Po t’i pyesësh shkrimtarët përse shkruajnë, nuk do të marrësh kurrë të njëjtën përgjigje
Dëshira për të treguar…
Përse shkruajmë? “Secili për një arsye të tij.-thotë Sartri,- Për ndonjërin arti është një mënyrë ikjeje, për një tjetër një mënyrë përvetësimi.” “Unë shkruaj për vete dhe për miqtë e mi, thotë Borges, -unë shkruaj për të bërë të durueshëm kalimin e kohës.”
Është në natyrën njerëzore që ndijimet dhe emocionet të shkarkohen në një formë të veçantë, duke ua treguar të tjerëve. Po t’i pyesësh shkrimtarët përse shkruajnë, nuk do të marrësh të njëjtën përgjigje, por, për sa i përket dëshirës për të treguar, të gjithë janë në një mendje se hedhja në letër e përshtypjeve dhe ndjesive është e vetmja mënyrë e çlirimit prej tyre. Përse shkruajmë? “Secili për një arsye të tij.-thotë Sartri,- Për ndonjërin arti është një mënyrë ikjeje, për një tjetër një mënyrë përvetësimi.” “Unë shkruaj për vete dhe për miqtë e mi, thotë Borges, -unë shkruaj për të bërë të durueshëm kalimin e kohës.” Shkrimtari Vath Koreshi, duke iu përgjigjur kësaj pyetjeje u shpreh: ” E shkruara është si kolla.” Përgjigja më interesante që unë kam dëgjuar është “ Sepse…”Sipas arsyetimit tim, shkrimi është një mënyrë shkarkimi i mbresave dhe emocioneve, i ngjarjeve dhe personazheve realë dhe imagjinarë. Ashtu si reja e mbushu me shi që kërkon të shkarkohet diku, edhe shkrimtari që zotëron aftësinë e të treguarit, zbraz poshtë në tokë, here pas here, me vetëtima dhe bubullima , gjithë ngarkesat emocionale.Dëshira për të shkruar fillimisht lind si një hobi, më pas shndërrohet në ves, në një moshë më të pjekur, ajo i në nshtrohet disa qëllimeve të tjera, më të larta. Të shprehurit ka lidhje me ndjenjën e qytetarisë së gjithsecilit. Të jesh qytetar i lirë dhe i pajisur nga natyra me një talent të veçantë, jo vetëm për sa i përket mënyrës së shprehjes, por edhe mesazheve që dëshiron t’u përcjellësh bashkëkohësve të tu. Përpjekja për ta paraqitur mendimin grafikisht ka qenë nxitja e parë për zhvillimin e mendimit gjuhësor. Dokumentet më të vjetra gjenden në Mesopotami. Një nga popujt më të vjetër që lëvruan shkrimin, me anë të kunjave të vendosura në tokë, janë sumerët. Kjo mrekulli ka ndodhur shtatë mijë vjet me parë. Më vonë shkrimin e praktikuan asiro-babilonasit, një degëzim i gjuhës së tyre, sanskritishtja mbeti përmendore e gjuhëve të vdekura. Babilonia , një qytet me një sipërfaqe 66 km katrorë, rrethuar me 250 kështjella, qytet me 100 porta të hekurta dhe me ura të ngritura sipër harqeve me pemë dhe lule , për rreth tetëqind vjet (2000-1250) arriti një lulëzim të mahnitshëm. Ja një nga krijimet më të lashta lirike të kohës së sumerëve… Një adhurues i perëndeshës Ishtar krijon vargje të tilla, të cilat edhe sot të duken sikur janë shkruar nga një autor bashkëkohor.
Kur ajo dëgjon britma
dridhet si pema nga goditjet,
lëkundet siç lëkunden drurët nga goditjet
Çfarë është ajo që e drithëron zemrën tonë?
Ajo që do të dojë të banojë me mua,
do ta ushqej më etjen për të pirë dhe për të thithur pluhurin?
Unë qaj mbi burrat e bashkuar me gratë e tyre,
Unë qaj mbi gratë e bashkuara me burrat e tyre,
e mbi të vdekurit e vegjël para kohe.
Ti rojë e portës, hape atë,
dhe trajtoje mikun sipas ligjit të lashtë.
Dokumentet e tjera më të vjetra letrare i gjejmë në Kinën e lashtë, 2850 vjet para Krishtit. Në hieroglifet e tyre gjenden 9000 shenja dhe 60 çëlësa. India e lashtë është vatra tjetër e poezisë së vedave.Më vonë dolën në dritë dy kryeveprat botërore ILIADA dhë ODISEU, të cilat edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të mahnitin lexuesin botërorë më forcën e përshkrimeve të personazheve, peizazheve, dialogëve dhe situatave. Në këto dy vepra gjenden embrionet e para të të gjitha gjinive të artit të të shkruarit, të poezisë, prozës, dramës , tragjedisë, romanit etj….
