Elmira Rama, lindur në Frashër të Fierit, ka studiuar në Universitetin e Camerinos (Itali) në degën e Biologjisë së Nutricionit dhe në Universitetin e Gjirokastrës, në degën e Kimi- Biologjisë. Është autore e 5 botimeve. Dy jane vëllime poetike dhe tre janë hulumtime gjatë përvojës së punës. Poezi të saj gjenden të botuara në dy antologji të festivalit poetik “Gjurmët Naimiane” (Përmet), në disa numra të revistës letrare italiane “UT” dhe në faqe letrare on-line. Në aktivitetin e zhvilluar nga Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptar në Shkup, (15-17 Nëntor 2018) është vlerësuar me një nga çmimet e këtij aktiviteti.
Dy prej studimeve të botuara janë prezantuar në konferenca shkencore:
1- Prezantim poster : “Diabetes as a risk factor in cardiovascular diseases”, në Konferencën e dytë Internacionale (ICPHSP) Vlorë
2- Prezantim verbal: : “Proçesi i gjithëpërfshirjes në arsim dhe fëmijët me kufizime të rënda”, në konferencën e XVI Evropiane e Shkencës Sociale dhe të Sjelljes, Prizren.
Të dyja prezantimet janë të botuara në librat e konferencave përkatëse.
Botimi i fundit titullohet “Të ushqyerit në jetën e Myzeqesë” dhe është i vlerësuar nga Prof. Dr. Spase Shumka, Fakulteti i Bioteknologjisë dhe Ushqimit , Universiteti Bujqësor i Tiranës.
DITË TË HIDHURA
(nënës sime)
Të gjitha ditët,
pas ikjes tënde
kanë shije të hidhur.
Pse ike nëna ime??
Trëndafilat që ke mbjellë anë gardhit kanë çelur.
Dje të solla trëndafila.
Ti i doje shumë trëndafilat!
Babai sot thirri emrin tënd
kur pa njerëz tek porta.
Me kokën ulur hyn e del nëpër shtëpi.
Nuk di çfarë të bëj me humbjen tënde nëna ime.
Po ti, pse nuk ndenje edhe ca?
Në oborrin e shtëpisë
ende duken gjurmët tuaja,
ku rrëzohen lotët e mi.
Qysh prej ikjes tënde
ditët tona kanë shije të hidhur.
Mbrëmë të kam parë në ëndërr.
Pse ike kaq shpejt
nëna ime?
PA TITULL
Nuk e fajësoj errësirën
pse nxin deri në thonjtë
e saj të paprerë kurrë.
As diellin,
pse nuk e zbardh dot,
sepse toka rrotullohet.
Nuk u mbaj mëri ditëve
që vijnë e shkojnë
duke gërryer
të voglën
jetën time.
As stinëve,
që kanë humbur
fytyrën e tyre.
Nuk pretendoj
asgjë nga kjo botë e madhe,
nga kjo botë shumëngjyrëshe
shumëklimëshe
shumëgjuhëshe.
Nuk më vjen keq
pse çelin lule në dimër,
e ka lule
që vyshken pa çelur fare.
Unë kam parasysh,
se nuk vyshket asgjë
që çel
nga dashuria.
KOHA E FJALËVE
Fjalë,
fjalë,
kudo vetëm fjalë
dhe njerëz të pafaj.
Fjalëshumtit
kanë ndërtuar fabrika
te prodhimit të fjalëve.
Edhe për të vdekurit
po thonë,
se ringjallen me fjalë.
O njerëz,
duhet një përmendore
për durimin
dhe dhimbjen
e kohës sonë.
MOS TË ANKOHEMI
Është deklaruar lufta.
Ne rrimë mbyllur.
Nuk kemi gjë,
as për të thënë,
as për të humbur.
Bari rritet,
pemët çelin,
rriten thonjtë…
pastaj ne hamë gjethe,
përtypim fjalë.
Pse të ankohemi !?
Ne s’kemi gjë,
as për të thënë,
as për të humbur.
