Diplomati dhe publicisti i njohur, Shaban Murati, është ndarë nga jeta mëngjesin e sotëm

Diplomati dhe publicisti i njohur, Shaban Murati, është ndarë nga jeta mëngjesin e sotëm

Shaban Murati ishte mik dhe bashkepunetor i gazetes kombetare Nacional, me shume shkrime dhe analiza te shkelqyera te gjeopolitkes dhe ceshtjes shqiptare. Redaksia jone i shpreh ngushellime te sinqerta familjes se tij.

Shaban Murati është shuar në moshën 79-vjeçare. Pas ndarjes së diplomatit të shquar nga jeta, ka reaguar djali i tij, gazetari dhe analisti Erl Murati, i cili shkruan se ceremonia mortore do të zhvillohet ditën e nesërme në në varrezat e Sharrës.
“Faleminderit mjekëve dhe infermierëve të QSUNT, në veçanti Dr. Entela Bashës, të cilët u kujdesën për shëndetin e babait tim, Shaban Muratit, i cili u nda sot nga jeta.
Ceremonia mortore mbahet nesër, në varrezat e Sharrës, duke nisur nga shtëpia në rrugën A. Z. Çajupi (pas shkollës Edit Durham) në orën 12:00.
Familja pret ngushëllime të dielën, në hotel Mondial në oraret 10:00 – 14:00 dhe 16:00 – 19:00. Të mira e gëzime!”, shkruan Erl Murati.
Shaban Murati lindi më 2 shtator 1945 dhe ishte një figurë e spikatur në diplomacinë dhe publicistikën shqiptare, duke kontribuar ndjeshëm në zhvillimin e politikës së jashtme të vendit.
Gjatë karrierës së tij të gjatë diplomatike, Shaban Murati shërbeu si ambasador i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Suedi, Norvegji, Finlandë dhe Islandë. Ai ishte gjithashtu drejtues i Akademisë Diplomatike të Republikës së Shqipërisë, duke luajtur një rol kyç në formimin e brezave të rinj të diplomatëve shqiptarë.
Mes diplomacisë dhe publicistikës
Përveç angazhimeve diplomatike, Murati ishte një autor i njohur, duke publikuar një sërë librash dhe analizash mbi çështjet e Ballkanit, diplomacinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Ndër veprat e tij më të spikatura janë “Serbia kundër Serbisë: analizë e një gjysmërevolucioni të lënë përgjysmë” (2004), “Enigmat diplomatike të pavarësisë së Kosovës: fletë nga ditari i një ambasadori” (2007) dhe “Vetëvrasja diplomatike e Shqipërisë dhe Kosovës” (2021).
Kontributet e tij në fushën e diplomacisë dhe publicistikës janë vlerësuar gjerësisht, duke u cilësuar si një zë unik kombëtar dhe një personalitet poliedrik me kulturë të gjerë në fusha të ndryshme. Shaban Murati do të mbahet mend si një diplomat i përkushtuar, studiues i palodhur dhe mbrojtës i interesave kombëtare shqiptare.
Humbja e tij lë një boshllëk të madh në diplomacinë dhe kulturën shqiptare. Ngushëllime familjes, miqve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe vlerësuan punën e tij të vyer. Ngushëllime gazetarit e kolegut tonë Erl Murati për këtë humbje të madhe familjare.

Begaj: Burri fisnik që atdheun e kishte të shenjtë
Nga Maela Marini

TIRANË, 14 shkurt/ATSH/ Presidenti Bajram Begaj shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të diplomatit Shaban Murati, një figurë me kontribut të ndjeshëm në zhvillimin e politikës së jashtme të Shqipërisë dhe në fushën e studimeve diplomatike, historike e politike.
“Me dhembje mësova lajmin për ndarjen nga jeta të intelektualit, diplomatit, historianit politik, njohësit të shkëlqyer të gjeopolitikës rajonale, mikut tim, Shaban Murati. Çdo bisedë që zhvillova me të, çdo këshillë që më jepte, ishte e hapur, e drejtpërdrejtë dhe e vyer”, u shpreh Begaj.
Presidenti vlerësoi se “Shaban Murati, burri fisnik që atdheun e kishte të shenjtë dhe gjithmonë me vete, do të mbetet mes nesh si veprimtari i përhershëm që foli, shkroi dhe ndau dijen për të na orientuar në anën e të mirës dhe të drejtës në histori”.
“Shaban Murati iku i bekuar duke lënë pas, veç tre bijve, pasardhës të denjë të tij, edhe vepra të rralla për ne! Shpirti t’u prehtë në paqe, i miri Shaban Murati”, u shpreh Begaj.
Diplomati shqiptar Shaban Murati është ndarë nga jeta mëngjesin e sotëm 14 shkurt 2025, në moshën 79-vjeçare.
I lindur më 2 shtator 1945, Murati ishte një figurë e spikatur në diplomacinë dhe publicistikën shqiptare, duke kontribuar ndjeshëm në zhvillimin e politikës së jashtme të vendit.
Gjatë karrierës së tij të gjatë diplomatike, Shaban Murati shërbeu si ambasador i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Suedi, Norvegji, Finlandë dhe Islandë.
Ai ishte gjithashtu drejtues i Akademisë Diplomatike të Republikës së Shqipërisë, duke luajtur një rol kyç në formimin e brezave të rinj të diplomatëve shqiptarë.
/m.m/j.p/