Gjurmë të prozës, të poezisë dhe të mendimit filozofik gjen edhe te Libri i Shenjtë. Në Bibël thuhet :”Në fillim ishtë fjala”. Ishtë fjala ajo që solli zhvillimin. Ishtë ai kombinim gjuhësor fjalësh, ato mijëra e mijëra figura poetike të fjalëve të përdorura prej njeriut në kohë të ndryshme që përsosën botën, që nga antikiteti i largët e gjer më sot.Metrika ka qenë një teknikë e lashtë e cila shënon zanafillën e çdo kulture, kur nuk kishte farë dallim midis poezisë,fesë, historisë, muzikës dhe magjisë. Edhe përdorimi i vargut të lirë në këtë kohë e ka zanafillën.
Vargjet e lira njihen qysh me psalmet hebraike.
Vetëm Zoti e ndërton shtëpinë,
ata lodhen më kot për të ndërtuar:
Vetëm Zoti e mban qytetin, roja kot së koti rri zgjuar.
(Psalmë.127)
Tregimi në rima dhe ritme bëhej për t’u mbajtur mend mirë ajo çka thuhej, pasi, meqë sapo largohesh nga simetria e vargjeve nuk mbetet asnjë mundësi për veshin që të gjykojë për strukturën metrike…Në kohën e grekëve të vjetër shkruhej në papiruse të cilat lexoheshin duke i mbështjellë mbi dy shkopinj anësorë.Në Hadithet e tija, Muhameti inkurajonte dhe nxiste që njerëzimi të ndiqte rrugën e kulturës, të diturisë dhe të artit. “Sa më i dijshëm të jesh, aq më afër Perëndisë je”. “Dëshmor i vërtetë është ai që vdes në rrugën e diturisë”. Arabishtja e asaj kohe ishte një gjuhë shumë e pasur me sinonime. Kështu, vetëm për fjalën “shpatë” do të gjeje rreth 500 sinonime, për fjalën “deve” do të gjeje rreth 1000 sinonime, ndërsa për emërtimin “Zot” kishte 99 sinonime.Qysh në lashtësi, krahas talenteve të mëdha, lindën edhe mësuesit e letërsisë që kërkonin shprehjet e bukura. Aristoteli kritikonte stilin e keq letrar, dhe këshillonte mos përdorimin e fjalëve të përgjithshme dhe përdormin e figurave letrare. “Nuk duhen përdorur fjalët pa vënd”, për shembull, përdorimi i epitetit qumësht “i bardhë” është i pavënd,-thoshte Aristoteli,- pasi qumështi kuptohet që është i bardhë. Zgjedhjes me kujdes të metaforave Aristoteli u jepte rëndësi të veçantë, ndërsa Anaksimeni thoshte: “Duhet të flasim bukur!” Për t’u arritur kjo gjë, krijuesi duhet t’i përshtatej një stili të veç;antë. Së pari, sendet duhet të përshkruheshin në mënyrë të përpiktë. Sipas Aristotelit, jo vetëm gjuha duhet përdorur me vend, por edhe lakonizmi i saj. Në fëmininë e letërsisë botërore estetët kujdeseshin për stilin, gjuhën, formën, lakonizmin, shprehjen e qartë si dhe përdorimin e një gjuhe letrare, te kuptueshme për të gjithë. Lidhur më këtë, dua t’ju kujtoj se jo larg, por disa vite më parë, pas ndryshimeve demokratike, pati shqetësime se po dhunohej shqipja letrare e krijuar me aq mundime, madje shkrimi po kthehej në dialektin verior. Gjuha, si mjet komunikimi, përfshin një masë të madhe lexuesish, kështu që, edhe ideja e lirisë së shkrimit, dialektor ose letrar, lidhet me masën e lexuesit të cilit i drejtohemi, probleme të cilat janë mbyllur qysh në shek. e pestë para erës së re, në nismat e para të letërsisë antike greke. Në vitin 1448 u shpik shtypshkronja e parë “Gutenberg”. Edhe para shpikjes së saj njerëzimi ka pasur mënyrat veta të shkrimeve, fillimisht me kunja në tokë e më vonë, në pergamenë (lëkurë delesh). Më djegien e bibliotekës së Aleksandrisë, shumë nga këto libra u dogjën. Ky ka qenë dëmi më i madh që i është shkaktuar kulturës botërore.