FËMIJËRISË
Eja fëmijëria ime,
vetëm për një çast
të ndjej aromën tënde,
të harroj gjithçka tjetër,
të belbëzoj,
të këndoj me zërin tënd,
të vrapoj e të pengohem,
dhe përsëri të vrapoj
në fushën tënde të gjelbër.
Eja fëmijëria ime,
se më ka marrë malli
për sytë e tu të qeshur,
për këngët,
për përrallat e gjyshes.
Eja fëmijëria ime,
të luajmë me litarë
në rrugicën e mëhallës sonë.
Thirri të gjitha shoqet,
se ka vite që nuk i kam parë.
Eja fëmijëria ime,
eja të vrapojmë pas xixëllonjave
që shkuan,
siç vitet tona ikën …
…………………..
dhe unë u rrita,
ndërsa për ty fëmijëria ime,
sot paskam mall.
NATË
Është natë.
Unë po dremis.
Vetëm sytë e tu,
nuk mbyllën sy.
Ç’është me ty
o terr i zi?
Është natë.
Të gjithë flenë.
Fli edhe ti ëndrra ime,
e në u zgjofsh
udhëhumbur,
a valëz deti,
brenda teje,
dije:
është një Perëndi
PRANVERË PANDEMIE
Ditët,
as flasin,
as qeshin.
Në honin e tyre
rrëzohen frymëmarrje,
lot,
ankthe.
Pranvera pa ditur gjë,
troket,
buzëqesh,
cicërin përditë.
Ditët heshtin,
ëndrrat zverdhin me frymën
në krahët e erës.
Ç’mesazhe u thonë
kolonitë e mbretërve
që i kanë pushtuar !?
Pranvera, paditur gjë ,
mbulon degët e mjegullës,
me diell e dritë.
Ne, sërish do të përqafohemi.
VJESHTA
Kjo stinë
me ngjyra të vakëta,
me re të plogëta.
Era përkundet
në fill të horizontit,
ditët,
të heshtura përkundin
nje melankoli të ëmbël.
Kjo stinë
është vjeshta e artë
që me zor e kam pritur.
Pas saj do të vij dimri,
pastaj pranvera,
e sërish vera.
Çdo stinë
me shtatoret e ditëve të mia.
FUNDVIT
Netë të akullta
me rrënjë të shkulura,
as qajnë,
as qeshin.
Zgavra të ngrira sysh
përtypin hidhërimet e ditëve,
që nuk dihet
ku shkuan.
Rreth e qark vetëtijnë drita,
qiellin kanë zbritur në tokë. A e di kush
se dhe unë ekzistoj ?
ARITMETIKË SOCIALE
Statistika është shkenca
që llogarit të dhëna numerike
nga fenomene sociale,
sa lindin,
sa sëmuren,
sa punojne,
sa vdesin …
edhe moshën mesatare
të njeriut,
por jo copëzat e dhimbjeve,
trishtimet,
brengat e secilit.
Statistikat e konsumit tregojnë
edhe se, p.sh.
një banor konsumon
1 qengj në vit,
por nëse aty ka ujqër
që hanë nga dy,
apo dhe më keq,
gjithë kopenë,
nuk thotë asgjë.
Për llogarinë sociale,
të gjithë kanë çfarë të hanë,
të gjithë janë të lumtur.
MOS HARRONI
Gjithmonë kam qenë
në raporte të mira me të lexuarit.
Kështu, nuk e kam të vështirë
të lexoj nëntekste,
imazhe,
ngjyra,
lojëra,
i njoh trokitjet e errëta
edhe kur dora shfaqet e bardhë.
Unë kam lexuar kodin
e duarve të punësuara
për të larë duart,
edhe ligjin,
kur në kembim të jetës,
duhet të japësh jetë.
E di si është kushtetuta
e të mëdhenjve
dhe kanuni i të vegjëlve.
Po ju, e dini se
forca e lumenjve të mëdhenj,
varet nga prurjet e rrëkeve të vogla !?
Mos e harroni kurrë.