Zef Përgega është sot një nga zërat më të fuqishëm të diasporës shqiptare, jo vetëm në komunitetin ku ai jeton, por duke rrezatuar në gjithë hapësirën shqiptare. Ai është autor i mbi dyzet librave me karakter letrar, studimor, historik dhe publicistik. Jeton në Detroit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por poezia e tij mbetet thellësisht e rrënjosur në gjuhë, në kujtesë dhe në fatin kolektiv shqiptar. Përgega është poet, publicist, shkrimtar dhe studiues, për të cilin drejtësia dhe dinjiteti njerëzor përbëjnë boshtin etik të gjithë veprës së tij.
Në këtë cikël poetik, ai shfaqet me një poezi të fortë në figurë dhe të qëndrueshme në mendim. Natyra, historia dhe njeriu nuk trajtohen si tema të veçuara, por si një trup i vetëm poetik. Pylli, mali, deti, kulla, varri dhe flamuri nuk janë metafora dekorative, por struktura mbi të cilat mbështetet kujtesa dhe identiteti. Vargu i Përgegës ecën mes mitit dhe realitetit, mes dhimbjes personale dhe përvojës kolektive.
Poezitë e këtij cikli flasin për rrezikun e asimilimit, për plagët e historisë, për mërgimin, për sakrificën dhe për qëndresën morale. Por mbi të gjitha, ato flasin për nevojën që njeriu të mos e humbasë drejtimin. Te poezitë kushtuar Prekazit, Sarajevës, Spaçit apo figurave të harruara, Përgega dëshmon artistikisht. Fjala e tij është me peshë, e matur dhe shpesh e dhimbshme. Pikërisht për këtë arsye, ky cikël e konfirmon shqiptaro-amerikanin Zef Përgegën si poet të ndërgjegjes dhe të qëndrimit. Vargu i tij mbetet i besueshëm, i fortë dhe i domosdoshëm.
MARASH MIRASHI Poet, shkrimtar
PIGMETI I GJELBËR
Pylli i gjelbër i mendjes time
Lëviz me hap drenushash, në brina drenash
Nëpër lara dielli, lahen e thahen stinët
Lumi i thatë i shpirtit i ndamë dy zemrash!
Njëra ma vadit grunin në harta të vjetra
Tjetra ma ushqen frymën parcelave të huaja me thekra!
Pylli im m’i mbledh në lëkurë të vet
Gjethet e shkelura, më shëruan plagët
Statujave të hedhura
Mbjellë në pranverë fidana
Me jeshilue vendin e vorreve
Ku prehet nana e baba!
Më çel sytha plot dritë
Me lotin e shiut tue i vadit
Natyrën hyjneshë me kangë zogjsh
Në tel të zanit mos më e korit!
Pyllit të zanave në mendjen teme
Kuajt e bardhë u harbuan detit të pa-anë
Shtojzovallët u divorcuan nga dhëndrrat
Peneli i hanës s’e vizaton më
Kryelatësinë e lisave të dheut!
Derisa Zoti të na lëshojë edhe një herë
Pigmentin e gjelbër, si smeraldin e kostumit të Mona Lizës
Bimësisë së parajsës, stinëve të vitit
Të ngjallet pylli im në penel të Leondado da Vincit!
PO NA PUSHTOJNË GJAKU IM MALËSOR
Malësorët e mi
Infiltrimi i patronazhistit e globalit
Me anë të këngës e valles
Në dheun tand të të parëve
Është asmilim i shpirtit dhe identitetit
Me të cilin ti i bane dritë perëndisë edhe vetit!
Mos e merr si gjarprin në gji
Dhe në shoqatë e bën drejtues me gjak të huaj
Se pushtimi është asimilim me anë të kulturës
Ma i zi se plumbi i pushkës!
Ulu një ditë në gjunjë
Le të bëhen pantallonat me baltë
Se para varreve në Vuksanlekajve
Bash asht mjaltë
Fjala dhe mencuria edhte shall i ngrohtë
Në krahët e shqipes
Asht në flamurin kombëtar të Ded GjoLulit
Mos e lejo njerin e lig të bahet kundra teje
Si shuli i pushkës me vra veten se je oxhaku i burrit
SI T’I LË GJURMËT E MIA
Si mund t’i lë gjurmët e mia
Ku aty ku ndizet një zjarr
Nuk gjëndet njeri për ta shuar
Në Amerikë në tokën e andrrave
Se lumi im është shterr si i huaj!