Në fillim ishte fjala. Bota hapej para saj…
Njëriu nisi të nxjerrë tinguj pa kuptim
Duhëshin emëruar të gjitha,një nga një, pa ngurrim,
brigjet,lumenjtë ,detet, retë, ajri…burimet, zjarret, stanet, malet,rrufetë, oqeanet.Sa punë e vështirë qenkej ajo…
Në fillim ishte fjala.Tingull i pakuptimtë.
Si më radio jepnim dhe merrnim mesazhe me kozmosin.
Askush nuk përgjigjej. Në fillim ishtë fjala, fjala që përsosi botën.
Fjala që përsosi zhvillimin dhe qytetërimin botëror. Fjala e materializuar në libra, në miliona libra që përsosin dijet, teknikën dhe artin. fShpikjet më të reja, si televizori apo edhe interneti, duket sikur ia kanë zbehur rëndësinë librit, por ky është vetëm një iluzion. Borges, duke kujtuar shprehjen e Bernard Shout, thotë: “Libri është kujtesa e njerëzimit” dhe se një libër është “diçka më shumë së imagjinata.” “Çfarë është e shkuara jonë, në mos një sërë ëndrrash?” , -pyet Borges.- “Ç’ndryshim ka në mes të kujtuarit të ëndrrave dhe të kujtuarit të së shkuarës?” dhe vet përgjigjet: “Ky është funksioni që kryen libri.” Shqisa e shkrimtarit është ndryshe. Ajo kap më shpejt murmurimën e pikave të shiut mbi llamarinën e çatisë. Shkrimtari është zbulues. Ai ngjan më fisin e profetëve. “Unë tërhiqem prej jush”, -thoshte profeti Muhamet.- “Unë shoh çka nuk shihni ju…” Jezuja thoshte : “Mbretëria e qiellit jeton brenda jush.”Dramturgu grek Sofokliu syrin e imagjinatës e quante “Syri i zogut”.Jan Pier Richard do të thoshte: “Arti është rikujtim i fëmijërisë”. Në veprën e vet ai sqaron se dëshira për të shkruar ka lidhje më mallin apo nostalgjinë, dhe se arti është një kundërvënie ose pakënaqësi ndaj botës që na rrethon, arti është një çlirim nga kujtimet. Poeti i madh spanjoll Lorka thoshte: “Poezia është atje ku ajri pothuaj kthehet ne mendim “. Poeti i njohur Andrea Voznjesenski, thoshte:” Çmimi kryesor jepet nga perëndia. Ai është talenti.”Ndërsa filozofi Spenser thoshte:”Jeta pa art humbet gjysmën e hijeshisë së vet.”
Respekt për fjalën
Shkrimtarë të mirë janë ata që e mbajnë gjuhën efiçente,
domethënë ata që e mbajnë atë të saktë e të qartë. Nuk ka rëndësi nëse një shkrimtar i mirë kërkon të jetë i dobishëm apo nëse një shkrimtar i keq kërkon të bëjë dëm…
Ezra Paund.
Libri operon më fjalët. Një shkrimtar i mirë i zgjedh fjalët si ai muratori që zgjedh dhe gdhend më çekiç, gurët e qosheve, duke i latuar me kujdes që ata të jenë në harmoni me njëri-tjetrin, të jenë të një mase dhe të një ngjyre. Pa këtë respekt për fjalën, ju nuk mund të keni kurrë aftësi të mendoni qartë dhe të respektoni personalitetin tuaj.
“Fjala vret, shpirti jep jetë”,- thuhet në Bibël që do të thotë se fjala ka force të jashtëzakonshme, kur përdoret në vendin e duhur dhe në kohën e duhur.
Serioziteti i punës së një shkrimtari nis qysh me zgjedhjen dhe përdorimin e fjalëve. Fuqia e njohjes dhe e talentit ka lidhje me vendosjen saktësisht të gjërave.
Të jesh i zgjedhur duhet të zgjedhësh, jo vetëm fjalët, por edhe temat që trajton.
Fjala merr vlerë në sajë të kombinimeve brenda fjalisë. Fjalët e gjuhës sonë nuk mund t’i ndajmë në fjalë të vjetra dhe të reja, as nuk mund të bëjmë diferencime midis fjalëve të papërdorura nga fjalët më të përdorshme , fjalët dialektore nga fjalët e gjuhës letrare. Të gjitha fjalët kanë një vlerë, janë të barasvlershme. Nuk ka fjalë të para dhe fjalë të dyta. Shkrimtari duhet të jetë i ndjeshëm dhe i vëmendshëm ndaj fjalës, si një alkimist i cili e përdor materialin e vet për krijimin e aliazheve kimike.
