Dosja e Charles McGonigal dhe Edi Ramës në SHBA përmban edhe një tjetër element të rrezikshëm, për të cilin po flitet më pak, për shkak se çështja është fokusuar te Rusia dhe Shqipëria.
Por bëhet fjalë për ndikimin kinez te McGonigal dhe Edi Rama.
Analistja e njohur e sigurisë dhe ish-kolegia e McGonigal, Tracy Walder, ka folur për këtë çështje për portalin Scripps News.
Ishte Walder e para që tha se arrestimi i McGonigal mund të jetë një nga rastet më të rënda në historinë e minimit të FBI-së.
Në dosjen hetimore amerikane theksohet se McGonigal ka punuar për një shqiptar të punësuar nga një konglomerat kinez i energjisë.
Bëhet fjalë për Dorian Duçkën, këshilltarin e ngushtë jozyrtar të kryeministrit Edi Rama, që sipas dosjes hetimore, përdorte pasaportën dhe emailin zyrtar të qeverisë.
Walder, e cila ka punuar pikërisht te sektori që mbulonte Kinën në FBI, nën varësinë e McGonigal, tha se Kina nuk ishte një prioritet i madh në atë kohë. Sipas saj, edhe pse McGonigal ishte përgjegjës për kundërzbulimin në Azi, nuk dukej shumë i investuar në atë që po bënte FBI.
Por më pas ndodhi diçka. Informatorët e CIA-s në Kinë nisën të arrestoheshin ose të vriteshin.
“CIA vuri re se asetet e saj njerëzore në Kinë ose po zhdukeshin, ose po vriteshin dhe nisën të dyshojnë se kishte një spiun brenda agjencisë. Kështu që ata thirrën FBI-në për të bërë një hetim,” thotë Walder.
Hetimi zgjati dy vite, dhe personi që u zbulua ishte një punonjës i CIA-s, i quajtur Jerry Lee. Ky i fundit u jepte kinezëve emrat e burimeve të CIA-s në Kinë dhe Charlie McGonigal ishte personi që ishte ngarkuar për zbulimin e tij.
Walder thotë se një vlerësim për dëmet që McGonigal i ka shkaktuar FBI-së, do të kërkojë muaj në mos vite.
“Kjo mund të vërë në rrezik dënimin e Jerry Lee. Lee u shpall fajtor në vitin 2019 për komplot për të spiunuar për Kinën”. Walder ka të njëjtin shqetësim edhe për rastet e tjera në të cilat ishte i përfshirë McGonigal, duke përfshirë një rast hetimi ndaj disa kinezëve që kishin vjedhur sekrete teknologjike nga SHBA, përfshi këtu teknologjinë e maskimit të nëndetëseve bërthamore.
Më pas ishte kontributi i McGonigal në hetimin për ndërhyrjen ruse gjatë zgjedhjeve të vitit 2016.
Walder ka frikë se emrat e spiunëve dhe burimeve amerikane jashtë shtetit mund të jenë gjithashtu në rrezik.