Në të jashtëzakonshmen e hynoren e kësaj toke
Ku asgjë prej gjëje s’është e imja
Për të cilën, cent për cent djersën e paguaj
Lufta ka mënyrën e vet
Heronjtë për t’i treguar
Brenda urdhërit: “Përpara ne sulm”
Vetëm me librat që kam shkruar
Mund t’i them vetës: “Ti je një shkulm?!”
Vetëm se u linda e u rrita në dhe tjetër
Kam një pasuri si motiv të vërtetës
Revolucionin e shpirtit, llampa e guximit
Shpresën ma gjallon brenda vetës!
LË TË JEMI SI MALET
Vargmalet krenare flasin me heshtjen
Dielli në sup të tyre e ka dritarën e lindjës
Perëndia ua dha gjysmën e prehërit të vetës
Gjuha e sertë e thesarëve në zemër të dheut
Dritë e frymë merr prej fosileve të ështrave të kreut!
Brenda zjarrit të ndezur të rrënjëve të pemëve
Thuhet ora e meshës së përditshme
Thellësive të shpellave me lter prej gurit
Me derën hapur nga pasqyrat e lumit
Vetë deti me grushtat e vet
Ua lanë këmbët e unit!
Të pagjunjshëm vetëm drejt, kurrë s’u gjunjëzuan
Me vullkanët e fshehur gjelbërimit me borë
Të papërkulshëm lartohen si Zot!
Edhe kur dikush invazionesh kërkonte t’i vriste
Me armën e rrënimit, kryet t’ua priste!
Bash për faktin, se, secili ka një emër magjik
Të një kulle, një besë e të një kanuni
Një kishë katolike, me kryqin i një shenjti
Lë të jemi si malet, që kurrë s’i zë gjumi!
MEDITIM PRANË DETIT
…1 tetor në Shëngjin, ku erdha në jetë si një zbatice…
Krejt dheu i nanës, si brumi i dhimbshëm i shpirtit
Në mes gishtave të saj, ngjitur, më thuri
Një triko dimri të butë si jesteku i djepit!
Një lule akulli e kisha ruajt nga Frori në Detroit
Me e mbjellë në pranverë
Gjurmëve të mira si ullinjt
Nga një tufë pulëbardhash të shprishura!
Ishin mbush me andrra si një anije e bardhë me vela
M’i kishte marrë me vete një zbatice
Deti, më thanë se i kishte qep me fijet e iluzioneve
Në një kantjer me lundra!
Për t’i shkruar si hajmalitë
Emër për emër të njelmta me një grusht kripë
Kur të kthej vjeshtën tjetër
Kam me i gjet aty, në bukën e thyeme!
Buzëve të bregut një therje gjaku
Si marinarit kur stërkalat ia errësojnë sytë
Si dy flatra shqipe,
Zemrës me i dhanë dritë!
SARAJEVE
Përhumb rrugëve të saj si një tramvaje e natës
Sipër nëpër re, yjet shetisin si bredharakë
Epitafet e ishujve të luftës si varse e artë
Nga gjaku i derdhur binarëve me plagë!
Tinguli depërtues më shpon si bajonetë serbi
Si në kohë, në trupit e mbretit austriak
Violinës së zambakëve i binte një plak
I leckosur, i uritur e i pa strehë
Se i biri për Bosnjën kishte dhënë dy jetë!
Pranë mbante vëllimin e Getës “Prometenë”
Lëndina e lotëve shpaloste një qiell
Me emra zogjsh tremijë vetë
Muhamedane që për ty ranë, Sarajevë!
Nga larg dëgjoj fërshellimën e lokomotivës
Pranverës së pergjakur, ku leu një dashni e re
Ecen mbi shinat e frikës dhe të urrejtjës
Duke lënë pas tymin e vjetër
Krimit serb të së djeshmes!
Dua ta ndjej kangën e sirenës
Damarëve të gjakut të lirisë këndon:
Dheu ka nevojë për secilin
Nuk ka zgjidhje, duke ikur!
Sarajeva jetonte sot, më mirë se mot
Ajo dinte çfarë nesër do të vijë
Qielli mbushej me ëngjëj
Kur në Sarajeve lindte një fëmijë!
Tetor 2025
KUJTOJ NGA LEKURA IME MARKA BRUNGEN
Lypësi mendimtar i Mirditës, të cilin e kam njohur dhe ka bujtë në kullën time!