Nuk mund ta konsiderojmë një shkrimtar të vjetër vetëm se përdor fjalë të vjetra dhe as një shkrimtar modern, vetëm se përdor fjalë të reja. Fjalët u ngjajnë gurëzave të lumit, disa prej tyre duken si pa shkëlqim, sikur nga mospërdorimi kanë zënë myshk ose pluhur, por, poetët dhe shkrimtarët, duke i vendosur ato në veprën e vet, u japin vlerë, i rinojnë, krijojnë me to imazhe, ide dhe ndjesi nga më të çuditshmet…Janë fjalët ato të cilat, kur përdoren me vend, na emocionojnë, na përçojnë mendime dhe ndjenja, ngjarje dhe histori të kohës që jetojmë apo të kohëve të shkuara. Shumë shkrimtarë të rinj kanë një fjalor të varfër. Nganjëherë ata nuk e përdorin saktësisht fjalën, sipas nuancës së shprehjes. Për shembull, për fjalën “shikoj” ka disa sinonime, si: shikoj, shoh, vështroj, vërej, këqyr, mbikëqyr… apo shprehje të tilla, si: “kapsallit sytë”, “shqyej sytë”, “ngul sytë”, “e ha me sy” etj… Për fjalën “ndriçon” ka disa sinonime, si: “shkëlqen” , “vezullon”, “vetëtin”, “feks”, “llamburin”, “vegon”, “rrezaton” ,“farfurin”, etj. Të gjitha këto fjalë apo shprehje duhen përdorur, pa dyshim, më saktësi dhe në vendin e duhur.
De Rada, në veprën e tij “Milosao” këto fjalë i ka përdorur disa herë me shumë saktësi. Kur Milosaoja shkon në mal, tek stanet, i dashuruar dhe i shqetësuar për të dashurën e vet, Rinën, përdor shprehjen “ai rrinte.. .me “sy të pisëruar”, që do të thotë ” sy nxirosur…”.
Në përshtatjen e kësaj vepre fjala “pisëruar ” është zëvendësuar me fjalën “i mërzitur”. Mirëpo këto dy fjalë kanë vlera dhe nuanca të ndryshme. Fjala “i mërzitur” nuk e ka atë peshë emocionalë, ajo është një fjalë e përgjithshme. Të tillë shembuj mund të japim me shumicë. Në librin
” Ftesë në studio”, I. Kadare, i cili në krijimtarinë e tij ka bërë një punë të suksesshme në rinovimin e fjalëve dialektore, në vend të shprehjes “qysh në atë çast” , përdor “shi në atë çast”, “shi” është një fjalë dialektale, e dialektit verior, e panjohur nga lexuesi.” Shi në çastin kur miqtë ë mi pritnin vargjet e famshme, zëri im e humbi sigurinë, u mek .”
Gjuha letrare shqipe gjatë gjithë kohëve, qysh me të madhin Naim, është pasuruar me fjalë të reja. Në vitet ’80 u ndërmor një fushatë e gjerë për pastrimin dhe pasurimin e gjuhës letrare shqipe, duke rishikuar rreth 500 fjalë, kryesisht huazime nga italishtja dhe frëngjishtja, por edhe disa greqizma dhe turqizma. Janë pikërisht këto vite kur, në gjuhën shqipe, u futën fjalë të tilla, si: “mendësi” ne vend të fjalës “mentalitet”, “mjedis’ në vend të fjalës “ambient” apo “miratoj”, në vend të fjalës “aprovoj”etj. Mirëpo kjo nismë e viteve ’80 pasoi me një vërshim fjalësh të huaja, sidomos pas viteve ’90. Paralel me fjalët e huaja “bordero”, “dezhurn”, “lavatriçe”, gjejmë fjalë të huaja të reja, kryesisht angleze, si: “killer”, “shou”, “luk”, “lider”, “bojkot”, “hitpareid”, “event “, “menazher”, “bodigard”, “overdoz”, “abort”, “staff”, “uikend”, “axhendë” etj.
Të gjitha këto fjalë dhe të tjera që kanë hyrë nga gjuha angleze përdoren gjerësisht nga gazetarët dhe folësit e lajmeve televizive.
