugosllavi
Një mosmarrëveshje serioze ka lindur në qeverinë e Jugosllavisë në lidhje me problemin shqiptar. Përfaqësues të komitetit shqiptar pro-Tito të Kosovës kanë ofenduar serbët pas deklaratave të tyre në lidhje me shqiptarët që jetojnë në Shqipëri. Në to theks i veçantë u vu në kufijtë e ardhshëm të Shqipërisë dhe mundësinë e përfshirjes së saj në federatën e Jugosllavisë. Serbia pretendon që në hartën e ardhshme të vendit të përfshihen disa lokalitete shqiptare që historikisht dhe etnikisht kanë qenë serbe. Deklaratat janë kundërshtuar dhe nga përfaqësues maqedonas. Javën e fundit të korrikut 1950 ndodhën përplasje në Prishtinë mes serbëve dhe shqiptarëve të rajonit, gjatë të cilave dy vetë mbetën të vrarë. Në Ristovaç serbët raportohet se vranë një shqiptar që kishte keqtrajtuar serbët gjatë luftës, kur ai kishte qenë me ushtrinë gjermane.