Marka Brunga lypës prej hallit
Brinjë për brinjë e përgjatë zallit
Me shkop në strajcë e tesha të pista
Ku e zu nata s’e çeli drita!
A ka bujrem, o i zoti konakut
Kudo shkoj, si njeri i padvetë
Si për dasëm e për dekë
Bukën e kërkujt se korita
Si zakon që ka pasë Mirdita!
Çoju Marka Brunga
Prej vorrit e çele njanin sy
Shiko si i është rrit shtetit gunga
E Shqipnia është ba me njëqind parti!
Mbush me drogë, me horra e vagabondë
Qeveria mjel tamël me bidona
Hareme osmane e degjenerim
Bash po plas shpirti yt e shpirti im!
Mos u mërzit more lum djali
Po e shoh Shqipninë që e paska mbulue halli
Haja qenit e pija qenit
S’po u dashka gjë dryni i Pertenit!
Ç’ ka po thua, o Marka Brunga
Në gjak të vet kanë me u mbyt
Edhe pak sa t’u plasi gunga!
NË PREKAZ NJË HISTORI QË JETON NË GJAK
U ngjita shkallëve të shkrumbuara e dola
Në odën pranë oxhakut të kosovarit
Ende prushonte zjarr për lirinë e vatanit
Në luftë Jasharajt kishin lënë
Gjakun e krejt familjes!
Kërciten dërrasat dhe drutë e votrës
Sikur na shtrin dorën e mirëse ardhjës
Mbi tra përflaknin dhimbjen
E ne që shkuam aty
Na theri gjunjët edhe brinjët!
Përballë kullës së djegur në Prekaz
Emrat e bac Ademit, përcillnin dritë
Në sytë e qiellin ndrinin si yjet ndez
Në pllakat e varrëve në mermer!
Flamuri kyq e zi ua fshinte plagët
Ne megimtarët vumë një tufë me lule
Të hidhnin rrënjë kujtimi të largët
Se flijimi është shenjtëri lirie
Në çdo zemër shqiptarie!
NË KOPSHTIN E POETËVE
Me ethet e dridhura trokiti
Tingulli kitarës prej burgut tim
Në kopshtin e poetëve
S’kishte gardh as mur
Pa dry në derë
Isha frymë apo erë?!
Në Pllanë, ku ishim pagëzuar në lter!
Natyra në frontin e mahnitjeve
I ndërronte stinët e poetëve
Me lashtë shiu në hanë, treshin në diell
Varur pëlhurat nëpër shkronja e vargje
Vela deti për traumundanat e bardha
Ku të gjithë kodikun e shpirtit tim
E mbledha në kupën e hojeve për liri
Kripur fort në stërkala, me soktatët e mi!
Në mbretërinë e tyre, s’kishte tela me gjëmba
As gozhda si kyçi e salvimit
Romuzët e hareshme t’i shkruanin në sy
S’kishte as shkallë, për t’u ngjitur e ulur si pashallarë
Në prehërin perëndisë vinim me radhë!
Veç pak tamël dheu, një gotë raki vreshte
Si lumi që nuk kthen dalë, në De Radë
A kam një copë vend t’a bjellë lulen time?
I bekuar qoftë vargu, i pjekur në zjarrin,
…e natës së madhe me bekime
Nikoll Njeçi në Barbarë
Sofërshtruar, na len pa fjalë!
KËMISHA E GJAKUT U BË FLAMUR
Kushtuar dhimbjes së Visar Zhitit, gojëartë
Burgu i Spaçit atje nalt, rrjetë telash
Gjëmba siluetë në dritë e në sy
Qorronte dritën e qiellit, bajonetë në gjoks të njerit
Çeliku i diktatues ndehej gardhit të murit të territ
Prangave të pushkatimit të absurdit e tmerrit!
Grise këmishën e trupit tand të bardhë
Fshehur, pej zanës së shpirtit, plot plagë
E bëre të kuqe me gjakun e pushkatimit
Me një gur pej galerive me thëngjinj
Pikturove shqiponjën shqipe me çerpik
Flamurin pa yll të revoltës epike!
E denuar fjala, poezia, liria… fryma
U ngjite lart me forcën e ështrave të tyre
Në ato zgafella, ku çmendehin tmerret
Prej pikës së ujin në torturat japaneze
Aty, ku fytyra nuk shihej në pasqyra
Mbijetove për të dëshmuar
Si flija e lirisë e tokës me salvime!


















