DËBORA. POEZI Nga Basir Bushkashi

GJOKË BECI

Gjokë Beci, oshëtimë shkrepi,
Bard i rrallë në poezi.
Nëpër vargje zemrën trete,
Nëpër tinguj e melodi…

Vargjeprush për zemrat tona,
Sa u deh qielli dhe shqiponja:
“Shkrin çeliku e lulëzon molla,
Gjithë shqiptarët janë Mic Sokola…”.

Buzë Valmorit a në një pllajë,
Vargmbushur, margaritarë:
“Digjet hana para saj,
Edhe dimri bahet maj…”.

Ç’bukuri vallë të mahniti
Me ç’magji i thure vargjet:
“Zanë e saj kur ndigjon,
Bora shkrin nga malet…”.

O, Gjokë Beci, bir Mirdite,
Nëpër këngë, nëpër vjersha,
Nëpër zemra thellë ke mbetur,
O, i pavdekshmi, si vetë bjeshka…

RRËZË MALIT KALVANA

Në punë, të rriturit,
Fëmijtë në shkolla.
Pleq të vetmuar,
Pushtuar nga kola…

Një kodër përballë:
Me bredha, me pisha,
Diellit nusëron,
Dritëveshur e gjitha…

Ngjiten pleqtë përpjetë,
Me çapa të lehtë…
Kur dalin në majë,
Ndjehen si me fletë…

Këtu rron dhe Lanzi,
Lanzi, ime bijë:
Bashkë me Florianin
Dhe t’ylltët fëmijë…

Rrëzë malit Kalvana,
Rrjedh pa reshtur jeta,
Ku secila moshë,
Hedh hapat e veta…

Prato, Itali, 4 prill 2023

VIKTOR QURKU

Eh, vite e vite,
Ndarë nga kjo botë.
Prengambuluar,
Atje thellë në tokë…

E donte jetën,
Pranverë të dlirtë,
Me njerëz të lumtur,
Me gaz nëpër shpirt…

Po, “Stinë pas stine”*
Me zjarr nëpër vargje,
Shpirti i tij i bukur,
Nuk po ndjente paqe…

Pleniumi i zi
E goditi rëndë:
Sa mbahej me zor
Me shpirtin ndër dhëmbë…

Unë rrija me ‘të
Dhe kur s’rrinte njeri…
Pinim ndonjë kafe,
Herë-herë dhe raki…

…Aq dëshpërimplotë
U kthye n’vendlindje,
Me shpirtin si n’flakë,
Me mendjen që i sillej…

Dhe një mëngjes
Pyet nënën e tij:
-Kemi kafe, nënë,
Bashkë kafe me pì…?

Nënëthinjura e ngratë,
Mbytur në mërzi,
Heshti pikëlluar,
Me duart në gji…

Botën desh ta shihte
Imët “Tejpërtej”,**
Po bota e egër
Kthetrave e rrëmbeu…

Atje në Çorraj,
Mbi një shkëmb të zi,
Mori fluturimin,
Për në përjetësi…

* -Vepër e autorit.
** -Poemë e kritikuar nga regjimi i kohës.

S’DO T’MË HARROSH

Dhe në fund të botës,
Sikur të shkosh,
E ndjej së thelli
Se s’do t’më harrosh…

Se puthjet e mia
Me aq mall të zjarrtë,
Buzëve të tua
Do e ruajnë at’ flakë…

BUZËT

Ende buzët
I kam të buta:
Se në vetvete
Ruajnë plot të puthura…

Me plot zjarre,
Me plot magji,
Me fllade jete,
Me melodi…

E kur një ditë
Do i ndjej n’të tharë,
Do i lutem tokës
Gjirit t’më marrë…

PEISAZH

Ngadalë muzgu
Majë malesh zbret,
E dita të çlodhet
Bie shtratit të vet…

Çelin sytë yjet,
Duke farfuruar.
Nata krahëhapur,
Gjithçka ka pushtuar…

TI U DRODHE

Kur befas
Të putha në buzë,
Ti u drodhe
Dhe më pe në sy:
– Mos u tremb,
Kjo është dashuri…!

DËBORA

Ka rënë dëborë
E gjithçka zbardhëllon.
Gjithçka ndrin,
Gjithçka ëndërron…

Pushteti i bardhë
Duke mbretëruar,
Ngjan i pamposhtur,
Duke nusëruar…

Por vjen një çast,
Një çast i mbramë:
Dëbora tretet,
Nëpër ofshamë…

PO, TI?

Diku kam lexuar:
“Dhe nata më e errët
I le vend agimit…”
Po, ti,
Ti, aq e fjetura,
Kur do i thërrasësh zgjimit…?

PËRMALLIMI I LUMIT

Lusa rrjedh përmallshëm,
Brigjeve me rropamë,
Nëpër valë malli,
Si nëpër ofshamë…

Rrjedh e rrjedh pareshtur,
Thuajse në vetmi,
Duke zhurmëruar,
Nëpër dhembshuri…

Bijtë ikur larg,
Nëpër botë shpërndarë:
Sikur i ndjek pas,
Ngarkuar me mall…

ZGJIMI I REVE

U zgjuan retë
Nga gjumi i lehtë.
E kaltërsive
Vozisin ngadalë…
Ca të brengosura,
Ca në të bardhë…

Vetë malli i qiellit
Hapsirës shpërndarë…