” Në të vërtetë, ekziston sot ndër ne një klimë anglofilie, në kuptimin e një dhënieje të ethshme të shqiptarëve ndaj anglishtes, e cila e nxit hyrjen e anglizmave” (“Leksione xhepi për gjuhën”, Kristina Jorgaqi)
Nuk jemi për një gjuhë puritane, por, në rastet kur gjuha shqipe ka fjalët e saj të bukura, s’ ka pse të përdorim fjalë të gjuhëve të tjera. Përse vrasësit duhet t’i themi “killer”..? Përse të përdorim fjalën “uikend” ‘ kur mund të përdorim fare mire “pushim jave”? Më i çuditshëm na duket përdorimi prej disa gazetarëve i fjalës së huaj “minoren”, kur mund të përdornin fare bukur fjalën e gjuhës shqipe “i vogël”. Në të vërtetë, në kuadrin e hapjes së Shqipërisë me vendet e huaja si dhe të hyrjes në vend të produkteve të prodhimit të huaj, si p.sh., në fushën ë kozmetikës, janë futur shumë fjalë të huaja, meqë në shqip nuk u është gjetur ende fjala e përshtatshme. Kjo konsiderohet si një periudhë kalimtare.
Është detyra e çdo poeti dhe shkrimtari t’i përdorë me sukses fjalët e gjuhës shqipe, të reja ose të vjetra qofshin, po kështu që t’i përdorim më kujdes edhe disa fjalë të huaja, pa rënë në puritanizëm.
Vini re fjalët ne poezinë popullore, bukuria e vajzës shqiptare shprehet vetëm me tri vargje :
Hanko mos shko nëpër varre
se të vdekurit i ngjalle,
të gjallët në varr i kalle….
Në këto tri vargje nuk ka ndonjë fjalë të re, as fjalë moderne. Përshkrimi i bukurisë së vajzës i besohet shprehjes metaforike.
Shkrimtari i madh rus Anton Çehov në shënimet e tij gjatë qëndrimeve të gjata në Jaltë shkruan: Kam qëndruar 20 minuta përballë detit, vetëm për të gjetur një krahasim të vërtetë për detin. Duke e kundruar, më shkuan ndërmend shumë krahasime, po a e dini ku qëndrova…vetëm tek epiteti: “Deti i madh”.
Këtë krahasim mund ta konsideronim më të rëndomtin ndër gjithë krahasimet që janë bërë për detin, qysh nga Homeri i madh , por ja që shkrimtarit të madh rus në atë çast nuk ia mbushi mendjen asnjë krahasim tjetër.Në ato çaste atij iu duk se deti nuk ishte as i gjerë, as i thellë, as i paanë, as i kaltër, as ngjyrë gurkali…as blu i thellë, as si një vresht… Deti ishte “i madh”. Të mendosh aq gjatë për të gjetur një fjalë të duhur, një fjalë që shpreh gjendjen e atij çasti, ky është një mundim i bukur i çdo shkrimtari.
Përse shkruajmë?
Unë u kam kushtuar një pjesë të jetës sime
leximeve, dhe mendoj së letërsia është formë e
lumturisë… Ajo çka quajmë ne krijim është një
pjesë kujtese dhe harrimi e asaj çka kemi lexuar.
J.L. Borges
Floberi thoshte ,unë shkruaj për t’u çliruar nga njerëzit dhe nga sendet. Është dëshira për të treguar ndonjë mrekulli të panjohur ose diçka? ” Sipas Sartrit, të shkruash do të thotë të japësh. Kjo dëshirë, – thotë I. Kadare, -fillimisht është një ngasje e lumtur, por që pasohet me shumë trazime…” Dikë e shtyn ëndrra, një tjetër vetmia, një tjetër ndihet i stresuar nën peshën e talentit, dikë e tërheqin mbresat apo imazhet.. .dhimbja, gëzimi, trishtimi, emocionet, por jo të gjithë synojnë t’i hedhin në letër të gjitha këto ngarkesa emocionale. Veç kësaj, krijimi nuk lidhët me imitimin apo me vërtetësinë e jetës. Arti krijon një univers tjetër. Të krijosh këtë “univers” do të thotë ta përtërish jetën sipas bindjeve, imazheve dhe vizionit tënd për botën.
Krijimi është diçka midis fantazisë ,ëndrrës dhe realitetit. Ashtu si aktori kur luan një rol mishëron figurën letrare të krijuar nga dramaturgu, ashtu dhe krijimi “mishëron” një figurë jetësore.
I.Kadare, për këtë akt, thotë: “Në të vërtetë, në vend të fjalës “krijohet”, do të ishte më e saktë të përdorej folja “mishërohet”, “njëmendësohet”, “ngrihet në këmbë”. Sepse krijimi, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, ka ndodhur më parë. Krijimtaria e vërtetë e shkrimtarit ndodh në një zonë tjetër të jetës së tij, në një zonë të padukshme e shumë të dendur.”
