Dr.Elez Biberaj: Vepra jetësore e prof. Sami Repishtit është e rrënjosur thellë në luftën për drejtësi, liri dhe demokraci

Profesor Repishti ishte një mik i madh, një mentor dhe një burim i vazhdueshëm frymëzimi

E nderuara zonja Repishti, Ava, Daren, anëtarë të familjes, miq dhe kolegë të profesor Repishtit!

Mblidhemi sot për të vajtuar humbjen e një njeriu të jashtëzakonshëm, profesor Sami Repishti.
Ndërsa zemrat tona janë të rënduara nga pikëllimi, ne jemi gjithashtu të bashkuar për të nderuar jetën e jashtëzakonshme që ai jetoi – thellësinë dhe pasurinë e kontributeve të tij për familjen e tij, kombin e tij, komunitetin tonë shqiptaro-amerikan dhe shoqërinë amerikane në përgjithësi.

Në korrik 2015, gati një dekadë më parë, pata privilegjin e madh të marr pjesë në një simpozium në Nju Jork, për nder të ditëlindjes së 90-të të profesor Repishtit. Në fjalën e tij të shkurtër me atë rast, profesor Repishti foli me elokuencë për parimet që e udhëhoqën atë gjithë jetën e tij: ngritjen e zërit atje ku shqiptarve nuk u lejohej zëri i tyre, avokimin e drejtësisë, lirisë për të ndjekur ëndrrat e tyre dhe kundërshtimin e pakompromis tw diktaturës komuniste, si dhe kundwr diskriminimit dhe hakmarrjes.

Edhe atëherë, teksa u përball me sfidat e viteve të jetës së tij në imigrim , profesor Repishti tregoi një shpirt të jashtëzakonshëm vendosmërie, forcë dhe përkushtim të thellë ndaj dinjitetit njerëzor. Fjalët e tij na kujtuan personin e jashtëzakonshëm që ai ishte – një fener shprese, dhembshurie dhe humanizmi.

Sot, ne nderojmë dhe kujtojmë udhëtimin e një personi vërtet të veçantë – një bashkëshorti, babai, gjyshi, studiuesi perceptues, aktivisti për të drejtat e njeriut, kolegut dhe mikut – i cili që do të qëndrojë gjatë nw kujtimet e tw të gjithë atyre që e njohën.

Kam pasur privilegjin e madh të njoh profesor Repishtin për mbi pesëdhjetë vjet. Miqësia jonë filloi kur e takova për herë të parë me emigrimin në Shtetet e Bashkuara në vitin 1968, megjithëse kisha dëgjuar për të vite më parë nga xhaxhai im, Nimani. Ata kishin qenë në burg së bashku pas pushtimit të Shqipërisë nga komunistët. Xhaxhai im kishte treguar histori për privimet, torturat fizike dhe psikologjike dhe punën e detyruar që ata duruan në burgjet brutale të Enver Hoxhës.

Profesor Repishti dhe unë zhvilluam një miqësi të ngushtë, të bazuar në dëshirën tonë për të çuar përpara çështjen shqiptare dhe një vizion të përbashkët për një të ardhme më të mirë për Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët e vendeve të tjera të Ballkanit. Ai dilte rregullisht në Zërin e Amerikës, ku fjalët e tij u jepnin shpresë shqiptarëve të shtypur se një ditë do të fitonin lirinë dhe të drejtat e tyre demokratike.

Pasioni i tij për drejtësinë dhe dinjitetin njerëzor, i shoqëruar me intelektin e tij të jashtëzakonshëm, e bënë atë një zë të besueshëm për shqiptarët në mbarë botën, si dhe për politikëbërësit amerikanë. Ai u vlerësua shumë nga të gjithë ata që patën mundësinë të ndërveprojnë me të.

Profesor Repishti ishte një mik i madh, një mentor dhe një burim i vazhdueshëm frymëzimi. Miqësia e tij ishte një dhuratë që do ta ruaj gjithmonë.

Vepra jetësore e profesor Repishtit është e rrënjosur thellë në luftën për drejtësi, liri dhe demokraci. Ai shfaqi një angazhim të palëkundur për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat e njeriut dhe qeverisjen demokratike në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Çamëri dhe Mal të Zi.

Kontributet e tij në luftën e gjatë dhe të vështirë të Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci janë të jashtëzakonshme. Nëpërmjet avokimit të tij, ai mobilizoi jo vetëm komunitetin shqiptaro-amerikan, por edhe ndërgjegjësoi publikun amerikan dhe politikëbërësit amerikanë, duke kultivuar marrëdhënie me zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë, Departamentit të Shtetit dhe Kongresit. Përpjekjet e tij ishin të rëndësishme në krijimin e organizatave evokuese si Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë, Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan.

Një shkrimtar prodhimtar, Profesor Repishti botoi raporte, artikuj dhe libra të shumtë, duke ofruar njohuri të thella mbi historinë shqiptare, të drejtat e njeriut dhe rëndësinë e demokracisë. Në leksionet, intervistat dhe dëshmitë e tij para Kongresit të SHBA, profesor Repishti mbrojti me pasion çështjen shqiptare.

Në vitin 1982, së bashku me Arshi Pipën, profesor Repishti organizoi një konferencë ndërkombëtare për Kosovën, e cila mblodhi së bashku studiues të shquar amerikanë, evropianë dhe shqiptarë.

Konferenca rezultoi me botimin e librit Studime për Kosovën, i cili u bë një lexim i referent për politikëbërësit dhe studiuesit.

Profesor Repishti i kushtoi vëmendje të veçantë forcimit të marrëdhënieve të forta strategjike mes shqiptarëve dhe amerikanëve. Ai besonte se prosperiteti i ardhshëm i shqiptarëve ishte i lidhur ngushtë me miqësinë dhe partneritetin e tyre me Shtetet e Bashkuara.

Profesor Repishti lë pas një trashëgimi të qëndrueshme. Ai ishte një shqiptaro-amerikan shembullor, një avokat i palodhur i të drejtave të njeriut dhe një studiues i kompletuar, puna e të cilit do të vazhdojë të frymëzojë brezat e ardhshëm. Ai ishte një njeri me parime, i cili nuk pushoi kurrë së luftuari për atë që besonte.

Ndërsa ne vajtojmë për vdekjen e tij, të mos harrojmë gëzimin dhe krenarinë që ai solli në jetën tonë. Nëse profesor Repishti do të ishte sot këtu, jam i sigurt se nuk do të donte që ne të fokusoheshim në kujtimet e lumtura dhe ndikimin pozitiv që ai bëri në jetën tonë.

Të gjithë familjes Repishti i shpreh ngushëllimet më të thella.Qoftë i bekuar kujtimi i profesor Repishtit dhe le të vazhdojmë të jetojmë të gjithë sipas vlerave që ai përqafoi me aq pasion.

U prefsh në paqe miku im!

*Fjala e dr. Elez Biberaj e mbajtur nw ceremoninw e organizuar nga familja Repishti dhe komuniteti shqiptar nw SHBA, me rastin e pwrcjelljes sw prof. Repishtit pwr nw baneswn e fundit nw New York, mw 2 dhjetor 2024