Poezi nga Kujtim Morina
NË VJENË
Njëra këpucë mbi tjetrën në dhomën e hotelit,
E unë në dhomë i vetmuar,
Jashtë Vjena gjithë finesë, delikatesë e prudencë
Që nuk kam me kë e shijoj.
Shijova, një shnicel dhe një birrë,
sa për ta marrë pak dozën.
Pastaj pashë disa studentë që festonin,
ditëlindje a nuk e di çfarë.
Një vajzë aty këndonte bukur.
Të gjithë njerëzit rrotull me nga një birrë,
Pashë gra me moshë mesatare, pa tualet,
kjo s’ndodh kurrë në Shqipëri.
Do të rri edhe dy ditë këtu.
Sa e kam ëndërruar të vizitoj Vjenën,
saqë kisha rezervuar gabimisht një natë më tepër!
Pastaj e shtyva biletën e udhëtimit edhe me një ditë.
S’e komandon veten kur ke pritshmëri kaq të mëdha nga një qytet.
Ose quaje si të gjitha qytetet e tjera.
Po hajde, binde veten.
MUNDËSI I VJETËR
Ai po qëndron në ring,
edhe pse i mundur.
Do të qëndrojë aty pafundësisht.
Ringu është jeta e tij.
Derisa ca të rinj ta heqin prej aty,
me hir a me pahir.
VALË-VALË
Valë-valë
Pa pushim
Ndjekin njëra tjetrën
dhe përplasen shqim.
Dallgë-dallgë,
Turren, tërhiqen
Ushtojnë, rrëmbushen
drejt bregut që s’ndihet.
Në mëngjes vale.
Dallgë kthehen pasdite
Qetohen gjatë natës
në një të fshehtë ujdisje.
Dallgëzim valësh.
Valë të dallgëzuara
Shkumbëzojnë drejt bregut,
të përndritura, të praruara.
NJË DITË E ZAKONSHME
Me një telefon në dorë, rrufis kafen, i vetëm.
Është gjithnjë kështu
Ulem në mëngjes dhe navigoj.
Çfarë ka ndodhur në ndajnatë
apo në kohën e gjumit.
Dëgjoj me ëndje një muzikë të lehtë, rrok apo rrep.
Shoh njerëzit përreth me vështrimin ulur mbi telefona,
Dikush duke parë e dikush duke shkruar.
Vetëm kamarieri më flet.
Edhe ai kur e ngatërron: kafe të shkurtër apo normale.
Nuk dua të mësohem me të gjatë,
megjithëse trupi ma kërkon.
Është mëngjes, secili rend pas punëve.
Kur del jashtë përplaset me një beft të ftohtë ajri.
Më duket se shoh lëngun e jetës që iu lëvrin njerëzve nëpër trup,
Rendin të kapin kohën që mos të ngelen prapa,
e cila sidomos paradite shkon me 250 km në orë.
Kështu shpesh e pi kafen vetëm.
Disa miq e pinë kafen më herët,
të tjerët më vonë dhe nuk dua t”i shqetësoj.
Çfarë ka rezervuar dita sot për mua?
GUR NË SHPINË
Gjithkush ka fatin e vet, gur në shpinë.
Brinjët mund t’i kërrusen por sytë i ndrijnë.
ZEMRA PËR ZEMRËN
Zemra për zemrën digjet mall
Hajde, i thotë. Mos më shkrij të gjallë.
Zemra zemrës i bën dritë
Ta gjejë rrugën edhe aty ku nuk shohin sytë.
Zemra për zemrën hapet me krahë ere,
t’i futen bashkë një aventure apo shtjelle
Zemra për zemrën priti gjatë, pa përgjigje,
Po shkoj të ndryhem, tha, në një manastir, pa rrugë e pa shtigje,