Shkrimtari shqiptar i Maqedonisë, Kim Mehmeti, pyetjes “’Përse shkruan?”, i përgjigjet: “Unë shkrimin e ndjej si pjesë të qenies sime, ai është një ndër kënaqësitë me të cilën mbushet shporta e jetës sime. Sikur ta ndjeja si diçka të mundimshme, përnjëherë do të hiqja dorë prej një mundimi të tillë. Por, ndaj gjërave që më sjellin kënaqësi dua të jem i përgjegjshëm dhe atyre vullnetarisht u nënshtrohem, u lejoj të sundojnë qenien time.”
Aktori, i cili mishëron një rol, bie fjala, personazhin e Hamletit, tek figura e krijuar ka diçka nga Hamleti ( tekst letrar),dhe diçka nga personaliteti i tij, kështu krijohet një Hamlet i tretë, Hamleti-aliazh, midis Hamletit tekst dhe aktorit Hamlet.
Figura artistike është tre përmasore. Pak a shumë diçka e tillë ndodh edhe me krijimin letrar. Kur përshkruajmë një figurë historike, pa dyshim ajo do të këtë diçka prej vërtetësisë së saj dhe diçka prej fantazisë së krijuesit. Ajo çka del në dritë është një komponente midis reales dhe imagjinares. Për t’i qëndruar sa më besnik përshkrimit të një figure të njohur historike, qysh në lashtësi. Lukiani i porosiste shkrimtarët që, kur të shkruanin një vepër me karakter historik, të mos bënin shumë trillime dhe poetizime :” Gjuha e historianit,-thoshte ai,- s’duhet të dalldiset vend e pa vend, përndryshe ka shumë rrezik të dalë nga udha e drejtë dhe të kridhet në vallen e furishme poetike.”
Për sa i përket pyetjes “Përse shkruajmë?”, kjo nuk u ndodh të gjithëve, u ndodh vetëm disa individëve të veçantë, të cilët pamjet e jetës dhe idetë nuk i lënë të qetë. Ata janë raca e zgjedhur njerëzore, të cilët presin vetëm vetëtimat të shkarkojnë tonelatat e ujit që mbajnë, dukë shtegtuar nëpër qiej. Këta individë të veçantë, le ta quajmë kështu racën e të talentuarve, qysh në hapat e para të krijimtarisë së tyre e ndiejnë veten persona publikë, persona të lindur me përgjegjësi historike. Kjo përgjegjësi qytetare mund të shfaqet që herët.
De Radës, qysh në vogëli, prindërit i kishin treguar se ai kishte lindur me këmishë.. .Nëna e tij kishte parë një ëndërr .. .që Jeronimi do të bëhej një njeri i dëgjuar. Gjithmonë kam menduar se Jeronimit të ri, ideja e përgjegjësisë historike i ka lindur qysh herët, së bashku më talentin e tij të madh.. Ka shumë personalitete letrare dhe historike të cilëve ideja për t’u bërë dikush u është përftuar qysh në fëmijërinë e hershme.
Kam vënë re se talenti është i përsëritshëm edhe brenda një gjeni. Ka shumë shkrimtarë botërorë, ndër ta edhe shqiptarë, të cilët janë trashëgimtarë të një stërgjyshi i cili, gjatë jetës së vet, ka shfaqur talent letrar. Koha mund ta ketë përcaktuar një bejtexhi fshati ose një poet, të dështuar për kohën, por brezat e më vonshëm kanë vazhduar traditën e tij letrare.
Në trungun poetik Gusho, shkëlqeu poeti i njohur Lazër Gusho (Lazgush Poradeci), por, nga ky fis, para tij dhe më vonë, kanë dalë dhe po dalin talente letrare, si: shkrimtari i njohur Dhimitër Xhuvani, shkrimtarja Elena Gusho, (Kadare) dhe dramaturgu Mirosh Marko…
Për të shkruar një ese …
Unë nuk bëj asgjë pa gëzim.
Montaigne
Një shkrim, sado i vogël, qoftë dhe i formatit së skicës në shkolla, pikësëpari duhet parapëlqyer, që do të thotë se duhet shkruar me një ndjenjë gëzimi. Montaigne shënon se koncepti i letërsisë detyruese është i gabuar. Këtë gjë më së shumti duhet ta kenë parasysh mësuesit e letërsisë kur japin temat e eseve, si për të ndikuar psikologjikisht mbi nxënësit, ashtu dhe për të krijuar atë mjedis entuziast, i domosdoshëm për krijimtarinë letrare.
