DITË  E  XHAMTË  … POEZI NGA ODISE KOTE

 

 

Kur ra këmbana e Kishës, zoti s’tha asgjë.

Vetëm u kujdes të mos shkelja ligjin.

Tek ditë e re, e xhamtë, vizatoj frymën tënde,

në shkëlqimin e rrugës kallkan që ndrin.

 

Dimri kaq i thellë, më e thellë dhembja,

njerëzit e horizontit, të mjegullt. Sikur bëjnë piruetë!

Më mirë prek drojë malli e shkoj mes akullit,

se sa të lundroj ajsbergëve që shkrijnë si retë…

 

Mes meje dhe ëndrrës, histori triumfi,

matanë bien gjethet, brof brenda gjakut drita,

Veç mumjet s’jetojnë me thirrjet e së shkuarës,

s’i harron dot gjërat e bukura vetmia …

 

Te kjo ditë e xhamtë, buzët e tua të kuqe,

prekin netët  e pagjumta, trillet, marrëzitë.

Aty lind puthja që rrëfen përse kemi heshtur,

pse s’bëjmë atë që bën pranvera me qershitë…

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here