Montaigne thotë: “Nëse në një libër gjen një fragment të vështirë, kaloje”. Ai sheh në letërsi njëlloj lumturie. I këtij mendimi është edhe poeti argjentinas Borges: “Një libër nuk duhet të kërkojë mundim, lumturia nuk duhet të kërkojë mundim. “(Pavdekësia… f.16)
Hartimi i një skice- ose i një poezie është sprova e parë e çdo të riu për të matur aftësitë e veta shprehëse. Shumë të rinj, të ndodhur në bankat e shkollës se mesme gjatë orës së “skicës letrare”, ndiejnë vështirësi në formulimin e saj, por kjo nuk duhet të na shqetësojë. Gjatë përvojës sime si mësues letërsie gjithmonë e kam ndier këtë vështirësi të tyre, por nuk kam dashur kurrë t’u imponoj nxënësve mendimet e mia. Shpesh nxënësve u jepet një temë e tillë, si : “Përshkruani figurën e nënës”. Përshkrimi i figurës së nënës jep mundësi dhe hapësirë shprehjeje, pasi, cilitdo i jepet rasti të përshkruajë me dashuri figurën e një gruaje, qoftë dhe të nënës së vet.
Kjo nuk kërkon as talent as trillim, por, vështirësia qëndron tek përshkrimi i figurës së nënës në përgjithësi. Përshkrimi i figurës duhet të jepet përmes disa detajeve të veçanta, përmes ca imtësive të cilat kanë të bëjnë me vëzhgimin e imët dhe shprehjen e tyre letrare. Ja, këto të ashtuquajtura imtësi e karakterizojnë njeriun.” Do të thoshte Dostojevski te “Të fyer dhe të poshtëruar”.( f. 225)
Veç kësaj , skica letrare kërkon edhe një farë kompozimi, kërkon një fillim dhe një fund. Ndodh që një nxënës, gjatë gjithë orës së parë, të mendohet për mënyrën sesi ta fillojë….Është pikërisht ajo fjalia e parë që i mundon të gjithë… Jo vetëm fillestarët, por edhe shkrimtarët me përvojë. Ky çast i fillimit nuk duhet të shqetësojë askënd. Kjo ndodh pasi fjalia e pare hidhet në letër kur e kemi të qartë, gjer në imtësi, ato çfarë do të tregojmë. Mungesa e kësaj qartësie na bën të qëndrojmë gjatë mbi letrën e bardhë. Dhe, nëse do të përshkruajmë figurën e nënës, të cilën e kemi para syve të gjallë, nëse nuk do t’i kemi të qarta ato “imtësirat” që thotë Dostojevski ,nuk do të mund të shkruajmë dot asnjë rresht.
Ka ndodhur që nxënësit të më kërkojnë ndihmë… pikërisht për fjalinë e parë:- ” Si ta filloj? “Presor…Më ttregoni vetëm fjalinë e parë…”-” Nis me fjalinë e dytë….” ,-i jam përgjigjur unë me shaka, duke e njohur këtë ngërç të çastit. Pra, duhet një fjali e parë, qoftë edhe sikur atë ta quanim fjalia e dytë ose e tretë. Në këto raste, letrari i ngjan shoferit i cili ka hipur në makinë, por ende nuk i ka dhënë gaz makinës. Ja si e përshkruan shkrimtari kretas, Kazanzaqis, këtë çast:
“Krijimi është një gjë magjepsëse, plot pasiguri dhe emocion, si dashuria…Në çastin kur nisesha të shkruaja romanin “Zorba” (më dukej sikur) kërkoja zogun e pakapshëm që here pas here përplaste krahët thellë zemrës sime.”
Shkrimtari grek Vasilis Vasilikos, në kujtimet e veta, vë në dukje pikërisht këtë vështirësi në gjetjen e fjalisë së parë :
“Unë ngrihem qysh herët dhe përgatit tavolinën e shkrimit. Ndodh që e ndiej veten të papërgatitur për të nisur punën. Atëherë vërtitem nëpër dhomë i shqetësuar, përgatis mëngjesin, merrem me pastrimin e tavolinës apo me ndonjë punë tjetër të parëndësishme. Kjo kohë mund të jetë e shkurtër, por mund të zgjatë një orë edhe më shumë. Dhe, ja, vjen një çast kur unë e ndiej veten të gatshëm të ulem dhe të shkruaj. Është vetëm një çast.. Pasi ke sqaruar gjithçka, pasi ke gjetur edhe fjalinë e parë me të cilën do të nisësh udhëtimin..” .Fjalia e parë nuk është lehtë të gjendet, pasi ajo ka lidhje më fjalinë mbyllëse.
Natyrisht, kjo fitohet me përvojë. Shpesh ndodh që individë të talentuar të mos i hyjnë rrugës se vështirë të letërsisë , vetëm e vetëm ngaqë kanë ndier vështirësi në shkrimin e hartimeve, qysh në shkollën e mesme.
Kam njohur letrarë të talentuar të cilët, pikërisht për këto arsye, janë thyer, janë ftohur dhe më pas janë larguar nga rruga e krijimtarisë, dhe të tjerë, më pak të talentuar, por më shumë këmbëngulës,të cilët i janë përkushtuar letërsisë qysh nga rinia gjer në pleqërinë e tyre.
Letrari nuk duhet të dekurajohet nga vështirësitë që has në krijimtari, as nga qortimi që mund t’i bëhet veprës së tij. Ai duhet të jetë i armatosur me një bindje të fortë, e cila e bën atë të ecë përpara dhe të ketë një vetëdije të pacenueshme.
“Shkopi që mund të marrësh kohë pas kohe për të forcuar ecjen tënde është të mësosh edhe nga veprat e mjeshtërve të tjerë më të mirë.”
Unë nuk besoj shumë në shprehjen e Lunaçarskit, i cili thoshte: “Artistit i duhet një herë talent dhe nëntë herë punë”. Në të vërtetë ai e hiperbolizonte rolin e vullnetit në art, pasi talenti është diçka e lindur bashkë më njeriun, talenti është i lidhur me personalitetin e artistit dhe me përgjegjësinë historike të tij, pa zvogëluar rolin e punës, kulturës, përkushtimit, shëndetit, rrethanave shoqërore, gjendjes ekonomike, etj.
Skica letrare është një ushtrim i domosdoshëm për mësimin e shprehjeve të ndjenjave dhe të mendimeve në mënyrë sa më të qartë. Skica zakonisht nuk shkon më shumë së dy-tri faqe, kështu, i riu, brenda pak faqeve duhet të përmbledhë qartë dhe bukur atë çka do të thotë. Nga kjo pikëpamje skica është disi e vështirë, pasi je i kushtëzuar të shkruash shkurt dhe qartë, pa rënë në përgjithësime. Ainshtajni thoshte:”Një person e njeh mirë një argument kur arrin t’ia shpjejgojë gjyshes së vet.” I riu kur nis të shkruajë një ese duhet ta këtë të qartë temën në të gjitha imtësitë. Si duhet ta nisë shkrimin dhe ku do ta përfundojë? Do të flasë në vetë të parë apo në vetën e tretë…? Do të përdorë elementë nga jeta e tij apo do të trillojë ndonjë ndodhi, në përshtatje me ato çfarë ka dëgjuar?
Krijimi është një gjendje e veçantë ku, siç thotë I. Kadare, “truri i shkrimtarit pulson si në ethe”, ndonëse në çdo çast ai gjendet në vetëkontroll. Poeti gjerman, Emil Verharen, e përcakton krijimin në këtë mënyrë: “Të shkruash do të thotë të ndiesh më mendje dhe të mendosh më zemër”, që do të thotë ndjenja të ruajë masën e kontrolluar nga mendimi dhe mendimi të ruajë masën e vet, të kontrolluar nga ndjenja. Kjo është një maksimë shumë e saktë për të treguar harmoninë që duhet të ketë raporti ndjenjë- krijim, si dhe vetëkontrolli që duhet t’i bëhet krijimit nga të dyja këto qendra krijuese. Në çdo krijim, parësore duhet të jetë ndjenja. Edhe mendimi duhet të jetë parësor, por gjer në masën e duhur.
Mësuesi i letërsisë, në një farë mënyre, duhet të jetë vetë letrar ose të njohë mirë metodën krijuese , në mënyrë që të bëjë edhe një punë të diferencuar me nxënësit. Ai nuk duhet t’u imponohet nxënësve me mendimet e veta, por t’u japë atyre parimet e përgjithshme të krijimit dhe disa sqarime të pjesshme rreth temës që do të trajtojnë. Detyra e tij është ta joshë nxënësin e me pas ta nxitë për të medituar rreth temës. Mësuesi duhet të jetë në rolin e mediumit për ta çuar nxënësin gjer në atë pikë ku “truri të pulsojë si në ethe”, i gatshëm për të nisur skicën letrare. Gjithmonë me parimin që nxënësi është i lirë dhe ka hapësirë të plotë për të dhënë një krijim sa më real, sa më të besueshëm dhe sa më origjinal…
Ese-ja “kolektivçe” është një lloj gare midis nxënësve. Krijimi juaj, sa më origjinal, bëhet edhe më joshës, po të mendosh që eseja më e mirë do të lexohet në klasë, para të gjithëve, dhe do të vlerësohet me një notë, e cila ka rëndësinë e saj .
Në orën e esesë, nxënësi duhet ta ndiejë vetën jo si në klasë, por si në një qafë mali, ku zëmra nis të trokasë më ndryshe dhe truri, i cili gjendet si në ethe, nis të vegojë gjithçka që sheh më “syrin e zogut”, syrin e imagjinatës..